Alen Gros – naiviteti politik që mbajti peng një njeri

Speciale

Alen Gros – naiviteti politik që mbajti peng një njeri

Më: 21 dhjetor 2014 Në ora: 08:10

Ai është dobësuar, ka dhëmbë që i mungojnë. Por shpirti i tij ka mbetur i pathyeshëm: “Shkëlqyeshëm”, thotë Alen Gros, duke u kthyer me vështrimin drejt flamurit me dy yje që i qëndron pas shpine.

Pas pesë vitesh dhe dy javësh në burgjet kubane, Alen Gros del para mediave amerikane më në fund si një njeri i lirë dhe i uron të gjithëve “Gëzuar Krishtlindjet”.

Atë e pason një listë e gjatë e atyre, të cilët ai duhet t’i falënderojë: bashkëshortja, avokati i tij, senatori Patrick Leahy, “të gjithë anëtarët e Kongresit”, sinagogat dhe shkollat, motrën, kushërinjtë, miqtë.

Martirizimi i Alen Filip Gros (Alan Phillip Gross) tashmë ka mbetur pas – por debati politik sapo është ndezur. Që prej 3 dhjetorit 2009, amerikani 65-vjeçar ndodhej në burgun e Havanës, për shkak të veprimtarisë “subversive” kundër “Revolucionit”. Të mërkurën, ai u lirua, si pjesë e një këmbimi të madh të burgosurish – dhe të një tërmeti politik, që po bën historinë.

Kriza naive reflektohet tek Alen Gros

Gros ishte një viktimë dhe njëkohësisht simbol i një politike të dështuar, anakronike dhe shpesh të pakuptimtë e pa orientim. Një mentalitet, një relike e kohës së Luftës së Ftohtë, shtoji këtu dhe diletanzimin politik: e gjithë “fiaskoja” në marrëdhëniet kubano-amerikane qysh nga viti 1961, reflektohet plotësisht në rastin e tij.

Në fatin e Gros, para së gjithash, ndikojnë zhvillimet e viteve nëntëdhjetë. Në shkurt 1996, flota ajrore kubane qëlloi mbi dy avionë amerikanë, ku gjetën vdekjen katër emigrantë kubanë. Një muaj më vonë, ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, ngarkoi autoritetet amerikane që të provokonin në mënyrë klandestine rrëzimin apo ndërrimin e regjimit në Kubë.

USAID, agjencia apo krahu i djathtë i qeverisë amerikane që merret me ndihmat për zhvillimin e që varet nga Departamenti i Shtetit, mendoi menjëherë një plan të maskuar, për të joshur krahun antikastrist dhe për të “propaganduar demokracinë”. Megjithëse programet vlerësoheshin si të rrezikshme e të zbulueshme, nën presionin e republikanëve, ato u zhvilluan madje edhe nën administratën Obama.

Një ndër këto programe duhej të furnizonte grupe hebrenjsh në Kubë me teknikë komunikimi, për të tejkaluar bllokadën e informacionit e të internetit. Megjithëse aksioni në aspektin politik ishte i dyshimtë, USAID ia besoi këtë punë “Development Alternatives Inc.” ose (DAI), një firmë ndërmjetësuese në Uashington.

Një ndër bashkëpunëtorët ishte edhe Alen Gros. Sipas fjalëve të së shoqes së tij, Judith, ai ishte një idealist, e me shumë gjasa “edhe naiv”, në momentin kur ai e pranoi këtë detyrë e nënshkroi kontratën për të shkuar për USAID në Kubë.

Pesë herë ai udhëtoi në vitin 2009, i pajisur me vizë turistike drejt Kubës dhe kontrabandoi kompjuterë dhe pajisje satelitore në atë vend: iPod, BlackBerry, MacBook, hard-disqe, telefona satelitorë.

Rrezikun ai e njihte. “Ky është një biznes shumë i rrezikshëm”, shkruante ai në një raport që ia dërgonte qendrës. “Duhet shumë diskrecion”.

Në fund të nëntorit 2009, Gros fluturoi për herë të parë drejt Kubës, njëmbëdhjetë ditë më vonë ai u arrestua. Autoritetet vendore në Havana e akuzuan për spiunazh. Por gjykimi iu bë vetëm në vitin 2011 – ku u dënua me 15 vite burg, për shkak të “aksioneve kundër pavarësisë dhe integritetit territorial të shtetit kuban”.

Rasti në fjalë i dëmtoi edhe më shumë marrëdhëniet amerikano-kubane, megjithëse Obama sapo kishte nisur fillimin e shkrirjes së akujve me vendin komunist. Të gjitha përpjekjet për afrim diplomatik e politik po dështonin pikërisht nën emrin e Gros: çdo tentativë amerikane lidhej ekskluzivisht me lirimin e tij.

“Viktimë e një politike të dështuar”

Disa politikanë amerikanë ndërhynë për të liruar Gros. Shumë premtuese dukej për një moment, kur avokatja amerikane e Grosit përfaqësonte në gjyq edhe pesë kubanë, të cilët qysh nga viti 1998 ndodheshin në burgjet amerikane si spiunë të Havanës – rast i njohur mediatikisht si “Cuban Five”.

Kjo i shtoi shpresat për një këmbim të të burgosurve. Mirëpo asgjë nuk po ndodhte. Më kot po kërkonte e shoqja e Grosit, Judith, që Presidenti Raúl Castro ta falte atë, “nëse puna që ai kishte kryer kishte krijuar shqetësime për të, apo për qeverinë e tij”. Dhe ajo kritikonte gjithashtu edhe Shtëpinë e Bardhë: Bashkëshorti i saj kishte qenë – sipas saj – “një viktimë e pafajshme e një politike fshatareske e të dështuar”.

Gjendja fizike dhe psikike e Gros, po rëndohej. Në prill 2014, ai u fut në grevë urie, humbi shumë kilogramë, refuzonte vizitat. Pas vdekjes së të ëmës, ai nisi të bëhej depresiv, e madje, u përpoq të vriste veten: “Jeta në burg nuk ka vlerë”, i thoshte ai avokatit.

Mirëpo fshehtas, kishin nisur sërish negociatatat qysh nga qershori i vitit 2013. Kanadaja po kryente një punë prej ndërmjetësi, Papa kishte hyrë gjithashtu në lojë, Obama i kishte premtuar ta zgjidhte këtë çështje në një audiencë private që ai kishte pasur me Atin e Shenjtë në muajin mars. Në tetor, Papa Françesku ftoi të dyja palët në Vatikan që të gjenin një marrëveshje.

Si pjesë e kësaj marrëveshjeje, SHBA pranuan të dorëzojnë tek autoritetet kubane pesë kubanët e burgosur prej tyre. Por ky nuk ishte një këmbim direkt e i barabartë, këmbëngulte Obama: Kuba si një kundërpërgjigje ndaj kësaj iniciative, duhej të lironte 53 disidentë vendas dhe kryespiunin amerikan, i cili ndodhej në një ndër burgjet kubane prej 20 vjetësh.

Të gjitha këto masa, tek e fundit, nuk i interesojnë më tashmë Alan Grosit, që ishte gjithashtu pjesë e planit të këmbimeve. Si fillim, atij i duhet të sigurojë “dhëmbë të rinj”, thotë ai: “Shpresoj që të jenë të fortë e të mprehtë”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat