Komplotet sekrete për të vrarë Presidentin

Speciale

Komplotet sekrete për të vrarë Presidentin

Më: 28 shtator 2014 Në ora: 01:05

Më 1 nëntor të vitit 1950, me Shtëpinë e Bardhë që po bënte rinovime, Presidenti Harry Truman po bënte gjumin e drekës në katin e sipërm të Blair House, shtëpia e mysafirëve në anë të rrugës. Në orën 14 e 15 minuta, teksa po flinte, “dy nacionalistë portorikanë, 37-vjeçari Oscar Collazo dhe 24-vjeçari Griselio Torresola, ju afruan Blair House nga drejtime të kundërta... Collazo ishte i armatosur me një pistoletë Walther P-38 dhe Torresola me një pistoletë Luger, të dy revolver të kalibrit 9”. Torresola, që po afrohej nga Perëndimi, vërejti policin e Shtëpisë së Bardhë, Leslie Coffelt dhe e qëlloi tri herë. Collazo, nga Lindja, ju afrua derës kryesore dhe qëlloi në këmbë oficerin Donald T. Birdzell. I zgjuar nga të shtënat, Truman shikoi nga dritarja dhe pa njërin prej oficerëve të shtrirë përdhe në rrugë i plagosur. E nxori kokën tek dera për të pyetur se kush e kishte qëlluar, por një agjent i Shërbimit Sekret i ulëriu që të futej brenda në dhomë. Drejtuesi i Shërbimit Sekret më pas do ta kritikonte Presidentin për këtë akt të rrezikshëm, të papërgjegjshëm. Ndërsa agjenti Stewart Stout, brenda Blair House, i priste vrasësit me një automatik në dorë, Collazo u neutralizua nga një agjent në derën e godinës, ndërsa Torresola qëlloi një oficer tjetër përpara se i plagosuri për vdekje Coffelt ta asgjësonte me një gjuajtje në kokë, akti final i oficerit përpara se të vdiste në shërbim për vendin e tij. Sikur vrasësit e mundshëm ta kishin bërë afrimin e tyre 10 minuta më vonë, ata do ta kishin parë Presidentin dhe bashkëshorten e tij ta linin ndërtesën nga dera e djathtë ku ata po qëndronin në pritë.
Ne tentojmë të mendojmë se tentativat ndaj jetës së Presidentit janë relativisht të rralla – me John Hinckley që qëllon Presidentin Ronald Reagan në 1981 si incidentin e fundit vërtet kërcënues për jetën. Por. libri i ri me titullin “Hunting the President: Threats, Plots, and Assassination Attempts — from FDR to Obama” (Shtëpia Botuese “Regnery”) nga Mel Ayton tregon se kërcënimet dhe përpjekjet janë shumë më të zakonshme sa ne dijmë. Çdo president, pavarësisht partisë apo ideologjisë, ka mijëra kërcënime në dosje në çdo moment, me zakonisht rreth 400 apo diçka e tillë të konsideruara si serioze.
Ata që kërcënojnë Presidentin rrallë e bëjnë një gjë të tillë për arsye politike, shkruan historiani Ayton, por më shumë prej sëmundjes mendore apo si një reagim fajësues ndaj vuajtjes personale. (Ndërsa kërcënimet kundër Presidentit Obama nga supremacistët e bardhë dhe ekstremistë të tjerë të djathtë u rritën shumë gjatë vitit të parë të tij në post, qysh atëherë, shkruan Ayton, numri i kërcënimeve kundër tij është vënë në linjë me mesataret presidenciale). Në investigimin e shumë kërcënimeve dhe orvatjeve kundër presidentëve nga Franklin Roosevelt tek Barack Obama, Ayton gjen një numër befasues vrasësish, për të cilët identiteti i viktimave të tyre ishte dytësor.
Përpara se të vriste Robert Kennedy në 1968, Sirhan Sirhan shkruan në ditarin e tij për dëshirën që të vriste Lyndon Johnson. Dhe muaj përpara se të vriste vëllain e Kennedy në 1963, Lee Harvey Oswald rroku një armë dhe shkoi në një fjalim të ish-Zëvendëspresidentit Richard Nixon, i cili kishte folur rreth largimit nga pushteti të Fidel Castro, idhulli i Oswald. Duke e kuptuar qëllimin vrastar të tij, bashkëshortja e Oswald e mbylli me çelës në dhomën e gjumit dhe e kërcënoi se do t’i telefononte policisë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat