“Novaja Gazeta” jep dëshmi të përfshirjes konkrete ruse në Ukrainë

Speciale

“Novaja Gazeta” jep dëshmi të përfshirjes konkrete ruse në Ukrainë

Më: 4 mars 2015 Në ora: 17:26

Për një kohë të gjatë, thjesht është spekuluar mbi këtë argument: si mundet që separatistët prorusë të posedonin kaq shpejt armë moderne? Dhe përse ata mundeshin që brenda një kohe të shkurtër, të zotëronin e të përdornin armë e teknika luftarake shumë moderne? Si ka mundësi që të lëvizësh trupin e të mbash qëndrim prej ushtari profesionist në një terren lufte, kur je thjesht një burrë që deri në momentin e fundit ke qenë vetëm një punëtor fabrike apo një minator?

Përgjigjja për këtë është fare e thjeshtë: ndërsa shumë burra në Perëndim duhej të bëheshin merak për nxitjen apo ushqyerjen e mendimeve për luftë të qeverive të tyre, trupa të rregullt rusë prej kohësh luftonin në Ukrainë, duke u angazhuar ushtarakisht kundër një shteti sovran. Deri më tani, megjithatë, për këtë pretendim nuk është sjellë dot asnjë dëshmi bindëse. Por, ndërkaq, ka qenë një gazetë ruse çuditërisht, “Novaja Gazeta”, ajo që ka sjellë e para një dëshmi për t’u marrë parasysh.

Një reportere ia ka dalë që të futet në një spital ushtarak në Donjeck, qendrën e separatistëve, e të flasë me një ushtar rus mbi ndërhyrjen apo depërtimin e tij dhe të shokëve të tij në Rajonin Donbasit.

Ajo është intervista e parë e këtij lloji, pasi deri më tani ka pasur vetëm deklarata të ushtarëve rusë, që ose gjenden gjatë kësaj kohe me “pushime” në ato territore ose që ikin nga ato territore, për shkak të dhunës që kanë hasur atje, ndërsa kanë qenë civilë.

Rekrutimi ishte vullnetar

Për sa i përket ushtarit të intervistuar, bëhet fjalë për një të ri me emrin Xhorxh Batomunkujev, që ka lindur në zonat kufitare me Mongolinë. Ai ka shërbyer si tankist artilerist (nën numrin e identifikimit: 2609999) dhe që pas një goditjeje që kamioni i tij kishte marrë në messhkurtin e këtij viti, ka pësuar lëndime të rënda me plagë djegieje.

Interesant është teksti në fjalë edhe për arsye se Batomunkujev tregon me detaje se si ushtria ruse i dërgon ushtarët e vet në Ukrainë. 20-vjeçari thotë se ai nuk është detyruar të shkojë në shërbim atje. “Ai që nuk ka dashur, e ka refuzuar angazhimin në këtë aksion”, thotë ai. Më tej ai pohon se atij dhe shokëve të tij, eprorët i kishin thënë se do të zhvillohet “një stërvitje”, por gjithkush e ka ditur se cili ka qenë synimi i vërtetë. “Unë isha gati moralisht dhe mendërisht të shkoja në Ukrainë”, thotë Batomunkujev.

Për përgatitjen e këtij aksioni, ai, së bashku me shokët e tij, kishin shënuar me bojë numrin e batalionit dhe shenjat e tjera të ngjashme mbi tankun që kishin nën zotërim. Në terrenin stërvitor, në të cilin stërvitej çdo njësi ushtarake, më pas kishte ardhur urdhri të hiqnin të gjitha shenjat nga uniformat që mbanin. “Për arsye konspirative”, thotë ai.

Pasaportat, dokumentet dhe celularët duhej të dorëzoheshin

Pak para se ai dhe shokët e tij të kalonin kufirin, i është dashur të dorëzojë pasaportën dhe të gjitha sendet personale që posedonte, të cilat mund të sillnin identifikimin e tij, deri te celulari. Që do të luftonte në Donjeck, ai e ka ditur qysh në fillim dhe ka qenë pra i ndërgjegjshëm. “Unë e kisha lexuar këtë në tabelat orientuese mbi rrugë.”

Batomunkujev e di se ka vrarë edhe njerëz dhe nuk është krenar për këtë. “Është e tmerrshme. Nën ndërgjegje ti e di se atje jashtë është një njeri si ty, që rri në një tank apo mbi një kamion sikurse dhe ti. Njerëz si ty, prej mishi e gjaku. Por, nga ana tjetër, ti e kupton se bëhet fjalë për armikun.”

Ushtari tankist, dhe kjo në fakt del nga intervista në fjalë, është i bindur se trupat ukrainase janë gjithashtu përgjegjëse për vrasjet e civilëve të pafajshëm e fëmijëve dhe se ai vetë beson se gjendej atje për një “mision paqeje”.

“Novaja Gazeta”, redaksia ku punonte edhe Politkovskaja

“Novaja Gazeta” del tri herë në javë me një tirazh prej 600 000 kopjesh. Ajo njihet si një media me profil shumë investigativ në Rusi. Vetëm pak kohë më parë, gazeta në fjalë kishte publikuar një dokument të Kremlinit, në të cilin sipas hetimeve që ajo vetë kishte zhvilluar në mënyrë të pavarur, rezultonte një plan i detajuar mbi konfliktin në Ukrainë.

Te kjo media, në vitin 2006, punonte edhe gazetarja e vrarë Ana Politkovskaja.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat