Vrasja e Kennedy’t / Dita kur Planeti e pa vdekjen “live”

Speciale

Vrasja e Kennedy’t / Dita kur Planeti e pa vdekjen “live”

Më: 15 shtator 2014 Në ora: 10:47

Kanë kaluar 50 vjet, por ato pamje mbeten esenca e Amerikës. Më shumë se sa zbarkimi në Normandi, balta e Hiroshimës, këmba e Armstrongut në Hënë, fundi i Marylin Monroe, rënia e Kullave Binjake, Amerika që askush nuk mundet ta harrojë – simboli i misterit të Amerikës – është në fotogramet e shkrepur, zmadhuar, pastruar, mbi të gjitha ngadalësuar (për t’u përpjekur për të adaptuar absurditetin e ngjarjeve me shpejtësinë e ekzekutimit të tyre) të atentatit të pabesueshëm kundër presidentit të Shteteve të Bashkuara.
Gjithcka ndodhi në të njëjtën kohë, atë 22 nëntor të vitit 1963. Një vend i panjohur, Dallas, në Teksasin ekzotik, ku njerëzit praktikisht mbanin kapela të mëdha kaubojsësh, ashtu si në librat me figura të Tex. Presidenti i ri dhe i pashëm, në bordin e një makine tip Lincoln të hapur, i pambrojtur pavarësisht dukjes së shërbimit të fshehtë, motociklistëve, policisë. Bashkëshortja e tij e re gjysmë franceze që, në mesin e modës lokale mban veshur një tailleur Chanel të kuq që në fund do të përfundonte i mbuluar me gjak. Vrasësi që qëllon nga një depozitë librash shkollorë me një armë të vjetër që e ka blerë me korrespondencë dhe që më pas do të vritet edhe ai direkt në televizion prej pronarit të një klubi nate, para se të mundej të thoshte se kush ishte dhe kush ë dërgonte.
Planeti, për herë të parë në historinë e tij, pa gjithcka teksa rrinte ulur në kolltuk. Shihte botën e re që kish fituar luftën të pambrojtur përballë paparashikueshmërisë, por magjepsej edhe nga demokracia në veprim, nga gazetaria e drejtpërdrejtë, nga fuqia e re e televizionit. Dallas, Teksas ishte dyndja e njeriut të zakonshëm në skenën e riteve të pushtetit – si vrasës dhe si spektator – fundi i pafajësisë së Amerikës dhe lindja e teorive të komplotit.
Gjithcka ishte e lidhur me ata pak fragmente imazhesh. Dhe gjithcka, ndonëse në Dallas atë ditë Dielli shndërrinte, ishte pafundësisht në bardhë e zi.
Pesëdhjetë më vonë, magjepsja e madhe e vrasjes Kennedy mbetet e paprekur, një prej argumentave mbi të cilët është ende e mundur një diskutim i informuar (qoftë kur flitet për balistikën, ashtu edhe për politikën). Shumëkush vazhdon ta konsiderojë të pamundur që Ozvald të ketë vepruar i vetëm; po kështu edhe për vrasësin e tij, Jack Ruby; miliona vetë kanë parë filmin JFK të Oliver Stone dhe e kanë gjetur bindës; në Uikipedia tregohen në mënyrë skrupuloze të paktën dhjetë teori të ndryshme komploti: CIA, agjentët e dyfishtë të CIA, kastristët dhe antikastristët, të tradhëtuarit në Gjirin e Derrave, mafia kubane e Majemit, ajo siciliane, ajo italo-amerikane, ajo e Nju Orlinsit, kompleksi ushtarako-industrial...

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat