Molotov-Ribentrop, hijet e një pakti djallëzor

Speciale

Molotov-Ribentrop, hijet e një pakti djallëzor

Më: 30 gusht 2014 Në ora: 19:32

Zbulimi i tij përbënte një sensacion të vogël: në tetor 1992 historianët rusë zbuluan në arkivat e Komitetit Qendror të ish-Partisë Komuniste bolshevike të BRSS, kopjet origjinale të Paktit “Hitler-Stalin”, apo atij që njihet më shumë si “Molotov-Ribentrop”, bashkë me protokollet e fshehta. Për më shumë se 50 vjet, këto dokumente ishin vlerësuar si të humbura, apo inekzistente.

Pakti, sipas mënyrës ruse të leximit të tij, i njohur nën emrin “Molotov-Ribentrop”, është njëri ndër dokumentet më të rëndësishme të historisë sovjeto-gjermane. Me të, Adolf Hitleri siguroi heshtjen e ish-Bashkimit Sovjetik në iniciativën e tij për sulmin ndaj Polonisë, më 1 shtator 1939. Mirëpo ai, me atë hap nuk i hapi udhë vetëm shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, por e dërgoi të gjithë Europën Lindore, e thuajse të gjithë atë Qendrore, nën zgjedhën sovjetike. Pasojat e asaj marrëveshjeje edhe sot e kësaj dite, 75 vjet më vonë, janë evidente e të prekshme.

Hitleri ishte përpjekur ta joshte Poloninë

Historia e saj, ndërkohë është ndriçuar më së miri. Hitleri donte luftë, dhe ai donte ta fillonte atë me Poloninë. Në këtë iniciativë ai, sipas asaj që rrëfen historiani ushtarak Rolf-Dieter Myler, edhe në marsin e vitit 1939, ishte përpjekur ta fitonte vendin fqinj (Poloninë) si aleat për të sulmuar më vonë Rusinë Sovjetike, e ndoshta qysh atë vit. Por qeveria polake, e refuzoi “ofertën” e Hitlerit. Nga ai moment, tashmë Polonia u kthye në “armikun numër 1” të Gjermanisë.

Sovjetikët, duke parë Marrëveshjen e Mynihut, që Gjermania në vitin 1938 e kishte nënshkruar me Francën, Italinë dhe Anglinë, e shihnin veten të izoluar. Në këtë moment, ata u kujtuan sërish për gjermanët. Ndër të tjera, Stalini zëvendësoi ministrin e tij të jashtëm, Maksim Litvinov, i cili përpiqej për një aleancë me Francën dhe Anglinë, me Vjaçesllav Molotovin. Ndryshimi në fjalë u ndoq me vëmendje në Berlin. Edhe Anglia dhe Franca shfaqën interes: në verë të vitit 1939, ata ia nisën të negocionin me Stalinin – me të cilin ata po avanconin me gjysmë zemre, duke bërë gabimin e dërguar drejt Moskës, përfaqësues të tyre me rangje të ulëta e pa fuqi ekzekutive e politike. Ndërkohë, Hitleri u ngacmua të testonte nëse Kremlini ndante interesa të përbashkëta me ta.

Brenda një kohe jashtëzakonisht të shkurtër – kur përfaqësuesit perëndimorë akoma gjendeshin rrugës për në Moskë, të angazhuar në takime të fshehta – u shtruan piketat për një pakt të fshehtë sovjeto-gjerman: Kremlini ishte i gatshëm për një pakt mossulmimi, por gjendej në një situatë jo të favorshme. Stalini e dinte se Gjermania donte të sulmonte Poloninë, dhe e ngriti shumë lart stekën e pretendimeve të veta. Ai këmbënguli – sikurse dihet edhe sot – në një përcaktim të qartë të sferave të influencës, të sanksionuara në një protokoll “ekstra”. Pa protokoll, nuk do të nënshkruhej asnjë pakt. Hitleri ra dakord dhe dërgoi ministrin e tij të Jashtëm, Joakim fon Ribentrop, me fuqi të plota drejt Moskës.

Së bashku me ambasadorin gjerman në Moskë, Fridrih-Verner, Kont i Shulenburgut, i cili më vonë iu bashkëngjit rezistencës antihitleriane në Gjermani, u takua me Ribentropin në mbrëmjen e 23 gushtit 1939 në Kremlin me Stalinin. Ky hap ishte një risi që diktatori sovjetik nuk e kishte aplikuar kurrë më parë me politikanë perëndimorë, apo të dërguar të tyre. Shpejt u ra dakord për pikat e paktit, dhe në një pauzë gjatë negociatave, Ribentrop ra dakord për një draft mbi protokollin shtesë, që iu dorëzua gjatë natës Stalinit e Molotovit e që u rakordua me ta.

Pasi drafti i paktit u përkthye me shpejtësi dhe ishte gati rreth orës dy të mëngjesit, Molotovi dhe Ribentropi vunë firmat e tyre. Pas tyre, e kjo dallohet qartë në një seri fotosh gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, qëndronte Stalini në uniformën e tij me xhaketë dhe dukej në formën e humorin e vet më të mirë. Ai kishte bërë biznesin e jetës së vet: me këtë pakt, Bashkimi Sovjetik me një firmë në letër, bëhej sa hap e mbyll sytë, sa ish-Perandoria cariste para vitit 1914.

Protokollin shtesë e dinin amerikanët, por mbeti i fshehtë

Lajmi i paktit mes Hitlerit dhe Stalinit goditi si një bombë. Për sa i përket protokollit shtesë, sidoqoftë, palët u përpoqën ta mbanin të fshehtë, çka vlente edhe për dokumentet shtesë të “marrëveshjes për kufirin dhe miqësinë”, të cilin Molotovi dhe Ribentropi e nënshkruan më 28 shtator 1939. Një diplomat gjerman ia rrëfeu Ambasadës Amerikane detajet e protokollit të Paktit të Mossulmimit. Mbajtja zyrtarisht e fshehtë, megjithatë mbeti në fuqi, edhe pas vitit 1945. Sigurisht se gjatë hetimeve në procesin e Nyrenbergut, ku u gjykua edhe Ribentropi, u diskutua mbi to, por në vendimin e dënimit, ai nuk u përmend, si pasojë e këmbënguljes së ish-Bashkimit Sovjetik. Deri në vitin 1989, në Bllokun Lindor, bllokohej çdo diskutim rreth tij.

Më pas shpërthyen debatet: republikat balltike debatonin mbi protokollin në fjalë në parlamentet e tyre respektive dhe kërkonin njohjen e padrejtësisë historike nga ana e Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë. Një komision i Kongresit të Popullit në Moskë më pas hetoi kopjet e Paktit. Në vitin 1992, më në fund u shfaqën origjinalet e dokumentit historik – që padyshim janë një fond i artë arkivor, në terma profesionalë politikë e historikë.

Stalini e miratoi Paktin për arsye sigurie

Merret me mend se ky “zbulim” do të çonte në një rivlerësim të Paktit. Dhe në fakt, shumë ekspertë dhe kërkues shkencorë u dhanë pas studimit të tyre. Në vitin 2004 për shembull, historiani gjerman Jan Lipinsky përfundoi studimin e tij me titull “Protokolli i fshehtë shtesë mbi Paktin e Mossulmimit gjermano-sovjetik të23 gushtit 1939 dhe historia e lindjes dhe e trajtimit të tij nga viti 1939 deri në 1999”. Me këtë studim, ai arriti në përfundimin se Stalini kishte qenë ai që kishte ngritur pretendimet mbi një protokoll shtesë të mbushur me pretendime territoriale, edhe nëse vetë dokumenti nga pala gjermane u trajtua si bazë negociatash për bisedime. Ky përfundim bazohet në një letërkëmbim, që kishte zhvilluar Ribentropi, para se të nisej për në Moskë.

Në Rusi nuk do t’ia dijë kush për këtë. Lipinsky ka analizuar shembujt eksplicitë të historianëve të atjeshëm dhe ka konstatuar se: “historianët rusë, pas gjetjes së dokumenteve origjinale, qëndruan në vijimësi besnikë ndaj pozitave të tyre të mëparshme. Ata, sigurisht se e përmendnin protokollin, por i shmangeshin një lidhjeje me aneksimin e vendeve balltike”. Stalini, sipas tyre, nuk kishte pasur zgjidhje tjetër, përveçse ta nënshkruante Paktin – nisur nga arsyet e sigurisë kombëtare. Edhe shtete të tjera, sipas tyre, do të kishin vepruar po njësoj.

Por si shpjegohet sulmi, apo dëshira për të gllabëruar vendet balltike? “Pretendohet se, e thënë paksa vrazhdë, shtetet balltike e kishin kërkuar aneksimin”, thotë Lipinsky. E këtu bëhej e qartë se Stalini kishte tentuar e dëshiruar më shumë përfitime territoriale. Ai, kësisoj do të duhej të kërkonte nga Hitleri çdo çmim, dhe Hitleri do të ishte i gatshëm të pranonte gjithçka, që të blinte heshtjen e Moskës. Argumenti se Stalini u nis vetëm nga arsye të sigurisë kombëtare për të nënshkruar protokollin, nuk është shumë bindës, pasi përfitimet territoriale do të kishin çuar edhe në idenë se Bashkimi Sovjetik tashmë vetëm në Perëndim të tij nuk ndihej i sigurt në kufijtë e vet.

Pas përfundimit të Luftës, Stalini i mbeti strikt pretendimit të vet për t’i pasur ato territore, të cilat ai tashmë i kishte fituar me Paktin e vitit 1939 realisht, ose siç do të dëshmonte koha, të paktën përkohësisht. Vetëm në vitet 1990/’91, pak pas shkrirjes së Bashkimit Sovjetik, republikat balltike ish-sovjetike, arritën sërish pavarësinë e tyre – sikurse e kishin pasur në kohët mes dy luftërave botërore.

Që Stalini ishte dashur ta nënshkruante Paktin për arsye sigurie kombëtare, kjo deri më sot akoma përbën shpjegimin zyrtar standard të historiografisë ruse. Edhe komisioni historik gjermano-rus me botimet e tyre, ndërkohë pesëvëllimëshe, nuk bën ndonjë përjashtim, siç bëhet e njohur në raportin e Aleksandër Çubarjanit, drejtuesit të komisionit rus, në vëllimin e pestë të vitit 2013. “Nënshkrimi i Paktit me Gjermaninë ndryshoi të gjithë situatën gjeopolitike në këtë rajon të Europës”, shkruan ai. Me këtë zgjidhje, do të vendoseshin “garancitë bazë për garantimin e sigurisë së vendit”.

Trajtim i barabartë mes nazizmit e stalinizmit

Edhe vetë mënyrat e trajtimet alternative ndaj kësaj përqasjeje, refuzohen në Rusi. Sidomos i qartë shfaqet zhvillimi i teksteve shkollore gjatë viteve të shkuara. Në “Historinë e Atdheut” të përpiluar nga Vladimir Shestakov në vitin2002, për klasat e nënta në arsimin rus, për aneksimin e shteteve balltike shkruhet se, “kjo ishte një përzierje në punët e brendshme të këtyre vendeve”. Por asnjë fjalë nuk thuhet për arrestimet masive, deportimet dhe dëmet e shkatërrimet. Në korrik 2007, Presidenti Vladimir Putin, megjithatë u ankua se tekstet shkollore të historisë në Rusi kanë boshllëqe në nxjerrjen e qartë në pah të pohimeve e dëshmive mbi historinë kombëtare. Shumëllojshmëria e interpretimeve i ngatërron nxënësit vetëm kur thuhet se – dhe kështu shkruhet në librin mësimor shoqërues të historisë ruse 1900-1945, me autor A. A. Danilov, në vitin 2009, sigurisht me vend se – Ushtria e Kuqe në shtator 1939, duke pushtuar Poloninë Lindore, realisht rimori nën kontroll zona me popullsi ruse, që i ishin marrë Rusisë nga Polonia në marrëveshjen e Paqes të vitit 1921, pas Luftës së Parë Botërore. Paragrafi në fjalë, megjithatë është menduar i përpiluar në një mënyrë staliniste: Atëherë, ky akt nuk paskësh qenë tjetër gjë, veçse një çlirim i një pjese të atdheut”. E marrë e mirëqenë, një pohim i qartë.

Në prill 2009, europarlamenti deklaroi 23 gushtin si “Ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nacional-Socializmit”. Rusia ndërhyri menjëherë. Të përkujtojmë viktimat e Stalinizmit? Dhe për më shumë, ata të vihen në të njëjtin stad me ato të nacional-socializmit? Kjo pikëpamje, nisur nga shumë arsye historike dhe jo vetëm, në Rusi ndesh në kundërshti e keqkuptime. Por protesta tregon edhe se sa shumë nën presion “patriotik”, ndodhet shkrimi i teksteve të historisë ruse – dhe asgjë nuk të lë të shpresosh se në të ardhmen e afërt, do të mund të përmirësohet ndonjë gjë në këtë drejtim. A.P.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat