Enigma e Stokholmit – Çfarë mund të jetë objekti misterioz para brigjeve suedeze?

Speciale

Enigma e Stokholmit – Çfarë mund të jetë objekti misterioz para brigjeve suedeze?

Më: 22 tetor 2014 Në ora: 17:38

Nuk është shumë ajo çka mund të kuptosh nga fotot. Imazhi i paqartë, i publikuar nga Ministria suedeze e Mbrojtjes, shfaq një pikë të zezë mbi ujë, e nën të, një vijë të bardhë. Ajo të ngjan me një valë që e shkakton një objekt që çan apo shtyn në brendësi të detit, ose edhe me një trup barke të kthyer përmbys.

Interesant për t’u theksuar është interpretimi i Anders Grenstad, kontraadmiralit të Marinës Suedeze. “Kjo është një anije e huaj”, – tha ai të dielën. Mund të ishte një nëndetëse apo një mininëndetëse. Ose dhe një “objekt zhytës, nga ata që mund të përdorin pajisje të përafërta me ato të motorëve nënujorë”.

Një motor nënujor? Me shumë gjasa, oficeri i lartë i Marinës, Grenstads, donte të përshkruante një scooter zhytjeje. Të tillë objekte, që gjerësisht, me referencë nga anglishtja njihen si Diver Propulsion Vehicle, (DPV), nën ujë gjejnë një përdorim të gjerë në ditët e sotme.

Versione të vogla që flasin për objekte, apo pajisje motorike zhytjeje sportive, që kapin gjatësinë e rreth një gjysmë metri, qarkullojnë ndërkohë. Në thelb, aty bëhet fjalë për një elektromotor të mbështjellë me një mburojë që e mbron nga uji, e që vë në punë një helikë, duke shtyrë përpara objektin zhytës.

Taksi nënujore për trupat elitë

Në ushtri përdoren edhe pajisje, apo objekte më të mëdha të tipit DPV. Që gjatë Luftës së Dytë Botërore, forcat ushtarako-detare britanike e ato italiane, eksperimentonin me të tilla torpedo, në të cilat zinin vend edhe zhytësit humanë.

Në dekadat në vijim, pas Luftës, objektet e vogla nënujore – të cilat njohën një rekuizitë të mirë në filmat e famshëm të 007-s dhe filma e skenarë të shumtë action të Hollywood-it, ekzistonin e njiheshin mirë.

Në kufijtë mes scooter-it nënujor e mininëndetëses, ka vend për të ashtuquajturat Swimmer Delivery Vehicles (SDV), me të cilat njësitë speciale të shumë ushtrive, arrijnë të zbarkojnë pa u vënë re deri në breg. Ushtarët elitë amerikanë për shembull, të ashtuquajturit Navy Seals dhe ata të njësive speciale britanike, të ashtuquajturit Special Boat Service, apo shkurt SDV, përdorin të tilla pajisje, të cilat transportojnë në një distancë prej 10 km, deri në katër vetë.

Mjeti në fjalë, nuk posedon dhomë presioni, zhytësit rrinë në ujë dhe marrin frymë me anë të një sistemi ventilimi që e posedon vetë bordi i mjetit, për të mos konsumuar rezervat e tyre të ajrit gjatë udhëtimit.

Një numër më i madh është edhe mjeti i përdorur nga Advanced SEAL Delivery System, (ASDS), në të cilin tashmë mund të flisnim vërtet për një mininëndetëse. Në brendësinë e tij prej 20 metrash, mund të rrinë deri në 16 ushtarë.

Si ASDS e Marinës Amerikane, ashtu dhe mjetet më të vogla SDV të britanikëve, mund të arrijnë të torpedojnë objektivat e tyre, pra nëndetëset e mëdha. Sidoqoftë, nga SHBA vjen edhe Multi-Role Combat Craft, (MRCC) i firmës Stidd Systems, që rrëshqasin si në sipërfaqe të ujit, ashtu dhe nën të.

Ishin rusët, apo holandezët?

Për sa u përket mininëndetëseve, ato sigurisht se i posedojnë edhe rusët, që pretendohet se fshihen pas rastit të fundmit në brigjet suedeze. Anijet zhytëse “Triton-1″ dhe “Triton-2″, që prej mesit të viteve ’70 të shekullit të shkuar, janë ende në shërbim të Marinës ruse.

Si anija zhytëse me dy persona “Triton-1″, e gjatë pesë metra dhe me perimetër 1,40 metra, mendohet se janë ndërtuar 32 të tilla ndërkohë. Nga “Triton-2″, me gjatësi nëntë metër e gjysmë, e që arrin të mbajë gjashtë vetë në bord, thuhet se tashmë ekzistojnë 13 ekzemplarë.

Të dy tipat e anijeve apo motorëve në fjalë, gjendeshin madje edhe në vitin 2003 në një katalog të firmës “Rosoboronexport”, d.m.th. Agjencisë ruse për Eksportet e Armatimeve e Pajisjeve Ushtarake. Sipas saj, “Triton-1″ ka një rreze prej 65 dhe “Triton-2″ një rreze prej 110 kilometrash.

A mundet që objekti që u vu re në ujerat suedeze pra, të ketë qenë një mininëndetëse? Atëherë normalisht ai duhet të ishte transportuar më parë nga një nëndetëse e madhe deri pranë brigjeve për të kryer misionin e vet, duke gjykuar nga të dhënat e mësipërme. Ndoshta s’kanë qenë fare rusët?!

Nëse i beson Ministrisë ruse të Mbrojtjes, pas këtij aksioni apo kësaj aventure, fshihen holandezët: objekti misterioz mbi ujë duhet të ketë qenë një “Bruinvis”, që është nisur nga brigjet e portit estonez të Talinit. Sidoqoftë, kështu do të duhej të hiqje dorë nga teoria e mininëndetëseve: “Bruinvis” është një nëndetëse e mirëfilltë ofensive, e gjatë 68 metra me një peshë të konsiderueshme prej 2400 tonësh.

Sidoqoftë, ekspertët vijojnë të debatojnë mbi një incident, shkelje apo ngjarje që ndoshta s’ka ndodhur kurrë. Ndoshta një aventurë rinore adoleshentësh, të cilët bashkë me misterin, kanë risjellë padyshim frikën që mendohej se ishte tejkaluar, që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat