Një gazetare mund të ndryshojë sjelljet e Kinës ndaj mjedisit

Speciale

Një gazetare mund të ndryshojë sjelljet e Kinës ndaj mjedisit

Më: 5 mars 2015 Në ora: 20:22

Ishte një moment kur mjekët diagnostikuan një tumor te fëmija që ajo akoma nuk e kishte lindur, kur Chai Jing mori një vendim shumë të guximshëm. Gazetarja ngriti zërin dhe foli hapur mbi një temë që në Kinë shpesh anashkalohet me qëllim: smogu ekstrem që po ua merr dalëngadalë jetën miliona njerëzve.

Chai Jing nuk donte ta pranonte më këtë situatë. Reporterja e televizionit shtetëror e la – sipas gazetës britanike “The Guardian” – vendin e saj të punës atje, investoi një milion juanë dhe ndërmori një udhëtim në mbarë vendin, për të shfaqur sjelljen e padenjë të Kinës zyrtare ndaj mjedisit.

E nga kjo mesele në fund u realizua edhe filmi dokumentar “Under The Dome” (Nën kupolë). Chai Jing i ka vënë qëllimisht veprës së saj të njëjtin emër me të cilën titullohet edhe një serial amerikan, në të cilin banorët e një qyteze të vogël janë të mbyllur brenda një sfere të qelqtë. Po aq të shtypur ndihen edhe kinezët ndaj smogut, thotë ajo.

Të shtunën e shkuar, filmi u shfaq në Kinë – dhe interesi i publikut ndaj tij ishte shumë i madh, gjigant madje: më shumë se 126 milionë njerëz e kanë parë tashmë këtë dokumentar dhe numri i tyre rritet gjithnjë e më shumë. Deri më tani, qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë censure ndaj tij – çka në fakt ishte pritur fillimisht prej shumë kinezëve.

Plotësisht e kundërta ndodhi. Ministri i ri kinez i Mjedisit, Chen Jining, thuhet se madje e ka uruar me një mesazh të shkruar në telefon gazetaren, duke e falënderuar atë për punën e bërë, raportonte ndërkaq edhe gjermania “Die Zeit”.

A do të ndryshojë “nën kupolë” politika kineze ndaj mjedisit?

Chai Jing, prej vitesh, ishte marrë me ndotjen e ajrit në Kinë. Në janar 2013, ajo punoi në katër provinca të ndryshme kineze dhe mblodhi fakte e dëshmi rrëqethëse nga banorët në ato zona. Biseda e saj me një vajzë të vogël, u përket skenave më të ndjeshme e të famshme të filmit dokumentar që ajo ka realizuar.

Smogu në Kinë është një problem i përditshëm dhe i kudogjendur. Në renë e zezë që ai krijon, gjenden kokrriza benzopyreni, që në fund depozitohet i gjithi në trup gjatë frymëmarrjes. Është shumë i rrezikshëm e kancerogjen.

Në Kinë, vlera mesatare e benzopyrenit në atmosferë është 209 herë më e lartë se sa vlera e lejuar zyrtarisht. E megjithatë, tema në fjalë është një tabu dhe cilësohet nga autoritetet si “ogur i keq” nëse përmendet.

Në mënyrë të ngjashme, edhe popullsia tashmë duket se është mësuar të bashkëjetojë me retë e zeza.

Një grua dhe misioni i saj

Chai Jing ia ka dalë me filmin e saj dokumentar, që të shkundë nga themelet njerëzit në atë vend. Ajo e trajton temën në fjalë nga një perspektivë e ndryshme personale dhe flet hapur për frikën që ajo ka ndaj këtij fenomeni. “Nga momenti në të cilin unë dëgjova të rrihte zemrën e sime bije, nuk doja gjë tjetër veç shëndetit të saj”, thotë ajo.

Mirëpo, këtu pyes veten se në cilën botë e ke lindur vajzën tënde. Në 175 ditë të vitit 2014, ajo nuk mundi ta nxirrte dot jashtë shtëpisë në Pekin – qytetin e saj të lindjes – foshnjën e saj, për shkak të ndotjes së madhe.

Më shumë se gjysmën e vitit, vajza e saj duhej ta kalonte si një “e burgosur”, e mbyllur brenda katër mureve të shtëpisë.

Duhet të ndryshojë diçka në mënyrë urgjente, është mesazhi që përftohet nga vepra e fundit artistike e gazetares. Dhe kinezët po e dëgjojnë atë – këtë e tregojnë edhe shifrat e mëdha të shikuesve të dokumentarit.

Ata po ushtrojnë tashmë presion mbi qeverinë kineze për të vepruar për t’i dhënë fund kësaj situate. Sipas një agjencie shtetërore lajmesh, ministri kinez i Mjedisit, Chen Jining, njoftoi se ndërmarrja e nismave të reja ligjore për mbrojtjen e mjedisit, ishin dhe synimi më madh i qeverisë për këtë vit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat