Eduard Shevernaxe, varrmihës i Perandorisë Sovjetike

Speciale

Eduard Shevernaxe, varrmihës i Perandorisë Sovjetike

Më: 12 korrik 2014 Në ora: 09:36

Eduard Shevernaxe vdiq të hënën në moshën 86-vjeçare. Jeta e tij ishte e mbuluar nga ajo e një tjetri gjeorgjian, shumë më të rëndësishëm: Josif Xhukashvili, i njohur sigurisht në mbarë botën nën nofkën e tij partiake, “Stalin”. Kur Shevernaxe lindi në fshatin e tij, Mamati, në perëndim të Gjeorgjisë, në janar 1928, Stalini sapo ia kishte nisur fushatave të tij spastruese në Partinë Komuniste të ish-BRSS, kundër përkrahësve të rivalit të tij, Leo Trocki, për të cilët kishte rezervuar vetëm terror dhe përndjekje. Në darën e policisë sekrete, shumë shpejt do të binin edhe shumë gjeorgjianë të dyshuar si armiq të pushtetit. Në vitin 1937, policia sekrete kish arrestuar edhe të atin e Shevernaxes, Amvrosi, një mësues i thjeshtë lokal. Por në Kaukaz, lidhjet njerëzore vlenin më shumë sesa ideologjia partiake. Mikhail Gorbachev and Hans-Dietrict GenscherNjë ish-nxënës i tij tashmë punonte në shërbimin e fshehtë dhe ndërhyri që Shevernaxe “senior”, pra babai i Eduardit, të lihej i lirë. Përshtatja me frymën e kohës dhe një gatishmëri për të negociuar edhe në situata të vështira, ishin një leksion i vërtetë, të cilin i riu Shevernaxe e nxori për gjithë jetën. Në vitin 1948, kur ishte 20 vjeç, ai hyri në Partinë Komuniste dhe tri vjet më vonë, studioi në Shkollën e Partisë. Në atë kohë tashmë mësohej më shumë si të notoje me rrymën sesa filozofia puritane e Karl Marksit. Më pas, karriera e tij do të njihte vetëm ngjitje. Kur ishte 29 vjeç, më 1957-n, Shevernaxe u bë shef i komsomolasve (të rinjve komunistë) të Republikës Sovjetike të Gjeorgjisë. Një vit më vonë, ai e pa veten në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste Gjeorgjiane, dhe në moshën 37-vjeçare avancoi, duke u bërë edhe ministër i Brendshëm i Gjeorgjisë. Ishte gjysma e dytë e viteve gjashtëdhjetë, dhe terrori stalinian tashmë ishte veç një histori. Dhe kështu, duke spikatur në fjalime e biseda tavolinash me funksionarë të PK-së lokale, dhe duke u shfaqur besnik ndaj vijës zyrtare të partisë e Bashkimit Sovjetik, ishin ngjizur tashmë klanet dhe klikat rreth pushtetit. Gjeorgjia, kopshti i lulëzuar i tokës sovjetike, ishte një “El Dorado” për shumë mashtrues, funksionarë shtetërorë lokalë dhe zhonglerë të të gjitha llojeve që mbushnin xhepat e lëvronin tregun e zi. Në këtë botë të socializmit tashmë dekadent e të pashpresë, Shevernaxe në vitin 1972 arriti të bëhej edhe shef i Partisë Komuniste të Gjeorgjisë. Nga këndvështrimi moskovit, ai e bënte mirë punën, e kështu që ia besuan atë post. Ai pushoi nga puna ministra dhe krerë lokalë partie në luftë kundër korrupsionit, me dhjetëra – dhe shumë shpejt e pa veten të stabilizuar në atë zyrë. Mirëpo Gjeorgjia vijoi të mbeste një detonator shpërthyes me korrupsionin që tashmë zhvillohej pa fre, nën darën e një ekonomie të planifikuar, sukseset e së cilës mbuloheshin nga fjalime të zjarrta e plot zell sovjetik. Urdhri “Hero i Punës Socialiste” tashmë zbukuronte gjoksin e Shevernaxes. Në të njëjtën kohë, tek ai kish nisur të ravijëzohej qartë dyjëzimi. Në njërën anë, dallohej një funksionar besnik i partisë. Por edhe një burrë që e dinte se sistemi në fuqi, bazuar në ekonominë e planifikuar shtetërore, tashmë nuk mund të funksiononte. Në këtë aspekt, mendimet e tij përputheshin tërësisht me ato të një tjetër funksionari, thuajse i së njëjtës gradë hierarkike, të cilin ai e kish njohur qysh në kohën kur punonte me rininë komuniste: Mihail Gorbaçov. Kur ky i fundit, në mars 1985, papritur u bë sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste (bolshevike) të Bashkimit Sovjetik, ai nuk harroi ta përfshinte edhe Shevernaxen në planet e tij, duke e shndërruar në njërin ndër bashkëpunëtorët e tij më të afërt dhe emëruar ministër të Jashtëm të Bashkimit Sovjetik.

Bashkadministrator i rrënimit të Perandorisë Sovjetike

Ekspertizë në politikën e jashtme, gjeorgjiani nuk kishte, por ajo në udhëheqjen e re sovjetike nuk është se po kërkohej më. E prekur nga rënia e çmimeve të naftës dhe lufta në Afganistan, superfuqia botërore nën udhëheqjen e Gorbaçovit, për politikën e jashtme nuk kishte zgjedhur një diplomat, por një administrator miqësor për ta ndihmuar atë të rrëzohej pa trauma radikale. Aftësia e kalitur e Shevernaxes në Kaukaz, që të thoshte edhe “po” për të arritur disa kompromise, gjë të cilën e kishin refuzuar më parë funksionarë të tjerë, ishte pikërisht ajo çka kërkohej në atë kohë në Moskë. Kaukaziani shumë shpejt e gjeti gjuhën me krerë perëndimorë shtetesh, e sidomos me ish-ministrin e Jashtëm gjerman, Hans-Ditrih Gensher. Me të, ai negocioi pas rënies së Murit të Berlinit në nëntor 1989, edhe planin për ribashkimin gjerman. Në vitin 1990, ai mori pjesë në shkrirjen e Paktit të Varshavës. Me këtë veprim, tashmë Moska i braktisi ish-aleatët e vet, drejt sferës perëndimore të ndikimit. Edhe republikat sovjetike baltike, ato të Kaukazit Jugor dhe ato të Azisë Qendrore, si dhe vetë Bjellorusia e Ukraina, u shkëputën nga vendi mëmë, Rusia. Vetë Shevernaxe dha bekimin e tij për këtë. Me këtë akt, gjeorgjiani u dëshmua si “varrmihës i Perandorisë Sovjetike”, siç do të pohonte më vonë një ish-diplomat gjerman, bashkëpunëtor i ngushtë i Gensherit. Shumë shpejt, pas shkrirjes së Bashkimit Sovjetik në dhjetor 1991, ia nisi për Shevernaxen “puna më e vështirë që ai pati hasur ndonjëherë në jetë”, siç e pohoi më vonë ai vetë vite më vonë në një intervistë për një televizor perëndimor. Pas një tentative për puç kundër presidentit të parë të zgjedhur me votë të lirë, një ekstremisti nacionalist gjeorgjian, Sviad Gamsaçurdia, Shevernaxe, me ndihmën e kryengritësve, u ngrit në mars 1992 në zyrën e kreut të Këshillit të Shtetit. Për këtë, ai pati edhe bekimin e Moskës. Por ai, nuk ishte i legjitimuar me zgjedhje të lira. E ishte, gjithsesi, dëshira për ta nxjerrë vendin e tij nga kaosi dhe lufta civile. Ai ia arriti kësaj, sidoqoftë me një çmim shumë të lartë.

Me elegancë mes Moskës dhe Perëndimit

Partnerët e tij politikë ishin banditë dhe kriminelë profesionistë, që kishin përjetuar dënime e afera mafioze, nga ata tipat me syze të errëta dielli. Megjithatë, funksionari i moçëm, u mundua t’i refuzonte kryemafiozët. Mirëpo, për të ruajtur e forcuar pushtetin e tij, ai ofroi një fushatë invadore, që u mendua se do ta largonte disi vëmendjen nga problemet jetike në vend: një ndërhyrje në rajonin separatist të Abkazisë, në gusht 1992. Abkazët donin bashkimin me Rusinë në një federatë shumëkombëshe, ndërsa gjeorgjianët i shërbenin idesë së tyre për pavarësi të plotë nga Rusia, duke ndërtuar një shtet me bazë të fortë nacionale. Rezultati ishte më shumë se dështim; një kasaphanë njëvjeçare: Gjeorgjia e humbi luftën, u regjistruan mijëra të vdekur nga të dyja palët. Rreth 200 000 refugjatë gjeorgjianë e braktisën Abkazinë. Republika e vogël u bë kësisoj “de facto” e pavarur dhe në vitin 2008 u njoh nga Rusia. Shevernaxe duhej të mjaftohej kështu me pushtetin e tij vetëm në një Gjeorgji të zvogëluar e të varfëruar. Atje axhendën ditore e përcaktonin korrupsioni, informaliteti, stanjacioni ekonomik dhe kriminaliteti. Edhe familja e Shevernaxes ia nisi të pasurohej në mënyrë të paturpshme. Rezultate zgjedhore të manipuluara, që shkonin nga 73 për qind në vitin 1995, dhe 82 në vitin 2000, me të cilat u zgjodh patriarku politik, jepnin përshtypjen e rreme të një stabiliteti momental. Në aspektin e politikës së jashtme, shefi babaxhan i shtetit gjeorgjian, tashmë balanconte më së miri interesat e Moskës me ato të Perëndimit.

Objekt i atentateve të shumta

Ndërkohë, disa herë me radhë, Presidenti Shevernaxe u bë objektiv i atentateve politike, duke i shpëtuar për fije vdekjes. U rrëzua nga pushteti në nëntor 2003 nga ish-ministri i tij i Drejtësisë, Mihail Saakashvili, i cili u vu në krye të një lëvizje proteste kundër manipulimit zgjedhor, duke sulmuar Parlamentin. Shevernaxe u tërhoq në vilën e tij në periferi të Tbilisit, bashkë me stafin e afërt dhe rojat personale. Pasuesin e tij, Saakashvili, që në janar 2004 u zgjodh president me një rezultat po aq të dyshimtë, prej 96 përqindësh, ai e kritikoi disa herë publikisht. Para së gjithash, ai e akuzonte atë për sulmin që organizoi në Zchinvali, kryeqytetin e Republikës së trazuar të Osetisë së Jugut, në gusht 2008, duke e cilësuar si një gabim të trashë. Marshimi i trupave qeveritare gjeorgjiane provokoi shumë shpejt një reagim shumë agresiv nga Moska. Gjeorgjia, sipas Shevernaxes, e kishte dhunuar tashmë “principin e neutralitetit paqësor”, të cilin do të duhej t’i mbetej besnik. Një mësim të nxjerrë nga përvoja në Abkazi, ai gjithsesi nuk mundi dot t’ia përcillte kurrë pasuesit të vet: që konfliktet politike në Kaukaz, nuk mund të zgjidhen dot me armë. A.P.

Marrë nga “Der Spiegel”

1 – I dërguari i Kremlinit: nga 1985 deri në 1990, Eduard Shevernaxe udhëtoi si ministër i Jashtëm sovjetik në mbarë botën. Fotoja e tregon atë në takim me “Zonjën e Hekurt” britanike, Margaret Thatcher në vitin 1987.

2 – Me Fidel Kastron, si ministër i Jashtëm i ish-BRSS, Havana, tetor 1987.

3 – Biseda të rëndësishme: Shevernaxe kuptohej shumë mirë edhe me ish-ministrin e Jashtëm gjerman, Hans-Ditrih Gensher (nga e djathta në ekstrem). Gjeorgjiani është padyshim edhe njëri ndër autorët dhe arkitektët e Ribashkimit Gjerman.

4 – Duke mbajtur fjalim në OKB, më 25 shtator 1992: pas një puçi shteti kundër presidentit të parë të zgjedhur demokratikisht në Gjeorgji, një ekstremisti nacionalist, Sviad Gamsaçurdia, Shevernaxe në mars 1992 u bë kryetar i një këshilli shtetëror – dhe në vitin 1995 deri në 2003, ishte President i Gjeorgjisë.

5 – Në shumë raste, ai u bë objektiv i atentateve politike: kjo foto e shfaq atë në 29 gusht 1995. Makina e tij shpërtheu në afërsi të Parlamentit gjeorgjian. Shevernaxe shpëtoi vetëm me disa gërvishtje të lehta, por shumë i trembur.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat