10 gjërat që mbase nuk i dinit për Giuseppe Mango-n

Speciale

10 gjërat që mbase nuk i dinit për Giuseppe Mango-n

Më: 15 dhjetor 2014 Në ora: 20:06

Ashtu siç e keni dëgjuar të thuhet këto ditë, fatkeqësisht, këngëtari italian, Giuseppe Mango, i njohur gjerësisht si Mango, u nda nga jeta gjatë një koncerti bamirësie. Kjo gjë ka ndodhur pesë ditë më parë, më 7 dhjetor në Policoro, Basilicata. Këngëtari sigurisht do të lërë një boshllëk të madh në muzikën italiane. Ai ishte një artist dhe një person i shkëlqyer. Ju ftojmë që më poshtë të zbuloni dhjetë kuriozitet që mbase nuk i dinit për të. Lexim të këndshëm.

10. Albumi i fundit

Bëhet fjalë për një Cover album, që quhet “L’amore è invisibile” (Dashuria është e padukshme). Ai ka dalë më 27 maj të vitit 2014, nën etiketimin e Columbia Sony Music.

9. Kush e ka zbuluar talentin Mango?

A keni qenë ndonjëherë kuriozë se kush e ka zbuluar talentin e madh italian, Mango? Bëhet fjalë për Mara Maionchi, tashmë zbuluesen e talenteve në X-Factor-in italian. Qe ajo e para që e futi Mangon në rrugën e suksesit, pasi ai provoi pa sukses me disqe pak të ndjekura nga shtëpi diskografike aspak të njohura. Por më 1984, Mango u paraqit me muzikën e tij te shtëpia diskografike Fonit Cetra dhe Maionchi, e cila ishte drejtore artistike, e lançoi atë si askush tjetër nuk e kishte bërë më parë.

8. Ai ishte edhe shkrimtar librash dhe poezish

Mango nuk ishte vetëm një kantautor i njohur italian, por edhe një shkrimtar dhe veçanërisht një poet. Dy librat e tij më të njohur janë: “Nel malamente mondo non ti trovo” dhe “Di quanto stupore”. I pari është një përmbledhje poezish, i dalë më 2004, ndërsa i dyti u publikua në vitin 2007.

7. Familja e Mango-s

Mango ishte martuar qysh dhjetë vjet më parë me Laura Valente-n. Ata në fakt ceremoninë e tyre martesore e bënë në vitin 2004, pasi patën një lidhje që nga viti 1985.

6. Këndonte edhe në gjuhë të tjera

Këngëtari Mango, këndonte edhe në gjuhë të tjera, veçanërisht në spanjisht. Konkretisht, ai ka publikuar plot tre albume në gjuhën spanjolle: “Ahora”, në vitin 1987, “Hierro y Fuego”, në 1988, dhe “Sirtaki”, në 1991. Këto tre albume u lançuan vetëm dhe ekskluzivisht në tregun muzikor spanjoll.

5. Sa CD ka publikuar gjatë gjithë jetës së tij?

Ai ka publikuar disa. Albume normale ka publikuar 16, nga të cilët i pari ka dalë më 1976 dhe i fundit në vitin 2011. Ndërsa, për sa i takon albumeve Cover, ai ka publikuar dy: njërin në vitin 2008 dhe tjetrin këtë vit, 2014. Mango ka bërë publik edhe një album me përmbledhje në vitin 1999 dhe dy albume Live (1995 dhe 2009).

4. Vdekja e të vëllait

Nëse keni ndjekur rrjedhën e ngjarjeve në televizion ose në internet, me siguri jeni në dijeni të faktit që pas disa orëve nga vdekja e këngëtarit Mango, nga jeta u nda edhe një pjesëtar i tij i familjes: po flasim për vëllain e madh me emrin Giovanni, 75 vjeç, që për shkak të një gjendjeje të keqe të menjëhershme shëndetësore, ndoshta edhe në këtë rast një infarkt, nuk ia doli dot të shpëtonte.

3. Ku lindi, u rrit dhe jetoi

A dinit ndonjë gjë mbi origjinën e këtij këngëtari? Ai lindi në provincën e Potenza-s në një komunë të quajtur Lagonegro. Mango madje, u rrit dhe jetoi gjatë gjithë jetës atje. Sigurisht, përveç momenteve në të cilat atij iu desh të spostohej për shkak të impenjimeve të punës, kryesisht në Romë dhe Milano.

2. Me kë bashkëpunoi?

Gjatë jetës së tij personat me të cilët ka bashkëpunuar kanë qenë të shumtë, artistë të mëdhenj, si italianë ashtu edhe të huaj. Bashkëpunimin e tij të parë e nisi në vitet ’70 me Patty Pravo-n dhe Mia Martini-in: këta të dy debutuan pikërisht këngët e tij. Ai shkroi tekste edhe për Andrea Bocelli-n, per Loredana Bertè, Mietta, Dennis Fantina, Loretta Goçi, Andrea Mirò dhe shumë të tjerë. Por edhe për të huaj mes të cilëve për anglezin Leo Sayer, greken Eleftheria Arvanitaki dhe për francezen Helene Segara. Ndërkohë në vitin 2010, një album i tij në bashkëpunim me Claudio Baglioni-n u bë më i shituri. Besojmë se e keni dëgjuar “Amore bello”!


1. Vdiq duke kënduar suksesin e tij të parë

Në Pala Hercules Policoro, në provincën e Matera, në Basilicata, po bëhej një koncert bamirësie, në të cilin merrte pjesë edhe ai: në mesin e një kënge të bukur, Mango nuk mundi më. Pasi nisi intro e këngës “Oro”, ose suksesi i parë më i madh i tij, këngëtari filloi të djersinte dhe të ndihej shumë i lodhur. Fjalët e tij të fundit qenë “Më falni” dhe më pas ai ka pushuar së kënduari dhe së debutuari duke humbur ndjenjat. Ardhja e urgjencës qe e menjëhershme, por fatkeqësisht ai mbërriti në spital i pajetë. Qe një infarkt ai që i mori jetën! Gjithsesi, ai është ende gjallë nëpërmjet muzikës që na ka lënë pas.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat