Kurdët, fituesit e vërtetë të konfliktit në Lindje të Mesme

Speciale

Kurdët, fituesit e vërtetë të konfliktit në Lindje të Mesme

Më: 23 korrik 2014 Në ora: 23:52

Lordi George Weidenfeld ka lindur në Vjenë në vitin 1919 dhe në vitin 1938 ka emigruar në Angli. Përveç shumë titujve e posteve akademike që ka mbajtur, në vitin 1949, menjëherë pas themelimit të shtetit hebre, ai u emërua këshilltar politik dhe shef kabineti i Presidentit të Izraelit, Weizmann. Ai flet shpesh nga perspektiva e mbrojtësit të Izraelit, për shkak të origjinës së tij hebreje, por dëshmohet si një njohës shumë i mirë i çështjeve të Lindjes së Afërt e asaj të Mesme. Në një rrëfim të shkurtër nga eksperienca e tij në zyrën e ish-kryeministres izraelite, Golda Meir, ai na lë të kuptojmë se kurdëve u është dashur të flirtojnë masivisht me Izraelin, për të mbijetuar në një territor vazhdimisht të kërcënuar mes shtetesh autoritare. Pikërisht, nisur nga kjo dhe nga eksperienca e fakte të tjera që ai nuk i rreshton në këtë artikull të shkurtër për gazetën gjermane “Die Welt”, mund të vihet re menjëherë një ton tejet dashamirës e mirënjohës i tij kundrejt kauzës kurde, e cila shumicës së shqiptarëve, u është përcjellë vazhdimisht nga zhvillimet në Turqi, rrënjosur nën emrin e ish-liderit të tyre karizmatik, Abdullah Oçalan, apo Partisë Punëtore Kurde (PKK) e aksioneve të saj të cilësuara vazhdimisht “terroriste”. Por kohët e fundit edhe nëpërmjet veprimeve të tyre ushtarake, ekonomike e politike në Irakun e Pasluftës së 2003-shit, apo atyre aktuale në përballje me militantët e ISIS-it, që mund të sjellin si pasojë edhe ngritjen e një shteti të mohuar kurd.

* *

Në maj 1916, dy shtetarë të mëdhenj, një britanik e një francez, i ndanë provincat e Perandorisë Osmane që tashmë po jepte shpirt, në sfera të interesave franceze e atyre britanike: Iraku vijoi të ekzistonte nën pushtetin e një trashëgimtari të familjes heshemite, të mbështetur nga britanikët, ndërsa Siria u drejtua nga politikanë profrancezë. Njëqind vjet më vonë, ekzistenca e Irakut dhe e Sirisë tashmë kërcënohet seriozisht për vdekje nga trazirat e brendshme dhe mosmarrëveshjet. Fronti i ISIS-it, “Kalifati i Irakut dhe Sirisë”, kontrolluar nga sunitët ndodhet pranë portave të Bagdadit; pa hezitim ai vret, pret koka, godet me gurë, kryqëzon jo vetëm “heretikë” e kundërshtarë, por edhe kalimtarë të painteresuar, me qëndrime asnjanëse, emrit të të cilëve Omar i jep një drejtim religjioz. Gjendja e tmerrshme në Siri dhe Irak po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Pesë apo gjashtë milionë refugjatë, me siguri se është numri që pritet të llogarisim shumë shpejt. Një Perëndim i lodhur nga luftërat dhe një njeri i pavendosur në Shtëpinë e Bardhë, thjesht po e zgjasin problemin.

Luftëtarët e ISIS-it nga Turqia

Ndër të paktët përfitues të luftimeve në Irak e Siri renditen kurdët trima, që janë përndjekur prej shekujsh nga turqit e arabët, por që tashmë po profilizohen dita-ditës më shumë politikisht, ekonomikisht dhe kulturalisht. Këtu, turqit po luajnë një lojë të dyfishtë. Nga njëra anë ata i mbështesin ata, dhe madje zotërojnë skenën ekonomike në shtetin e ri kurd, me kryeqytet Erbilin. Mirëpo, në brendësi të Turqisë, kurdët vijojnë të përndiqen brutalisht. Politika e jashtme e ashpër e Kryeministrit Erdogan, tashmë po ngatërron mikun me armikun. Shumë nga luftëtarët më të egër të ISIS-it me ç’duket, po kalojnë pa pengesa nga ana turke e kufirit, në zonën e luftimeve.

Lëvizja çlirimtare kurde prej kohësh ka pasur marrëdhënie shumë të mira me Izraelin. Klani në pushtet i Barzanit qysh në erën e Kryeministres izraelite, Golda Meir, dhe të ish-ministrit të luftës, Moshe Dajan, kishte kontakte të ngushta në Jerusalem. Unë takova njërin nga Barzanët atje në vitin 1975.

Tigri kurd i Golda Meir

Miku im, shefi legjendar i Mossad-it, David Kimche, më tregoi shumë nga aventurat e tij në vendin e kurdëve. Ai punonte në atë kohë si oficer ndërlidhës dhe i veshur si bari delesh, emigroi dikur me një mjekër false në tokën armike të Irakut për të kryer një takim me Barzanët. Kur unë takova në atë kohë, Golda Meir-in, një autore e shtëpisë sime botuese, në zyrën e saj të sapoarreduar, më ra në sy një tigër i madh i balsamosur në pozicion sulmi pas kanapesë së saj. Ajo pëshpëriti: “Më duhet, për të më mbrojtur nga vizitorë të pakëndshëm. Është një dhuratë nga miku im kurd, Barzani”. Në një cep tjetër pashë një dhuratë të një adhuruesi amerikan të saj, një reliev tredimensional të Lindjes së Mesme me llamba ndriçuese mbi secilin kryeqytet. Zonja Meir e kapi vështrimin tim, tundi me shpoti kokën dhe tha në atë tonin e saj të trashëguar sarkastik: “Kemi zgjedhur një fqinjësi të mirë”.

Marrë nga “Die Welt”

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat