Bush-Klinton, përplasja e vitit 2015

Speciale

Bush-Klinton, përplasja e vitit 2015

Më: 21 dhjetor 2014 Në ora: 10:03

Jeb Bush e di çfarë t’i thotë Presidentit Barack Obama, të cilin e konsideron të dobët kur bëhet fjalë për çështje si Shteti Islamik, Vladimir Putin dhe përhapja e Ebolës. Ish-guvernatori i Floridës deklaroi ditën e martë më 16 dhjetor në Facebook se po shqyrtonte mundësinë e kadidaturës për president. Bushi tha gjithashtu se do të ngrejë një komitet politik muajin e ardhshëm, që do ta ndihmojë atë që të mbështesë liderët, idetë dhe politikat për të zgjeruar shanset dhe zhvillimin e të gjithë amerikanëve. Një lëvizje e tillë do ta lejojë atë natyrisht që të afrojë edhe rrjetin e gjërë të donatorëve të pasur të familjes Bush, një hap vendimtar për të hapur rrugën drejt kandidaturës presidenciale.
Zëdhënësi i Bushit tha se, ai nuk e ka vendosur ende nëse do të kandidojë, por strategët e të dyja partive e marrin si të mirëqenë. Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, është treguar po aq e matur në anën e demokratëve, megjithëse të gjithë presin që në fillim të vitit të ardhshëm, ajo të deklarojë publikisht fillimin e fushatës së saj.
Nëse Bushi dhe Klintoni përfundojnë përballë njjëri-tjetrit në vitin 2016, gara do të portretizohet si një përplasje dinastish, ku vëllai i një ish-presidenti do të garojë kundër bashkëshortes së një tjetri. Por ka një ndryshim thelbësor. Bill Klintoni u largua nga posti presidencial në periudhë pothuajse paqeje dhe stabiliteti dhe pikat e politikës së jashtme në të cilat ishte përqendruar si Ruanda, Kosova, një marrëdhënie e komplikuar, por e ngrohtë ndërmjet tij dhe Presidentit rus Boris Jeltsin si dhe një moment optimist në marrëdhëniet ndërmjet Izraelit dhe Palestinës, janë shumë të ndryshme nga sfidat e mëdha, me të cilat përballet Amerika në ditët e sotme. Hillari Klintonit do t’i duhet të distancohet nga Obama, jo nga bashkëshorti i saj.
Në të kundërt, Bushit do t’i duhej të kapej pas trashëgimisë së vëllait të tij të madh. Për momentin, ai po tregohet i matur. Kur bëhet fjalë për Shtetin Islamik, Bushi e kritikoi ashpër strategjinë e përdorur nga Obama për të luftuar militantët, por nuk u shpreh se cilën strategji do të ndiqte ai apo nëse do të ishte dakort që të dërgoheshin trupa amerikane në terren. Bushi gjithashtu nuk është shprehur ende në lidhje me raportin e përdorimit të torturrës nga ana e CIA-s dhe nuk ka treguar se si do të vepronte për të parandaluar avancimin e Putinit në Ukrainën Lindore. Është ende herët për të diskutuar dhe parashtruar strategjinë për çështjet më të rëndësishme të politikës së jashtme, por ka shumë çështje të paparashikueshme që mund ta detyrojnë Bushin të sqarojë nëse ka ndërmend të ndjekë hapat e vëllait të tij të madh.
Historia e origjinës së Jeb Bushit është e njohur. Ai është një politikan i lindur, i famshëm për intelektin, sjelljen e tij të matur dhe shërbimin e jashtëzakonshëm publik gjatë viteve të karrierës. Jebi në fakt ishte Bushi që prindërit gjithnjë mendonin se do të bëhej president. Ai ka jetuar për shumë kohë jashtë vendit, veçanërisht në Venezuelë gjatë viteve 1977-1979 dhe ka bërë shumë vizita në Izrael. Gruaja e tij është meksikane dhe Bushi flet një spanjishte perfekte, dy faktorë që mund të tërheqin tejmase komunitetin hispanik të vendit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat