Shpirtrat e humbur: Çfarë ndodh me hirin që nuk e marrin familjarët?

Speciale

Shpirtrat e humbur: Çfarë ndodh me hirin që nuk e marrin familjarët?

Nga: Tom de Castella, BBC Më: 27 gusht 2014 Në ora: 00:44

Ato peshojnë rreth 2.7 kilogramë. Ruhen në një vazo plastike rreth 46 centimetra. Ose ndoshta në një vazo të vjetër. Ato janë hiri i qenieve njerëzore.

Djegia e trupave po sundon ritet e funeralit në shumë vende. Por në Mbretërinë e Bashkuar, shumë vazo të mbushura me hi nuk janë marrë mbrapsht.

Drejtuesit e agjencive të funeraleve në Southampton kanë bërë apel te familjet duke thënë se 405 vazo hiri kanë mbetur pa u marrë. B. Matthews tha se disa prej tyre kishin mbetur në kujdesin e agjencive të funeraleve për më shumë se 30 vjet, më e vjetra daton në vitin 1975.

Ky nuk është një rast i izoluar, thotë Dominic Maguire, një zëdhënës i Lidhjes Kombëtare të Drejtuesve të Funeralëve (NAFD). Është normale për ata të ndiejnë një lloj detyrimi. Ata mund të kenë humbur lidhjet me familjarët, por nuk u duket e drejtë t’ua hedhin hirin. Në disa raste shumë të rralla, drejtuesit mbajnë hirin e atyre që kanë vdekur që prej vitit 1910 apo 1920.

Përse nuk i kërkojnë?

Në disa raste mund të ndodhë prej harresës ose prej mungesës së interesit, por në disa të tjera, çështja është edhe më emocionale. Charles Cowling, autor i librit “Guida e funeralit të mirë”, thotë se familjet shpesh nuk mund ta durojnë idenë e mbledhjes së tyre. Varrimi nënkupton zhdukje, trupi ka ikur njëherë e përgjithmonë, por te djegia familjarët duhet të rikthehen e të përballen me të dashurit e tyre të cilët kanë marrë një tjetër formë.

“Ata nuk e dinë se çfarë të bëjnë me ta. Edhe ata që i marrin nuk dinë se çfarë të bëjnë me ta. Disa i lënë në bagazhin e makinës, të tjerë në bodrum ose në raftin e kuzhinës, gjysmë të harruar”, – sqaron autori.

Melanie Cooper dhe familja e saj e lanë hirin e të atit 18 muaj përpara se ta merrnin. Ai kishte kërkuar që hiri të shpërndahej në ishullin e Kretës, por familjes iu desh shumë kohë që të organizonte një udhëtim për atje.

“E lamë në shtëpinë e funeralit. Ishte diçka më pak e dhimbshme se ta merrnim në shtëpi. Ku ta vendosnim hirin, në garazh apo në dhomën e studimit? Kur ndërmorëm udhëtimin, u bë pak humor i zi. “Babai ishte rreth 190 centimetra dhe fakti që ndodhej në një vazo aq të vogël ishte shumë i çuditshëm”.

Ata e shpërndanë hirin e tij te disa gurë, thanë disa fjalë dhe hëngrën drekë. “Nuk e kisha kaluar vdekjen e tij derisa ia shpërndamë hirin”, tregon vajza.

I njëjti problem shqetëson edhe SHBA-në dhe Australinë.

Në Britani, ata që aplikojnë për djegie të trupit të të dashurve të tyre, delegojnë krematoriumet apo drejtuesit e funeralëve për t’u kujdesur për hirin menjëherë pas djegies së trupit.

Ka edhe një problem ligjor, sipas Timo Morris, shef ekzekutiv në Institutin e Menaxhimit të Varrezave dhe Krematoriumit. Krematoriumet e bëjnë të qartë se, nëse askush nuk paraqitet për të marrë hirin brenda një afati të caktuar, ato kanë të drejtë ta shpërndajnë në kopsht.

Por shumë drejtues të agjencive të funeraleve nuk e zbatojnë këtë politikë. Disa e ruajnë hirin për vite me radhë.

Shpirtrat e harruar

Në Amerikën e Veriut vlerësohet të ketë dy milionë vazo hiri të pakthyera te familjet. Në vitin 2004, hiri i 3423 personave u gjet në Spitalin shtetëror për të sëmurët mendorë të Oregonit. Ata ishin pagëzuar me emrin “Shpirtrat e harruar”, ku disa datonin që në vitin 1880. Drejtori i agjencisë së funeraleve në Pensilvani, Michael Neal, hapi faqen “Hiri i harruar” në shkurt të vitit 2014, me qëllim që të krijonte një bazë të dhënash për hirin që nuk e kishin marrë familjarët.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat