Joko Widodo, sfidat e Presidentit të ri të Indonezisë

Speciale

Joko Widodo, sfidat e Presidentit të ri të Indonezisë

Më: 21 tetor 2014 Në ora: 18:22

Më 20 tetor, Indonezia inauguroi Presidentin e parë të ardhur tërësisht nga radhët e popullit. Joko Widodo, i njohur gjerësisht si Jokowi, është unik në historinë presidenciale të Indonezisë, sepse ai nuk vjen as nga një elitë politike, e as nga ajo ushtarake.

I rritur në një lagje të varfër buzë lumit, Jokowi administroi dikur në fund të karrierës së tij parapolitike, një biznes eksporti mobilierie në qytetin e tij të lindjes, Solo, para se të përfshihej në politikë e të kandidonte për postin e kryebashkiakut në vendlindjen e vet, në vitin 2005. Dy vjet më parë, ai u zgjodh guvernator i kryeqytetit kaotik të Indonezisë, Xhakarta.

Megjithëse kryesoi në fushatën zgjedhore të korrikut për president, kundër rivalit të tij, që i përkiste “gardës së vjetër”, Prabowo Subianto, një ish-general i martuar dikur me të bijën e diktatorit indonezian, Suharto, Jokowi, tashmë 53-vjeçar, përballet me një sërë sfidash, ndërsa do të drejtojë tashmë demokracinë e tretë më të madhe të botës, disa nga të cilat revista amerikane “Time”, në një artikull të saj dje me këtë rast i paraqiti të përmbledhura për lexuesit amerikanë:

Ngërçi politik: Jokowi mund ta ketë pretenduar Presidencën, por Parlamenti i vendit favorizon koalicionin “bardhekuq” të Prabowo-s, i cili muajin e fundit, në mënyrë kontradiktore, bllokoi zgjedhjen direkte të guvernatorëve, kryebashkiakëve dhe shefave të distrikteve. Në vend të një vote popullore, legjislaturat lokale do t’i zgjidhnin këta liderë, duke parandaluar ngritjen e figurave politike që vijnë jashtë establishmentit politik, siç është edhe vetë Jokowi. Avokatët e demokracisë, po hartojnë strategji se si të kthejnë mbrapsht atë që disa kritikë tashmë e cilësojnë si një “grusht legjislativ shteti”.

Rënia ekonomike: Me një bum ekonomik në ulje, rritja e vitit të fundit me një nivel prej 6%, duket tashmë më e vështirë për t’u ruajtur. Premtimet e Jokowi-t janë ato për një rritje prej 7% në vitin 2018, duke e lëvizur Indonezinë lart në vlera, përmirësuar infrastrukturën dhe pozicionuar kombin e arkipelagut më të madh në botë, në një nyjë globale transporti. Por a do t’ia dalë dot Presidenti populist të mos kthehet në një burim nacionalizmi, që do t’u bëjë hije investitorëve të huaj?

Ekstremizmi religjioz: Indonezia nuk ka vuajtur më nga ndonjë problem me origjinë religjioze, qysh prej vitit 2009, kur një çift hotelesh luksoze në Xhakarta u targetuan nga atentatorë vetëvrasës. Duhet vetëm një sulm i tillë për të përftuar idenë se Indonezia ka zbutur kërcënimin e një bande radikalësh që po përpiqen të sulmojnë të moderuarit, një lloj Islami i moderuar që prej kohësh ka lulëzuar në kombin me popullsinë më të madhe myslimane në botë.

Burokracia e pisët: Jokowi i fitoi votat, për shkak të imazhit të tij të pastër dhe fushatës së tij antikorrupsion në Solo e Xhakarta. Ai pretendon se ka zgjidhur procesin që dikur përfshiu në të tenderët e lejet publike të dhëna nga qeveritarët. Dhe ai ndihmoi të mbusheshin arkat qeveritare, duke rritur bazën e vjeljes së taksave të mbledhura. A mundet Jokowi të promovojë transparencë në një vend të njohur tashmë për korrupsion dhe ineficiensë burokratike në çdo nivel qeverisës?

Raportet ndëretnike: Si kryebashkiak i Solos dhe guvernator i Xhakartës, Jokowi piketoi në luftën e tij politike, deputetë që rastisi të ishin me origjinë kristiane. Në Xhakarta, numri dy i tij, ishte gjithashtu një kinez, një etnitet që ka vuajtur nga trazirat raciale. Megjithatë, kombi me shtrirje të madhe ishullore, ia ka dalë të mbajë një harmoni për t’u lavdëruar, duke pasur parasysh diversitetin e banorëve të tij. Grupet e të drejtave të njeriut, nga ana tjetër shqetësohen për disa trazira të kohëve të fundit me sfond etnik dhe mungesë të tolerancës fetare.

Boks më vete

Një “njeri i çfarëdoshëm”, në një demokraci në rritje

Joko Widodo, një “njeri i çfarëdoshëm” që ka lindur në një lagje të varfër indoneziane në ishullin e Javas, u betua dje si President i Indonezisë. Joko, 53-vjeçar, është i pari President indonezian që nuk ka ardhur nga elitat udhëheqëse politike apo ushtarake në vend. Ai pason në këtë post, Susilo Bambang Yudhoyono, pas përfundimit të mandatit të tij pesëvjeçar. Me një Kuran, librin e shenjtë të Islamit, të mbajtur para kokës, Joko bëri betimin në post gjatë një sesioni të veçantë përballë kamerave të televizionit kombëtar në Asamblenë Këshillimore Popullore (Parlamenti vendas), një supertrupë legjislative e dominuar prej Dhomës së Ulët të Parlamentit, asaj të Përfaqësuesve. Indonezia, një demokraci e re në rritje, është vendi me popullsinë më të madhe myslimane në botë dhe ka ekonominë më të madhe në rajonin e Azisë Juglindore. Betimin bashkë me të e bëri dje edhe Jusuf Kalla, zëvendësi në detyrë i Jokos. Ceremonia e djeshme përbën një frymëmarrje nga tensionet e fundit politike në vend që zgjati qysh kur u mbajtën zgjedhjet presidenciale të 9 korrikut. Presidenti i ri ka premtuar më shumë programe qeverisjeje me bazë popullore në një vend ku, përtej anëtarësimit të tij në grupimin e 20 ekonomive më të mëdha botërore, më shumë se 100 milionë njerëz jetojnë akoma me një pagë ditore prej dy dollarësh e më pak dhe ku pabarazia sociale e hendeku mes të pasurve e të varfërve, është gjatë gjithë kohës i lartë, sipas ekonomistëve. “Ky është një moment vërtet historik për të gjithë ne, për të qëndruar së bashku”, tha Presidenti i ri. “Nëpërmjet punës së fortë dhe bashkëpunimit, ne do të jemi të aftë të ndihmojmë të gjithë indonezianët”, shtoi ai në një fjalim që zgjati jo më shumë se 10 minuta. Ngaqë ai zotëron një koalicion qeverisës në minorancë, Presidenti Joko u citua të thoshte se pret që anëtarë të koalicionit të rivalit të tij, Prabowo, të bashkohen në administratën e tij, duke i dhënë atij një mazhorancë dhe për ta shtuar aftësinë e tij për të kaluar ligje të reja në Parlament. Presidenti i ri ka premtuar më shumë akses në programet qeveritare për fermerët, peshkatarët dhe grupimet e punëtorëve të të gjitha natyrave, si dhe më shumë investime në shëndetin publik dhe ato sociale për të varfrit. Gjithashtu, ai ka premtuar se do ta kthejë Indonezinë në një “fuqi detare” gjatë fjalimit të tij, duke theksuar se vendi është arkipelagu më i madh i botës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat