Përditshmëria e parrëfyer e ish-RDGJ-së

Speciale

Përditshmëria e parrëfyer e ish-RDGJ-së

Më: 17 gusht 2014 Në ora: 09:16

Si fotograf, ai duhej të përshtatej me estetikën figurative të ish-RDGJ-së. Por, në fokusin e aparatit, Jurgen Graetz merrte shpesh “atë që donte”. 25 vite pas rrëzimit të Murit të Berlinit, 70-vjeçari i sotëm boton ato imazhe, për të cilat dikur nuk mund të gjente dot publik

Tanket sovjetike nuk ishte fort e lejueshme të fotografoheshin. Sidoqoftë, jo atëherë kur ato kalonin me armatimin e tyre të rëndë nëpër rajonin e Rupinit. Zhurma në buzë të pyllit mobilizonte në vitin 1974 mbarë fshatin. Dhe acarimi i popullsisë në Dagov ishte i madh, kur zinxhirët e tyre shkelnin kalldrëmin e rrugës së tyre të fshatit. Jurgen Graetz shkrepte aparatin. “Mirëpo ata nuk e donin këtë gjë absolutisht”, kujton 70-vjeçari.

Aparati i tij i vogël fotografik u konfiskua dhe filmi iu gris e iu hodh poshtë. “Por unë kisha edhe një 6×6 dhe me të shkrepa edhe një herë”. “Gjuetia e ushtarëve” në filmin e tij të dytë, e bëri për vete Graetz-in: ai ia dha aparatin një shoku që nxitoi me të në dorë – dhe i vendosi fotot në siguri.

Gjurmët e tankeve shihen edhe sot e kësaj dite, pas 40 vjetësh në dy vëllime fotografike: “Qyteti, vendi, jeta”, një album që tregon foto nga përditshmëria “jozyrtare” e ish-RDGJ-së.

Edhe paraqitja e përditshmërisë në ish-RDGJ mund të ishte e padëshiruar: “Ne fotografonim paksa ndryshe: kjo nuk ishte kaq pozitive, siç donin ta shihnin zyrtarët RDGJ-në. Jo si në ‘Neues Deutschland’ (Gjermania e Re, organi zyrtar i shtypit i Partisë në pushtet në ish-RDGJ) me kopshte fëmijësh, apo me suksese që vinin pas një fushate korrje-shirjeje, plot ngjyra”. Ne ishim një grup fotografësh të rinj berlinezë, të mbledhur rreth çiftit të artistëve, Arno Fischer dhe Sibylle Bergemann. Graetz i njohu ata pas shpërnguljes për në kryeqytet, kur ishte në moshën 25-vjeçare.

Një kafe me “të autorizuarin”

Profesionin e tij si asistent teknik dhe fotograf në Muzeun për Historinë Antike dhe atë të Mesjetës së Hershme në Potsdam, Jurgen Graetz e kishte braktisur, për t’u zhvendosur drejt Berlinit me aparatin e tij të vogël. Si ilegal. Zhvendosja në kryeqytet bëhej sipas rregullave shumë strikte në atë kohë, e kështu që duhej fshehur disi ajo që cilësohej si “arrati, apo braktisje e fshatit”.

Në gjysmën e parë të vitit, ai takoi një fotograf perëndimor në lagjen “Friedrichshain”. “Ai solli me vete filma perëndimorë të markës ‘Kodak’”, – kujton Graetz, – dhe kështu që erdhën edhe fotografë si Arno Fischer, Gerhard Keisling, apo Ludvig Schirmer dhe i dhanë atij dispozitivët në rrugën “Acker” për t’i parë nën dritën e dritares. “Ndërsa fotografët shihnin punën e tyre, Graetz shihte dhe lidhte kontakte.

Një reporter miqësor e punësoi atë si ndihmëslaborant part-time. Mori me qira për të një dhomë të errët në “Prenzlauer Berg”. Graetz e falënderoi të zonjën e shtëpisë me një pako kafeje: më pas ai e kishte pirë atë kafe së bashku me policin përgjegjës, zyrtarisht “të autorizuarin për fotomontazhet”, i cili e kishte toleruar atë.

Vëzhgo dhe prit

Pas martesës me artisten berlineze, Ellian Silvester në vitin 1971, Graetz më në fund u bë zyrtarisht berlinez. Dhe ai u pajis me një leje si gazetar fotoreporter – nëpërmjet referencës miqësore të shumë kryeredaktorëve, që vlerësonin punën e Graetz. Përpos punës së tij si laborant, Graetz kishte kaluar një kohë me publikime si “Spektrum”, revista e modës “Sibylle”, gazeta “Akademie” apo kishte fotografuar për shtëpinë botuese “Die Wirtschaft” (Ekonomia).

Graetz e bënte punën e tij, por politikës i rrinte larg: “Unë përpiqesha të ofroja tema neutrale”. Kur në fshatin e tij nuk rëndonin zinxhirët e tankeve sovjetike, atëherë Jurgen Graetz u përkiste më shumë fotografëve “të urtë”, që rrinin shumë të tërhequr e shfaqeshin vetëm në sfond. Vëzhgo dhe prit! Përqendrohu te kompozimi i imazhit, e pastaj shkrepe. Dhe kjo është aksioma e tij deri në ditët e sotme.

Graetz, i datëlindjes 1943, mendon me kënaqësi për rubrikat, fotografon shpesh në seri. E shkuara është akoma një ndër temat e tij të preferuara, ose pritja. Hapësira të braktisura dhe jeta në ujë. Mirëpo, janë zakonisht njerëzit që vihen në fokus të fotove të tij. Të parë nga një distancë “e sjellshme”, pa i përgjuar e pa i ndjekur nga pas. Në rrugë, në përditshmëri.

Rrënim dhe mungesa, jo përparim

Ndërsa ai fotografonte për “Das Magazin” seri fotografike si “Berlini në mëngjes” apo “Alfabeti i rrugës”, Graetz shkrepi edhe foto, që nuk shkonin me estetikën zyrtare të RDGJ-së: dyqane të boshatisura, apo shtëpi në prag të rrënimit në lagjen “Prenzlauer Berg”, apo një mbetje makine të prishur në buzë të plazhit në “Friedrichshain” (lagje e Berlinit) që dëshmonin edhe rënien, apo mungesën e mallrave, domethënë jo përparim e zhvillim.

Por me këtë, ai ndoshta pa dashje ishte bërë një fotograf politik. Nxjerrja në pah e realitetit të zhveshur në imazhe fotografike ishte interesante, por ai në atë kohë nuk gjeti kurrë “recipientë” për fotot e tij, zyrtarisht. Graetz vijonte, megjithatë, të shihte thellë në qoshe lagjesh të braktisura dhe thotë se fotografonte tashmë për “kutinë e vet”. Atje flinin fotot që me të vërtetë nuk mund të publikoheshin.

Atë megjithatë e kishte ngacmuar momenti, ashtu siç ishte në të vërtetë, thotë Graetz. Imazhi i inskenuar i RDGJ-së tashmë ishte parë përditë nëpër gazeta. Por ai donte t’i vihej përballë vështrimit të tij, mendimit të vet, “edhe nëse ai shihej si ibarabartë”. E kjo ndodhte vetëm me shokë e miq në takime si ai tek Arno Fischer; atje secili sillte vërtet fotot e veta.

“Çfarë po fotografoni ju këtu?”

Kështu, duke punuar e duke përjetuar momente të dyjëzuara, Graetz në vitin 1976 u anëtarësua pa kushte e pa rezistencë në “Lidhjen e Artistëve të Arteve Figurative”. Ndryshe nga fotografi Harald Hausvald, i cili ishte përpjekur t’i ekspozonte e publikonte qysh në kohët e RDGJ-së fotot e tij të fasadave e shtëpive në prag rrënimi në ish-shtetin komunist. “Tek unë, ato do të rrinin gjatë në kuti”, thotë Graetz.

Mosbesimin e regjimit të SED-it (ish-Partia në pushtet në RDGJ), ai megjithatë e ndjeu në ndonjë rast: Një krahë në qafë dhe pyetja: “Çfarë po fotografoni ju këtu?”, kur ai rastësisht drejtonte fokusin e aparatit në ndonjë hyrje shtëpie, pas së cilës ndodheshin rezidentë bashkëpunëtorë të STASI-t.

Shumë nga njerëzit e spiunuar që ai fotografonte në përditshmërinë e tyre, e takonin atë përkundrazi, pa drojë. Graetz, një bashkëpunëtor jozyrtar? Jo! – Atëherë shihesha ndryshe. Vetëm pas rënies së Murit lindi një lloj mosbesimi ndaj fotografëve: çfarë po bën ai, ai do vetëm të fitojë para.

Fundin e RDGJ-së, Graetz e përjetoi në lagjen e Berlinit, “Treptov”. Ai fotografonte, se si popullsia mori nën kontroll vendkalimin kufitar në lagjen “Neukoelln”. “Ajo ishte një atmosferë e rrallë”, thotë Graetz. “Xhamat e kullës së kufirit tashmë ishin thyer, por roja vijonte të qëndronte akoma në shërbim”.

Deri në vitin 2006, fotografi Jurgen Graetz qëndroi në Berlin, më pas ai u zhvendos sërish në fshatin e tij të lindjes, në Neuglobsov. Gjurmët e tankeve në fshatin fqinj, tashmë, kanë humbur prej kohësh.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat