51 vjet pa Xhon Kenedin

Speciale

51 vjet pa Xhon Kenedin

Më: 24 nëntor 2014 Në ora: 00:07

Data 22 nëntor shënon 51-vjetorin e vrasjes së Presidentit amerikan, Xhon Kenedi, i cili i solli freski dhe energji Shtëpisë së Bardhë, kur mori Presidencën në vitin 1961. Kenedi dhe Zonja e Parë, Zhaklina sollën një sens unik stili dhe shkëlqimi, që Uashingtoni nuk e kishte parë ndonjëherë, shkruan "VOA".

Presidenti 46-vjeçar qëndroi në Presidencë rreth 1000 ditë, para se të plagosej për vdekje gjatë një marshimi me një limuzinë të hapur, më 22 nëntor 1963, në në Dallas të Teksasit, në jugperëndim të SHBA-së. Nga sulmi mbeti i vrarë edhe Guvernatori i këtij shteti, i cili ndodhej në sedijen e përparme të makinës.

Krimi tronditi botën, madje edhe kundërshtarët e tij politikë, si liderin sovjetik, Nikita Hrushov. Shumë amerikanë kaluan një fundjavë mes lotësh kur panë vajtimin e vejushës së re të Presidentit dhe fëmijëve të tij të vegjël. Ndërsa vrasësi i Presidentit, Lee Harvey Oswald, u vra gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë televiziv, dy ditë pasi vrau Presidentin.

Teoritë konspirative

Osvaldi ishte një ish-marins amerikan, i cili u largua nga Bashkimi Sovjetik në 1959-n dhe më pas u kthye në SHBA, në 1962-shin. Motivi i vrasjes së tij mund të mos zbulohet kurrë. Teoritë e ndryshme konspirative këmbëngulin se përgjegjës për vrasjen është dikush që fshihet pas Osvaldit. Dyshimet më të mundshme lidhen me Mafian, CIA-n, KGB-në ruse, Fidel Kastron e Kubës dhe ish-Presidentin amerikan, Lindon Xhonson.

Vitin e shkuar, “Associated Press” raportoi se “mijëra faqe dokumentesh investigative mbeten ende larg publikut”, dhe se ato “mund të hedhin dritë në misteret e vrasjes”.

Një sondazh i bërë vitin e shkuar në SHBA nga rrjeti televiziv “CNN” dhe shoqata e kërkimeve “ORC International” gjeti se Kenedi ishte Presidenti më popullor i gjysmës së dytë të shekullit të shkuar, ku 90 % e amerikanëve binin dakord me këtë pikëpamje. Asnjëri prej presidentëve të deritanishëm të SHBA-ve nuk e gëzon këtë vlerësim.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat