Filmi “Skënderbeu” do të realizohej 72 vjet më parë

Speciale

Filmi “Skënderbeu” do të realizohej 72 vjet më parë

Më: 25 tetor 2014 Në ora: 17:14

Bëhet fjalë për film artistik të mirëfilltë dhe jo për një dokumentar nga ato të institutit LUCE. Aty citohen fjalët “artistë” dhe “regjisor”, megjithëse nuk mund të kuptojmë dot asgjë më shumë sesa emrin e regjisorit, Andrea Forzano. Rezulton të ketë qenë përpjekja e parë serioze, e plotë dhe profesionale për të realizuar një film mbi heroin tonë kombëtar, e cila duhej të niste me xhirime nga toka shqiptare, e ku aktorët do të ishin gjithashtu shqiptarë, duke e lënë shtegun të hapur për bashkëpunim me ata italianë.

Vlerat e projektit, suksesi dhe dështimi

Gjithçka thuhet se ishte një bashkëpunim me Institutin Roman të Studimeve Shqiptare dhe një grupimi shkrimtarësh e skenaristësh shqiptarë, që po mundësonin kësisoj përgatitjet për xhirimet e filmit. Lajmi, që gjendet në faqet e gazetës së famshme italiane “La Stampa”, të datës 14 tetor 1942 (shih: E ultimata la preparazione del film “Skanderbeg”, 14.10.1942, fq. 3 ) në terma të volumit gazetaresk është vërtetë i shkurtër, por me një vlerë të madhe, pasi na e dokumenton tërësisht pretendimin e mësipërm, duke hedhur poshtë idenë që ka mbizotëruar deri më tani, se bashkëpunimi shqiptaro-sovjetik i fillimviteve ’50, kishte qenë i vetmi i regjistruar për të sjellë një vepër kinematografike të përmasave madhore, pavarësisht faktit se projekti i fundit, siç dihet nga të gjithë, u çua deri në fund me sukses të plotë.

Arsyet për mossuksesin apo dështimin e iniciativës shqiptaro-italiane të para 72 viteve, mund të merren lehtësisht me mend, duke pasur parasysh zhvillimet politike, e së pari ushtarake të Italisë fashiste përgjatë kohës që pasoi, në lidhje me objektivat e saj në Shqipëri.

Natyrisht se çdo gjë bëhej në kuadër të përpjekjeve të Romës zyrtare, për të rritur ndërgjegjësimin nacionalist e dëshmuar frymën e “përkujdesjes fashiste” ndaj kulturës e historisë së shqiptarëve, duke tentuar së pari të depërtojnë politikisht me anë të artit kinematografik, si më i kuptueshmi e më i preferuari për kohën ndër shqiptarët.

Enigmat që la pas projekti

Enigmë mbeten autorët e skenarit, kasti aktorial e stafi i bashkëpunëtorëve që do të duhej ta çonin përpara këtë projekt, pasi lajmi, sikurse e theksuam edhe më lart, nuk të lë të kuptosh diçka më shumë. Fakti se gazeta italiane flet për aktorë e staf realizues, duke ftuar si figurantë për realizim skenash masive, edhe vetë popullin shqiptar, na bën të besojmë se qysh në atë kohë po rritej një brez aktorësh shqiptarë, që ndoshta do të ishin pra të parët në këtë zhanër të arteve moderne të kohës. Ndoshta ishin pikërisht një pjesë e mirë e atyre që publiku shqiptar e më gjerë, do t’i shihte teksa luanin në “Skënderbeun” sovjeto-shqiptar, në vitin 1953 ose dhe në filma të tjerë më vonë.

Nëse projekti italo-shqiptar është trashëguar e përcjellë në letër, mund të ketë përbërë, me shumë gjasa, një bazë të mirë për kinostudion “Shqipëria e re”, aktorët e kinematografët tanë për ta realizuar atë të plotë, pas më shumë se një dekade. Ky mbetet megjithatë vetëm një pretendim apriori, nisur më së shumti sidomos nga ideja se çdo gjë mund të jetë zverdhur sirtarëve të studios kinematografike përkatëse italiane, për të cilën na mungojnë më së shumti faktet e dëshmitë. Një arsye tjetër për ta hedhur poshtë pretendimin e mësipërm, mund të ishte dhe vetë përmbajtja e skenarit, i cili nga njëra epokë në tjetrën, edhe pse vetëm 11 vite larg, merret me mend se mund të ketë qenë tërësisht i ndryshëm. Por të dyja pretendimet mund të qëndronin njëkohësisht, derisa të mos kemi ndonjë dëshmi apo prononcim të protagonistëve të saj.

Asnjë gjurmë nga regjisori

Fatkeqësisht, regjisori i filmit, Andrea Forzano, i cili rezulton si i vetmi person i përmendur konkretisht në atë njoftim të shkurtër të “La Stampa”-s, jetoi deri në vitin 1992, duke mos na lënë asnjë gjurmë historike nëpërmjet intervistave, rrëfimeve apo kujtimeve të tij artistike, për të na sqaruar në lidhje me këtë iniciativë.

Për sa i përket këtij të fundit, ai përmendet në enciklopeditë artistike italiane, edhe si skenarist, por duket se krijimtaria dhe karriera e tij kanë qenë tejet modeste, të shtrira në vitet ‘40-‘60 të shekullit të shkuar. Një fakt tjetër është se atij i ishte dashur ta ndërpriste shpesh pasionin e tij, duke u marrë me profesione të tjera, e disa projekte kinematografike që ka pasur në kohën e Luftës së Dytë Botërore, i është dashur thjesht t’i shtyjë e t’i realizojë pas lufte.

“Skënderbeu” i Jutkjeviçit, erdhi pas 11 vjetëve

Sipas kronikave të kohës dhe për më tepër, rrëfimeve të protagonistëve të filmit që u rizbuluan për shqiptarët vetëm pas viteve nëntëdhjetë, për arsye që dihen, përgatitjet e filmit “Skënderbeu – Kalorësi i Maleve”, nisën më 16 shkurt 1953, kur një grup pune nga ish-Bashkimi Sovjetik ishte bërë gati për t’u nisur në Shqipëri, ku pritej të kryheshin një pjesë e konsiderueshme e xhirimeve të filmit në terren. Regjisor i filmit ishte i famshmi Sergej Jutkjeviç dhe stafi shoqërues realizues ishin gjithashtu thuajse tërësisht sovjetikë, duke përfshirë këtu edhe vetë aktorin Akira Horava. Nga e gjithë trupa aktoriale, vetëm tre prej tyre ishin shqiptarë; Naim Frashëri që luante Palin, Besa Imami me Donikën dhe Adivije Alibali që interpretonte Mamicën. Filmi u prodhua në rusisht dhe u dublua më pas në kohë rekord edhe në shqip. Pas shfaqjes në Tiranë, filmi u shfaq edhe në Moskë, si premierë e parë publike në mbrëmjen e datës 28 nëntor 1953, duke njohur një sukses të paparë. Filmi, përveç vlerësimeve që mori në vendet e ish-bllokut të demokracive popullore, u mirëprit edhe nga media e kritika perëndimore e kohës. Filmi u prezantua edhe në festivalin e Kanës në vitin 1954, ku ishte kandidat për çmimin e madh. “Skënderbeu” i Jutkjeviçit, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, njohu restaurim tërësor, duke i përmirësuar cilësinë e figurës e të zërit, e ridimensionuar edhe një herë atë përpjekje artistike të viteve ’50, që ka regjistruar në vetvete një sërë rekordesh, jo vetëm artistike.

Çfarë shkruhej në “La Stampa”?

Për të qenë më korrektë, dhe duke vlerësuar faktin se italishtja njihet gjerësisht në Shqipëri, po e botojmë të plotë e në origjinal lajmin e shkurtër të gazetës “La Stampa” të datës 14 tetor 1942, shoqëruar me faksimilen përkatëse të artikullit origjinal: E’ ultimata la preparazione del film “Skanderbeg” Roma, mercoledì sera. Con la collaborazione del R. Istituto di studi albanese e di un gruppo di scrittori albanesi è stata ultimata la preparazione del film Skanderbeg. La lavorazione sarà iniziata a giorni in Albania, dove saranno eseguite le riprese degli esterni con la partecipazione di attori albanesi e di popolo albanese sotto la regìa di Andrea Forzano.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat