Të paligjshmit: Përse piratët nuk po sulmojnë më anije?

Speciale

Të paligjshmit: Përse piratët nuk po sulmojnë më anije?

Më: 15 korrik 2014 Në ora: 17:40

Tre vite më parë, banda e Isse Yuluh mori peng një jaht që po udhëtonte rreth botës me një familje daneze me tre adoleshentë. Ata u liruan me një pagesë 3 milionë dollarë.

Yuluh iu kthye detit. Këtë herë doli në breg me një mjet lundrues liberian që mbante naftë dhe një që transportonte lëndë kimike nga Emiratet. Po ashtu mori peng edhe stafin e përbërë prej 48 personash. Pas 10 muajsh negociatash dhe 12 milionë dollarësh, të gjithë u liruan.

Por pavarësisht që është një nga liderët më të frikshëm dhe më të pasur të Somalisë, Yuluh lajmëroi në maj se ai kishte dhënë dorëheqjen nga pirateria dhe u tha miqve të tij që të largoheshin nga kjo punë e pistë. Yuluh nuk është pirati i parë që dorëhiqet. Mohamed Abdi Hassan, një tjetër pirat i njohur, deklaroi më parë se nuk do merrej më me pirateri.

Gjërat po ndryshojnë në biznesin e piraterisë së Afrikës së Lindjes: kombinimi i një force me të madhe në det dhe drejtësia në tokë, po e bëjnë ushtrimin e këtij aktiviteti të paligjshëm gati të pamundur. Në vitin 2011, numri i grabitjeve në det ishte 237, ku bëhet fjalë për Detin e Kuq, Gadishullin Verilindor të Afrikës dhe për veriperëndimin e Oqeanit Indian.

Deri në muajin e shtatë të vitit 2014, kanë ndodhur vetëm shtatë sulme dhe të gjitha kanë dështuar, sipas Byrosë Detare Ndërkombëtare. Numri i pengmarrjeve ka rënë po ashtu. Nga 1206 persona në vitin 2011 në 38 persona deri më sot.

Në qershor, 11 detarë nga Bangladeshi, Sri Lanka, Irani dhe India u liruan pas gati katër vitesh, me një pagesë të vogël ose pa pagesë fare.

“Me shumë pak shpenzime, ne kemi dy vite që nuk lejojmë suksesin e asnjë sulmi piratësh”, thotë Alan Cole, koordinator rajonal i programit të krimit detar për Zyrën e Kombeve të Bashkuara të Drogës dhe Krimit (UNODC).

“Ajo çfarë ka ndodhur është që gjasat e suksesit të sulmeve pirate kanë rënë dhe është bërë një biznes jo i mirë për ta ushtruar”, shton Cole. “Mundësitë e kapjes apo vrasjes janë shumë të larta tani, dhe kur sheh njerëz që zhduken nga horizonti dhe nuk kthehen më, fillon të dyshosh nëse kjo është rruga e duhur për të ndjekur”.

Industria e anijeve i ka parë këto shifra të rënies së piraterisë si një arsye e mirë për të ulur shpenzimet antipirateri. Nga ana e tyre, piratët shprehen se po presin që të ulet vigjilenca ndërkombëtare ndaj tyre dhe se do të kthehen përsëri.

Si operonin piratët?

Metodat e piratëve të Somalisë kanë përparuar shumë dekadën e fundit: gangsterët që mblidheshin në tokë dhe në breg financoheshin nga një organizator anonim që qëndronte në Kenia ose në Emiratet e Bashkuara Arabe. Gangsterët nxirreshin në det me “anije mëmë” të mbushura me furnizime ushqimore që mjaftonin për disa javë, karburant dhe armë.

Kur hasej një shënjestër e mundshme, shpesh mijëra milje larg brigjeve të Somalisë, piratët u hipnin motoskafëve dhe i afroheshin anijes. Deri pak kohë më parë, shumica e anijeve tregtare ishin të pambrojtura, duke ua lehtësuar shumë punën piratëve.

Më pas, anija e marrë peng lundrohej drejt ujërave të Somalisë ku bëheshin edhe telefonatat e para te familjarët e atyre që ishin marrë peng ose te pronarët. Gjithçka që ishte kapur përkthehej në para: ekuipazhi, ngarkesa dhe anija vetë. Pengjet trajtoheshin përgjithësisht mirë dhe liroheshin pa lëndime kur arrihej marrëveshja.

Zakonisht, bandat e piratëve qëndronin një ose dy javë në tokë për t’u çlodhur dhe më pas i ktheheshin sërish detit. Kërkonin gjithmonë shënjestra të majme. Çdo ditë në Detin e Kuq dhe në Kanalin e Suezit bëhen dhjetëra udhëtime të anijeve të rëndësishme të tregtisë ndërkombëtare mes Azisë dhe Europës.

Firhan Ali, një pirat që tani është pa punë, mund të dëshmojë nga eksperienca personale që ato ishin “ditë të mira”. Masat e fundit të ndërmarra nga ndërkombëtarët i kanë bërë ditët e mira të piratëve një të shkuar të largët. Tashmë pirateria nuk është puna fitimprurëse e somalezëve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat