Atentati: Oficeri gjerman që u përpoq të vriste Hitlerin

Speciale

Atentati: Oficeri gjerman që u përpoq të vriste Hitlerin

Më: 23 korrik 2014 Në ora: 18:25

Wolfsschanze ose ndryshe Strofulla e Ujkut, ishin zyrat qendrore sekrete të Hitlerit në Frontin e Lindjes. Shtaufenberg po merrte pjesë në takimin e përditshëm të Fyhrerit dhe komandës së lartë gjermane, por në valixhen e tij të dorës mbartte një bombë.

Sapo filloi mbledhja, një kolonel hyri me vonesë. Ai e kishte syrin e djathtë të mbuluar me një copë të zezë ndërsa një krah ishte fals, një ushtar tipik. Hitleri u kthye dhe e vështroi pa asnjë shprehje fytyre. Stauffenberg ishte një oficer ushtrie në karrierë, aristokrat dhe katolik.

“Kushdo thoshte se im at ishte shumë i pashëm – flokë të zinj, sy të kaltër, i gjatë. Ai ishte një person shumë i qeshur”, kujton djali i tij, Berthold Shenk, kont i Shtaufenbergut, që sot është 80 vjeç. Në vitin 1943, Shtaufenberg u plagos rëndë teksa shërbente në Tunizi, ai humbi një sy, dorën e djathtë, që për kohën ishte normale.

Ndonëse nuk ishte tepër i dhënë pas politikës, Shtaufenberg ishte një konservator dhe një nacionalist. Ndonjëherë i mbështeste politikat naziste, por teksa lufta vazhdonte, kundërshtimi i tij ndaj regjimit u rrit – ai ishte i tmerruar nga ato që gjermanët po bënin në lindje dhe e kuptoi se Gjermania po e humbte luftën.

“Ai ishte i pakënaqur me aftësitë strategjike të Hitlerit dhe mendonte se ai ishte një njeri tjetër nga ç’e njihnim ne”, thotë Berthold.

Kur e mori veten nga plagët, Shtaufenbergut iu afrua një grup konspiratorësh të udhëhequr nga Gen Henning von Tresckow, të cilët donin të vrisnin Hitlerin dhe të përmbysnin regjimin nazist. Shtaufenberg u bë udhëheqës i atentatit.

Në muajt në vazhdim, u kryen disa përpjekje të dështuara për të vrarë Hitlerin dhe grupit po i rritej frika se Gestapo ishte pranë kapjes së konspiratorëve. Por në vitin 1944, Shtaufenberg u bë shef i stafit për komandën e Ushtrisë Zëvendësuese Gjermane. Posti i dha atij akses te Hitleri dhe mundësinë e artë për të kryer vrasjen.

Plani ishte i thjeshtë. Shtaufenberg do mbante eksplozivin në valixhen e dorës dhe do të kalonte kontrollet e sigurisë. Kur t’i jepej mundësia do ta linte valixhen pranë Hitlerit dhe do të largohej nga dhoma. Pas shpërthimit, Stauffenberg do të kthehej në Berlin, ku konspiratorët do të përdornin Ushtrinë Zëvendësuese për të marrë kontroll.

“Ata nuk ishin të sigurt nëse atentati do të kishte sukses, por Tresckow tha se duhej ta bënin, të paktën për të provuar se jo të gjithë gjermanët mbështetnin Hitlerin”, thotë Berthold. “Ime më gjithnjë thoshte se e dinte çfarë ishte planifikuar. Ajo e kishte kuptuar dhe ishte grindur me babanë tim dhe ai i kishte treguar. Por ajo nuk e dinte se do ta vinte ai bombën”.

“Ata i dinin pasojat, por në kohë lufte, jeta nuk është aq e rëndësishme sa është në kohë paqeje. Njerëzit vdesin vazhdimisht dhe sakrifikimi i vetes duket diçka e madhe, por në kohë lufte gjithçka është ndryshe”.

Të enjten e 20 korrikut, Shtaufenberg arriti në Strofullën e Ujkut. Ai u ndërpre teksa përpiqej të rregullonte bombën, ndaj vuri në valixhe vetëm një nga dy eksplozivët përpara se të hynte në mbledhje. Një nga pjesëmarrësit e atij takimi ka treguar në vitin 1967 se Shtaufenberg kishte një valixhe dore të zezë që e mbante me dorën e padëmtuar teksa hyri në mbledhje. “Por unë nuk e pashë më atë, ndaj nuk e kuptova kur e la valixhen poshtë tavolinës apo kur u largua menjëherë pas kësaj. Kaluan pesë apo dhjetë minuta – më kishte dalë nga mendja ai kur ndodhi shpërthimi”, tregon Warlimont.

Shtaufenberg e pa shpërthimin kur largohej nga kompleksi për të shkuar në Berlin. Ai ishte i sigurt se Hitleri kishte vdekur. Pak çaste përpara se të ndodhte shpërthimi, valixhja ishte zhvendosur pas një tavoline larg prej Hitlerit. Bomba nuk ishte aq e fuqishme sa ishte parashikuar dhe Hitleri në ato çaste ishte përkulur pas një tavoline duke para disa harta, ndaj kur shpërtheu gjithçka tavolina e mbrojti. Katër persona vdiqën nga shpërthimi dhe shumë u lënduan, por Hitleri mbijetoi.

Pak orë më vonë u bë e qartë se Fyhreri ishte akoma gjallë, ndaj përpjekja për të përmbysur regjimin dështoi. Shtaufenberg dhe atentatorët e tjerë u arrestuan në Zyrën e Luftës në Berlin dhe u ekzekutuan.

Gruaja shtatzënë e Shtaufenbergut dhe katër fëmijët e tyre po qëndronin në një pronë familjare kur ndodhi atentati. Djali i tij, Berthold ndiqte gazetat dhe radion, por nuk po e kuptonte se çfarë po ndodhte. “Nëna na mori mënjanë mua dhe vëllain dhe na the se ishte babai ynë ai që e kishte vënë bombën. Kur e pyeta si kishte mundur, ajo m’u përgjigj se ai besonte se duhej ta bënte këtë gjë për Gjermaninë.

Atë natë Gestapo arrestoi gruan, nënën dhe xhaxhain e Shtaufenbergut, ndërsa fëmijët i dërguan në jetimore. Nëna e Berthold u bashkua me fëmijët e saj pas lufte, ajo nuk u martua më. Berthold u bë një gjeneral në ushtrinë gjermane të Lindjes. Ai akoma jeton në qytetin e lindjes.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat