Ruanda 1994, 100 ditët e ferrit!

Speciale

Ruanda 1994, 100 ditët e ferrit!

Më: 9 korrik 2014 Në ora: 20:11

Këto ditë mbushen plot 20 vjet nga regjistrimi i njërit prej kapitujve më të errët të historisë moderne të botës. Në vitin 1994, në Ruanda shpërtheu lufta civile mes etnisë hutu dhe tuci, e cila përfundoi në një masakër të vërtetë e të pashembullt që mori jetën e mijëra të pafajshmëve: fëmijë, gra, pleq e burra. Ekstremistët hutu vranë në periudhën 6 prill –meskorrik 1994 rreth 800.000 anëtarë të etnisë tuci dhe gjithashtu hutu të moderuar. Kombet e Bashkuara, SHBA dhe Franca u kritikuan në atë kohë për pasivitetin e tyre. Dy fotografë të klubit të fotografëve e fotoreporterëve britanikë, “Magnum”, Gilles Peress dhe Raymond Depardon, ishin në atë kohë në Ruanda. Fotot e tyre sot janë jo vetëm një dëshmi e gjallë për atë që ndodhi, por edhe një akuzë ndaj mbarë komunitetit ndërkombëtar, duke ngritur me forcë pyetjen: Si mundi të ndodhte një katastrofë e tillë? Sidoqoftë, ajo nuk ishte e vetmja, pasi nuanca të saj u panë në ish-Jugosllavi e Luftën e Kosovës, po në vitet ’90 të shekullit të shkuar, ku masakrat me bazë urrejtjen etnike, vijonin të kryheshin pa drojë në sytë e opinionit ndërkombëtar dhe ku kritikat për OKB-në dhe trupat paqeruajtëse rëndojnë edhe sot e kësaj dite, duke i akuzuar indirekt ata edhe për bashkëfajësi në krim. Krimet kundra njerëzimit dhe ato të luftës në Ruanda, janë sot një temë shumë e rrahur mes ekspertëve të fushave të ndryshme në botë, duke e shndërruar Ruandën në një simbol e nocion të sjelljes e veprimeve të mbrapshta të mendjes njerëzore, kur shteti dhe arsyeja, pushon së ekzistuari.

Tribunali i OKB-së dhe dënimet e munguara

Edhe 20 vjet pas gjenocidit në Ruanda, janë gjykuar nga gjykata speciale e ngritur nga OKB-ja për të dhënë drejtësi, vetëm 70 individë nga mijëra të përfshirë në krime e masakra në vitin 1994. Tribunali Ndërkombëtar i Krimeve në Ruanda (ICTR) ishte në fakt i pari që gjykoi në Afrikë krimet për gjenocid, por pas rreth njëzet vitesh përpjekje e dhënie argumentesh ligjore, si dhe një shume prej 1.7 bilionë dollarësh shpenzime, vetëm një sasi e vogël ruandezësh përgjegjës për masakrat, janë sjellë para drejtësisë. Vitin e ardhshëm, ambientet gjyqësore të ICTR-së në Arusha, në Tanzaninë fqinje, janë planifikuar të kthehen në duart e autoriteteve lokale dhe kësisoj të shërbejnë si qendra konferencash ndërkombëtare. ICTR ka bashkëpunuar me lidershipet vendore të cilat dikur kishin motivuar edhe milicitë ndërluftuese. Shtyrjet e proceseve gjyqësore shkaktuan në disa raste edhe vonesa me 10 vjet për dhënie vendimesh. Një total prej 92 vetësh, shumica nga komuniteti hutu, u dënuan për rolin e tyre në 100 ditët e gjenocidit që shkaktoi vrasjen e 800000 vetëve. Nëntë të dyshuar – duke përfshirë edhe Félicien Kabuga, i akuzuar se ka shitur armë për milicinë hutu dhe që ishte bashkëpronar i radiostacionit “Mille Collines”, i cili transmetoi fushata urrejtje kundër etnisë tuci – nuk kanë mundur kurrë të gjenden e të gjykohen. Shumë të dyshuar mendohet se janë fshehur në Kongon Lindore.

10 vite me proceset e dështuara “gacaca”

Qeveria ruandeze ka paralajmëruar me kohë se procesi i gjykimeve për konfliktin në Ruanda do të merrte më shumë se 200 vjet nëse do të vazhdohej të procedohej sipas metodave të ICTR-së. Vendi duhet t’i anashkalojë formalitetet ligjore për të shpejtuar procesin e dënimit dhe të nxisë atë të pajtimit nëpërmjet metodës tradicionale që quhet “gacaca”. Gacaca do të thotë në gjuhën vendase që të ulesh këmbëkryq në mes të fshatit në një fushë me bar e të gjykosh hapur e publikisht. Gjykatat informale kësisoj patën një jetë prej dhjetë vjetësh, duke funksionuar nga viti 2002 deri në 2012, periudhë gjatë të cilës qeveria vlerësoi se 1.9 milionë njerëz dolën përpara gjyqeve popullore, me gjykatës të zgjedhur nga komunitetet lokale. Të akuzuarve iu dhanë dënime më të shkurtra në këmbim të rrëfimit dhe kurajimit për të kërkuar e nxitur faljen nga familjet e viktimave. Disa të akuzuar janë dënuar edhe me punë të rëndë të detyrueshme. Grupet e të drejtave të njeriut, i kanë kritikuar proceset e “gacaca”-s se nuk kanë arritur standarde ndërkombëtare dhe se kanë rrezikuar dëshmitarët që kanë dhënë prova e dëshmi.

Foto 2: Kjo foto vjen nga një spital në Kabgayi, 40 kilometra nga kryeqyteti ruandez, Kigali.

Foto 3: Ushtarë të Frontit Patriotik Ruandez, (RPF), rebelët Tutsi, mbikëqyrin një rrugë në Nyamata. RPF pas luftës civile në Ruanda, nën drejtimin e liderit të tyre Paul Kagame, mori edhe pushtetin ekzekutiv në vend

Foto 4: Fëmijë jetimë në kampin e refugjatëve, Mgëanza

Foto 5: Fëmijë, pjesërisht jetimë, në një kamp refugjatësh në Zaire (sot: Republika Demokratike e Kongos)

Foto 6: Gjurmë të orës së fundit të frëngjishtes në një shkollë për fëmijët në Nyarubuye, ku u vranë më pas më shumë se 1.000 refugjatë tuci nga civilët paraushtarakë Hutu. Fjala e fundit në dërrasë të zezë, thotë: “Sot mungojnë shumë nxënës në mësim”.

Foto 7: Pas masakrës së Nyarubuye, nga refugjatët e atjeshëm mbetën vetëm kockat dhe pjesë nga veshjet e tyre.

Foto 8: Trupat mbulojnë sipërfaqen para kishës së Rukaras, 45 kilometra në jugperëndim të Nagalit.
Foto 9: Paul Kagame (në makinë), lideri i Frontit Patriotik Ruandez, (RPF), në afërsi të kryeqytetit Kigali. Kagame qysh nga viti 2000 është president i Ruandës
Foto 10: Refugjatët hutu nga Burundi e ndërtuan këtë kamp. Kur po afrohej Fronti Patriotik i Ruandës, ata morën sërish arratinë, këtë radhë ndoshta në Tanzani.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat