A është Erdogan Ataturku i ri i Turqisë?

Speciale

A është Erdogan Ataturku i ri i Turqisë?

Nga: Nga Klaus Kreiser Më: 18 gusht 2014 Në ora: 18:46

Themeluesi i Republikës dhe Presidenti i ri: Çfarë ka të përbashkët e çfarë të ndryshme njeriu i fortë i Turqisë me superbabain e Kombit. Një vështrim kritik mbi fenomenin

Rexhep Taip Erdogan nuk e ka takuar kurrë Ataturkun; e si mundej? Kur Erdogan lindi në vitin 1954, Mustafa Kemal “Ataturku”, ndodhej qysh në vitin 1938 tashmë në mauzoleun e tij, i vdekur. Ndërtesa gjigante ishte ajo që e mbizotëronte në atë kohë sikurse edhe sot, siluetën e kryeqytetit, Ankara.

Më vonë erdhi Xhamia e Madhe e Koxhatepes që u përshtat me pamjen e qytetit, duke i bërë simbolikisht konkurrencë tempullit të Ataturkut. Ndërkohë, si maozoleumi, ashtu dhe xhamia, nisën të liheshin “në hije” nga ndërtesat e larta të bankave e qendrave industriale. Këto ndryshime, me kalimin e kohës shprehin më së miri edhe zhvillimin që ka marrë pra Republika e themeluar nga Ataturku.

Më 29 tetor, në Ditën e Festës Kombëtare, Erdogan do të inaugurohet si President, duke vënë këmbën i pari në Mauzoleun e Ataturkut. Ai do të marrë qëndrim për një moment dhe do të përulet me kurora lulesh; do të lërë një shënim në librin e përshtypjeve. Qysh si Kryeministër, ai, pas mbledhjeve verore në Këshillin e Mbrojtjes e ka bërë atë, shpesh të presë. Në këtë rast, ashtusikurse edhe paraardhësit e vet, ai ka qenë i detyruar t’i mbesë besnik detyrës – dhe kjo bie në sy në leksionin që dëshmojnë shënimet e Erdoganit në Librin e Përshtypjeve të Ataturkut– të të vdekurit të madh, me vizionet e mëdha të të cilit, ai është bashkuar.

Por zgjedhja e tij si President, e ka “përndjekur” Erdoganin në Stamboll, gjë të cilën ai e ka festuar me një gjest komplet tjetër, jorepublikan. Kur fitorja e tij po merrte formë, ai shkoi drejt Xhamisë së Shenjtit të qytetit me emrin “Ejup”, për të mbajtur atje një ritual “falënderimi e lutjeje”.

Kjo do të thotë se Profeti Muhamed, kur atij i dhanë lajmin e gëzueshëm të vdekjes së një armiku, bëri një gjest të tillë të ngjashëm, në këtë formë. Sigurisht se humbësi i pritshëm i zgjedhjeve, shkencëtari Ekmeledin Ihsanollu, në rolin e tij si armik i Erdoganit nuk vihet në diskutim. Por një humbje në zgjedhje ka një falangë të tërë kundërshtarësh që nuk preken – që nga kemalistët, e deri te ndjekësit e predikuesit islam, Fetullah Gylen.

Veteranët në xhipat e ushtrisë

Për kemalistët e orës së parë, memoriali i Ataturkut ka zëvendësuar vendet e shenjta të pelegrinazhit islam. Kur Rexhep Taip në vitin 1954 erdhi në këtë botë, në brigjet e Bririt të Artë, ai ishte dukshëm një simbol i luftës kombëtare për çlirim, të cilën Ataturku e udhëhoqi me aq sukses kundër një bote armiqsh, e që për shumë të tjerë ishte e humbur. Veteranët e fundit që edhe në vitet ’60 dilnin hipur mbi xhipa (Jeep) të bardhë nëpër parada ushtarake ndër qytete, tashmë ka kohë që janë në parajsë.

Në vitin e lindjes së Erdoganit, Adnan Menderes ishte shefi i qeverisë, që pas zgjedhjeve demokratike luajti në mënyrë rigoroze me instrumentin e diktaturës së shumicës parlamentare. Ai kombinonte një lidhje të vendosur mes vlerave perëndimore dhe mbylljes në rritje të gojës për opozitën dhe shtypin. Ushtria i dha fund në vitin 1960 regjimit të Menderes. Atëherë Rexhep Taip mësoi pikërisht të shkruajë e të lexojë.

20 vjet më vonë, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë ndërhyri sërish kundër një qeverie të zgjedhur me votë, e Rexhepi ishte tashmë një burrë i pjekur, që kishte mbyllur një cikël studimesh, kishte shërbyer si oficer rezervë dhe para së gjithash, ishte angazhuar në partinë islamike të Nexhmedin Erbakanit. Erbakan e kishte shpallur si prioritet të tijin çmontimin e projekteve reformatore kemaliste. Për këtë arsye, ai u rrëzua më vonë nga ushtria, por ndërkohë e kishte paracaktuar tashmë axhendën e Erdoganit.

Sjellja e nxënësit Erdogan me Ataturkun i ngjan asaj të mësuesit të tij, Erbakan: ai bën dallimin mes organizatorit ngadhënjimtar të luftës për pavarësi, me revolucionarin kulturor. Ataturkun vetë ai nuk e sulmon kurrë, por bën përgjegjës për “zhvillime të gabuara” bashkëpunëtorë të tij, këshilltarë e pauses politikë. Rezultate të qëndrueshme të reformave kemaliste, sikurse është barazia mes sekseve, ndërtimi i një sistemi modern arsimor dhe përmirësimi i gjendjes në fshat, zhduken pas përqasjes së Erdoganit për imazhin e çjerrë tashmë të kohës së zotërimit të terrorit, që ua hiqte grave shaminë nga koka.

Forumi i Ataturkut ishte Parlamenti

Krahasimi i themeluesit të shtetit me Erdoganin, që do ta rendisë Turqinë ndër dhjetë vendet kryesore me fuqinë më të madhe ekonomike në botë, tregon para së gjithash rrugën e vrullshme që vendi është dashur të përshkojë brenda pak gjeneratave. Turqia me rreth 14 milionë banorët e saj që numëronte në kohën kur Mustafa Kemal Pasha, themeloi Republikën në vitin 1923, kishte pak a shumë po aq banorë sa edhe Stambolli i Madh, sot. Në 1954, viti i lindjes së Erdoganit, regjistroheshin nja dhjetë milionë më shumë, porse ata jetonin shumica në fshat.

Ataturku e themeloi Republikën nën rrënojat e ish-Perandorisë Osmane. Ai dhe oficerët e tjerë revolucionarë të brezit të tij, për prapambetjen që trashëguan, nuk bënin fajtorë vetëm Sulltanin autokratik, por edhe Islamin.

Ataturku nuk i pëlqente tubimet masive

Programi i Ataturkut bazohej në gabimin fondamental se xhamitë, herët apo vonë do t’i humbitnin bashkësitë e tyre të besimtarëve, pa qenë madje nevoja të merreshin masa shtrënguese. E shkuara osmane, tashmë ishte pak a shumë resorti i përkujdesjes kundrejt memorialeve. Ndryshe nga Erdogani, Ataturku nuk ishte një burrë i daljeve të mëdha publike. Edhe radion në atë kohë, ai thuajse nuk e përdorte fare. Forumi i tij i vërtetë ishte Parlamenti, ku ai mbante fjalime të mësuara nga prozaistët osmanë të shekullit të 19-të. Diksioni i tij ishte aq i elaboruar, saqë ai mund të përshtatej e transportohej lehtësisht në brezin pasardhës në një turqishte të thjeshtuar. Sinjale të rëndësishme, ai jepte në intervistat me gazetarët turq e ata të huaj.

Ndryshe nga Erdogan, ai mburrej rrallë me rezultatet në ndërtimin e vendit. Ato zbehen sot pas ndërhyrjeve të tij dramatike në jetën religjioze e atë kulturore. Materiali ndërtimor për linjat hekurudhore të Anadollit deri në Dijarbakirin juglindor edhe në vitet 1930 transportohej akoma mbi shpinat e gamileve e të gomarëve. Kur Erdogan erdhi në këtë botë, vagoni që shtyhej me krahë që nga koha e prehistorisë, ishte akoma një mjet transporti me përdorim të gjerë, e fshatrat më të shumta nuk kishin as rrymë elektrike e as tubacione ujërash, të mos flasim pastaj për telefona.

Të bashkuar nën imazhin e gabuar mbi historinë

Adhuruesit e Erdoganit u bëjnë jehonë sot projekteve të mëdha infrastrukturore në dhe rreth Stambollit. Krahasuar me ato të Mehmed Pushtuesit, nuk janë të pakta. Ky i fundit në vitin 1453 solli anije në breg për të sulmuar muret në Bririn e Artë. Erdogan si pasuesi i tij i denjë, e ka mbushur të njëjtin Gji me tunele.

Paradokset e kundërshtitë mes Presidentit të parë e atij të dymbëdhjetë, nuk duhen të fryhen. Të dy burrat e shtetit ishin, domethënë janë, të rrethuar nga “Yes-men”, forcuar me media të fuqishme dhe pjesë të botës akademike. Të dy i bashkon një imazh mbi historinë e vendit të tyre, që vetëm për së largu përputhet me rezultatet e kërkimit akademik.

Edhe në Turqinë e Erdoganit, mbajtësit e posteve zyrtare në administratën religjioze, nuk bëhen pjesë e diskutimeve emergjente aktuale, të cilat i përballin myslimanët me shqetësime në një botë islame të tronditur nga krizat. Ata, të cilët zyrtarisht janë përgjegjës për çdo gjë që ndodh në çështjet mes Zotit dhe Botës në tokë, mbahen të përjashtuar nga sfera e mirëfilltë politike.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat