Spiunazh mes miqsh

Speciale

Spiunazh mes miqsh

Më: 19 gusht 2014 Në ora: 07:53

Ka citate që thuajse i ndjekin politikanët tërë kohën nga pas. Të thëna prej tyre në ndonjë çast hutimi, ato ua përsëritin në çdo rast të mundshëm. Kjo po ndodh tani edhe me kancelaren Angela Merkel, e cila në fakt është thuajse gjithmonë e kujdesshme. Pak muaj më parë, kur u bë e njohur se NSA-ja përgjonte telefonin e saj celular, Merkel deklaroi: "Spiunimi mes miqve - nuk shkon". Ky citat nuk mungon aktualisht thuajse në asnjë artikull për përgjimet e mundshme të Shërbimit Informativ Gjerman (BND).

Për qeverinë gjermane lajmet për përgjimet e mundshme mund të kthehen në një çështje shumë të turpshme pas gjithë fjalëve dhe kritikave të ashpra ndaj praktikave të spiunazhit të SHBA-së dhe kërkesës zyrtare të Berlinit që dy spiunë të zbuluar amerikanë të largohen nga Gjermania.

Pa dashje në rrjetë?

Tani u bë e njohur se Shërbimi Informativ Gjerman ka regjistruar rastësisht në vitin 2012 në kuadër të përgjimeve në Lindjen e Mesme edhe një bisedë të ish ministres së Jashtme të SHBA-së Hillari Klinton. Në 2013 BND-ja ka kapur edhe një telefonatë të pasardhësit të Klintonit, John Kerry. Nga pala amerikane nuk ka pasur deri tani asnjë reagim zyrtare ndaj këtyre njoftimeve.

Opozita gjermane nuk vonoi me reagimet e saj. Konstantin von Notz, i partisë ekologjike, e akuzoi qeverinë për hipokrizi. Por partitë e koalicionit qeverisës i hodhën poshtë njoftimet duke thënë se asnjë prej politikanëve perëndimorë nuk përgjohet me qëllim. Edhe një zëdhënëse e BND-së tha se ndaj shteteve mike nuk ndërmerren aksione përgjimi. Telefonatat e Klinton dhe të Kerry kanë rënë rastësisht në rrjetë.
Cili konsiderohet si "mik"?

Qeveria federale gjermane ka konfirmuar, të paktën në mënyrë indirekte, njoftimet se BND përgjon prej vitesh partnerin e NATO-s Turqinë. Sipas informatave të revistës "Der Spiegel" dhe "Frankfurter Allgemeine Zeitung"

Turqia madje është një nga "vendet kryesore" që vëzhgohet nga ana e shërbimit sekret gjerman. Qeveria gjermane e mbrojti këtë praktikë në mënyrë ofensive: Turqia nuk është e krahasueshme me Shtetet e Bashkuara apo vendet evropiane si Franca dhe Britania, është thënë sipas gazetës "Frankfurter Allgemeine Zeitung" nga rrethet qeveritare. Çfarë ndodh në Turqi është drejtpërdrejt relevante për sigurinë e brendshme të Gjermanisë. Me rëndësi qendrore janë në këtë kontekst aktivitetet e PKK-së kurde dhe grupimve të majta dhe të djathta turke në Gjermani, si dhe trafiku i drogës dhe trafikimi i qenieve njerëzore.

Deri tani Turqia ka reaguar e përmbajtur ndaj këtyre njoftimeve. Një përfaqësues i qeverisë në Ankara, zëvendëskryetari i AKP-së në pushtet, Mehmet Ali Shahin, njoftoi se njoftimet do të hetohen me kujdes dhe "do të merren seriozisht" dhe se qeveria turke dhe Ministria e Jashtme do të ndërmarrin hapat e nevojshme për sqarimin e këtyre pretendimeve. / DW

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat