DO SVIDANIJA RDGJ – 20 vjet nga tërheqja e trupave sovjetike prej Gjermanisë Lindore(Foto)

Speciale

DO SVIDANIJA RDGJ – 20 vjet nga tërheqja e trupave sovjetike prej Gjermanisë Lindore(Foto)

Më: 18 shtator 2014 Në ora: 21:06

Të stacionuar në ish-Republikën Demokratike Gjermane, ata numëronin në fund të kësaj historie, më shumë se 500 000 ushtarë dhe oficerë. Më 1994-n, ata të gjithë u desh të merrnin rrugën e kthimit. Por shumëçka mbeti pas, duke dëshmuar panorama të shkreta e kazerma të braktisura. Rrugëtimin e tyre e kishin ndjekur më parë disa fotografë ish-gjermanolindorë, duke kryer kësisoj, një mision historik

Të stacionuar qysh prej më shumë se 40 vjetësh në territorin e ish-Republikës Demokratike Gjermane, ata numëronin në fund të kësaj historie, më shumë se 500 000 ushtarë dhe oficerë, shoqëruar nga familjet e tyre. Më 1994-n, si pasojë e marrëveshjeve shumë dhe dypalëshe, pas rënies së Murit të Berlinit dhe shuarjes së ish–RDGJ-së, ata të gjithë u desh të merrnin rrugën e kthimit për në shtëpi, duke marrë me vete të gjitha armatimet, pajisjet e vlefshme ushtarake, tanket dhe municionet. Por shumëçka mbeti pas, duke dëshmuar panorama të shkreta kampesh stërvitore e kazermash të braktisura. Rrugëtimin e tyre e kishin ndjekur më parë disa fotografë ish-gjermanolindorë, të ngarkuar qysh në vitin 1990 për dokumentimin e viteve të fundit të prezencës ruse në tokën gjermane, duke kryer kësisoj padyshim një mision historik.

Dikush hidhte vështrimin ndoshta për herë të fundit mbi lumin Oder, ia bënte me dorë dikujt apo hidhte ndonjë monedhë në ujë nga treni. Të hedhësh monedha në ujë, është një zakon i moçëm në Rusi – për të kujtuar një vend që të ka lënë mbresa e që do të doje të riktheheshe kur të kishe mundësinë e parë. Të rinjtë nën uniformë që po i linin krahët Gjermanisë, i priste një jetë e re në vendlindje, ndoshta me mijëra e qindra kilometra nga Moska. Ata ishin ushtarët e fundit sovjetikë në ato ditë vere të vitit 1994 që tërhiqeshin nga kazermat e tyre në Berlin – të shoqëruar pandashmërisht nga aparatet e një grupi profesionist fotografësh vendas, ndër ta edhe Christian Thiel.


Një dy, një dy: Ushtarët gjatë ushtrimeve gjimnastikore të mëngjesit në Karlshorst, 1994.

Kasha nën palma: Panoramë ekzotike në mensën e kazermës së Karlshorstit, 1994. Gjellën tradicionale ruse Kasha, fotografi Christian Thiel e shtyu vetëm me ca gllënjka të mira çaji.

Gjatë pushimit të drekës: Një ushtar i Brigadës së Berlinit mbikëqyr gjatë një pushimi armët e lëna në tokë nga shokët e tij. Fotoja është marrë në vitin 1994 në shesh-ushtrimin e kazermës në Karlshorst, Berlin.

Të shkëlqejnë plotësisht: Edhe nën këmbët e memorialit sovjetik në lagjen “Treptov” të Berlinit, nuk duhet harruar të lustrohen mirë çizmet, 1994.

Nuk duhen më: Një avion Mig-23 i çmontuar në aeroportin e vjetër ushtarak, 1993.

Atmosferë largimi: Re të mbarsura me erëra mbytëse gazesh që ngrihen lart. Foto e marrë në vitin 1993 gjatë transportit të tankeve në lagjen Adlershof në Berlin.

Një vështrim i fundit mbi lumin Oder: Ushtarët gjatë rrugës së kthimit për në Moskë, 1994. Shumë ushtarë, kujton Christian Thiel, hidhnin monedha në ujë – një ritual rus që aplikohet për vendet e bukura, të cilat më vonë ta ka ënda sërish t’i shohësh.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat