Pse është lexuar kaq shumë kjo histori?

Speciale

Pse është lexuar kaq shumë kjo histori?

Nga: Nga Giles Wilson, BBC Më: 31 janar 2015 Në ora: 00:30

Pak përpara se foshnjet të lindin në Finlandë, shteti u jep atyre një dhuratë. Bëhet fjalë për një kuti kartoni të mbushur- jo me shkresa- por me gjërat më të nevojshme për javët e para të foshnjes.

Rroba, përfshi një kostum dëbore, kapele, dorashka, të gjitha në një ngjyrë jospecifike gjinore. Peshqirë, një termometër, një libër për fotot. Për shumë fëmijë, kutia e kartonit kthehet në krevatin e parë. Çdo bebe, nuk ka rëndësi i pasur apo i varfër, i privilegjuar apo i privuar, i destinuar për madhështi apo jo, ka të drejtën për një start të njëjtë në jetë. Finlandezët lindin- dhe ky është konteksti- të barabartë të gjithë.

Mund ta keni dëgjuar këtë histori- nëse po, atëherë keni shumë shokë. Tre milionë lexues të faqes në internet të BBC e kanë lexuar vetëm javën e shkuar, duke u bërë në total 10 milionë në 20 muajt e fundit. Të mërkurën në mbrëmje, u bë e para histori në 17 vitet e kësaj faqe që është ndarë 1 milion herë. Një milion lexues e kanë dërguar në Twitter, në FB ose me email. Edhe më shumë do jenë, duke përllogaritur se mund të jetë lexuar nga dikush tjetër pranë tyre, por kjo është e vështirë të monitorohet, madje edhe nga BBC.

Por përse është lexuar kaq shumë kjo histori, duke tejkaluar shkrimet “Miti i tetë orëve gjumë” apo “Një burrë në Sudan detyrohet të martohet me një dhi”, që janë ndarë po ashtu masivisht?

Kjo histori nuk është ‘lajm’- pasi kutitë e kartonit kanë 75 vite që shpërndahen në Finlandë- por ky do ishte lajm për shumicën e njerëzve jashtë Finlandës. Titulli “Pse bebet finlandeze flenë në kuti kartoni” zakonisht të ndihmon, edhe pse nuk është shumë i saktë, i intrigon lexuesit për të zbuluar se çfarë fshihet.

Kur lexojnë historinë, ata ndjehen të ngrohtë me barazinë e tregimit. Është ky lloj emocioni që i bën njerëzit që ta ndajnë historinë.

Ka edhe diçka tjetër. Që nga qershori i vitit 2013, kur është shkruar për BBC nga korrespondentja jonë, Helena Lee, ka pasur tre valë popullariteti. Njerëzit që nuk e kanë lexuar herën e parë apo të dytën, mund të kenë qenë më të interesuar herën e tretë, kur “tregimet për fëmijët” kanë qenë më të rëndësishme për ta.

Profesori Alfred Hermida i universitetit “British Columbia” është autor i librit “Tregoji gjithkujt: Pse ndajmë dhe pse kjo ka rëndësi”.

Si pjesë e ekipit që lançoi faqen e BBC në internet, ai ka ndjekur nga afër historitë që ndahen më shumë mes lexuesve. Ai thotë se është e vështirë të parashikosh se cilat histori do të jenë shumë të rëndësishme në mediat sociale, edhe nëse i kanë të gjithë elementët e historisë së mirë dhe emocionet e duhura.

Nuk ka asnjë parashikim, thotë ai, nëse njerëzit me rrjete të mëdha miqsh të vërtetë vendosin t’i ndajnë këto histori.

Në këtë rast, historia mund të ketë qenë një apel i duhur për njerëzit që duan të bëjnë fëmijë.

“Njerëzit nga mosha 24 deri në 34 vjeç janë shumë aktivë në median sociale,” thotë ai.

Por faktorët që bëjnë që njerëzit të ndajnë me të tjerët historitë janë duke u hulumtuar nga neuroshkencëtarët, thotë Hermida.

Sapo dikush nis të lexojë një histori, ai nis të bëjë llogaritë nëse ia vlen t’u tregojë miqve për të.

Duket se nuk janë vetëm gazetarët që duan t’i tregojnë gjërat.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat