Një vështrim i rritjes së pozitës globale të Kinës

Speciale

Një vështrim i rritjes së pozitës globale të Kinës

Më: 17 nëntor 2014 Në ora: 18:37

Roli i Kinës si organizatore e takimit të APEC-ut ofroi një rast të rrallë për Pekinin të prezantojë vizionin e tij për ekonominë globale dhe rajonin. Por, siç po rritet pozita e Kinës, po ashtu shtohen edhe tensionet me vende të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Për Kinën, takimet e APEC-ut ishin një shfaqje e mirëorganizuar e fuqisë dhe vetëbesimit. Për t’u siguruar që shfaqja shumëngjyrëshe të shkonte sipas planit, Pekini pati ndërmarrë disa hapa seriozë. Shumë fabrika u mbyllën për të treguar qiej të pastër, dhe aktivistë kinezë si Hu Jia, kritik ndaj qeverisë, thonë se kufizimet që përjetuan nën arrest shtëpiak gjatë zhvillimit të takimit ishin edhe më të ashpra se sa masat që kanë përjetuar në burgjet kineze:

“Xi Jinping ka marrë masa për të ruajtur stabilitetin duke shpresuar se nën efektin e ekonomisë së Kinës, asnjë aktivist vendas ose i huaj nuk do të ngrejë zërin për të përmendur anën e errët të zhvillimit të Kinës.”

Jo të gjithë kinezët janë kaq pesimistë për qeverisjen e Pekinit. Në realitet, shumë njerëz i shohin shqetësimet e shprehura nga vendet fqinje në lidhje me pretendimet territoriale të Kinës si një reagim i paevitueshëm ndaj rritjes së Pekinit:

“Ndërkohë që Kina po rritet, kjo po shton presionin mbi vende të tjera, të cilat mund të dëshirojnë ta zmbrapsin,” - thotë një banor.

“Kina nuk po bën një zgjerim ushtarak, por po bashkëpunon. Vendet e tjera nuk duhet të jenë kaq nervoze. Bota ka nevojë për mbështetjen e disa ekonomive të fuqishme dhe si një nga këto vende, Kina ka përgjegjësinë të luajë rolin e saj.” - thotë një tjetër.

Në kryeqytetin e SHBA-së, influenca në rritje e Kinës zë vend edhe në mendjet e amerikanëve. Për disa madje, përbën edhe arsye për shqetësim:

“Pas 20 vitesh do të na zotërojnë, ashtu si dikur Japonia... Janë duke blerë çdo gjë që kemi në këtë vend,” - thotë një amerikan.

“Jemi shumë të varur prej tyre. Unë punoj në sektorin bankar, dhe shumica e kompanive tona janë të detyruara të blejnë gjithçka më lirë,”- thotë një tjetër.

“Duke patur parasysh fuqinë e tyre monetare, politike dhe ushtarake, mendoj se do të jenë një forcë udhëheqëse. Nëse do të jetë për mirë, apo jo, kjo mbetet për t’u parë,” - thotë një banor i Delauerit.

Kina ndodhet ende në ditët e hershme të saj si një fuqi globale. Për vendet fqinje, reputacioni i Pekinit do të varet më shumë nga veprimet që do të ndërmarrë se sa nga mënyra se si perceptohet nga Shtetet e Bashkuara, thotë analistja për Azinë, Bonnie Glaser:

“Do të thoja se vendet rrotull Kinës do të formulojnë vetë qëndrimet e tyre për synimet e Kinës dhe për fushat ku duhet të bashkëpunojnë ose jo.”

Tani për tani, fqinjët e Kinës janë të gatshëm të nënshkruajnë marrëveshje të reja të tregtisë së lirë. Por, janë gjithashtu dyshues në lidhje me pretendimet territoriale të Kinës që synojnë zgjerimin në ujërat detare. Dhe për këtë arsye, imazhi i Pekinit si një fuqi ekonomike e dobishme ose si një kërcënim autoritar është ende duke u peshuar.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat