Pabarazia sociale lindi para 13 mijë vjetëve

Speciale

Pabarazia sociale lindi para 13 mijë vjetëve

Më: 30 korrik 2014 Në ora: 21:45

Pabarazia duket se thjesht është pjesë përbërëse e shoqërive njerëzore. Por kjo përshtypje është e rreme: kërkuesit shkencorë kanë zbuluar se pasuria dhe varfëria kanë lindur dikur – por kur, dhe përse?

Ndoshta e gjitha kjo histori nisi me gjestin e thjeshtë të hedhjes së një fruti apo cope nga kafsha e vrarë nga dikush në një poçe prej balte, para rreth 13.000 viteve. Mund të ketë ndodhur edhe përpara mijëra vjetësh më parë. Poçja që ndodhej në një qoshe të shtëpisë, në brigjet lindore të Mesdheut, atje ku sot ndodhen Izraeli, Jordania dhe Siria. Në poçen në fjalë ndodhej një rezervë që mund ta këmbeje me midhje, apo me çdo gjë tjetër. Një pasuri e vogël, private. Nga një gjuetar nga populli i natufierëve u krijua më vonë një kursimtar, që pati një avantazh mbi të tjerët. Shoqëria ishte bërë tashmë pakëz e pabarabartë. Për herë të parë në historinë e njerëzimit – sipas asaj çka besojnë një grup arkeologësh, që kanë studiuar në zonat ku jetonin natufierët duke zbuluar kësisoj gjurmët e para të pabarazisë sociale. Pabarazia sociale është temë aktuale. Të paktën për francezin Thomas Piketty dhe librin e tij “Kapitali në shekullin e 21-të”, që është shpallur tashmë si “bestseller” në SHBA. Revista “Science” ka nxjerrë në qarkullim një botim special rreth këtij debati, mbushur me materiale të shkencëtarëve e studiuesve, kërkuesve socialë, psikologëve etj., që vërtiten të gjithë rreth pyetjes: Si lind pabarazia dhe si ndikon ajo?

Pabarazia sociale ka ekzistuar gjithmonë

Studiuesi i shkencave ekonomike, Piketty, ka kontribuar edhe vetë në atë revistë me një material shkencor. Në të ai përmbledh se si janë zhvilluar të ardhurat në Europë dhe në SHBA, qysh prej fillimit të shekullit të 20-të. Është një paragraf nga rezultatet e veprës së tij 685-faqëshe që sidoqoftë të çon në përfundimin se: pabarazia po rritet para së gjithash pikërisht në SHBA në mënyrë drastike. Por si ka zbritur ajo në Tokë? Përse njerëzit ia nisin të shtojnë pasurinë? Kur mbesin të tjerët të varfër e kur ata bëhen të varfër ekstremë? – Për këto pyetje, antropologët në vitet e fundit kanë nxjerrë përfundime të reja. Dikush ka më shumë se të tjerët; më shumë fruta në poçe, më shumë para në konto, një televizor më modern se shoku etj. Kështu ka qenë gjithmonë, ndarja e pabarabartë e pasurive i përket shoqërisë njerëzore sikurse një ndjenjë normale. Në fakt, njerëzit kanë jetuar në pjesën më të madhe të historisë së tyre, si gjuetarë, të ndarë në grupe të vogla që ndanin mes tyre gjahun e vrarë apo frutat e kokrrat e egra të mbledhura po së bashku. Dhe pra, të barabartë në të drejta e detyra dhe nën aplikimin e principit që sot shihet si “hierarki e sheshtë” – siç pohojnë antropologët, që studiojnë popujt, të cilët deri më sot jetojnë si gjuetarë apo “mbledhës” të plaçkës apo mallit të përbashkët.

Kulturat zhvilluan rregulla për sjelljen me pabarazinë

Këta popuj punojnë fort, që t’i mbajnë të sheshta hierarkitë, thotë Christopher Boehm, antropolog nga Universiteti i Kalifornisë Jugore, në revistën “Science”. Boehm ka ndërmarrë studime e kërkime shkencore në 56 shoqëri që jetojnë në mënyrë tradicionale. Te të gjithë, ai gjeti rregulla që shmangin luftëra për të ndarë pasurinë, e që duhet të sigurojnë dhe furnizimin e të gjithë anëtarëve të grupit me ushqim të mjaftueshëm. Njëri ndër këta rregulla, që Boehm e gjeti si karakteristikë të përbashkët në të gjithë këta 56 popuj, thotë: kush ka vrarë një kafshë të madhe, ua lë të tjerëve ta rrjepin e ta ndajnë mishin. Për mbijetesën e grupit është shumë e rëndësishme, që të gjithë të jenë të ngopur. Dhe dihet gjithashtu se një herë, fati i keq në gjueti, mund ta godasë këdo. Edhe natufierët, ndoshta populli i investitorëve të parë, jetuan më shumë si gjuetarë e mbledhës plaçke. Sidoqoftë, ata u vendosën para 14.500 vjetësh në Mesdhe, në fshatra. Arkeologët T. Douglas nga Universiteti i Wisconsin-it dhe Ofer Bar-Yosef nga Harvardi, kanë studiuar 25 vende ku kanë jetuar natufierët dhe pasuesit e tyre për të gjetur gjurmë të pabarazisë sociale. Ata gjetën skelete që ishin mbuluar me guaska midhjesh e lëkurë gjarpërinjsh, të importuara nga lokalitete deri 400 kilometra larg nga vendi ku u gjetën fosilet e skeleteve njerëzore. Sidoqoftë, ata gjetën shumë më tepër skelete që ishin në varre pa asnjë lloj zbukurimi. Arkeologët, duke mbajtur parasysh varret që gjetën, llogaritën një lloj kuote të super të pasurve ndër natufierët dhe ajo kapte nivelin e tetë përqindëshit.

Për pabarazinë ishte i nevojshëm ndikimi

Paria në nivelin e 8-përqindëshit, jetonte në shtëpi të mëdha dhe u konstatua se posedonin enë guri të latuar, në të cilat ata shërbenin edhe gjellët nëpër festa. Por kjo shihej e mundur vetëm pasi ata kishin nisur ta mbanin për vete ushqimin e grumbulluar. Ndoshta kjo kishte funksionuar vetëm sepse natufierët jetonin në habitatin e vet, në të cilin gjendeshin shpesh në sasi të stërmëdha, dhi të egra, gazela, fara, bajame, por edhe drithëra. Të gjithë ngopeshin. Dhe kush hidhte fara e fruta në poçet e baltës, mund të importonte më vonë lëkura gjarpërinjsh, apo të punësonte për vete natufierë të tjerë. “Falë mbiprodhimit të rezervave ushqimore, njerëzit mund t’i manipulonin raportet mes tyre, ata mund të dhuronin tashmë ushqim dhe të vendosnin një hierarki më dominante”, thotë Price. Kur natufierët ia nisën të mbillnin e kultivonin drithëra dhe të rrisnin dhi, disa shtëpi u bënë më të mëdha, ca skelete u zbukuruan edhe më shumë. Faza tranzitore drejt bujqësisë, vlerësohet tashmë si momenti kur njerëzit ia nisën të shtonin pasurinë dhe fuqinë. Sidoqoftë, edhe arkeologët në Veriperëndim të Kanadasë gjetën dëshmi të asaj se edhe atje janë vërtitur plot gjuetarë, të cilët e ndanin më së miri plaçkën që grumbullonin. Në lokalitetin Keatley Creek, para 2500 vjetësh jetonin familje, që para së gjithash jetonin kryesisht nga krapi i egër i lumit që zinin. Kërkuesit gjetën atje nën rrënojat e vendbanimeve të dikurshme antike, fosile skeletesh peshqish të majmur, por edhe mbetje krapësh të vegjël. Disa familje kishin siguruar vendet më të mira për gjuajtjen e peshkut, kishin ndërtuar platforma – dhe një pjesë të natyrës thjesht e kishin bërë pronë të tyren.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat