Fronti Kombëtar Francez, një altoparlant i Putinit?!

Speciale

Fronti Kombëtar Francez, një altoparlant i Putinit?!

Më: 28 nëntor 2014 Në ora: 18:34

Marine Le Pen po bën xhiron e radhës në mediat ruse e ato perëndimore, por sidomos në ato franceze. Kjo sepse partia e saj, Fronti Kombëtar (FN), në fushatën për zgjedhjet e ardhshme, do të jetë më e forcuar, duke i shtuar kontos së vet, 40 milionë euro më shumë, “dhuratë” nga Moska.

Këtë lajm që qarkullon e zbuloi së fundmi portali i së majtës franceze në internet “Mediapart”, që kishte zbuluar më parë edhe kredinë prej 9 milionësh po ndaj Frontit Kombëtar të Marie Le Pen, nëpërmjet “First Czech Russian Bank” (FCRB).

Shefja e partisë, deri më tani, kishte pohuar e deklaruar në publik vetëm shumën prej 9 milionë eurosh. Por së fundmi, lajmi i ri i nxjerrë nga portali në fjalë, ka zbuluar aferën më të fundit financiare të partisë së madhe nacionaliste, antieuropianiste e populiste franceze, që ka shkuar në kufijtë e skandalit e që po mbush faqet e shtypit në Paris.

Kjo, sepse sipas “Mediapart”, 9 milionët, janë vetëm një pjesë e këstit të parë prej 40 milionësh që Kremlini ia ka kaluar me bujari në konton e saj, vajzës dhe trashëgimtares politike të Jean Marie Le Pen.

Këshilltari financiar i shefes së partisë, Bernard Monot, tha se partia deri në zgjedhjet presidenciale e ato parlamentare të vitit 2017, kishte përllogaritur se i duhej një mbështetje urgjente financiare që kapte shifrën e 45 milionë eurove për të përmbushur nevojat e saj.

Financieri i partisë, Wallerand Saint-Just, nga ana tjetër, tha se sipas informacioneve që ai kishte, partia do të mund të merrte nga FCRB një shumë maksimale prej 10 milionë eurosh. Por “kredidhënës të tjerë” nga Moska ishin shfaqur tashmë të gatshëm për t’u futur në lojë.

“Front National”, për shkak të rezultatit të vet zgjedhor, të cilësuar të suksesshëm – të vitit 2012 – nën udhëheqjen e Marine Le Pen (ku mori 18,5% të votave në shkallë kombëtare), duhet të marrë si pasojë çdo vit 5,5 milionë euro nga arkat e shtetit francez. Më parë, subvencionet shtetërore ndaj kësaj force politike, shkonin jo më shumë se 1,7 milionë euro në vit.

Altoparlant i propagandës së Kremlinit?

Le Pen i hodhi poshtë akuzat se milionat nga Moska i hiqnin asaj pavarësinë dhe e bënin një “bori” të Kremlinit. Sidoqoftë, bie në sy fakti se ajo gjithnjë e më shumë po shfaqet ofensive në rolin e saj si “altoparlant i propagandës së Putinit në Francë”.

Shefja e Frontit Nacional, së fundmi thuhet se ka qenë edhe në një vizitë sekrete në Moskë, ku merret me mend se është takuar atje edhe me shefin e Kremlinit, Vladimir Putin.

Le Pen renditet ndër kundërshtaret më të ashpra të politikës paneuropiane të sanksioneve ndaj Moskës dhe ka thënë disa herë se: “Unë e adhuroj Putinin”. Ajo bën propagandë për një thellim të marrëdhënieve franko-ruse dhe e akuzon BE-në, se po shtron terrenin për një Luftë të re të Ftohtë.

“Putin është mbrojtësi i fundit i vlerave kristiane të Europës dhe që nuk ka rënë pre e presioneve të lobit të homoseksualëve”, thotë Le Pen.

“First Czech Russian Bank” i përket ish-shefit të koncernit të madh të gazit “Stroytransgas”, Roman Popov, që i rri shumë pranë Putinit. Në atë bankë, me aksionet e tij, është prezent edhe manjati i gazit, Gennadij Timçenko, që gjithashtu njihet si përkrahës i vijës së parë të Putinit.

Deputeti socialist francez, Razzy Hammadi, i ka kërkuar ndërkaq qeverisë dhe Parlamentit në Paris që të ndalojë financimin e partive politike franceze nga fonde jashtë kufijve të Bashkimit Europian. “Ky kredit është skandaloz, i papranueshëm dhe nuk mund të lejohet nga ligjvënësi”, tha së fundmi në një intervistë deputeti në fjalë.

Fryma putiniste në Europë

Në fakt, jo vetëm në Francë, por edhe në Gjermani, Hungari e vende të tjera të BE-së, nga fraksione politike, apo parti të mirëfillta, të majta e të djathta, po vihet re një frymë pro-politikave të Putinit, aq sa disa prej tyre po e shprehin hapur se e adhurojnë Presidentin Putin, duke i veshur atij edhe epitete të shumta si “mbrojtës i krishterimit”, “ruajtës i identitetit kombëtar” e duke e propaganduar atë si “lideri që do t’i duhej edhe Europës së sëmurë”.

Në Gjermani, partia e së majtës ekstreme “Die Linke”, shpesh u ka bërë thirrje deputetëve në Bundestag e zgjedhësve të saj që ta kuptojnë drejt politikën e liderit rus, Vladimir Putin, si një politikë që brenda ka kohezion e logjikë e që tenton të shmangë një luftë të re botërore në kontinent.

Aferat dhe afiniteti i ish-kancelarit Shrëder me Putinin tashmë prej vitesh ka sjellë reagime në qarqet politike, e jo vetëm, në Gjermani e më gjerë, duke e trajtuar atë në disa raste edhe si një turp kombëtar të paparë në ato nivele për një ish-kancelar gjerman.

Gjithashtu, lideri i partisë në pushtet në Hungari, thuhet se është shprehur për vlerat e Putinit dhe një lloj adhurimi që ai kishte për të e politikat e tij, të cilat sipas tij, do të duhej të aplikoheshin edhe në Hungari e BE.

Putinizmi është bërë një lloj mode ndër shumë politikanë të BE-së dhe jo vetëm, të cilët të gjendur mes dështimeve dhe pakënaqësisë publike në lidhje me ekonominë e çështjet e të huajve, por në kriza të përmasave të tjera morale e sociale, shohin te Putini barkën e tyre të shpëtimit. Sikurse në rastin e Frontit Nacional në Francë, duket se shumë nga këto veprime mund të jenë të motivuara edhe nga interesa të mirëfillta financiare, që mund të shfaqen papritur mbi ose nën sipërfaqe.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat