Jeta në arrati e terroristit më të kërkuar, Osama Bin Laden

Speciale

Jeta në arrati e terroristit më të kërkuar, Osama Bin Laden

Më: 7 korrik 2014 Në ora: 13:29

Prej vrasjes së Bin Laden, qeveria pakistaneze krijoi një komision për të kuptuar sesi forcat amerikane kishin dhunuar sovranitetin e Pakistanit pa pasoja të padëshirueshme dhe sesi Bin Laden, burri më i kërkuar në botë, ishte strehuar fshehurazi në Pakistan për aq gjatë

Raporti që po lexoni, është formuar nga të dhënat e dëshmitarëve dhe nga hetimet e komisionit të zbuluara ekskluzivisht për Al Jazeera. Osama bin Laden, ish-lideri i Al-Kaedës dhe një herë e një kohë njeriu më i kërkuar në botë, jetoi në Pakistan për nëntë vite dhe qëndroi në të paktën gjashtë vende të ndryshme.

Teksa mbante një profil që nuk binte në sy, ai e shmangu gjurmimin falë dështimit të autoritetit të organeve civile dhe ushtarake pakistaneze, nxjerr në pah Komisioni i Abotabadit.

Shërbyen dëshmitë e grave të Bin Laden dhe gruas së një prej korrierëve të tij, zyrtarëve të inteligjencës dhe personave të tjerë, për të formuar një imazh të plotë të jetës në arrati të Bin Laden dhe rojeve të tij.

Historia fillon në muajt e parë të vitit 2002, kur Osama bin Laden u dyshua se kishte hyrë në zona veriperëndimore pakistaneze, duke shmangur kapjen nga SHBA në Betejën e Tora Bora në Afganistan në dhjetor të 2001.

Nuk është e qartë ku qëndroi fillimisht ai, por zyrtarët e shërbimit inteligjent thonë se besojnë se ka kaluar kohë në zonat fisnore të Uaziristanit Jugor dhe Bajaurit.

Gjurmët rishfaqen përsëri në mes të vitit 2002, kur Marjam, gruaja e Ibrahim al-Kuvajti, një korrier dhe roje i besuar i Bin Laden, konfirmon se ajo udhëtoi me “një arab të gjatë dhe të rruar” nga qyteti i Peshavarit në Luginën Suat. Suat ishte vendlindja e Kuvajtit dhe vëllait të tij, Abrar.

Vëllezërit ishin besnikë të ish-liderit të Al-Kaedës për sa kohë ai qëndroi në Pakistan dhe njëkohësisht kishin lidhje me Khalid Sheikh Muhammad, ideatorin e sulmeve të shtatorit kundër SHBA, i cili mendohet se i kishte rekrutuar ata në Al-Kaeda.

Në Suat Bin Laden u ribashkua me një nga vajzat e tij dhe me gruan e tretë, Amal Ahmad Abdul Fattah al-Sadah, një 29-vjeçare nga Jemeni.

Kur ai u bashkua me Marjamin, Ibrahimin dhe Amalin, ishte i shoqëruar edhe nga dy burra të tjerë: një shofer dhe një person të veshur me uniformë policie. Identitetet e tyre mbeten të panjohura.

Grupi jetoi në Suat për gjashtë deri në tetë muaj, gjatë kësaj kohe “arabi i gjatë” nuk u përzje me familjet e korrierëve. Në këtë kohë, gruaja e Bin Laden, Amal, mbeti shtatzënë dhe korrieri i tij Abrar al-Kuvajti u martua me një pakistaneze nga Kohat, e quajtur Bushra, e cila iu bashkua grupit.

Veprimtaritë e jashtme të grupit ishin shumë të kufizuara. Marjam dëshmoi se një herë kur po vizitonin një pazar aty pranë, makina e tyre me Bin Ladenin brenda u ndalua nga një polic trafiku për tejkalim të shpejtësisë.

Ibrahim, megjithatë e zgjidhi shpejt çështjen dhe burri më i kërkuar në botë vazhdoi rrugën e tij. Në fillim të vitit 2003, Osama Bin Laden u vizitua nga Khalid Sheikh Mohammad. Ai shoqërohej nga bashkëshortja dhe shtatë fëmijët e tij. Ideatori i sulmeve mbi Kullat Binjake qëndroi në Luginën Suat për dy javë. Një muaj më pas, në mars të po atij viti, ata panë që Mohammad ishte arrestuar nga një operacion në bashkëpunim i CIA-s dhe ISI-t.

Lajmi e tronditi Bin Ladenin ndaj tri ditë më pas, i shoqëruar nga vëllezërit Ibrahim dhe Abrar, u largua nga Suat. Dy ditë më vonë Ibrahim u kthye për të marrë gratë dhe fëmijët dhe për t’i dërguar ata në Peshavar, ndërsa Marjam dhe Bushra udhëtuan në Kohat, ku ndenjën në shtëpi të ndara. Vendstrehimi i Bin Laden mbeti i panjohur.

Pas disa kohësh, një agjenci inteligjence kontaktoi, infiltroi ose bashkëpunoi me rrjetin ndihmës të OBL-së dhe zhvilloi një çështje të mbushur me informacione.

Tre muaj më pas, Marjam dhe Bushra udhëtuan në një shtëpi në periferi të qytetit Haripur, rreth 35 km në jug të Abotabadit, ku gjetën Osama bin Ladenin dhe gruan e tij, Amal, së bashku me vëllezërit Ibrahim dhe Abrar.

Gjithashtu, në shtëpi ishte edhe gruaja e dytë e Bin Ladenit, Siham Sabar, me kombësi saudite e njohur si “Sharifa”, djali i saj, Khalid bin Laden, dhe dy vajza të tjera të Bin Laden, Sumaja dhe Mariam, të dyja te të njëzetat. Grupi qëndroi në shtëpinë me tri dhoma gjumi dhe një oborr të madh për dy vjet. Në Haripur, burrat kurrë nuk përdornin celularë për të bërë telefonata.

Ata udhëtonin 150 km dhe bënin telefonata nga telefonat publikë. Asnjë “i ftuar” nuk i vizitoi ata gjatë qëndrimit në vendstrehim. Në korrik të vitit 2004, Bin Laden kishte blerë tokë për të ndërtuar një shtëpi të re në Abotabad, 85 km në veri të kryeqytetit Islamabad. Ndërtimi zgjati një vit. Shtëpia ishte e rrethuar nga mure të veçanta që i mbanin familjarët larg syve kureshtarë. Ndërtesa njihej si “Shtëpia Vaziristan” ose thjesht si “Shtëpia e Madhe”.

Jeta brenda mureve të larta ishte shumë strikte. Bin Laden merrej personalisht me edukimin fetar të fëmijëve të tij. Familjet jetonin në të njëjtin vend, por ishin plotësisht të ndara nga njëra-tjetra. Gjatë asaj kohe, personat që jetonin me të, përveç rojeve, nuk e njihnin identitetin e vërtetë të Bin Laden. Kreu i Al-Kaedës vazhdoi ta udhëzonte grupin përmes korrierëve të tij.

Kur CIA arriti të gjejë numrat e telefonave publikë që përdornin korrierët e Osama Bin Laden, ai ishte çasti që tronditi arratinë e terroristit më të kërkuar të kohës. Operacioni për kapjen e tij u bë më 2 maj 2011 në Pakistan, ku Bin Laden mbeti i vrarë me një plumb në anën e djathtë të kokës. Dy gra u gjenden duke qarë mbi trupin e tij. Pas identifikimit në Afganistan, trupi i Osama Bin Laden u hodh në det.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat