Ne nuk jemi të vetmit në Univers!

Speciale

Ne nuk jemi të vetmit në Univers!

Më: 22 shtator 2014 Në ora: 19:10

Hapësira – “Bijtë e yjeve – Hipoteza dhe sugjerime për jetën jashtëtokësore”, kjo do të jetë tema interesante, e cila do të mbledhë më shumë se 42 ekspertë ndërkombëtarë të ufologjisë për të folur mbi mundësinë e ekzistencës së formave të tjera të jetëve në Univers

Por a keni provuar të imagjinoni ndonjëherë përtej asaj që keni parë?! – Mendojeni pak: në Rrugën e Qumështit ka 400 miliardë yje, 100 miliardë të tjerë në sistemin diellor dhe 8 miliardë planetë të ngjashëm me tanët; tani shumëzojini të gjithë me 200 miliardë – numrin e vlerësuar të galaktikave të pranishme në tërë kozmosin – dhe me siguri, ju do të keni një ide të paqartë pafundësie që ju rrethon. Pra, në këto kushte, a mund të mendojmë ende se jemi të vetmit në Univers? – Sigurisht, këtë gjë nuk e mendojnë shkencëtarët, astronautët, astrofizikanët, astrobiologët, që prej vitesh tashmë shkojnë për “gjueti” planetësh alienë (të huaj) potencialisht të banueshëm apo pothuajse të banueshëm. NASA garanton se brenda 20 vjetëve do të arrihet në “destinacion”: ne do të gjejmë jetën e parë jashtëtokësore dhe do të zbulojmë se nuk jemi të vetmit “qiramarrës” në kozmos. Në të vërtetë, ekzistenca e qytetërimeve të tjera teknologjikisht të avancuara, ka qenë prej kohësh para syve tanë, në një kohë kur skeptikët kundërshtojnë mungesën e provave objektive! – “Të thuash se nuk ekzistojnë prova të prezencës së UFO-ve, nuk është aspak korrekte. Ndoshta nuk kemi në dispozicion të gjitha mbetjet e një disku fluturues apo të indeve biologjike jashtëtokësore për t’u analizuar, por ama ne kemi qindra dëshmitarë”, thotë për shembull Pablo Ejo (Pablo Ayo). “Ka persona që kanë parë ose kanë folur me të huajt e botëve të tjera, që kanë diktuar anije kozmike apo kanë mundur të gjejnë dhe të kapin me duar copa të tyre. Prej tyre ka edhe njerëz shumë të kualifikuar e shumë të përgatitur, me një begraund të madh profesional: pilotë avionësh, astronautë, shkencëtarë dhe kimistë (mes të cilëve edhe njëri i vlerësuar me çmimin ‘Nobel’), personalitete të botës politike, si senatorë, guvernatorë, ministra, madje edhe kryetarë shtetesh. Në këtë renditje, nuk mungojnë as edhe agjentët e shërbimeve dhe ish-ushtarë të grupeve të destinuara në operacione speciale, me dokumente, të cilat tregojnë statusin e tyre profesional. Pra, kur ministrat e Mbrojtjes, kryetarët e shteteve apo drejtorë të zyrave të inteligjencës thonë se UFO-t janë një problem serioz, mbase duhet të reflektojmë”.

Eyo, shkrimtari dhe i shumënjohuri për një publik të gjerë me pjesëmarrjen e tij në emisionin italian “Mistero”, ishte një nga folësit e takimit të dytë ndërkombëtar të ekzobiologjisë, i organizuar gjatë këtyre ditëve në qytetin milanez në bashkëpunim me një blog italian. Ndërkohë, “Bijë të yjeve – Hipoteza dhe sugjerime mbi jetën jashtëtokësore”, do të jetë tema që më 27 dhe 28 shtator do të diskutohet nga ekspertë dhe studiues, për të analizuar fenomenin nga këndvështrime të ndryshme.

Peter Robins (Peter Robbins) do të referojë mbi prapaskenat e incidentit të Rendlesham Forest, “rastin ufologjik më domethënës dhe të mirëdokumentuar të Britanisë së Madhe”, sipas studiuesit nga Nju Jorku, i cili e ka studiuar këtë rast për pothuajse 25 vjet. Robins është autor i librit “Left at East Gate”, të cilin e ka bashkëshkruar me Lerri Uaren (Larry Warren), dëshmitarin okular të asaj historie të çuditshme. “Ishte dhjetori i vitit 1980, kur, për tre net me radhë, ushtarët dhe zyrtarët e bazës ushtarake në Bentwaters, e gjetën veten para një objekti fluturues të paidentifikuar! Ngjarja i përfshiu pothuajse të gjithë, kërkuesit për UFO-t, dëshmitarët ushtarakë dhe civilë, ndërsa për të u krijuan letra dhe dokumente, provat fotografike dhe fizike absolutisht bindëse. Po kështu, në vendngjarje ishte edhe Inteligjenca Amerikane, si dhe forca të tjera speciale, për të bërë kontrollin e personave të përfshirë”, thotë autori. Po kështu, një rrëfim interesant për këtë temë e kanë edhe gazetarët Vinçenco Sinapi dhe Leo Petrili (Vincenzo Sinapi e Lao Petrilli) me librin “UFO, dosieri italian” i cili ka arritur një sukses të madh. “Është një libër që i mbledh të gjitha dokumentet e arkivuara të Departamentit të Përgjithshëm të Sigurimit Aeronautikë në 40 vitet e fundit, që nga viti 1972 deri në vitin 2013. Aty ka relacione dhe dëshmi direkte, transkriptime me zë, skica të bëra me dorë, foto etj. Në këtë libër gjenden gjithashtu 445 firma të certifikuara me vulën e objekteve fluturuese të paidentifikuara. Ne i kemi riprodhuar besnikërisht këto dokumente. Disa episode, veçanërisht ato të raportuara nga pilotë ushtarakë, janë me të vërtetë të mahnitshme”, thotë njëri prej gazetarëve. Mes rasteve më të çuditshme të viteve të fundit, janë me siguri ngjarjet e ndodhura në një vend të vogël të Italisë, në Valmalenco. “Në këtë luginë, janë të shumtë ata të cilët dëshmojnë se kanë parë disqe fluturuese, ndërsa disa të tjerë madje kanë parë edhe subjekte të tjera të huaja apo alienë. Një fenomenologji e mbështetur nga qindra fotografi, të gjitha për t’u verifikuar”, thotë Marko Baldini, një nga themeluesit e GAUS (grup akademik ufologjik), i cili ka kryer një studim të gjerë të atij vendi, duke dëgjuar dëshmitarët okularë dhe duke mbledhur materiale fotografike. Në takimin “Bijtë e yjeve” do të jetë i pranishëm Baldini. “UFO-t ekzistojnë, janë realë dhe fryt i një teknologjie të avancuar. Ndaj, edhe pse nuk e dimë se nga vijnë, nuk mund të shtiremi më se nuk ekzistojnë”, thotë një nga ufologët më të njohur italianë, Roberto Pinoti, sociologu dhe autori i dhjetëra librave mbi këtë argument. Ai do të përmbyllë të dielën e 28 shtatorit edhe takimin në fjalë. Për shumë ditë me radhë, 42 ekspertë ndërkombëtarë kanë biseduar rreth kësaj tematike, duke sjellë në vëmendjen e mediave dokumente që duket se provojnë praninë e jashtëtokësorëve në planetin tonë. Pra, më 27 dhe 28 shtator, të pasionuarit pas çështjeve të hapësirës, do të kenë mundësi të njihen me të gjitha të rejat e kërkimeve urologjike, të shohin videot e fundit dhe të dëgjojnë rrëfimet e protagonistëve. Gjuetia për specie inteligjente jashtë planetit tonë, mund të duket si një ide e lëvruar vetëm nga letërsia fantastiko-shkencore apo bota e kinemasë, por, në fakt, është diçka që ndodh edhe në jetën reale. Sonda të ndryshme të NASA-s ka kohë që i janë kushtuar kërkimit të planetëve jashtë sistemit tonë diellor dhe astronomët presin që të dëgjojnë herët ose vonë ndonjë mesazh të “postuar” nga hapësira e pafund. Dhe imagjinoni se si do të ndihemi ditën kur më në fund, do të kemi provën që nuk jemi të vetëm në univers, por pjesë e një bashkësie të madhe galaktikash, sistemesh, planetësh ku gjallon jeta dhe forma të ndryshme të saj. Do të ishte një gjë vërtet frymëzuese “Gjuetia” më e madhe dhe më aktive për jashtëtokësorët dhe jetën jashtëtokësore që ka nisur në vitin 1960, kur Frank Drejk (Frank Drake) vendosi teleskopin e tij nga Virxhinia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, drejt yllit Tau Ceti. Ai ishte në kërkim të sinjaleve anormale të radios, që mund të dërgoheshin drejt Tokës nga planetë me jetë inteligjente. Ideja e tij më pas u vendos në themel të punës kërkimore shkencore të SETI-t, institucionit amerikan të lartpërmendur, domethënia e inicialeve të të cilit është: Instituti për Kërkimin e Inteligjencës Jashtëtokësore. Në këtë institut u vendosën radarët e parë dhe teleskopët e fuqive të mëdha dhe madje jo vetëm në këtë institut, por në pika të ndryshme të globit, në mënyrë që të vëzhgoheshin qiejt për të kapur ndonjë sinjal të mundshëm. Por për 50 vjet që nga themelimi i këtij instituti, qielli ka përcjellë vetëm heshtje. Për sa i përket “gjuetisë” së alienëve, ajo është diçka që paraqet një numër komplikacionesh të natyrave të ndryshme. Njëra prej tyre është distanca. Nëse fqinji ynë më i afërt me forma jete inteligjente, do të ndodhej 1000 vite dritë larg, neve do të na duhej një mijëvjeçar i tërë për të marrë një mesazh prej tyre dhe anasjelltas, për të dërguar mbrapsht një mesazh përgjigjeje. Në fillim të punës së SETI-t, astronomët ishin përqendruar në kërkimin e planetëve të ngjashëm me planetin tonë. Ideja ishte që duke qenë se kushtet në planetin tonë ishin të favorshme për lindjen e jetës, atëherë kushte të ngjashme gjetkë mund të ishin gjithashtu të favorshme për jetën. Pra, në atë kohë u nisën të kërkonin një planet të ngjashëm për nga përmasat dhe përbërja me planetin tonë. Por, në fakt, tashmë është e qartë se nuk është e domosdoshme të jesh si Toka për të pasur jetë. Sigurisht se me kalimin e kohës, u kuptua se nuk jemi ne kriteri për të vlerësuar mundësinë apo mundësinë e jetës dhe se jeta mund të zhvillohej edhe në kushte tepër të ndryshme nga ato të planetit tonë, pra nga kushtet që ne i quajmë të mundshme për jetën. Kështu, ndërsa te ne, jeta ekziston në tokë dhe në det, në një planet gjigant gazi, për shembull, ajo mund të ekzistojë edhe në atmosferë. Paul Davis, një astrofizikan i Universitetit të Arizonës, argumenton se truri i jashtëtokësorëve mund të ketë një arkitekturë tërësisht të ndryshme nga ai njerëzor. Ajo çka për ne mund të konceptohet si e bukur dhe e mrekullueshme, për ta mund të ketë një kuptim tërësisht të kundërt. Është diçka që nuk mund ta parashikosh dhe, mbi të gjitha, nuk mund ta gjykosh nga një këndvështrim tërësisht njerëzor. Alienët janë alienë, nëse ekzistojnë dhe do të ishte gabim që të mendonim se janë si ne. Pa dyshim, që disa nga përgjigjet për rebuset e shumtë që rrethojnë këto çështje do të merren dhjetëvjeçarët e ardhshëm. Kërkuesit që merren çdo ditë me këto çështje, janë astrobiologët që punojnë në një fushë që po përsoset gjithnjë e më shumë me daljen e teknologjive që mundësojnë thellësinë e këtyre kërkimeve në eksplorimin e hapësirës. Shkencëtarët kanë zbuluar planetët e parë ekstrasolarë në fillim të viteve ‘90 dhe deri më tani, numri i tyre është rritur ndjeshëm. Sot, shkencëtarët njohin 443 planetë që orbitojnë rreth 350 yjesh. Pjesa më e madhe e tyre janë gjigantë të mëdhenj gazi. Në vitin 2009, NASA lançoi satelitin “Kepler”, i projektuar specifikisht në kërkimin e planetëve të ngjashëm me Tokën. Gjeneratat e ardhshme të teleskopëve tokësorë, të tillë si ai që pritet të ndërtohet nga europianët e që do të ketë një shikueshmëri dhe depërtueshmëri jashtëzakonisht të lartë, mund të fillojnë punën e tyre pas 20 vitesh dhe fuqia e tyre do të arrijë që të sjellë pamje edhe të vetë atmosferës së planetëve që fokuson e madje do të bëjë edhe analiza kimike të elementeve të ndryshme në kërkim të jetës. Instituti SETI, gjithashtu po merret edhe me ndërtimin e një aparati shumë të çmueshëm: Shigjeta Allen e financuar nga fondacioni “Paul Allen”, bashkëthemelues i “Microsoft” me një vlerë 11 milionë dollarë. Ai do të ketë 42 antena të fuqishme dhe 300 pjata satelitore. Gjatë gjithë viteve që SETI ka funksionuar dhe është marrë pikërisht me objektivin kryesor: atë të kërkimit të jetës jashtëtokësore, ai ka vërejtur me kujdes rreth 1000 sisteme yjore. Por, me futjen në përdorim të teknologjive më të fundit, ndër të cilat edhe ajo e sipërpërmendur, ky numër yjesh do të mund të kontrollohet për një periudhë dy deri në trevjeçare. Pra, sasia e hapësirës që do të kontrollohet për shenja jete dhe jashtëtokësorë, do të jetë shumë më e madhe se ajo deri më tani.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat