Zygmunt Bauman: E ardhmja me pak fjalë

Speciale

Zygmunt Bauman: E ardhmja me pak fjalë

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 12:28

E përditshmja italiane Il Messaggero ka botuar një pjesë të përmbajtjes së Lectio Magistralis që filozofi Zygmunt Bauman mbajti në Futura Festival di Civitanova Marche.

Në qendër të këtij takimi ishte e ardhmja dhe ai nisi pikërisht me këtë pjesë nga Dekalogu për të Ardhmen i Baumanit.

KONTROLLI
Nëse kontrollojmë atë që bëjmë sot, do të dijmë të kontrollojmë atë që do të ndodhë nesër. Projektimi i të nesërmes sonë do të thotë maturim i vetëdijësimit se ajo që bëjmë sot do të ketë pasojat e veta mbi të ardhmen.

ZGJEDHJE
Duhet të jemi të përgjegjshëm, dhe përgjegjshmëria është zgjedhje. Duhet të zgjedhim me vetëdije sot për të shmangur pasojat (e parashikueshme) nesër. Teknologjia nuk prodhon dëme, sepse teknologjia nuk zgjedh. Eshtë njeriu, si një arbitër i lirë, që zgjedh. Teknologjia është vetëm një instrument.

KONVERGJENCE
Komunikimi dhe menaxhimi i infrastrukturave dhe i energjisë janë të destinuar të rrjedhin në mënyrë të përbashkët drejt një revolucioni të tretë industrial. Do të konsistojë në një “Internet të gjërave”, me instrumenta inteligjentë e të ndërlidhur mes tyre që do të reduktojnë shumë problemet e përditshmërisë sonë (trafiku, zhvendosjet, banueshmëria).

INFORMACIONI
Duhet të kthehemi e të vëzhgojmë në mënyrë të drejtpërdrejtë realitetin, dhe jo të kënaqemi prej lajmeve që filtrohen nga mjetet e komunikimit. Më shumë se sa informacionet e ndërmjetësuar, që shpesh herë na vijnë me një gjuhë të paqartë e cila synon të maskojë mungesën e përmbajtjes, duhet të shohim botën reale dhe shumëllojshmërinë e saj kaleidoskopike.

PUNA
Eshtë paradoksale, por pikërisht në një moment historik në të cilin potenciali i punës njerëzore ka arritur kulmin e vet teknik (disponueshmëria e teknologjive, lehtësia e realizimit të një produkti sipas një nevoje të caktuar, mundësia e të punuarit në distancë e madje edhe nga shtëpia), po asistojmë në rënien e prestigjit social, që zakonisht i njihet dimensionit të punës. Duhet t’u rikthejmë atyre që punojnë rolin e “ndërtuesve”, sepse janë ata qendra e të ardhmes. Puna është një burim vlerash, për individin dhe për shoqërinë, madje është origjina e të gjithë vlerave: risjellja e dimensionit të punës në qendër të dinjitetit njerëzor, do të thotë të ndërtosh mirëqenien e individëve dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë. Puna duhet të bëhet sërish përcaktuese e marrëdhënieve njerëzore, përmes një risubjektivizimi të marrëdhënieve profesionale.

KONSUMI
Nëse me punë ndërtohet e nesërmja, me konsumin shkatërrohet. Në Antropogjenë (epoka gjeologjike në të cilën ndodhemi) njeriu ka një ndikim të madh mbi fatet e botës, dhe duhet të reduktojë konsumin. DUhet të prodhojmë vetëm atë që na duhet, pa shpërdorime. Duhet të ndërtojmë një botë të bërë nga njerëz, jo nga konsumi. Të konsumosh do të thotë të akumulosh borxhe, duhet të fillojmë t’i zvogëlojmë.

ENERGJIA
Duhet të rendim drejt burimeve energjetikë të pashtershëm, nëse nuk duam të “konsumojmë” edhe ambientin. E ardhmja duhet të jetë një e ardhme e energjive të rinovueshme: do të mundësojnë uljen e kostove të prodhimit, dhe do të bëjnë të domosdoshëm gjithjnë e më pak burime. Duhet të mësojmë të konsumojmë sasinë e duhur të burimeve për të shmangur shkaktimin e çekuilibrave të rinj, pabarazive të reja.

AKSIONI
Bota është e përgjumur. Duhet një aktivitet më i madh, më shumë aksion. Krijimi aktiv (dhe i drejtpërdrejtë) i materialeve dhe produkteve prodhon liri. Dhe një qasje “gjeneruese”, e matur ndaj të tjerëve çon drejt një shoqërie të lirë.

LIRIA
Gjenerues të të gjithë botës, bashkohuni! Manifesti për shoqërinë e njerëzve të lirë, i Mauro Magattit dhe Chiara Giaccardit është një manifest i vërtetë për lirinë për mijëvjeçarin e ri. Ky vizion, i zgjeruar nga individi tek grupet, shoqëritë, popujt shtrihet në të gjithë nivelet dhe të gjitha kategoritë politike dhe sociale.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat