Pilotja Al-Mansuri: Arma magjike kundër islamikëve të epokës së gurit

Speciale

Pilotja Al-Mansuri: Arma magjike kundër islamikëve të epokës së gurit

Më: 29 shtator 2014 Në ora: 16:49

Çfarë mund të bëjnë sauditët ne kemi mundur ta bëjmë me kohë – menduan strategët mediatikë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Dhe kështu që u shkoi ndërmend të dërgojnë një grua që drejtonte një avion luftarak në një mision që udhëhiqet nga një aleancë e disa shteteve arabe në bashkëpunim me SHBA, kundër terroristëve të Kalifatit Islamik (IS). Në fillim të javës, oborri mbretëror saudit ndërmori një fushatë të kurimit të imazhit publik, kur nisi të shpërndante pamje të Princit Khalid bin Salman, të birit të Princit të Kurorës, Salman bin Abd al-Asis. Piloti mbretëror u pa kësisoj hipur në kabinën e komandimit të një avioni luftarak, me një buzëqeshje relaksuese në buzë, ndërsa niste rrugën për të kryer misionin e tij kundër objektivave të Shtetit Islamik në Siri e Irak.

Arma magjike nga Emiratet e Bashkuara Arabe është e ngjashme nga pikëpamja fotozhenike – dhe madje e tejkalon planin saudit, duke sjellë një imazh edhe më të kuruar publik, pasi në kabinën e avionit luftarak, këtë herë shihet një femër. Mariam al-Mansuri është 35-vjeçare dhe duket sikur shkëlqen me një helmetë pilotimi mbi kokë, ndërsa përshëndet me dorën e shtrirë lart nga dritarja e një “Cockpit”-i tip F-16. Mesazhi që i dërgohet botës nga Emiratet, është më se i qartë e nuk mund të keqinterpretohet: Shihni këtu, këtu po qëllon Islami modern kundër terrorit dhe tmerreve të një grupi islamistësh të epokës së gurit.

Al-Mansuri tashmë prej disa kohësh, është bërë shumë e famshme në Emiratet e Bashkuara. Në korrik, gazeta ditore në kryeqytetin e vendit, Abu Dhabi, “The National”, u çel me këtë titull: “Gruaja emirate, që çan mes qiejve”. Qysh në adoleshencë, shkruante më tej gazeta në fjalë, Al-Mansuri kishte vendosur, të bëhej pilote luftarake.

Pilotja e parë në historinë e Emirateve

Grave më parë nuk u lejohej diçka e tillë, por ajo që sot angazhohet si pjesë e Komandës së Përgjithshme të Forcave Ajrore të Emirateve, u pranua më në fund dikur në Akademinë e Forcave Ajrore. Në vitin 2007, ajo i përmbylli studimet e saj dhe tashmë fluturon me F-16 – si pilotja e parë femër në historinë e Emirateve. Ndërkohë, Al-Mansuri ka bërë karrierë duke u ngjitur në nivelin e komandantes së njësisë luftarake ajrore, që tashmë ka marrë përsipër pjesën e saj të sulmeve mbi territoret e kontrolluara nga IS-I, në Siri e Irak.

Ambasadori i Emirateve në SHBA, Yousef al-Otaiba, deklaroi në një emision TV të enjten në mbrëmje, se Al-Mansuri, është “një pilote shumë e kualifikuar dhe e përgatitur për luftë”. “Unë mendoj se është e rëndësishme për ne, arabët e moderuar, myslimanët e moderuar, që të ngrihemi e të themi: Ky është kërcënimi për ne”, theksoi al-Otaiba duke pasur parasysh IS-in e vijuar më tej, “ky është një kërcënim për vendin tonë, një kërcënim për mënyrën tonë të jetesës”.

Për “The National”, Al-Mansuri kishte thënë se, gjinia e saj femërore nuk ka qenë kurrë një temë diskutimi në Forcat Ajrore. “Nuk ka pasur asnjë dallim mes meshkujve e femrave, në lidhje me trajnimin, apo aksionet profesionale ushtarake të kryera”, tha mbajtësja e medaljes së “Krenarisë së Emirateve”. “Unë jam përqendruar fort e vazhdimisht te vetja, për të përmirësuar aftësitë e mia”. Ajo ka pasur shumë mbështetje nga komandantët, trajnuesit dhe kolegët e vet, tha pilotja e avionëve më modernë luftarakë.

Oferta martesore për “Lady Liberty”

Për pushtetarët në Emiratet e Bashkuara, ku gratë zakonisht shihen vetëm të mbuluara në publik, historia e Al-Mansurit është një shembull i mirëpritur për shtetin e Islamit modern që ata qeverisin. Sigurisht, se të drejtat e grave në Emiratet e Bashkuara janë shumë më të avancuara sesa në shumicën e vendeve të tjera të Gjirit Persik, por vetëm pak kohë më parë, organizata për të drejtat e njeriut “Human Rights Watch”, i kritikoi ato se kanë bërë shumë pak për të reduktuar fenomenin e shëmtuar të dhunimit të grave.

Në rrjetet sociale, Al-Mansuri cilësohet si “Lady Liberty” – e janë bërë shumë propozime për martesë kundrejt pilotes “single”. Një shtytje drejt seksizmit rreth kësaj historie bënë së fundmi edhe gazetarët amerikanë të kanalit “Fox News”. Një moderator i tyre, tha se majorja Al-Mansuri mund ta ngiste avionin e saj, por se nuk mund të parkonte dot veten nga pas. Kolegu i tij e pyeti: “A mos kjo në rastin e saj do të thotë ‘boobs on the ground’?”. Batuta pati efekt negativ, aq sa pak ditë më pas, moderatori Eric Bolling kërkoi falje për apelin seksist në formë shakaje të hidhur ndaj majores pilote nga Emiratet e Bashkuara.

Marrë nga “Die Welt”

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat