Kriza e euros, ul çmimet edhe në turizmin luksoz

Speciale

Kriza e euros, ul çmimet edhe në turizmin luksoz

Më: 25 janar 2015 Në ora: 16:03

Ndoshta nuk është një çështje për të cilën duhet të preokupohen shumë shqiptarët, qoftë edhe ata që mendojnë se e kanë xhepin plot. Por tendencat aktuale në tregun apo sektorin e turizmit elitar, ia vlen të dihen e mbahen shënim në çdo rast, pasi kriza e euros e jo vetëm, sugjeron ndryshime edhe në tregun e turizmit masiv e atij tradicional. Sidoqoftë, ja cilat mund të shihen tashmë si destinacione të reja, për shumëkënd që nuk mendon thjesht të bëjë pushime, por që para së gjithash, mendon të bëjë një palë pushime të paharrueshme.

Azia juglindore duket se po përfiton nga zhvillimet e reja globale e sidomos ato në zonën e euros: me plazhet e saj të rralla, pyjet tropikale të shiut dhe një kuzhinë të mrekullueshme, nuk i mungojnë gjithashtu edhe metropolet e mëdha që pulsojnë çdo minutë. Aventurierët e luksit në dimër, para së gjithash e dinë tashmë destinacionin: ajo quhet Azia juglindore. Klimë e mrekullueshme dhe temperatura si në mes të verës, i mrekullojnë europianët që vijnë kryesisht nga qytetet e mëdha plot stres, e që duan t’i rrëshqasin dimrit klasik.

Prej kohësh tashmë vendimi për një udhëtim drejt “vendit të diellit” nuk të lë të marrësh shumë kohë: euro po shënon ulje e sidomos në sektorin e udhëtimeve turistike luksoze, tashmë duhen parë mirë kostot. Kush prenoton herët, mund të kursejë para. E kjo vlen para së gjithash për rajone si ai i Azisë juglindore, Afrika e Jugut apo dhe Amerika e Jugut.

“Azia juglindore, në krahasim me destinacionet e tjera, për momentin duket se është më e lira dhe më e leverdishmja”, thotë një menaxher i një agjencie turistike në një metropol europian. “Por kjo, në javët në vijim, mund të ndryshojë si pasojë e dobësimit të mëtejshëm të euros.”

Ngritja e vazhdueshme e çmimeve do të përforcohet edhe më tej si tendencë nëpërmjet rënies së kursit të euros: ne i këshillojmë klientët tanë që të jenë të shpejtë e të prenotojnë herët pushimet e tyre. Kursimet e tyre janë sidomos shumë interesante në segmentin e çmimeve të larta. INTOSOL është njëra prej ofruesve më të mëdhenj në segmentin e udhëtimeve e turizmit luksoz në Europë e në Afrikën e Jugut dhe posedon resortet e veta të klasit “Premium”.

Jo më kot menaxheri i saj sugjeron momentalisht udhëtimet drejt Tailandës, ishujve Bali dhe Vietnamit, si dhe Brazilit, Argjentinës e Kilit, përveç Afrikës së Jugut, e që prenotimet të bëhen sa më shpejt, pasi gjatë vitit do të shënohen rritje të reja çmimesh.

Mund të udhëtohet natyrisht edhe më vonë, “por valixhet e bëra gati, të bëjnë të tregohesh më i zgjuar, sidoqoftë”, sipas ekspertit të turizmit.

Koha më e mirë për të udhëtuar drejt Fuketit, Krabit apo Khao Lak-ut është nga tani deri në fundprill. Nga prilli deri në nëntor, para së gjithash, udhëtimi drejt ishullit Koh Samui mund të konsiderohet si koha më e bukur për ta bërë këtë. Ndër hotelet më elegante të Tailandës vlerësohen “Six Senses Yao Noi”, “Amanpuri”, “Rayavadee Krabi” dhe “The Sarojin Khao Lak”.

Luksi i tyre superior, përveç shërbimit të rrallë dhe një kuzhine të shkëlqyer, është natyra, e papërballueshme, frymëzuese, e shkëlqyer!

Bali të josh para së gjithash në periudhën nga prilli deri në shtator. Modern dhe magjik prezantohet para së gjithash kompleksi “Alila Villas Uluwatu” dhe “Alila Villas Soori”, ndërsa Vietnami gjatë gjithë vitit me hotele si në ëndërr, bukuri qetësuese dhe metropole gulçitëse. “The Six Senses Con Dao” u përket komplekseve më të mira në vend.

Por edhe Amerika e Jugut me Argjentinën, Brazilin dhe Kilin, ia vlen tashmë për ata që duan të zbulojnë destinacione të reja, të përftojnë ide të reja kulturore dhe të shijojnë pushime buzë plazheve të ngrohta deri në fundprill e pastaj sërish nga tetori e sipër. Kush pëlqen biftekët, futbollin e tangon, zgjedh Argjentinën dhe Kilin. Hotele si “Tierra Atacama”, “Tierra Patagonia”, “Los Cauquenes (në Argjentinë) dhe “Posada Atamisque”, janë perfekte për një palë pushime të përkryera.

Në Afrikë para së gjithash vlejnë Afrika e Jugut e Namibia, kursi akoma i leverdishëm i këmbimit të monedhës me euron në këto vende, është ai që të josh edhe më shumë për të shijuar një palë pushime siç ta ka ënda.

“Natyrisht se ne po flasim për udhëtime që gjithsesi hyjnë në kategorinë e luksit”, të thotë një tjetër menaxher turistik, Robert Spekowius. “Me një buxhet prej 3000 deri në 10000 euro për person është fjala këtu, sipas rastit dhe shërbimeve. Kush druan gjatë, duke menduar se po kursen, ka shumë gjasa të paguajë në fund një çmim disafish më të lartë”, të thotë eksperti.

Pra, ndërsa kriza e euros vijon, edhe sektori i turizmit elitar apo atij luksoz, po operon me idetë inovative, me të cilat operon edhe tregu normal i turizmit, pasi ndryshe nga lajtmotivi i zakonshëm në këto raste e në këtë sektor, tashmë thuhet se “paraja është e para”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat