Reuters: Papa në Shqipëri, për të festuar ringjalljen fetare dhe tolerancën

Speciale

Reuters: Papa në Shqipëri, për të festuar ringjalljen fetare dhe tolerancën

Më: 19 shtator 2014 Në ora: 20:37

E vetmja gjë për të cilën flitet në kryeqytetin shqiptar është vizita e Papa Françeskut. Përgatitjet janë në orët e fundit, me zbukurimin e rrugëve, ku flamuri shqiptar me shqiponjën dykrenare qëndron në krah të atij të Vatikanit. Kështu e përshkruan Agjencia e lajmeve "Reuters" vizitën e Atit të Shenjtë në Tiranë të dielën.

Në një reportazh të detajuar, tregohen pamjet e suvenirëve, ku gota, bluza dhe sende të tjera me portretin e Papës shiten në dyqane, kurse Posta Shqiptare ka emëruar një pullë të veçantë në nder të vizitës së Papës.

Gjyshi i Dom Gjergj Metës, përgjegjësi për strukturën informative të Papës, arriti të ruante kupën dhe pjatën e Trupit të Krishtit nga kisha e fshatit të tij, e cila u rrafshua si qindra të tjera në Shqipëri nga diktatura staliniste e Enver Hoxhës një gjysmë shekulli më parë.

Diktatori stalinist Enver Hoxha ndaloi fenë myslimane dhe atë katolike në vitin 1967. Meta ishte në mesin e brezit të parë të priftërinjve të arsimuar në Itali dhe u kthye në vendlindje pas rënies së komunizmit në vitin 1990.

38-vjeçari, famullitar nga kisha e Shën Lucisë në qytetin bregdetar të Durrësit mbajti meshën e tij të parë në prill të 2001 me të njëjtën kupë dhe pjatë të ruajtur nga gjyshi i tij, i cili fatkeqësisht u nda nga jeta vetëm dy muaj më parë.

“Ne jemi në pritje të Papa Françeskut. Unë shpresoj se ai do të jetë këtu personi i duhur për të na dhënë shpresa dhe kurajo për të ardhmen”.

Ringjallja e besimit dhe bashkëjetesës paqësore me Islamin në dy dekada, është ajo që Papa Françesku do të festojë të dielën në kryeqytetin shqiptar të Tiranës.

Vizita e Papës vjen në sfondin e trazirave në Lindjen e Mesme dhe shfaqjen e shenjave të para të rritjes së intoleracës fetare në Europë.

Duhet të jenë këto arsyet pse Papa Françesku ka zgjedhur të vizitojë Shqipërinë, një vend i varfër në Ballkan me tre milionë banorë dhe jo Francën, Gjermaninë apo Britaninë.

Por kjo është në përputhje më mënyrën e re të papatit, sjellë kjo nga Ati argjentinas, duke thyer traditën historike tradicionale të paraardhësve të tij.

Katolikët përbëjnë rreth 10 për qind të shqiptarëve. Rreth 60 për qind e popullsisë është myslimane, ndërsa pjesa tjetër është kryesisht e krishterë ortodokse. Popullsia njihet më shumë si laike dhe ajo që i bashkon më së shumti janë gjuha dhe zakonet e rrënjosura thellë në shoqërinë tradicionale patriarkale.

Në njoftimin e Papa Françeskos thuhet se 1.820 kisha ortodokse dhe katolike u shkatërruan nën sundimin diktatorial të Enver Hoxhës, një sundim paranojak i cili zgjati më shumë se katër dekada.

Deri në vdekjen e tij në vitin 1985, shumë prej kishave u kthyen ne kinema, salla vallëzimi ose magazina. Mbi 100 priftërinj katolikë apo peshkopë janë ekzekutuar ose kanë vdekur nën tortura në burgje apo në kampet e punës.

Zëdhënësi kryesor i Vatikanit, At Federiko Lombardi thotë se vetëm 30 priftërinj i mbijetuan sistemit.Dikatatori Hoxha ndërtoi një muze ateizmi, duke përfshirë në ekspozitë edhe portretin e Papa Gjonit të XXIII,i cili udhëhoqi kishën katolike në vitet 1958-1963, duke vallëzuar me udhëheqësin sovjetik Nikita Hrushov, edhe pse ata të dy kurrë nuk janë takuar.

Në gjurmët e Papa Gjon Palit II

Françesku vijon në gjurmët e Papa Gjon Palit II, papati i të cilit u shtri në fundin e Luftës së Ftohtë dhe vizita e të cilit në Shqipëri në vitin 1993 shenjtëroi ringjalljen e besimit fetar, pas dekadash represion.

Gjon Pali II shenjtëroi katër kryepeshkopët e Shkodrës, ku revolta e Shqipërisë kundër komunizmit filloi në vitin 1990 me një Meshë të paligjshme.

Myslimanë dhe katolikë pritet të dalin në sheshin e madh të Tiranës, ku Ati i Shenjtë do të mbajë një meshë në sheshin që mban emrin e “Nënë Terezës”, një shqiptare e lindur në Maqedoninë e sotme, e cila ka qenë pjesë e Perandorisë Osmane.

Shumë shqiptarë e shohin vizitën e Papës si një afrim të Shqipërisë me familjen europiane pas marrjes së statusit kandidat dhe anëtarësimit në NATO në vitin 2009.

Shumica e shqiptarëve kanë qenë të krishterë para pushtimit otoman. Gjergj Kastriot Skënderbeu mbetet Heroi i tyre Kombëtar për luftën e tij 25-vjeçare për të mbajtur otomanët larg territorit te tyre.

Vatikani përshëndeti Skënderbeun si kampion të Krishtërimit, ku konvertimi masiv në Islam pasoi vdekjen e tij. Skënder Brucaj, kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë tha se vizita e Papës ishte me “rëndësi të veçantë”.

Vizita e Papa Françeskut në Shqipëri është e katërta në nivel ndërkombëtar dhe e para në një vend europian jashtë Italisë.

Papa Françesku ka deklaruar se dëshiron të vizitojë Shqipërinë për të nxjerrë në pah rilindjen e krishtërimit që u spastrua brutalisht gjatë sundimit komunist dhe të demostrojë se si katolikët, të krishterët, ortodoksë dhe myslimanët po punojnë sëbashku tani për të qeverisur vendin.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat