Në optikën e shkrimtarëve të shekullit të shkuar

Speciale

Në optikën e shkrimtarëve të shekullit të shkuar

Më: 2 shtator 2014 Në ora: 17:39

Duke u kthyer te shkrimtarët edhe pse shumë prej tyre kanë metoda të ndryshme pune, të gjitha përgjigjet e tyre të bëjnë të mendosh por edhe të grishin thellë për të punuar. Në asnjë prej tyre nuk është rruga e thjeshtë. Të gjithë të ofrojnë rrugën e tyre që i ngjan kalvarit, por që në fund të nxjerr faqebardhë. Sfida është ta përshkosh këtë udhë. Mjeshtëria e Brankës është se në asnjë moment ti nuk lodhesh prej pjesëve të intervistës, ngaqë atëherë kur se pret ajo di të lehtësojë me pyetje që japin përgjigje jo shumë të komplikuara
Fati i Branka Bogovac, kësaj gazetare malazeze të njohur, është i jashtëzakonshëm. Ajo ka pasur mundësi të dyfishta: ka jetuar (dhe jeton?) në Paris dhe ka intervistuar disa nga shkrimtarët më të mëdhenj të gjithë kohërave. Për hir të së vërtetës, po të jetosh në Ballkanin e saj, nuk di kë të vendosësh si fat të parin: qenësinë në Paris apo takimin me shkrimtarët e njohur. Gjithsesi, ndryshe nga shumë gazetarë, ajo duket tejet e formuar dhe në librin që ka ardhur kohë më parë nga ‘Onufri’, nën përkthimin e Nikolla Sudar, përshfaqet si një gazetare që njeh mirë jo vetëm autorët, por edhe prirjet e kohës dhe më shumë akoma shumë kleçka që lidhen me mënyrën e të bërit letërsi sipërane.

Në librin e saj janë të intervistuar direkt Horhe Luis Borhes, Klod Simon, Cezlav Milosz, Natali Sarot, Milan Kundera, Ezhen Ionesko, Emil Sioran, Nadin Gordimer, Umberto Eko, Mario Vargas Llosa, Horhe Amado, Tonni Morrison, Andrej Makin, Patrik Beson, Ismail Kadare, Pol Oster, Alen Boske, Margerit Duras, Eli Vezel, Amos Oz, Orhan Pamuk. Për publikun shqiptar është një mrekulli që gazetarja ka futur në përbërjen e librit të saj shkrimtarin Ismail Kadare që nga ana e tij, ka shpjeguar, ndoshta më shumë se kurdoherë krijimtarinë e tij me detaje dhe përpjekjen e tij për t’i mbijetuar shtetit-sistem.

Megjithatë, tharmi i vërtetë i librit janë mendimtarët e mëdhenj të letrave, ku spikat Borhes dhe Siorani, që veçse shpjegojnë thelbin e shkrimit, nga ana tjetër na rrëfejnë dhe shumë të vërteta për jetën e letërsisë, parë përmes syve të tyre. Nuk ka shtirje nga ana e shkrimtarëve dhe falë zgjuarsisë së saj dhe një përgatitje të madhe, kemi mundësinë të shikojmë perceptimin e botës nga filozofët e letrave. Shpesh janë ata që e drejtojnë bisedën, ndërsa përgatitja e Brankës lë disi për ‘të dëshiruar’, edhe pse është sërish Branka që e mbledh veten dhe vazhdon dhe sulmon. Shkrimtarët, që duket se i ka kapur në momentet e tyre më të mira, mundohen të rrëfejnë me një pastërti skajore jo vetëm detaje të laboratorëve të tyre të punës, por edhe me çfarë përballet sot njerëzimi dhe e ardhmja. Sikur pushtetarët të merrnin mundimin dhe t’i dëgjonin dhe andrallat tona do të ishin shumë më të pakta, por ja që nuk ndodh. Ata, shkrimtarët, shpesh, duan të marrin misione parësore, por ja që nuk munden. Kufiri u është vendosur dhe ata duhet të mjaftohen me fletën e letrës. “ Unë kam dashur t’u shkoj në ndihmë edhe çeçenëve edhe boshnjakëve edhe palestinezëve, sepse thjesht mendimi për të mos bërë asgjë më shkakton dhimbje dhe më ngjall ndjenjën e fajit”, shprehet Pamuk.

Kadareja jonë gjen mundësi edhe të ankohet, në një farë mënyre. Një gjë, të cilën kohët e fundit e bën direkt dhe indirekt. “Pyetjet tuaja në raport me gazetarët e tjerë, më habisin disi, e miklon gazetaren. Nganjëherë pyetjet e disa gazetarëve janë të varfra, madje edhe të pandershme, të cilat gati e thonë hapur:’Përse ekzistoni Ju?’Me sa duket, kjo gjë i shqetëson ata, prandaj pyesin:’A është e mundur që në një vend të tillë të vogël të ekzistojë një letërsi e mirë?’ ‘Po, është e mundur’. ‘Përse nuk jeni deklaruar kundër pushtetit?’ ‘Kjo është e pamundur të bëhet tek ne, sepse do të kisha pushuara së qeni shkrimtar’. Ata gati sa nuk pyesin: ‘Po përse nuk kemi pushuar së qeni’”. Përtej justifikimit të tij të zakonshëm askush s’ia kërkuar desidencën veç njerëzve me dy fytyra, që tash e përkëdhelin. Kadareja ka pasur si askush një mbështetje të madhe dhe të paimagjinueshme nga shqiptarët, qoftë edhe nga regjimi, por vazhdimi i qarjes dhe justifikimeve e bën të duket disi i vogël, krahasuar me shkrimtarët e tjerë.

Duke u kthyer te shkrimtarët edhe pse shumë prej tyre kanë metoda të ndryshme pune, të gjitha përgjigjet e tyre të bëjnë të mendosh por edhe të grishin thellë për të punuar. Në asnjë prej tyre nuk është rruga e thjeshtë. Të gjithë të ofrojnë rrugën e tyre që i ngjan kalvarit, por që në fund të nxjerr faqebardhë. Sfida është ta përshkosh këtë udhë. Mjeshtëria e Brankës është se në asnjë moment ti nuk lodhesh prej pjesëve të intervistës, ngaqë atëherë kur se pret ajo di të lehtësojë me pyetje që japin përgjigje jo shumë të komplikuara.

“Në një shoqëri ekzistojnë konstante kulturore, intelektuale, shpirtërore dhe të artit. Ato i kam arritur ashtu siç e kam menduar. Por ekziston ajo që quhet përditmëri, ajo që e jetojmë nga dita në ditë. Kjo gjë shpesh më befason dhe më zhgënjen...”, thotë Andrej Makin..

Libri është përkthyer mirë, me pak probleme të shqipes së sotme dhe botuar aspak këndshëm prej Onufrit, që gjithsesi ka bërë një punë të jashtëzakonshme me botimin e Brankës...

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat