250 mijë refugjatët belgë, që nuk lanë gjurmë në Britani!

Speciale

250 mijë refugjatët belgë, që nuk lanë gjurmë në Britani!

Më: 16 shtator 2014 Në ora: 14:04

Britania strehoi 250 mijë refugjatë belgë që u larguan nga vendi i tyre gjatë “Luftës së Madhe”, fluksi më i madh në historinë e saj. Por si ndodhi që emrat e tyre u harruan dhe kaluan pa lënë gjurmë? A mos vallë problemet personale të britanikëve, ishin një nga arsyet kryesore?

Pak mund të bëhej për ta përgatitur Folkestone-n për 14 tetorin e vitit 1914. Porti i Kentit kishte vajtje-ardhje të shumta, por nuk kishte parë kurrë mbërritjen e 16 mijë refugjatëve belgë në një ditë të vetme. Gjermania kishte pushtuar Belgjikën, duke i detyruar ata të largoheshin. Largimi kishte filluar që në gusht, ku çdo ditë për disa muaj mbërrinin refugjatë në porte të ndryshme. Të dhëna zyrtare të kohës llogarisin se 250 mijë refugjatë iu drejtuan Britanisë së Madhe gjatë Luftës së Parë Botërore. Në disa fshatra të ndërtuara enkas për ta, refugjatët kishin shkollat e tyre, gazetat, spitalet, kishat, burgjet dhe policinë. Këto zona konsideroheshin “territor belg” dhe drejtoheshin nga qeveria belge. Atje madje përdorej monedha e vendit amë të refugjatëve.

“Pak komunitete në Britani mbetën të paprekura nga mbërritja e tyre”, thonë historianët. Shumica u strehuan me familjet kudo në të katërta shtetet. Por, pavarësisht se ishin të shumtë në numër, vetëm njëri prej belgëve është tejet i njohur, detektivi Herkyl Puaro (Hercule Poirot). Agata Kristi (Agatha Christie) ka thënë se e ka bazuar personazhin e saj në një refugjat belg që njohu në qytetin Torki.

Përveç disa pllakateve të varreve, gdhendjeve në ndërtesat e qytetit dhe disa emra rrugësh në vend, refugjatët belgë të asaj kohe duket se nuk kanë lënë tjetër gjurmë. “Ishte fluksi më i madh i refugjatëve në historinë britanike, por është një ndodhi që pothuajse është injoruar”, – thotë Toni Kushner, profesor i historisë moderne në Universitetin e Shefield-it.

Kjo ishte pjesërisht e projektuar. Kur lufta mbaroi, qeveria britanike kërkoi që të ktheheshin ushtarët dhe të largoheshin refugjatët, shpjegon profesori. Belgëve nuk iu rinovuan kontratat e punës, e për pasojë mbetën me pak mundësi, veçse të ktheheshin në shtëpi. Qeveria ofroi bileta vajtjeje falas për në Belgjikë, por vetëm për një periudhë kohe. Brenda 12 muajve nga fundi i luftës, më shumë se 90 për qind e tyre ishin kthyer në shtëpi. Ata u larguan sa më shpejt mundën. “U përzunë nga vendi. Nuk ishte shumë dinjitoze dhe qeveria ishte e lumtur që kombi të harronte. I erdhi për mbarë edhe qeverisë belge që kishte nevojë për njerëzit të rindërtonin shtetin”.

Ata pak që mbetën u integruan me jetën britanike – shumë u martuan me britanikë që kishin takuar kur qëndruan në fillim. “Ata ishin të bardhë dhe të krishterë, ndaj nuk binin në sy”, thotë Gary Shefield, profesor i studimeve të luftës në Universitetin Wolverhampton. “Ata thjesht u zhdukën nga korniza”.

Refugjatët u pritën fillimisht krahëhapur. Qeveria i përdori për të nxitur ndjenjat antigjermane dhe për të marrë mbështetje publike për luftën. “Kontakti me refugjatët belgë ishte një kujtesë e mirë e shkakut, përse Lufta e Parë Botërore ia vlejti të luftohej”, – thotë Shefield. Mirëpritja ishte fillimisht e madhe. Një refugjat përshkruan në ditarin e tij frikën kur një kacafytje shpërtheu mes vendasve se kush do t’ia mbante valixhen. Ka dhe qindra histori të tjera të njerëzve që i pritën me buzëqeshje refugjatët belgë.

Por kjo nuk zgjati shumë. Shumica e njerëzve mendonin se lufta do të mbaronte në Krishtlindje, por shumë shpejt u bë e qartë se nuk do të ndodhte kështu. “Teksa belgët u bënë mysafirë më të qëndrueshëm, shumë individë dhe familje që strehuan në fillim me entuziazëm refugjatë, e humbën durimin me kalimin e muajve dhe po ashtu i mbaruan paratë. Atëherë, ata i kthyen atje ku i gjetën”, – thotë dr. Zhaklinë Xhenkinson (Jacqueline Jenkinson), një profesore e historisë në Universitetin e Stirling-ut.

Strehimi dhe punët u bënë një problem. Belgët në fshatrat e ndërtuara enkas për ta kishin ujë të pijshëm dhe elektricitet, ndërsa britanikët në lagjet përreth jo. Ekziston edhe një tjetër arsye përse refugjatët u harruan nga kujtesa e kombit. Kur ushtarët britanikë u kthyen në shtëpi, ata nuk donin të diskutonin rreth gjërave që kishin parë në luftë, ndaj biseda nuk hapej. Refugjatët u kujtonin luftën britanikëve, kështu që me të ikur ata, lufta dhe refugjatët u harruan.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat