Varësia: “Burgjet rehabilituese” të Guatemalës ku futen me dhunë abuzuesit e drogës

Speciale

Varësia: “Burgjet rehabilituese” të Guatemalës ku futen me dhunë abuzuesit e drogës

Nga: BBC, Linda Pressly Më: 30 gusht 2014 Në ora: 19:34

“Ata më rrëmbyen. Më gjetën pa vetëdije në rrugë dhe më rrëmbyen”.

Markos është një djalë trupmadh. Me flokë të prera shkurt dhe me kraharor të gjerë, ai nuk është lloji i mashkullit që mund të ngrihet peshë lehtësisht. Por Markosi u rrethua nga një grup burrash në qytetin e Guatemalës dhe u mor me forcë në një qendër private rehabilitimi të krishterë.

“Ndenja atje për rreth një muaj e gjysmë dhe askush nuk e dinte ç’kishte ndodhur me mua. Njerëzit menduan se isha vrarë, sepse këto gjëra ndodhin në Guatemalë”.

“Pashë gjëra të tmerrshme në atë qendër rehabilitimi – pronari i rrihte vajzat. Ata i lidhnin djemtë dhe i mbështillnin me një copë tapeti dhe i linin atje për orë të tëra”, tregon ai.

Markosi u lirua kur një mik erdhi e kërkoi dhe nguli këmbë që të lirohej. Ai nuk mendon se rehabilitimi me forcë është mënyra e duhur dhe thotë se nuk bëri asgjë për ta ndihmuar atë të linte zakonin e drogës dhe alkoolit.

“Njerëzit dilnin më të çmendur dhe më nervozë. Në vend që të rehabilitohesh, del jashtë dhe drogohesh përsëri”. Tani Markosi i ka lënë të gjitha pas dhe është i dedikuar të mësojë të rinjtë.

Në Guatemalë nuk ka institucione shtetërore që të kujdesen për ata që vuajnë prej varësive, ndaj privati ka zëvendësuar hapësirën e lënë bosh. Mund të jenë plot 200 qendra të krishtera në Guatemalë, që vlerësohet se mbajnë rreth 6000 njerëz, thotë Dr. Kevin O’Neill nga Universiteti i Torontos. Megjithatë, nuk dihet se sa prej tyre praktikojnë futjen me dhunë në rehabilitim.

Sipas O’Neill, Guatemala po përballet me një numër të madh varësie ndaj drogës. Kjo edhe për shkak të pozicionit gjeografik në Amerikën Qendrore, ku kalojnë narkotikët nga Amerika Jugore për në Shtetet e Bashkuara.

Themeluesi dhe drejtori i qendrës Rescatados del Abismo (Të Shpëtuar prej Ferrit), është Pablo Marroquin, një i krishterë dhe ish i varur nga droga. “Kam qenë në qendra të tjera rehabilitimi, por doja që ta bëja timen. E kam vënë në duart e Zotit, vetëm ai mund të na shpëtojë prej varësisë nga droga”, thotë Pablo.

Marroquin jeton në katin e parë të një ndërtese që nuk bie në sy në qytetin e Guatemalës me familjen, papagallin dhe qentë e tij.

Në të njëjtën ndërtesë, pas një dere të mbyllur dhe me hekura, sillen vërdallë 54 të varur nga droga. Shumë prej tyre nuk lejohet të dalin pas të paktën tre muajsh, por mund të duhen edhe vite. Vetëm kur familjarët e tyre i kërkojnë, ata janë të lirë të largohen.

Hapësira është e vogël për aq shumë njerëz, në përmasën e një apartamenti me tri dhoma. Ka një banjë, një dhomë me të privilegjuar dhe një dhomë për gjashtë femrat që gjenden aty.

Aktualisht, qendra e rehabilitimit drejtohet nga Karlosi, i cili është përpjekur më se 30 herë për t’i shpëtuar varësisë ndaj kokainës dhe alkoolit. Ai imponon disiplinë dhe aplikon ndëshkimin.

E vetmja formë e terapisë është mbledhja që bëjnë të “burgosurit”, ku tregojnë historitë e tyre të varësisë. Brenda nuk ka as doktorë e as psikologë dhe askush nuk mund të largohet nga dhoma pa leje. Teksa dëgjojnë rrëfimet, banorët ulen në hije dhe qëndrojnë të heshtur.

Kur familjarët e dëshpëruar i kërkojnë qendrës të ndihmojnë një person të dashur për ta që ka rënë pre e drogës, drejtori shkon dhe e merr. “Është roli ynë t’i sjellim këtu, edhe nëse bëhet fjalë që t’i vëmë prangat si policia. Ndonjëherë familjet lajmërojnë kur e kanë të afërmin e dhunshëm apo të armatosur. Në ato raste ne e lidhim përpara se ta sjellim këtu”.

Karlos beson se kjo është e ligjshme në Guatemalë. Një urdhër ministror i vitit 2006 deklaron se një i varur mund të izolohet kur nuk është në gjendjen e duhur, por sapo ta marrë veten mjaftueshëm, duhet të lirohet. Me të gjitha gjasat, kjo ndodh rrallë. Hektor Hernandez nga Ministria e Shëndetit, thotë se mbajtja me dhunë nuk është provuar kurrë në 14 vitet gjatë së cilave ai është marrë me këtë çështje.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat