50 fakte nga jeta e Ismail Qemalit dhe Skënderbeut

Speciale

50 fakte nga jeta e Ismail Qemalit dhe Skënderbeut

Më: 17 korrik 2014 Në ora: 09:49

Kush është Ismail Qemali. Edhe një vogëlush 6-vjeçar e ka në majë të gjuhës përgjigjen: Plaku që ngriti flamurin dhe shpalli Pavarësinë.
Problemi është se po aq sa ky vogëlush, është një pjesë e madhe e popullsisë së Shqipërisë që dinë vetëm kaq për plakun flokëbardhë që kreu aktin më të rëndësishëm në historinë e shtetit shqiptar. Ka një takëm njerëzisht që dinë më shumë. Ca të tjerë që dinë edhe pak më shumë.

Edhe Ismail Qemali ka lindur më 16 tetor, në tekstet e historisë ditëlindja e tij njihet 24 janari, pikërisht për këtë arsye edhe dje u festua 168 vjetori i lindjes së tij. Përse i zhdukën ditëlindjen më 16 tetor, pse përkonte me atë të Enver Hoxhës. Cili është arsimi i tij. Cilat ishin detyrat e tij më të larta në hierarkinë e Perandorisë Osmane. e Si ngriti në Stamboll klubin për pavarësinë shqiptare dhe si u internua nga pushteti turk.

Përse sulltani e emëroi këshilltar të tij. Si u emërua Vali në Libi, por ai nuk shkoi Tripoli, por në Paris, nga ku nisi punën për pavarësinë e Shqipërisë. Historia e 28 Nëntorit, me kë shkoi në Vlorë dhe përse shkoi në Vlorë. Cilin flamur ngriti dhe historia e dokumentit themeltar që u falsifikua. Një histori plot lavdi dhe kontradikta të një jete, që, siç vetë Ismail Qemali e ka thënë në fjalimin e 28 Nëntorit, Zoti i donte që të ishte i pari shqiptar që ngriti flamurin.

1. Ismail Qemali, në fakt quhej Ismail bej Vlora. Emri i tij u ndryshua gjatë kohës së regjimit komunist mbi botëkuptime komuniste ndaj titullit “Bej”, por asnjëherë asnjë historian dhe personalitet nuk e ka shpjeguar këtë ndryshim.

2. Ismail Qemali ishte një nga personazhet më të rëndësishme të familjes së njohur Vlora, një familje e pasur dhe me shumë tradita, dhe që ka nxjerrë shumë personazhe të rëndësishëm në jetën politike shqiptare.

3. Ismail Qemali lindi më 16 tetor 1846 në Kaninë të Vlorës dhe vdiq më 24 janar të vitit 1919 në Peruxha të Italisë. Vetëm pas vitit 1990 është mësuar nga historiani turk me orgjinë shqiptare, Nexhip Alpan, që ditëlindja e Ismail Qemalit ishte në një ditë me atë të Enver Hoxhës. Por ajo është mbajtur e fshehtë, duke mos u shkruar në asnjë libër historie. Në tekstet e historisë së Shqipërisë dhe tekstet mësimore datëlindja është shkruar më 24 janar 1844. Në fakt ajo është më 16 tetor 1844.

4. Ismail Qemali jetoi 72 vjet, 3 muaj e 8 ditë ose gjithsej 2628 ditë. Ai kishte një shtat mesatar dhe me një trup me peshë po mesatare. Ismail Qemali mbante një veshje të kohës, me kostum të kohës, kravatë e kohës, flokë të thinjur të krehur me kujdes dhe me një mjekër të bardhë të krehur edhe atë. Ngjyra e kostumeve në përgjithësi ishte e zezë dhe në kokë mbante kapele.

5. Ismail Qemali gjatë gjithë jetës së vet jetoi në këto shtete: Shqipëri, Greqi, Turqi, Itali, Bullgari, Siri dhe për pak kohë në Francë, Angli, Zvicër dhe Gjermani.

6. Ismail Qemali u diplomua në gjimnazin Zosimea në Janinë dhe pas një karrierë të konsiderueshme në administratën turke. U arsimua në Paris për Shkenca Juridike dhe Ekonomike. Me këtë edukim ai ishte një nga më të arsimuarit në administratën turke të asaj kohe.

7. Ismail Qemali njihej dhe si një poliglot, një armë që atij i shërbente në të gjithë aktivitetin e tij politik për çështjen shqiptare. Ai njihte shkëlqyer gjuhën shqipe, osmanishten, turqishten e re, greqishten e vjetër, latinishten, italishten dhe frëngjishten.

8. Ismail Qemali cilësohet si babai i kombit, duke qenë se ka kryer aktin më historik në të gjithë historinë e shtetit shqiptar. Ai ngriti flamurin e Pavarësisë në Vlorë, më 28 Nëntor të vitit 1912 dhe shpalli Shqipërinë shtet të pavarur duke i kërkuar fuqive ndërkombëtare ta njihnin këtë vendim.

9. Në asnjë rrethanë dhe në asnjë situatë, ai nuk e përdori këtë moment sublim për të përfituar dhe marrë vlerësime. Madje, në fjalimin e tij ditën e Shpalljes së Pavarësisë, ai është shprehur, se, siç e donte Zoti që të ishte i pari të ngrinte flamurin e pavarësisë, ashtu të bëhej edhe hero i parë i shtetit shqiptar.

10. Ismail Qemali është kryeministri dhe kryetari i parë në historinë e shtetit shqiptar. Ai qëndroi në krye të qeverisë nga data 28 Nëntor e vitit 1912 deri në 22 janar 1914 për 12 muaj e 56 ditë.

11. Ismail Qemali ngriti në Vlorë flamurin e kuq me dy krena shqiponjash, një flamur që deri më sot na vjen në tre variante. I pari, se këtë e qëndisi një Marigo, një nuse e shtëpisë ku fjeti Ismaili natën e fundit, atë që e solli Spiridon Ilo nga SHBA varianti i tretë i Eqrem bej Vlorës, sipas të cilit ia dha ai flamurin që ia kishte falur Aleadro Kasstriota burri i një princeshe që pretendonte se ishte pasardhëse e Skënderbeut.

12. Në vlerësimet e punës që i kanë bërë drejtuesit e administratës turke për Ismail Qemalin janë shënuar këto fjalë: Vali i denjë, diplomat, deputet, udhëheqës shteti, mendimtar dhe kryetari i parë i shtetit shqiptar.

13. Ismail Qemali e nisi karrierën e vet politike si përkthyes në Ministrinë e Jashtme të Turqisë Osmane në vitin 1860. Detyra e dytë në administratë e Ismail Qemalit ishte në vitin 1868, drejtor i Sekretariatit në Zyrën Juridike në Sofje të Bullgarisë, që në atë kohë ishte pjesë e Turqisë Osmane.

14. Ismail Qemali më pas mori detyrën e nënprefektit të rajonit të Rusçuk, një detyrë që e mbajti për pesë vjet. Në vitin 1873, ai jep dorëheqjen dhe largohet nga ajo detyrë.

15. Ismail Qemali u emërua sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Turqisë në vitin 1876, një detyrë që e ndihmoi shumë të njihte diplomacinë turke nga brenda, por edhe atë të huaj. Në këtë detyrë qëndroi për një vit.

16. Në vitin 1877, ai pëson një dënim në karrierën e tij, pikërisht për aktivitetin e tij patriotik ndaj Shqipërisë. Me arsyetimin se kërkoi autonominë e Shqipërisë, ai internohet për shtatë vjet në Kytahja të Anadollit. Por presioni i një pjesë të administratës turke, por edhe të patriotëve shqiptarë, bëri që sulltan Avdylhamiti t’i hiqte internimin dhe ta emëronte madje Vali në Bollu të Turqisë.

17. Ismail Qemali emërohet Vali në Siri, një detyrë shumë e lartë në atë kohë dhe për më tepër që bëhej fjalë për një krahinë që më vonë mori edhe ajo pavarësinë si shtet i pavarur. Këtë detyrë e mbajti deri në 28 qershor të vitit 1892.

18. Për punë të mirë Ismail Qemali arriti të bëhej deri këshilltar personal i sulltan Avdylhamitit, në momentin kur Perandoria Osmane ishte në fund të saj. Një detyrë që e mbajti nga viti 1892 deri në vitin 1900. Kjo e ndihmoi atë ta njihte nga brenda perandorinë.

19. Nga e gjithë detyra e tij si këshilltar i Sulltanit, mbahet mend se Ismail Qemali ishte ai që i propozoi atij ndërtimin e një hekurudhe që niste në Durrës dhe mbaronte në Stamboll. Një vepër që nuk u ndërtua as në atë kohë dhe vazhdon të mos jetë e ndërtuar edhe sot.

20. Më 1 maj të vitit 1900, sulltan Avdylhamiti për punë dhe cilësi të mira e emëron Vali i Përgjithshëm i Libisë, një detyrë mjaft e lartë e asaj kohe. Por Ismail Qemali u nis për në Tripoli, por rrugës kthehet dhe shkon në Paris, Londër e gjetkë, për të punuar për çështjen shqiptare.

21. Më 1908, me ndihmën e shqiptarëve të veriut të Maqedonisë, Ismail Qemali zgjidhet deputet i rrethit të Beratit, por në fakt ishte përfaqësues i gjithë Shqipërisë. Gjatë kohës që Ismail Qemali ishte deputet në Parlamentin e parë të Turqisë moderne, ai pati një peshë të konsiderueshme. Fjalimet e Ismail Qemalit në Kuvend kanë qenë nga më oratoriket dhe më me mendim, duke nxitur kundërshtarët ta sulmojnë pa të drejtë.

22. Ismail Qemali ra në sy në vitin 1871, pikërisht në zemër të Turqisë osmane, se paraqiti tre kërkesa të njëpasnjëshme për hapjen e shkollave shqipe në Shqipëri. Edhe pse punonte si pjesë e administratës osmane, mori pjesë në një mbledhje të rilindësve shqiptarë në Stamboll për të krijuar alfabetin shqip.

23. Në vitin 1865 Ismail Qemali nisi të punonte për pavarësinë e Shqipërisë, duke krijuar për këtë çështje një klub në kryeqendrën e perandorisë, Stamboll, bashkë me Konstandin Kristoforidhin.

24. Shërbimi i sigurisë së administratës turke zbuloi se gjatë kohës që Ismail Qemali punonte për Turqinë, kishte hartuar një dokument për projektin e një Shqipërie të pavarur. Ky ishte edhe një nga shkaqet më të mëdha të përndjekjes që u ndërmor ndaj atij.

25. Ismail Qemali vdiq në rrethana misterioze në Peruxha të Italisë, pak momente para se të jepte një konferencë për shtyp. Deri më sot nuk ka në fakt një variant eksplicit të vdekjes së tij, por gjithmonë janë hedhur dyshime.

26. Dyshimi më i madh mendohet të jetë se ai është helmuar në ushqim nga qarqe greke dhe italiane antishqiptare, që e shikonin Ismail Qemalin si një personalitet me influencë të madhe për çështjen shqiptare.

27. Kufoma e Ismail Qemalit është mbajtur në Peruxha për dy javë pas vdekjes, me idenë e balsamosjes. Por kjo i shtoi edhe më shumë dyshimet për helmim, pasi i kanë nxjerrë të gjitha organet e brendshme për të zhdukur çdo shenjë për autopsinë.

28. Ismail Qemali është varrosur dy herë. Herën e parë në shkurt të vitit 1919 në Kaninë, vendin e lindjes dhe të paraardhësve të tij, dhe herën e dytë më 28 Nëntor në Vlorë, viti 1932.

29. Varrimi i dytë është bërë me urdhër posaçërisht të mbretit Ahmet Zogu, me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë. Zogu dhe partia e asaj kohe i kanë bërë nderimet më të mëdha trupit të Ismail Qemalit, duke ia vendosur eshtrat në varrin që është edhe sot në Vlorë.

30. Ceremonia për rivarrosjen e eshtrave të Ismail Qemalit është cilësuar si një nga ceremonitë më të mëdha që ka organizuar Ahmet Zogu gjatë gjithë kohës që ai ka qenë në pushtet. Ai i ka bërë nderimet më të mëdha atij që u quajt babai i kombit.

31. Ismail Qemali është nga ata personalitete politike dhe shtetërore që ka shkruar kujtimet e veta. Por kujtimet e tij nuk janë botuar asnjëherë të plota dhe kjo është çudia që e ka shoqëruar çdo gjë në jetën e tij.

32. Akuza më e madhe që është hedhur ndaj Ismail Qemalit, është ajo se ai ideoi pas pavarësisë ndarjen e Shqipërisë në kantone një model si Zvicra. Por sipas njerëzve që e hodhën këtë akuzë, kjo do të bënte që fqinjët ta kishin më të lehtë ndarjen dhe copëtimin e Shqipërisë.

33. Për herë të parë gjatë gjithë historisë së shtetit shqiptar diskutohet që të hiqet emri i Ismail Qemalit nga një institucion. Ky skandal ndodhi pikërisht kur rektori i Universitetit të Vlorës, Tanush Shaska, propozoi që emri i Ismail Qemalit t’i hiqej Universitetit të Vlorës. Propozim ky që ngjalli një reagim mjaft të ashpër si nga politika, media, intelektualët dhe publiku.

34. Pasardhësit më aktivë të Ismail Qemalit në ditët e sotme janë Darling Vlora, Nedim Vlora dhe Ariana Vlora. Ndërsa shumica e pasardhësve të tjerë kanë vdekur, kurse pjesa tjetër është në emigracion prej shumë vitesh.

35. Qamil bej Vlora (1895-1950) ishte djali dhe fëmija i fundit i Ismail Qemalit. Qamili ishte i vetmi djalë i Ismail Qemali që nuk u largua nga Shqipëria. Edhe pse nuk u mor me politikë, më 1946, pasi nuk pranoi bashkëpunimin me regjimin komunist, u arrestua me pretekstin “armë mbajtje pa leje”, pasi iu gjet një revolver, më shumë antik sesa funksional. Në burg u bë me turbekuloz dhe vdiq në moshën 55-vjeçare.

36. Ismail Vlora dhe Xhevdet Vlora ishin dy nipërit e Ismail Qemalit. Ata ishin poliglotë që punuan për bukën e gojës. Dy nipërit e Ismail Qemalit nuk pranuan të bashkëpunonin me regjimin komunist dhe në këtë mënyrë u detyruan të punonin nëpër fshatra të ndryshëm me punë krahu.

37. Ismail Qemali u martua dy herë dhe në të dy rastet me shtetase greke. Për herë të parë me një vejushë nga Konica, me të cilën nuk pati fëmijë, pasi vdiq gjatë lindjes së bashku me vajzën. Ndërsa për herë të dytë u martua në vitin 1886, me Kleoniqi Surmeli, vajza e një fisniku grek nga krahina e Edërnesë.

38. Ismail Qemali u detyrua ta rrëmbente gruan e dytë për arsye se ligjet e ndalonim martesën e një myslimani me një ortodokse. Siç shkruan në kujtimet e veta Ismail Qemali, me këshillën e vjehrrit e rrëmbeu nusen e ardhshme, ndërsa martesa u njoh zyrtarisht në 1886-n, ai ishte 23 vjeç.

39. Nga martesa e dytë Ismail Qemali pati 9 fëmijë, tre vajza dhe gjashtë djem. Vajzat quheshin Myvedet, Alije, Ylvie. Ndërsa djemtë ishin Mahmud Bej, Tahir Bej, Et’hem Bej, Xhevdet Bej, Qazim Bej dhe Qamil Bej.

40. Fjalimi i Ismail Qemalit në pasditen e 28 Nëntorit 1912, Vlorë, zgjati rreth pesë minuta. Fjalimi përmbante 450 fjalë dhe u ndërpre disa herë nga thirrjet e njerëzve që ishin mbledhur në sheshin e qytetit. Ndërprerja më e gjatë e fjalimit të Ismail Qemalit është në momentin që ai nxjerr flamurin dhe e valëvit atë në ajër dhe thotë “Rroftë Shqipëria e Lirë!”.

41. Fjalimi i Ismail Qemalit në Shpalljen e Pavarësisë u lexua i gjithi në gjuhën shqipe. Në të përmendet Shpallja e Pavarësisë, lufta e Skënderbeut, vuajtjet e shqiptarëve dhe së fundi, një lutje drejtuar Zotit që të mbrojë shqiptarët dhe Shqipërinë e Lirë.

42. Fjalia më e veçantë e fjalimit të Ismail Qemalit në Vlorë është: “Zotit të Madh,… të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valëvitet i Lirë. Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë”.

43. Vendimi i parë i Ismail Qemalit pas firmosjes së deklaratës së Pavarësisë dhe marrjes së detyrës si kryeministër, është dërgimi i lajmit në të gjitha qarqet e vendit dhe dërgimi i telegrameve në shtetet e mëdha për njohjen e pavarësisë.

44. Ismail Qemali është djali i Mahmut bej Vlorës që disa herë u ndëshkua nga Porta e Lartë dhe i Hadije Hanëmit nga familja e njohur Alizoti e Gjirokastrës. Ismail Qemali kishte një motër dhe një vëlla më të vogël, Sulejmanin. Sulejmani vdiq gjatë internimit që iu bë familjes nga turqit në Selanik, rreth vitit 1871.

45. Kopja e dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë, e publikuar në vitin 2007, mendohet se i përket Lef Nosit, i cili në qeverinë e parë shqiptare ishte ministër i Postë-Telegrafës. Teksti shqip i Deklaratës së Pavarësisë përbëhet vetëm prej katër rreshtash dhe janë ato ku thuhet: “Shqipëria të jetë më vete, e lirë dhe e mosvarme”. Më pas vijojnë dy rreshta në turqishten e vjetër.

46. Nga teksti dhe proklamata e Pavarësisë, nga regjimi komunist janë hequr mjaft emra nga firmëtarët e pavarësisë. Por në proklamatë janë hequr edhe disa pasazhe.

47. Kabineti i qeverisë së Vlorës përbëhej nga 10 anëtarë. Kryeministër – Ismail Qemali, Zëvendëskryeministër – Nikoll Kaçorri, Ministër i Jashtëm – Myfit Libohova, i Luftës – Mehmet Pashë Dërralla, i Drejtësisë – Petro Poga, i Arsimit – Luigj Gurakuqi, i Financave – Abdi Toptani, i Bujqësisë – Pandeli Cale, i Post Telegrafit – Lef Nosi.

48. Deri më sot nuk ekziston asnjë fotografi nga momenti i Shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor të vitit 1912. Ende nuk dihen shkaqet sepse ajo foto mungon. Ndërkohë që fotografia që paraqet ngritjen e flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali nuk i përket datës 28 Nëntor 1912, por datës 1 dhjetor 1912.

49. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë nuk u njoh që më 28 Nëntor të vitit 1912 nga Evropa. Pavarësia e Shqipërisë nga shtetet evropiane u njoh vetëm në vitin 1913, gjithashtu në këtë vit u njoh edhe Ismail Qemali si kryeministër i Shqipërisë.

50. Ismail Qemali e shpalli Pavarësinë për të gjitha trevat shqiptare. Në këtë akt hyn Kosova, një pjesë e Maqedonisë, Çamëria dhe pjesa që u shkëput më vonë nga Mali i Zi.

50 fakte nga jeta e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut

Por rrallë i ndodh një vendi kaq të vogël si Shqipëria të ketë për të tillë, një figurë si Gjergj Kastriot Skënderbeun. Jo thjesht se për 25 vjet ai e ktheu Shqipërinë në një barrierë të sigurt ndaj ushtrive turke, por njëkohësisht ai u bë barrierë që osmanët mos të përparonin më tej në Evropë. Për këtë qëllim Evropa e njeh Skënderbeun si një “Atlet të Krishtit”, një mbret dhe një luftëtar, që, nëse nuk do të ekzistonte, kishte gjasa që kontinenti të ndërronte fenë. Me rastin që dje Heroi ynë Kombëtar kishte ditën e vdekjes “Tirana Observer” sot boton 50 ngjarje dhe fakte nga jeta e heroit, ngjarje në formë të përmbledhur.

1. Gjergj Kastriot Skënderbeu lindi në Dibër, më 6 maj të vitit 1405. Vdiq në qytetin e Lezhës, më 17 janar të vitit 1468. Ai jetoi 62 vjet, 9 muaj e 12 ditë. Skënderbeu është figura më e shquar në historinë e Shqipërisë.

2. Gjergj Kastriot Skënderbeu mban titullin Hero Kombëtar që nga viti 1965, titulli më i lartë dhe i vetëm që mban një shqiptar për vlerat e larta të figurës së tij.

3. Gjergj Kastriot Skënderbeu ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit, princit të Shqipërisë së Veriut dhe i princeshës malazeze, Vojsava. Gjergji ishte fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave.

4. Gjergj Kastriot Skënderbeu u martua me Donika Aranitin nga Kanina e Vlorës dhe me të pati një djalë, Gjonin, emrin e të cilit ia vuri për nder të të atit. Për nder të të atit, i biri i Gjonit mori emrin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

5. Vlera më e lartë kombëtare e figurës së tij është se për 25 vjet ai mbajti larg Shqipërisë ushtrinë turke, duke e thyer pothuajse në çdo betejë. Janë të shumta betejat e fituara nga Skënderbeu së bashku me ushtrinë e tij.

6. Vlerat e figurës së Skënderbeut janë ndërkombëtare, duke qenë se ai u bë prijësi i barrierës ndaj ushtrive turke për pushtimin e Evropës dhe mosshtrirjes së fesë islame në kontinentin evropian.

7. Gjergj Kastrioti Skënderbeu i përkiste fesë së krishterë. U shndërrua në mysliman, pasi shkoi në ushtrinë turke dhe më pas u kthye përsëri i krishterë. Kjo ishte feja më e përhapur në Evropë në atë kohë.

8. Nga personalitete të huaj, nga historinë të huaj, ai ka marrë epitete të tilla si “Atlet i Krishtit” dhe “Ideatori i Aleancës së Parë Euroatlantike”. Epitete këto që e ngrenë shumë lart figurën e Heroit tonë Kombëtar.

9. Mendohet se Gjergj Kastriot Skënderbeu ishte shtatshkurtër, truplidhur dhe shumë i fuqishëm. Shpata të cilën përdori ai ishte e vështirë për ta përdorur një njeri i zakonshëm për nga pesha e saj.

10. Sot në botë emrin e Gjergj Kastriot Skënderbeut e mbajnë sheshe të shumta në kryeqytetet më të rëndësishëm të botës, duke filluar që nga Tirana, Prishtina, Zyrihu, Parisi, Roma, Çikago, Shkupi, etj.

11. Buste dhe shtatore të Skënderbeut ndodhen në Londër, Spanjë, Buones Aires, Neë York, Kanada, Kosovë, Tiranë. Në të gjitha punimet artistike, Heroi Kombëtar qëndron hipur mbi kalë duke simbolizuar luftëtarin.

12. Përkrenarja me kokën e dhisë që mbante Skënderbeu ishte një simbol i huazuar nga legjendat e Pirros së Epirit dhe Aleksandërit të Madh. Ajo është me metal të bardhë dhe me një rrip (ruban) të larë me ar.

13. Janë dy shpata të Skënderbeut. E para i është dhuruar nga Papa në Krishtlindjet e vitit 1466 dhe është me trup të drejtë, e gjatë 85.5 centimetra dhe e gjerë 5.7, peshon 1.3 kg. E dyta është model turk, është 121 cm dhe peshon 3.2 kg.

14. Kali i Skënderbeut është një tjetër simbol që ka shoqëruar heroin. Sipas Barletit, ai ishte i bardhë, i një race të zgjedhur. Pas vdekjes së Skënderbeut, ai nuk pranoi t’i hipte njeri tjetër dhe ngordhi.

15. Në moshë të vogël së bashku me tre vëllezërit e tij, Skënderbeu u mor peng nga Sulltan Murati II, si ndëshkim për luftën që i shpalli Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut, si dhe u vendos në Edrene të Turqisë.

16. Për trimërinë dhe zotësinë në artin ushtarak që tregoi gjatë betejave me ushtrinë osmane, gjatë betejave në Azinë e Vogël, Skënderbeu mori nga Sulltani titullin e gjeneralit. Skënderbeu studioi në Stamboll artin ushtarak, njihte gjuhën osmane, latine dhe shqip, si dhe shkruante dhe kishte oratori të lindur. Ballkani dhe Azia e Vogël ishin disa nga detyrat e tij ushtarake pas mbarimit të shkollës, duke u dalluar për trimëri.

17. Familja e Kastriotëve kishte një principatë të vogël në malet midis Matit dhe Dibrës, në kufirin verior, në zotërimet e Topiajve. Kostandin Kastrioti e filloi sundimin e tij mbi këtë principatë në vitin 1383.

18. Gjatë gjithë jetës së tij, Gjergj Kastriot Skënderbeu zhvilloi 30 beteja, nga të cilat 29 prej tyre i fitoi dhe vetëm një humbi. Betejat e udhëhequra nga Skënderbeu kanë qenë nga më të fortat dhe më të përgjakshmet.

19. Dy janë uniformat që ka përdorur Gjergj Kastrioti Skënderbeu. E para ishte uniforma e luftës, me përkrenare dhe parzmore. Ndërsa veshja tjetër që përmend Barleti është ajo popullore me qeleshe dhe xhubletë.

20. Eshtrat e Skënderbeut u zhvarrosën nga turqit pas rënies së Krujës, më 1480, 12 vjet pas vdekjes. Varri i tij, që ndodhej në Kishën e Shën Nikut në Lezhë, u dhunua dhe eshtrat u morën si hajmali nga ushtarët turq.

21. Skënderbeu ka deklaruar se, “unë jam pasardhës i Pirros së Epirit”. Marin Barleti në veprën e tij thotë se Skënderbeu i referohej shpesh origjinës së Pirros.

22. Dy herë Papa Piu II kërkoi të vinte në Shqipëri me qëllim kurorëzimin mbret të Skënderbeut. Në arkivat e Vatikanit ndodhet dokumenti që do të kurorëzonte Skënderbeun, Mbret të Epirit.

23. Emrin e Skënderbeut e mbajnë të paktën 10 objekte dhe institucione. Tri rrugë në Tiranë, Durrës e Krujë; një muze në Krujë, një fshat në Librazhd, një pije alkoolike konjak, një skuadër futbolli e Korçës, universiteti ushtarak, një titull i lartë, “Urdhri Gjergj Kastriot Skënderbeu” dhe një shesh në kryeqytet.

24. Emri i Skënderbeut u propozua nga Sami Frashëri t’i vendosej kryeqytetit të vendit. Në 1889 në veprën e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, Frashëri mendon që qyteti të ngrihej në fushën e Tiranës.

25. Biografi i parë i Skënderbeut ka qenë Marin Barleti, në vitet 1504, me veprën “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, botuar në gjuhën latine. Ndërsa në gjuhën shqipe Fan Noli, Sabri Godo dhe historiani Kristo Frashëri.

26. Familja e Kastriotëve kishte një principatë të vogël në malet midis Matit dhe Dibrës, në kufirin verior, në zotërimet e Topiajve. Kostandin Kastrioti e filloi sundimin e tij mbi këtë principatë në vitin 1383.

27. Rreth 60 kilometra katror dhe një kështjellë iu dhuruan Skënderbeut nga Mbreti i Napolit, Alfonso, në shenjë mirënjohjeje për ndihmën që i dha. Ky vend edhe sot është pronë e pasardhësve të Skënderbeut.

28. Lekë Zaharia, Moisi Golemi, Hamza Kastrioti, Gjon Muzaka, Pal Engjëlli, Gjergj Araniti, Andrea Topia, Vrana Konti, ishin bashkëpunëtorët më të afërt të Skënderbeut. Megjithëse dy prej tyre e tradhtuan.

29. Fjalimi më i rëndësishme dhe më i mbajtur mend, është ai i mbërritjes në qytetin e Krujës. Fjalët “lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta në mesin tuaj”, kanë vlerë letrare dhe mendimi edhe sot e kësaj dite.

30. Për Gjergj Kastriot Skënderbeun shkrimtari Longfelloë ka shkruar poemë, opera nga François Francoeur dhe François Rebel dhe një tjetër e shkruar nga Antanio Vivaldi, piktori i madh Rembrand ka bërë pikturë portretin e tij.

31. Për figurën e Skënderbeut dhe për personazhin të tij janë shkruar në të gjithë botën 600 libra, mes tyre romane, libra historikë dhe tregime, madje edhe legjenda, duke e ngritur në piedestal figurën e Skënderbeut.

32. Tri mbahen mend si tradhtitë më të mëdha ndaj Skënderbeut. Nipi i tij, Hamza Kastrioti, princi Moisi Golemi dhe tradhtia në betejën e Beratit, betejë kjo që është konsideruar e vetmja e humbur nga ushtria e Skënderbeut. Ballaban Pasha ishte gjenerali turk që u ndesh më tepër me Skënderbeun. Ballabani ishte shqiptar dhe për portën e lartë ishte i vetmi që e njihte artin e luftës së Skënderbeut. Në një betejë i vrau 8 komandantë të lartë Skënderbeut.

33. Tri herë qyteti i Krujës, që ishte dhe qendra e Skënderbeut, u rrethua nga ushtritë osmane. Dy herë nga sulltanët dhe një herë nga gjenerali më i lartë turk, Evrenoz Pasha. Por nën mbrojtjen e Skënderbeut qyteti asnjëherë nuk ra.

34. Dy sulltanë erdhën vetë në Shqipëri për të ndëshkuar Skënderbeun. Murati II, i cili thuhet se pas humbjes vdiq nga hidhërimi gjatë rrugës së kthimit, si dhe djali i tij, Mehmeti, i cili e la në mes rrethimin e Krujës.

35. Në të tri rrethimet e Krujës Skënderbeut iu desh të përballej me një ushtri shumë herë më të madhe në numër. 100 mijë me Sulltan Muratin dhe po kaq me Sulltan Mehmetin dhe gjeneralët.

36. Titulli Skënderbej “Iskander Bej” ose “Aleksandër i Madh”, iu dha nga Sulltan Murati II, pas fitoreve të betejave në Azi. Gjithashtu iu dha dhe titulli “Sanxhakbej” për zonën e Shqipërisë në vitet 1437-1438.

37. Rreth pesë mijë të vrarë mendohet se është numri më i madh i ushtarëve që ka humbur Skënderbeu në një betejë. Historianët turq thonë se beteja e Beratit ishte dështimi më i madh i Skënderbeut.

38. Një herë Skënderbeu vendosi paqe të përkohshme me Sulltan Mehmetin pas disfatave të ushtrisë turke. Historianët kanë mendime të ndryshme, por Barleti thotë se osmanëve u duhej të linin pak kohë Skënderbeun dhe të merreshin me luftërat në Bosnjë dhe Azi.

39. Më 1443 Skënderbeu braktisi ushtrinë turke. I dërguar nga Sulltani për t’u ndeshur me hungarezët e drejtuar nga Janosh Huniadit, Skënderbeu me ushtarët e tij besnikë largohet nga beteja dhe drejtohet për në Shqipëri.

40. Më 28 Nëntor të vitit 1443 u shpall rimëkëmbja e principatës së Kastriotëve. Kjo ndodhi pasi Gjergj Kastrioti me një sërë masash ushtarake shtiu në dorë qytetin e Krujës dhe atje ngriti flamurin kuq e zi.

41. Lufta e kalorësisë ishte një nga mjeshtëritë e Skënderbeut. Kalorësia e pajisur me armë të lehta ishte një nga më të përdorshmet, duke bërë që të sulmonte radhët e armikut dhe të tërhiqej shpejt.

42. Pas 25 vitesh luftë, në janar të vitit 1468 Skënderbeu thirri një tjetër kuvend me princat shqiptarë. Barleti thotë se ato ditë Skënderbeu u sëmurë rëndë nga ethet dhe shëndeti i tij nuk u përmirësua më.

43. Për vdekjen Skënderbeut ka pasur disa hipoteza. Në veprën e Barletit thuhet se ai vdiq në moshën 62-vjeçare pa asnjë shkak natyror. Vitet e fundit studiuesi Aurel Plasari hedh tezën se Skënderbeu mund të jetë helmuar.

44. Lidhja e Lezhës është i pari bashkim i princërve shqiptarë për të kundërshtuar pushtimin osman. Gjergj Kastriot Skënderbeu ishte organizator i kësaj lidhjeje historike nga ku nisi dhe qëndresa e arbrit.

45. Gjoni, djali i vetëm i Skënderbeut, u largua në Napoli pas vdekjes së të atit, ku mori titullin “Dukë” dhe “Kont”. U martua me Irena Brankoviç Paleologu, pasardhësja e fundit e familjes perandorake të Bizantit dhe patën shumë fëmijë. Pasardhësit u shpërngulën në Leçe, në vitin 1700.

46. Gjyshi i Gjergj Kastriot Skënderbeut, Gjoni, vendosi sundimin e tij në Krujë në vitin 1439, por mësohet se Venediku e shpalli armik dhe i preu kokën në Durrës, në vitin 1402. Pas atij erdhi i biri, Gjoni, babai i Skënderbeut, i cili e mori Krujën përsëri dhe gradualisht e shtriu sundimin e tij mbi Tiranën, Matin, Dibrën dhe Mirditën, nga Prizreni në lindje, deri në detin Adriatik në perëndim.

47. Nga viti 1407 deri më 1430, Gjoni luftoi periodikisht me turqit, u mund 3 herë dhe u detyrua të pranonte kushte të rënda paqeje. Pas humbjes në vitin 1421, ai mbante një kontroll të kufizuar në principatën e tij.

48. Pas Kuvendit të vitit 1443, Skënderbeu më 2 mars të vitit 1444, mbajti Kuvendin pasues në Katedralen e Shën Kollit të qytetit të Lezhës. Ky ishte i pari Kuvend Kombëtar i princërve dhe i fisnikëve shqiptarë të shek. XV.

49. Portreti më i hershëm i Gjergj Kastriot Skënderbeut daton në vitin 1466. Gentile Bellini, në vitin 1466 kur Heroi vizitoi qytetin e Lagunovës në Itali, e pikturoi atë me urdhër të autoriteteve venedikase, sipas autorit Friedrich Kenner, mendohet se portreti ka qenë me profil majtas.

50. Një fakt tjetër në jetën e Skënderbeut është edhe iniciativa papnore enciklike për nderimin botëror të Gjergj Kastriotit. Me iniciativën e tij papa i romes mendoi t’i jepte këtë titull të lartë Heroit tonë Kombëtar, i cili është një nga vlerësimet më të mëdha në atë kohë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat