Krup – Dinastia që farkëtoi çelik për historinë

Speciale

Krup – Dinastia që farkëtoi çelik për historinë

Më: 20 tetor 2014 Në ora: 19:58

Nëse sot do t’ju qëllojë rasti të bëni një vizitë në qytetin e Esenit, në zemër të ish-zonës më të madhe industriale në Europë, asaj të Ruhrit, shumëkush do t’u rekomandojë të shkoni e të vizitoni atë që njihet nga të gjithë si “Vila Krup” (në fakt, emri i saj i vërtetë është: Villa Hügel). Është një sipërfaqe e madhe e gjelbëruar, me një park të madh natyror, në qendër të së cilës ndodhet pikërisht ajo që njihet si vila e Krupëve të famshëm.

Vila Hygel (Villa Hügel) ka shërbyer nga viti 1873 deri në vitin 1945 si rezidencë e familjes së industrialistëve të mëdhenj gjermanë Krup dhe njëkohësisht edhe si përfaqësi zyrtare e ndërmarrjes së tyre të madhe. Shtëpia që dikur ishte vetëm pronë e dinastisë së famshme, sot është një resort e atraksion kulturor i hapur (mund të vizitohet lehtësisht kundrejt një pagese modeste) për të gjithë. Këtu zhvillohen shpesh edhe shumë aktivitete kulturore e artistike, lokale, rajonale, kombëtare e ndërkombëtare.

Në atë që njihet si “shtëpia e vogël”, eksponatet e interioret informojnë publikun mbi historinë e familjes dhe gjenezën e aktivitetit të madh të dinastisë Krup. Një aspekt tjetër është dhe informacioni mbi aktivitetet bamirëse të fondacionit që mban emrin e themeluesit të tij, Alfrid Krup (Alfried Krupp von Bohlen und Halbach-Stiftung), që është në fakt edhe pronare zyrtare e vilës në fjalë. Ajri i pastër dhe hapësira e pafund e parkut, të fton të bësh një shëtitje mbresëlënëse, ndërsa shpesh sheh edhe çifte të reja, që pasi kanë vënë kurorën e martesës, duan të shkelin me domosdo këtu.

Por, sigurisht, për një adhurues të historisë, apo edhe të arkitekturës e kulturës, ajo është një vlerë që nuk duhet lënë pa u shijuar kurdo që të jepet rasti. Ajo mbart me vete shumë përgjigje e enigma. Është një pjesë e madhe, por edhe e dhimbshme e historisë së Gjermanisë. Por, cili ishte Alfrid Krup, që njihet ndryshe edhe si i fundmit i Krupëve. Përse fondacioni merret me këtë veprimtari dhe çfarë trashëgoi ai nga paraardhësit. A është e vërtetë se ishte ai që njihet nga shumëkush sot në botë, si “leva e çelikut” e Hitlerit dhe a i bëri ai me vetëdije të plotë të gjitha veprimet apo mosveprimet gjatë periudhës së Rajhut të Tretë. Tekefundit, a ishte ai një “vegël qorre” në duart e nazizmit dhe a njohu ndonjëherë pendesë për ato që kishte bërë?

Këtyre pyetjeve do mundohemi t’u hedhim pakëz dritë sot në këtë shkrim, i cili bazohet mbi të dhënat e një emisioni special të kanalit të dytë publik gjerman “ZDF”, që ka bërë një përshkrim realist të gjithë veprimtarisë së tij, raporteve me nazistët, me njerëzit e familjes, vuajtjeve, pasioneve dhe mesazheve që ai la pas.

Krup dhe arrestimi

Në korrik të vitit 1948, Alfried Krupp (von Bohlen und Halbach) u dënua nga një gjykatë amerikane me 12 vjet burg dhe e gjithë pasuria tij u konfiskua. Askush tjetër nga industrialistët gjermanë nuk është dënuar kaq ashpër pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Madje, fillimisht ishte menduar që Krup të ulej në Tribunalin e Nurembergut në krah të Gëringut, e ndoshta kështu do t’i kërcënohej seriozisht dënimi me vdekje.

Arsyeja: asnjë ndërmarrje tjetër nuk ishte më e urryer nga aleatët, sesa ajo që njihej si “kudhra e çelikut të Rajhut”. Kryeprokurori i çështjes kundër Krupit, Telford Taylor, e përsëriste pa u lodhur asokohe gjatë gjyqit traditën e madhe të dinastisë Krup, në lidhje me prodhimin e çelikut, vitalitetin e zellin e kësaj familjeje për të ndihmuar të pushtetshmit, që, sipas tij, përshtatej plotësisht me atmosferën e Rajhut të Tretë.

Elitarë dhe “besnikë të atdheut”

Si ndërmarrja më e madhe e armatimit të Rajhut të Tretë Gjerman, Krupët kishin farkëtuar e prodhuar armë e çelik për gjenerata të tëra, për llogari të mbretërve prusianë e perandorëve gjermanë. Familja përmendej padyshim si një familje elitare e besnike e pushtetit mbretëror e perandorak. Për këtë arsye, baronët e çelikut të Esenit, e refuzuan fillimisht Hitlerin gjatë ngjarjeve të Republikës së Vajmarit, kur ai po hidhte hapat e para të ngjitjes, duke ardhur nga ekstremi i djathtë.

Me rrëmujat që ai shkaktoi me këmishëkafet e tij, askush nuk dëshironte të kishte të bënte me të. Përkundrazi, ndryshe nga Krupët, Fritz Thyssen, përfaqësues i një dinastie tjetër nga Ruhri mitik, dukej se ishte prekur shumë nga idetë e nacionalsocializmit.

Në këtë mënyrë, fillimisht emërimi si kancelar i Rajhut gjerman i Adolf Hitlerit më 30 janar 1933, në familjen Krup, shkaktoi një moment pasigurie e hutimi për fatin që e priste: prindërit e Alfridit, Gustavi dhe e shoqja, Bertha, e pritën ngjitjen e Hitlerit në majat më të larta të pushtetit me përbuzje, skepticizëm dhe ndjenja të përziera të tjera jooptimiste.

Druajtja e Gustavit

Kjo bëri që në fillim Gustav Krup, i ati i Alfridit, i cili drejtonte asokohe akoma zyrtarisht firmën e tij të madhe, të mos angazhohej, apo përfshihej menjëherë në sistemin komercial e ekonomik që po ndërtonte Hitleri. Hitleri e emëroi atë si “udhëheqës të ekonomisë së mbrojtjes” dhe i dhuroi atij kryqin e artë të partisë, për të përdorur ndërmarrjet e personalitetin e tij, për qëllime propagandistike.

Fati i mbrapshtë i rivalit Thysen

Komplet ndryshe shkoi puna me Fritz Thyssen: pas puçit të njohur si “Puçi i Rëmit” në vitin 1934, ai nisi të njihte karakterin e vërtetë të regjimit nazist dhe u shndërrua kështu nga një përkrahës i zjarrtë i tyre, në luftëtarin e kundërshtarin më të madh. E guximin e tij, më pas Thyssen u desh ta paguante shtrenjtë: ai u shpronësua dhe u dërgua në një kamp përqendrimi.

Vetëm me shumë fat, ai arriti t’i mbijetonte luftës. Ndërkohë, Gustav Krup, përkundrazi, vazhdonte të bënte pakte me Hitlerin.

Problemet në familjen Krup

Duke ia nisur nga mesi i viteve tridhjetë, Gustavi, plak tashmë, po i hapte rrugën e trashëgimisë të birit, Alfridit. Ndërsa gjatë zhvillimit të Olimpiadës së vitit 36, Krupi i riu njohu Analizën e bukur e joshëse dhe ra në dashuri. Kur Analiza mbeti shtatzënë, ai u martua me të. Në familjen Krup, megjithatë, kishte shpërthyer inati e mëria, pasi “Frojlajn Bahr” kishte qenë më parë e martuar. Nga presioni i prindërve të tij shumë konservatorë, ai arriti deri në ndarje në vitin 1941.

Bashkëkohësit e përshkruajnë Alfrid Krupin si një njeri të vetmuar dhe aspak të lumtur. Në vitin 1943, ai mori në dorë plotësisht drejtimin e perandorisë së madhe të çelikut nga babai i tij, tashmë i shtrirë në shtrat i sëmurë rëndë. Lufta, në fakt, kishte kohë që tingëllonte e humbur tashmë, por trashëgimia do të farkëtohej tashmë me një ushtri të tërë punëtorësh të detyruar, që vinin nga jashtë vendit e që prodhonin armë pa mbarim. Kësaj detyre e përgjegjësie i doli tashmë përpara Alfridi dhe kështu që dashje pa dashje mori dhe namin e rolin e përgjegjësit kryesor për shfrytëzimin e të burgosurve e punëtorëve skllevër, që arrinin të paktën shifrën e 100000 vetave.

Mungonte fanatizmi

Megjithatë, udhëheqja naziste ishte e zhgënjyer nga Krupi i ri. Alfridit, praktikisht i mungonin të gjitha cilësitë, sipas tyre, të cilat regjimi nazist duhej t’i shihte të personifikuara në figurën ideale të një drejtuesi aq të madh të një ndërmarrjeje luftarake gjermane: pra, fanatizmi i verbër e aftësia këmbëngulëse e skrupuloze e paparë për t’u shkuar gjërave deri në fund, pra brumosja me moral të pastër nazist.

Kur amerikanët në prill të vitit 1945 pushtuan qytetin e Esenit, shefi i ri u arrestua menjëherë e pa rezistencë në vilën e tij (Vila Hygel). Tre vjet ai qëndroi në burg i izoluar, derisa në 1948-n u dha dhe vendimi i gjyqit, pasi ishin shqyrtuar mirë dosjet e tij. Në fakt, fillimisht duhej dënuar i ati, Gustavi, por ai ishte shumë i sëmurë dhe jo më i aftë për t’u vënë në dispozicion të procesit dhe në vitin 1950 ai vdiq.

Dëmshpërblimi i punës së detyruar

Në vitin 1951, Alfrid përfitoi një falje dhe iu rikthye edhe pasuria. Në rrethanat e Luftës së Ftohtë, amerikanët kishin nevojë tashmë për aleatë të fortë. Por, i riu Krup u vu sërish në dispozicion të historisë. Ndërsa shumë nga bashkatdhetarët e tij donin ta harronin sa më shpejt kapitullin hitlerian të historisë së vendit të tij, ai u kujdes gjatë viteve pesëdhjetë që të gjithë punëtorët çifutë të uzinave të tij të merrnin shpërblimin apo më mirë, dëmshpërblimin që meritonin.

Eseni, lindja dhe vdekja e një dinastie

Emri i tij i vërtetë ishte Alfried Felix Alwyn Krupp von Bohlen und Halbach. Lindi më 13 gusht 1907 në qytetin e Esenit, në zemër të zonës së Ruhrit dhe vdiq më 30 korrik 1967 po në Esen. Njihet mirë në mbarë botën, e jo vetëm në Gjermani si industrialisti që ndihmoi Hitlerin dhe uzinat “Krupp” të çelikut e të prodhimit të armëve të rënda naziste ishin bërë simbol i fuqisë së Rajhut.
Alfridi studioi në vitet 1928-‘34 Inxhinieri në Mynih, Berlin e Ahen. Në vitin 1935, ai u bë pjesë e ndërmarrjes së madhe familjare, që njihej me emrin “Friedrich Krupp AG”. Fillimisht u angazhua në sektorin e administratës qendrore të koncernit të Esenit. Më pas, në vitin 1938 ai u bë drejtues i sektorit të lëndëve ushtarake e armatimit dhe anëtar i direktoratit (kryesisë së firmës). Në mars të vitit 1943, ai, si trashëgimtar i ligjshëm i të atit, Gustav Krup, u bë kështu drejtor i kryesisë së koncernit “Friedrich Krupp AG”. Si pasojë e një dekreti apo më mirë, urdhri të Hitlerit e disa ndryshimeve brenda gjirit të familjes, të gjitha aksionet e firmës “Krupp” u përqendruan kështu në një dorë: atë të Alfrid Krup, i cili i gëzoi ato zyrtarisht pas datës 15 dhjetor 1943. Në këtë kohë, tashmë firma e tij ishte bërë ndërmarrja më e rëndësishme dhe furnitorja primare e Rajhut të Tretë me armë e çelik. Në vitin 1944, ndërmarrja e tij kishte “punësuar” rreth 100.000 punëtorë të detyruar e të burgosur nga kampet e përqendrimit. Sidomos u futën në punë, si gjatë ndërtimit të fabrikës së tij në Breslau, ashtu dhe prodhimit më pas, duke ia nisur nga pranvera e vitit 1942, të burgosur që vinin nga kampet e përqendrimit të Aushvicit. Në fakt, Alfrid Krup që nga viti 1931 ishte anëtar themelues i formacioneve SS. Në vitin 1935, ai u bë edhe anëtar i një njësie nderi të Partisë naziste (NSFK), ku ai pati dhe një rang drejtues. Nga viti 1938, ai ishte anëtar i rregullt i Partisë Nacionalsocialiste (NSDAP). Në vitin 1937, ai u emërua nga Fyhreri si drejtuesi i makinerisë së mbrojtjes së Rajhut. Përveç funksioneve të tjera, ai ishte dhe anëtar i Këshillit të Armatimit pranë ministrit të Rajhut për armatimin e prodhimin luftarak etj. Pas përfundimit të luftës, ai mbajti dhe postin e çmontimit të ndërmarrjeve naziste në zonat e pushtuara aleate dhe rindërtimit. Por Alfrid Krup ishte një lundrues i pasionuar. Gjatë Lojërave Olimpike Verore të vitit 1936 në Berlin, ai, madje, fitoi në krye të një ekipi prej tetë vetash edhe medaljen e bronztë për Gjermaninë, në një garë me varka me vela. Më 11 prill 1945, Krup arrestohet nga trupat amerikane në ambientet e Vilës Hygel dhe e gjithë pasuria e tij konfiskohet. I nënshtrohet procesit që njihej si Dosja X; Procesi “Krupp”, ku akuzoheshin edhe 11 bashkëpunëtorë e të tij në koncernin “Krupp”.
Lufta e Ftohtë, interesat amerikane e atmosfera e krijuar në vitet pesëdhjetë, bënë që atij t’i falej dënimi e të rifitonte sërish pasurinë e tij, duke ia nisur nga 31 janari 1951. Kështu, në mars 1953, ai mori sërish drejtimin e ndërmarrjes. Pak kohë para se të vdiste, Alfrid Krup themeloi edhe fondacionin “Alfried Krupp”, që në statusin e saj themeltar sanksionin qëllimet bamirëse, e kujdesin për lartësimin e kujtimin e traditës që ndërtoi familja Krup. Me vdekjen e tij, e gjithë pasuria i kaloi në pronësi këtij fondacioni. E kjo u bë e mundur edhe pas tërheqjes nga pretendimet për të, të birit të tij të ligjshëm, Arndt von Bohlen. Fondacioni e nisi veprimtarinë e tij zyrtare më 1 janar 1968. E po ky fondacion është sot edhe aksionari i vetëm i koncernit të famshëm “Thyssen-Krupp AG”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat