Arkipelagu Åland: Atje ku çdo banor ka nga një ishull

Speciale

Arkipelagu Åland: Atje ku çdo banor ka nga një ishull

Më: 14 shtator 2014 Në ora: 12:39

Njëherë janë sipërfaqe me shtëpi të kuqe dhe shkallare, e ndonjëherë shkëmbinj që vetëm sa ngrenë kokën mbi det, por gjithçka që shihet janë ishuj. Motobarka çan me shpejtësi përpara në një përzierje copëzash tokë-ujë. Kapiteni drejton motobarkën me qetësi e siguri me një dorë, ndërsa sheh nga dritarja e hollë e çatisë së kabinës. Kjo nuk është se lejohet sipas rregullores, por nuk shihet askush veç pasagjerëve të tij.

Në ishujt Åland, për këdo mbetet mjaftueshëm vend për zbavitje individuale. Arkipelagu ndodhet në mes të Detit Baltik, mes Suedisë e Finlandës. Dhe çdo gjë që ndodhet në mes, është edhe Åland: zyrtarisht i përket Finlandës, por banorët flasin sidoqoftë vetëm suedisht, dhe Bashkia qeveriset në mënyrë fare autonome. Kështu valëvitet edhe në shtizën e motobarkës sonë të vogël – që lundron në grupin e ishujve Kökar – flamuri i tyre i veçantë: me një kryq në të kuqe e të verdhë, mbi një sfond blu.

Me ne në bord është edhe shkrimtarja finlandeze Ulla-Lena Lundberg. 67-vjeçarja ka lindur në Kökar, ajo njeh atje çdo qoshe. “Disa nuk mund të flenë dot këtu, pasi për ta është jashtëzakonisht qetë”, thotë ajo. Sot, atje jetojnë 245 vetë, natyrisht të gjithë e njohin njëri-tjetrin. Lundberg me romanin e saj “Akull”, që është nderuar me çmime ndërkombëtare, e ngriti në kult vendlindjen e saj.

Edhe pse Lundberg e quan ishullin në romanin e saj bestseller me emrin Örar, është krijuar ndërkohë një turizëm “akulli”. Romani tregon për jetën ishullore aktive të një familjeje pastorësh gjatë kohës së Pasluftës, dhe për mbajtjen më këmbë të një komuniteti, që duhej t’u bënte ballë shpesh dimrave të ashpër të Baltikut. Jo pa vështirësi. “Ne njerëzit nordikë, kemi nevojë për vendin tonë; ne jetojmë jo me aq kënaqësi pranë njëri-tjetrit”, thotë autorja.

Hipopotamë liliputë nga Tove Jansson

Në këtë ditë rrezatuese, dimri duket aq larg sa edhe brendësia e tokës finlandeze. Lundberg, vetë një vajzë e një pastori, është rrugës drejt ishujve të saj të preferuar – Källskär. Pas një udhëtimi për gjysmë ore, motobarka lëviz nëpër gjirin e vogël në portin verior. Prej këtej nuk është shumë larg deri në një kasolle të vogël kashte, që ndodhet mbi një kodërz shkëmbore. Në këtë strehës të thjeshtë, punoi Tove Jansson, një verë të tërë. Grafistja e liliputëve me famë botërore, që në gusht do të kishte mbushur 100 vjeç, krijoi këtu botët e tyre mistike. Librat e saj fëmijënorë mbi disa hipopotamë liliputë, janë përkthyer në më shumë se 30 gjuhë.

Nga kasollja, Jansson kishte një pamje perfekte mbi detin me ishujt e tij të vegjël, të panumërt. Skär i thonë në suedisht, na shpjegon Ulla-Lena Lundberg. Një ishull është një “ö”, ndërsa një ishull i vogël quhet “ör”, gurit i thonë “sten” dhe “grynna” – një gur që gjendet pjesërisht ose tërësisht në ujë. Në Åland gjenden 6700 ishuj dhe arkipelagë në një zonë ku mezi takon 29.000 banorë. Si një ishull më vete, ai zë 3000 metër katrorë. Nëse do të mblidhnim të gjithë arkipelagët e vegjël që ngrenë kokë mbi det, do të duhej pastaj që mesatarisht për çdo banor në Åländ të vihej në dispozicion, të paktën nga një ishull.

Lundberg që është lëvruese e suedishtes, jeton prej kohësh tashmë në një qytet të vogël pranë Helsinkit, e megjithatë ajo është shumë e lidhur me vendlindjen e saj. A mos edhe ajo ndihet vallë si një ishull? “Po, unë besoj se po”, – thotë ajo. Thuhet gjithnjë: “‘No man is an island’, por në një mënyrë jemi vetë ne, apo jo?”. Shkrimtarja sqimatare ecën me hapa të lehtë mbi shkëmbinj, ndërsa mban një pulovër pambuku dhe çizme të zeza gome. Shëtit në ish-çifligun e baronit Göran Akerhielm.

Tove Jansson, që e ka origjinën nga Helsinki, u josh nga baroni suedez drejt Källskär-it. Ai e ftoi grafisten e personazheve fëmijënore dhe artistë të tjerë, që të frymëzoheshin në brigjet e natyrës. Akerhielm vetë, dikur ishte dashuruar me atë ishull dhe donte të krijonte një oaz mesdhetar dhe nordik. Për këtë, ai u desh t’ia hynte udhëtimit në mbarë botën, përndryshe në shkëmbinjtë e granitit tashmë nuk do të rritej asgjë. Ndanë kopshtit që shërben si fushë kriketi, gjenden statuja greke mermeri, lulëzojnë “rododendronët” – një lule kombëtare në Nepal – gjendet madje edhe një vresht i vogël. Më vonë, Akerhielm ia fali çifligun e tij banorëve të Åländ-it.

Shkrimtarja Karlsson frymëzohet nga natyra

Më pak i vetmuar se sa në Kökar, sidoqoftë të duket vetja në kryeqytetin e Åland-it, Mariehamn. Rreth 11.000 vetë jetojnë atje, duke e quajtur ishullin e tyre kryesor “Tokë”. Nga porti perëndimor në verë, ai përshkohet nga 40 tragete që të çojnë drejt Stokholmit, apo Helsinkit e Talinit. Muzeu i Sjöfart-it rrëfen për një histori aktive detare, dje dhe sot. Në muze gjendet edhe anija me vela “Pomerania”, e cila duhet të ketë qenë velorja e fundit me katër shtylla, që akoma ekziston në origjinal.

“Ne banorët e Åland-it jemi ndryshe, jemi pakëz kokëfortë”, thotë Carina Karlsson. Kjo me siguri, sepse jemi shumë tradicionalë në mënyrën e jetesës, duke e bërë gjithçka vetë e duke pasur gjithnjë një plan B në kokë, kur natyra inatoset paksa me ta. Shkrimtarja 48-vjeçare rri ulur në restorantin Paviljongen të klubit të jahteve të Aland-it, ASS. Në këtë mbrëmje, aty shihen qindra barka me vela duke lundruar mbi ujë.

Bashkëshorti i Karlsson-it ka qëndruar rreth nëntë muaj në det e oqeane – duke udhëtuar deri në Brazil e Filipine. Ajo është e gëzuar që ndërkohë punon si rojë bregdetare në kullë. Kështu ajo është vazhdimisht pranë familjes. “Marinarët mund t’i lexojnë dallgët dhe qiellin si një libër”, thotë Karlsson.

Ajo shkruan më mirë histori pikërisht mbi këtë natyrë. Në vjeshtë, do të dalë edhe vëllimi i saj me lirika nga Åland-i, në të cilin ajo vetëpërfshihet. Titulli: “Deti qiellor nën ngjyrën e hënës blu”. “Unë duhet të shoh gjithnjë në horizont”, thotë ajo. Dhe ai këtu është vërtetë i pamasë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat