Analizë: A do t’i mbijetojë linja ajrore “Malaysia Airlines” mallkimit?

Speciale

Analizë: A do t’i mbijetojë linja ajrore “Malaysia Airlines” mallkimit?

Më: 20 korrik 2014 Në ora: 08:16

Agjencia e transportit “Malaysia Airlines” po vuante ende pasojat e zhdukjes së fluturimit MH370 në mars, kur doli lajmi për përplasjen në Ukrainë. Tani shumë pyetje po ngrihen mbi faktin nëse kjo kompani do të arrijë t’i mbijetojë tragjedisë së dytë në kaq pak kohë.

“Është një tragjedi e pakrahasueshme. Në historinë e aviacionit, asnjë linjë ajrore nuk ka përjetuar dy tragjedi në një periudhë katërmujore”, – tha Mohsin Aziz, një analist aviacioni në Maybank.

“Pa ndodhur ende incidenti i dytë, kisha dyshime nëse kompania do t’i mbijetonte falimentit deri në gjysmën e dytë të vitit 2015. Po pësojnë humbje të mëdha. Kjo me siguri do t’i fundosë. Nuk ka rëndësi se i kujt është faji. Perceptimi i publikut është ‘nuk dua të udhëtoj me ‘Malaysia Airlines’ dhe beteja nuk është e lehtë”.

Aksionet e kompanisë ranë menjëherë të premten, me 11 për qind në mesditë në tregun e Kuala Lumpur. Brenda këtij viti parashikohet që vlera e kompanisë të ulet me 35 për qind.

Pyetje janë ngritur edhe mbi itinerarin e kompanisë ajrore, pas lajmit se shumë transportues të tjerë e kanë shmangur atë zonë për muaj – ndonëse shumë kompani po fluturonin në të njëjtën zonë dhe e ndryshuan rutinën pas katastrofës së të enjtes.

Kompania dhe qeveria malajziane kanë marrë kritika të forta për mënyrën si po e përballojnë zhdukjen e MH370, sidomos në Kinë, që humbi 150 shtetas të saj.

Ndryshe nga mënyra si do ta përballonin linjat e tjera ajrore, ajo e Malajzisë ka shpërndarë informacion kontradiktor te familjarët dhe nuk ka mbajtur përgjegjësi të plotë për veprimet.

Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se në aeroportin ndërkombëtar të Kuala Lumpur të enjten në mbrëmje u mblodhën turma të acaruara të afërmish që kërkonin informacion për pasagjerët, por asnjë zyrtar i “Malaysia Airlines” nuk është gjetur.

Teksa dy katastrofat janë të ndryshme, misteri do t’i mbështjellë të dyja.

Ngjashmëria

“Ka ndodhur në një hapësirë të vogël kohore, në të njëjtën kompani, me të njëjtin model avioni. Ka ndodhur jashtë rutinës së përplasjeve të linjave ajrore të mëdha: shumica e aksidenteve ndodh pranë zonës së uljes apo menjëherë pas ngritjes. Të dyja kanë një element misteri dhe paligjshmërie”, vëren Sidney Dekker, një ekspert i sigurisë së aviacionit në Universitetin Griffith.

“Nëse publiku ka dëshirë t’i trajtojë si të veçuara dhe të thotë se kanë pak ngjashmëri dhe se nuk është faji i ‘Malaysia Airlines’, ka gjasa që kompania të mbijetojë”, – tha ai.

Por kjo është një pikëpyetje e madhe. Megjithatë katastrofa mund të përballohet edhe duke marrë certifikatë operimi në një aeroport të ri ose duke ndryshuar emrin e kompanisë.

Ministri i Transportit i Malajzisë, Liao Tiong Lai, mohoi të jepte një koment mbi të ardhmen e kompanisë ajrore. Përpara zhdukjes së MH370, “Malaysia Airlines” kishte humbje, por po bënte përmirësime. Po pakësonte koston e operimit dhe po shiste më shumë bileta.

Me dy aksidente në shpinë, tani siguria në këtë kompani ka humbur. Sipas Lidhjes së Transportit Ajror Ndërkombëtar, në periudhën 2009-2013, ka pasur mesatarisht 517 vdekje në vit. Tani një linjë e vetme ajrore e ka tejkaluar këtë shifër.

“Njerëzit mund ta zgjedhin pas kësaj ‘Malaysia Airlines’ vetëm nëse biletat do të jenë shumë, shumë të lira”, – tha Mohsin. Për më tepër, kompania është përballur me kosto shtesë në ndihmë të viktimave, familjarëve dhe shpenzimet në treg.

“Nëse kompania do të zhdukej plotësisht, do të ishte një humbje për krenarinë e Malajzisë”, – tha analisti Maybank. Me shumë gjasa qeveria do të ndërhyjë direkt ose nëpërmjet fondit Khazanah.

Linja të tjera ajrore si “Singapore Airlines” apo “China Eastern” fluturonin mbi zonën ku ndodhi tragjedia, por ndaluan sapo u mor vesh lajmi. “Çfarë nuk shkon me ‘Malaysia Airlines’? kjo nuk është një pyetje që duhet bërë. Është rastësi. Të hënën fluturova mbi atë zonë me vajzën time, mund të na kishte ndodhur neve”, – tregon eksperti i aviacionit Dekker.

Ndonëse pilotët kanë të drejtën të refuzojnë të fluturojnë mbi një kurs të veçantë kur kanë shqetësime, ata nuk mund të përcaktojnë itineraret. Këto vendosen në bazë të faktorëve të shumtë, ku përfshihen ndryshimet në hapësirën ajrore dhe shpejtësitë e erërave, por edhe siguria e fluturimit.

Teksa Autoriteti Federal Amerikan i Aviacionit ka paralajmëruar transportuesit amerikanë të mos fluturojnë mbi Gadishullin e Krimesë, nuk kishte paralajmërim për zonën ku u rrëzua MH17. Zyrtarët ukrainas kishin mbyllur hapësirën ajrore deri në 9750 metra, ndërsa MH17 po fluturonte 304 metra mbi këtë kufi.

“Pyetja është: a mund të biem në marrëveshje më të dobishme ndërkombëtare mbi ndalimin dhe lejimin e fluturimit në zona të caktuara?” – tha Dekker.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat