Frojdi më 1935: Ja ç’mendoj për homoseksualitetin

Speciale

Frojdi më 1935: Ja ç’mendoj për homoseksualitetin

Më: 26 shkurt 2015 Në ora: 17:13

Martesat brenda së njëjtës gjini apo dhe vetë të qenët gej ose lesbike, prej kohësh tashmë janë bërë temë debati edhe në Shqipëri. Në ditët e sotme bëhen akoma përpjekje, sidomos të motivuara nga aspekti religjioz, për të “shëruar” homoseksualët. Shkencëtarët, megjithatë, po bien gjithnjë e më shumë dakord se kjo përpjekje jo vetëm që është e kotë, por edhe e rrezikshme ndonjëherë. Pasi t’i trajtosh në atë mënyrë vuajtjet e një homoseksuali, çon shpesh në probleme masive, deri te tentativat për vetëvrasje.

Edhe për psikanalistin më të shquar të shekullit, Siegmund Freud (Frojd), që lindi më 1856-n e vdiq më 1939-n, kjo pikëpamje dukej se nuk ishte fare normale.

Një debat i përmasave më të vogla, por sidoqoftë më të mëdha se në çdo kohë e epokë tjetër më parë, ndodhte në vitet ‘30 të shekullit të shkuar edhe në Europë.

Kështu, në vitin 1935, psikanalisti i famshëm i shkroi një letër një gruaje, një zonje angleze (emri i saj është fshirë), nëna e një djaloshi gej, e cila i ishte lutur atij më parë t’i kthente një përgjigje për problemin, siç e cilësonte ajo, të djalit të saj.

Por duket se Freud, jo vetëm se i ktheu përgjigje, por një të tillë që zonja nga Anglia ndoshta nuk e kishte pritur fare, duke mos marrë asnjë ilaç apo rekomandim mjekësor konkret prej tij: ai i shkruan asaj në thelb se “nuk ka asgjë prej së cilës ajo duhet të kishte turp”, dhe i flet edhe për atë që mund të të ofronte psikanaliza, e cila për kohën dhe, edhe aktualisht, shihet shpesh me dyshim si alternativë efikase për shërimin e sëmundjeve psikike e jo vetëm.

Letra në fjalë tashmë është pronë e Institutit për Kërkime mbi Seksin, Gjininë dhe Riprodhimin, i cili kohët e fundit ka çelur në Londër një ekspozitë nën titullin “Instituti i Seksologjisë” (The Institute of Sexology).

Më poshtë, teksti i plotë i letrës, që në origjinal u shkrua nga Siegmund Freud në një anglishte, nivelin e së cilës në fund të letrës ai gjen edhe vend ta kritikojë.

////////////////////////////////////////////////////////////////////

E dashur zonjë,

Unë po kuptoj nga letra juaj se djali juaj është homoseksual. Më duket shumë domethënëse që Ju nuk e përmendni këtë fjalë në përshkrimin që i bëni djalit tuaj. A mund të pyes se përse ju e shmangni atë? Homoseksualiteti sigurisht se nuk është ndonjë përparësi, por nuk është gjithashtu asgjë për të cilën duhet të ndieni turp, ngarkesë apo të fshiheni.

Nuk është gjithashtu as një sëmundje. Ne e trajtojmë këtë si një variant të funksionit seksual, i përftuar nëpërmjet një bllokade të zhvillimit seksual. Shumë persona tepër të respektuar dje dhe sot ishin homoseksualë, e ndër ta edhe disa prej njerëzve më të mëdhenj (si Platoni, Mikelanxhelo, Leonardo da Vinçi etj.).

Është një padrejtësi e madhe ta përndjekësh homoseksualitetin si një krim dhe një tmerr gjithashtu. Nëse nuk më besoni, atëherë lexoni pak librat e Havelock Ellis.

Në lidhje me atë që Ju pyesni, nëse mund t’Ju ndihmoja, mos ndoshta mendoni se unë mund të shmangia homoseksualitetin e ta zëvendësoja atë me heteroseksualitetin normal.

Përgjigjja është se këtë nuk mund t’ua premtojë dot njeri. Në disa raste, ne i kemi zhvilluar sërish qasjet rudimentare të tendencave heteroseksuale, të cilat gjenden në çdo homoseksual, por në shumicën e rasteve, kjo pra, nuk është më e mundur.

Është një çështje e aftësive e veçorive të moshës së secilit njeri. Rezultati i një trajtimi nuk mund të parathuhet.

Ajo çfarë mund të bëjë psikanaliza për djalin tuaj, është diçka tjetër. Nëse ai nuk është i lumtur, neurotik, i paqëndrueshëm, i paralizuar në jetën sociale, analiza mund t’i ngjallë sërish harmoninë, paqen shpirtërore, eficiensën, por jo nëse ai mbetet apo jo, pra homoseksual.

Nëse ju mendoni se ai duhej t’i nënshtrohej një vizite tek unë – mendoj se ju duhet të vendosni vetë pastaj – atëherë ai duhet të vijë në Vjenë. Unë nuk kam ndërmend të largohem prej këtu. Mos hezitoni të më ktheni një përgjigje.

Me respekt të thellë e përshëndetje miqësore,

Freud

P.S.: Nuk m’u duk e vështirë ta lexoja shkrimin tuaj të dorës. Shpresoj që edhe shkrimi dhe anglishtja ime, të mos jenë problem për Ju.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat