Ju tregoj kryengritjen e Spaçit në majin e vitit 1973

Speciale

Ju tregoj kryengritjen e Spaçit në majin e vitit 1973

Më: 21 prill 2014 Në ora: 13:23

Një nga të persekutuarit e diktaturës komuniste, Bashkim Fishta rrëfen par gazetën ‘DITA’ se çfarë ndodhi në burgun e Spaçit në majin e largët 1973, revoltën e të burgosurve dhe se si u pushkatuan pa gjyq katër të burgosur. Këto ditë ai ka botuar një libër tronditës me kujtime nën titullin “Liri në hekura”. Por, përtej librit, ai ka edhe shumë kujtime mbresëlënëse që në të vërtetë plotësojnë një tablo jete të skëterrshme. Krahas shumë librave të tjerë që janë botuar nga ish-të burgosur politikë, ky i Bashkim Fishtës është padyshim nga më të mirët, pasi shquan për realizmin dhe analizën që i bën asaj periudhe. Cilat ishin kërkesat e të burgosurve të rebeluar të Spaçit, dialogu i ish-zv/ministrit të Brendshëm Feçor Shehu me bashkëfshatarin e tij Hajri Pashaj dhe çfarë ndodhi më tej me organizatorët e atij rebelimi. Emri i një ish-futbollisti që ishte torturuesi më i tmerrshëm i Bashkim Fishtës para ridënimit për shkak të revoltës së Spaçit. Të gjitha këto në këtë rrëfim të Bashkim Fishtës.

Revolta e Spaçit

Ishte si shpërthimi i mijra minave së bashku, si shembja e një dige të një hidrocentrali të fuqishëm, u duk si shpërthimi i pa pritur e i pakontrolluar i një vullkani, ky ishte edhe vlerësimi që diktatura komuniste i dha qysh në hapat e para, asaj që u stigmatizua revolta e Spaçit. Asnjë nga të burgosurit nuk mund të duronte në pafundësi, padrejtësitë e atij regjimi diktatorial, kupa nuk mbante më, adrenalina që dalëngadalë po derdhej, nuk mund të frenohej më, mund të parashikonim pasojat e sjelljes sonë, por asgjë nuk mund të na ndalonte, kryengritja kishte filluar. Mund edhe të vdisnim nën breshëritë e rojeve, por të paktën për një ditë, një ditë të vetme ia dolëm t’i jepnim një kuptim jetës sonë, vetëm për një ditë!

Rreth treqind të burgosur u vërsulën kundër rojeve, duke i detyruar të tërhiqeshin, dora dorës të gjithë të burgosurit e tjerë morën zemër dhe në një kohë të shkurtër, numri i kryengritësve u rrit nga treqind, në njëmijë e njëqind; në atë pikë asnjë nuk mund të tërhiqej më prapa, tanimë ishim të gjithë të përfshirë në përleshje, trup ine trup me forcat e policisë.

Në një moment mu afrua Bedri Çoku, një intelektual nga Fieri, i burgosur së bashku me dy vëllezërit e tij, si kundërshtar politik të regjimit dhe më tha: “bëjmë diçka që të mos e harojnë kollaj, këta këlysh kurvash, sot është dita më e rëndësishme e jetës sonë, eja, eja të bëjmë diçka Bashkim”. Ç’histori ajo e Bedriut. Një familje e shkatërruar nga regjimi. I ati, i dënuar me njëmbëdhjetë vjet burgim me padinë armik i popullit. Bedriu dhe i vëllai më i vogël, Çaushi, të dëbuar nga qyteti i Fierit dhe të dënuar me punë të detyruar (internim), deri ditën që duhej të niseshin për shërbimin e detyruar ushtarak, gjatë të cilit u procesuan dhe u dënuan me njëzetepesë vjet secili, dënim që të dy, do ta kryenin ne burgun e Spaçit. Se fundmi, si për ti vënë kapak, edhe vëliai më i madh, Esati, u dënua me tetë vjet për agjitacion e propagandë, kundër qeverisë. (Pas rënies së regjimit, Bedriu, i liruar në vitin 1991, vendoset në Tiranë ku ndodhet edhe sot e kësaj dite, ndërsa i vëllai Çaushi, është stabilizuar në Romë me familjen, të tjerët në Fier, në qytetin e tyre të lindjes).

Pas një këshillimi të shkurtër, ku morën pjesë edhe tre shokë të tjerë, Hodo Sokoli, Luan Koka, Luan Burimi dhe Nuri Stefa, u vendos që hapi i parë të ndërmerret me hapjen e qelive të izolimit. Burimi, B. Çoku dhe unë, u ngarkuam me këtë detyrë, sa delikate aq edhe të rrezikshme, të nxirrje të dënuarit, nga ata biruca izolimi, të ruajtura natë e ditë, nga një rrjet i dendur armësh zjarri, ishte më shumë se çmenduri, megjithatë nuk kishte kohë për tu menduar shumë; duke u zvaritur barkas, arritëm deri tek telat me gjemba, filluam të gërmonim paksa, në mënyrë që të rrëshqisnim nën telat me gjemba, mundësisht pa u vënë re nga rojet, që me gjithë rrëmujën e madhe, qelitë e izolimit i mbanin nën shënjestër. Së fundi duke qenë të ndihmuar edhe nga shokë të tjerë, arritëm t’iu jepnim sinjal shokëve në izolim që të ishin gati për të dalë nga birucat me sinjalin e parë. Luani e Bedriu me anën e një shuli mundën të shpërthenin dyert e dhomave të izolimit, ishin rreth dymbëdhjetë vetë të izoluar, rojet na kishin diktuar, filloi zbrazja e breshërive të automatikut në drejtim të dhomave të izolimit, për fatin tonë, qoshja që kishim zgjedhur për zbrazjen e birucave, mbrohej nga breshëritë e automatikut prej bujtinës ku flinim ne të dënuarit politikë.

Frika ishte e madhe, por për fat, dolëm të gjithë të pa lënduar nga kjo iniciativë e marrë. Kryengritja po ecte mbarë për ne, po jepte frutat e veta, e vërteta qe, se asnjë nga oficerët, apo policët e shërbimit, nuk mendonin kurrë se një turmë të burgosurish, të torturuar deri në palcë, të pa ushqyer, do të kishin ende fuqi të kundërshtonin “partinë e tyre” me atë vendosmëri deri në vetëmohim.

Në asnjë burg ose kamp me punë të detyruar, nuk ishte parë kurrë ajo që po ndodhte në Spaç të Mirditës. Diktatori ishte tronditur, për të “qetësuar rebelët armiq” kishte dërguar në Spaç, zv/Ministrin e brendshëm Feçor Shehun, i shoqëruar nga gjenerali i korparmatës së Burrelit në krye të një force ushtarake të armatosur deri në dhëmbë, të përbërë nga trupa speciale të ndërhyrjeve të shpejta, e deri tanke e autoblinda të vegjël për terren malor.

Territori i Spaçit iu nënshtrua, tre rrethimeve të rrepta nga trupat e korparmatës së Burrelit, asnjë nuk guxonte të hynte në territorin e të burgosurve! Një tentativë u ndërmor nga një kolonel i trupave speciale, por dështoi, tentativën për të hyrë me njerëzit e tij, në territorin e të burgosurve politikë. Thonë se e pagoi shtrenjtë, duke marrë plagë shumë të rënda në kokë, kjo ndodhi u mor si një sinjal, se të burgosurit politikë ishin shumë të zemëruar dhe të vendosur t’i çonin gjërat deri në fund.

Rreth orës njëzet të mbrëmjes, një zë i fortë që vinte nga një megafon shumë i fuqishëm, i cili urdhëronte të gjithë të dënuarit të hynin nëpër fjetoret e tyre brenda orës njëzetenjë. Kush nuk i bindej këtij urdhri të prerë, do të pushkatohej. Kaq vlente jeta e një të dënuari politik!

Asnjë nga shokët nuk lëvizi, të gjithë ndenjëm në atë tarracë, ndoshta me shumë frikë në zemër, por gjithsesi, pa lëvizur nga vendi, edhe nga ana tjetër e barrikadës, asnjë urdhër për hapje zjarri nuk u dha. Qëndruam duke bërë xhiro në tarracë, gjatë gjithë natës.

Ishte një natë e mrekullueshme pranverore. Mirë thonë se në pranverë rinovohet gjaku, e kështu ndodhi, megjithëse ndodheshim përpara një situate shumë të vështirë, mijëra mendime përshkonin mendjen time, gati gati fillova të ëndërroja, ishim krenarë se të paktën atë natë ishim të lirë të vendosnim të mos flinim, për të pirë një cigare, pa pasur frikë se na shihte Preng Rapi, ishim të lirë të flisnim me zë të lartë, ose të rrija i mbyllur në vetvete, sepse edhe ky gjest ose veprim ishte shumë rrezikshëm për regjimin.

Të paktën për një natë isha i përfillur, isha njeri i lirë. I lirë vetëm për një natë.

Të nesërmen? Eh nesër me siguri diçka do të ndodhë, për të mirë ose për të keq, nuk e di, por jam i sigurt se diçka do të ndodhë, të gjithë ne ishim të ndërgjegjshëm se sipërmarrja jonë do t’i acaronte së tepërmi autoritetet dhe do të hakmerreshin deri në raprezalie.

Kishim shumë frikë, por pikërisht kjo frikë na jepte kurajo për të vazhduar. Në mëngjesin e 22 Majit 1973, komanda fillon përçapjet e para për të mashtruar shokët tanë, dhe ia arrin qëllimit duke tërhequr në grackë dy – tre persona, duke i mbyllur direkt në dhomat e izolimit special. U kuptua menjëherë se qëllimi i tyre ishte, që të na godiste një nga një, deri në dorëzimin përfundimtar, por përgjigjja jonë qe e menjëhershme dhe e vendosur; vetëm të vdekur mund të na shtinin në dorë, nuk do ti dorëzohemi kurrë dëshirave tuaja keqdashëse. Por Iufta fizike e psikologjike, dalëngadalë po fitonte terren. Një djalë i ri nga radhët e të burgosurve, Skënder Daja, iu drejtua një ushtari në truproje, duke e pyetur, “pse më shikon në mënyrë kaq ngulmuese”. Ushtari me gjysmë zëri e me shumë frikë u përgjigj, (prapa murit të tarracës, nga ku dilnim për në punë): ” Të shoh, se po më duket se ke të njëjtën moshë me mua”. Dhe Skënderi, me të njëjtën ton iu përgjigj: “Po, edhe unë si ti, në këtë moshë duhej të isha në shërbim ushtarak, por fatkeqësisht jam i mbyllur këtu brenda që prej tre vjetësh dhe më mbeten edhe shtatë të tjera për të vuajtur. Po ti a e di se çfarë po ndodh këtu?” Ushtari u përgjigj: “Na kanë thënë se janë në revoltë nja njëzet a tridhjetë vetë e që duhen ndaluar, se janë të sëmurë mendorë”. Atëherë Skënderi filloi të qeshte me të madhe, fatkeqësisht biseda e tyre ishte ndjekur edhe nga një truprojë tjetër.

Menjëherë mbas këtij episodi, u zëvendësuan të gjitha truprojet me polici të shërbimit të burgjeve, dhe trefishuan vend qëndrimet e tyre. Në këto kushte situata sa vinte e keqësohej, kishim shumë frikë se do të fillonin të dorëzoheshin një nga një, e kjo do të ishte fundi që nuk e dëshironim.

Kështu, kishim arritur në mbasditen e ditës së dytë, Mersin Vlashi, një shoku ynë i burgosur prej vitesh, na propozon të shpalosnim një flamur kombëtar, pa yll, drapër e çekan, i cili nuk i përkiste flamurit tonë tradicional me shqipen dy krerëshe, që i kishte demonstruar vlerat me valëvitjet e tij, qysh nga koha e Skënderbeut. Vlashi ngulte këmbë se kemi absolutisht nevojë, për një simbol tonin, që të na prezantojë edhe si një grup njerëzish, të cilët luftojnë edhe për dinjitet kombëtar.

Mbas një konsultimi të shkurtër mes shokësh, u pëlqye propozimi i Vlashit, u vendos që flamuri të vendosej mbi çatinë e fjetores, por problemi kryesor ishte mungesa e një flamuri të tillë, vetë Mersini kishte menduar më parë për zgjidhjen e këtij problemi, i nevojitej një këllëf jorgani me ngjyrë të kuqe, i cili u gjet pa shumë problem, më pas autori, si “piktor” që ishte, i stampoi në qendër një shqiponjë të madhe në ngjyrë të zezë, pa simbolet e komunizmit në qendër.

Një ide e shkëlqyer, flamuri doli me të vërtetë i bukur, shumë shpejt u bë simboli ynë. E lidhëm me një bisht të gjatë fshese, e ngritëm me një ceremoni të improvizuar në vendin ku ishte parashikuar, (emocionet edhe sot më bëjnë të më dridhen duart, teksa shkruaj këto pak rreshta). Shqiponja, simbol i fuqisë dhe lirisë së pakundërshtueshme.

Gjatë gjithë natës, mes 22 dhe 23 majit 1973, flamuri ynë, u valëvit i lirë në qiell, pa simbolet, që i ishin shtuar për interesa politike, kjo bëri që regjimi me përfaqësuesit e tij, jashtë kampit tashmë, të zemëroheshin së tepërmi. Nga Feçor Shehu e komanda e burgut u bënë thirrje të vazhdueshme për ta hequr atë “leckë”, por atë natë ai u valëvit i qetë, gjatë natës u shkëmbyen edhe replika, ndërmjet personelit të kampit dhe të burgosurve. Në paraditen e 23 majit, trupa të posaçme të repartit të “kimisë” arritën të hidhnin një sasi të konsiderueshme bomba lotsjellëse, kjo vuri në panik të madh të gjithë të burgosurit, ishte e pa mundur të luftohej, në kushtet tona, kundër një armiku të padukshëm. Dalëngadalë duart dhe këmbët tona filluan të rëndoheshin.

Dhe momenti më i pa dëshirueshëm erdhi, trupat speciale hynë në aksion pa probleme, për ne ishte një gjendje e tmerrshme edhe nga ana psikologjike, sepse shikoje armikun tënd, të të afrohej me një farë skërmitje të dhëmbëve e ti nuk ishe në gjendje të luaje as gishtin e vogël të dorës. Qëndronim në këmbë si mumje, me gjithë dëshirën e madhe për të reaguar, ishte e pa mundur.

Mbasi mbaroi kjo “ceremoni” e lidhjes të të gjithë të burgosurve, këmbë e duar, u duk në skenë edhe Kryetari i Gjykatës së Lartë, Aranit Çela, që kryesonte personalisht trupin gjykues. Ishte një kriminel i regjur dhe besnik i regjimit të Enver Hoxhës. Një kriminel që kishte firmosur mbi 800 dënime me vdekje, tashmë të ekzekutuara.

Dy orë më pas, Feçor Shehu, zv/Minstër i Brendshëm, njoftoi vendimin e gjykatës së Lartë; si vijon:

Dënim me vdekje, (me pushkatim) me padinë për fyerje të personaliteteve shtetërore, nxitjen e ushtarëve për kryengritje, plagosje për vdekje të personelit të sigurisë kombëtare, organizim të tubimeve të ndaluara e kundër pushtetit popullor. Kryetari i gjykatë së lartë shoku Aranit Çela vendosi: ekzekutimin me pushkatim pa apel, të të pandehurve: Hajri Pashaj, Dervish Bejko, Skënder Daja dhe Zef Pali. Për dy të dënuarit e tjerë do të vendosë gjykata bashkë me ata që do të arrestohen mbas pak.

Por e vërteta ishte krejt ndryshe: Hajri Pashaj (i cili ishte bashkëfshatar i Feçor Shehut) u dënua me vdekje, sepse pati guximin të kërkonte dhe të mbronte deri në fund, mendimin e tij, për të drejtat e të burgosurve politikë, gjë që e tregoi edhe gjatë zhvillimit të kryengritjes, në përballje me zv/Ministrin e Brendshëm, në lidhje me të drejtat dhe zbatimet e ligjeve ndërkombëtare për të burgosurit politikë, të cilit i tha: “Duam që qeveria juaj të lejojë një komision ndërkombëtar, që të mund të verifikojë nga afër gjendjen konkrete dhe kushtet higjeno-sanitare, konditat ekonomike me të cilat ushqehen e trajtohen të burgosurit politikë në Shqipëri, kushte pak të thuash çnjerëzore, si në vendet e punës dhe në fjetore”. Më pas zv/ Ministri e pyeti: “Më thoni i dënuar, përse e ngritët flamurin kombëtar, pa simbolet e tij, drapër e çekan ?” Dhe Hajri Pashaj nuk nguroi t’i përgjigjej; “Ai është Flamuri ynë Kombëtar, shqiponja dy krenare ka qenë gjithmonë simboli i tij, yllin, draprin dhe çekanin ia keni shtuar ju, pas formimit të partisë komuniste dhe pa pyetur qoftë formalisht, në një plebishit, partitë e tjera e në mënyrë të veçantë popullin tonë.

Përse duhej të pushkatoheshin katërtë rinj, me një moshë që shkonte nga 21 deri 31 vjeçare? Përse? Edhe njëherë nuk kishin mundur të fshihnin tiraninë e tyre, mizorinë e tyre të pashpirt e të pa fund.

Ridënimi

… 23 maj 1973: Pas një udhëtimi tepër të gjatë, më në fund mbaroi plotësisht edhe efekti i gazit, që për shumë kohë kishte bllokuar gjymtyrët tona, por në të vërtetë, s’e kishte mjegulluar shikimin tonë, duke na lejuar kështu që të shihnim dhe të fokusonim në trurin tonë, në mënyrë të përpiktë, gjithçka ndodhte rreth nesh. Mendja kishte punuar gjatë, duke ç’burgosur të gjitha mendimet, nga më të zymtat. deri tek ndjesitë më ogurzeza.

Efekti paralizues i gazit, i kishte lënë vendin një dhimbjeje të përgjithshme të kockave, papritur dëgjuam rrapëllimën e zhurmshme të një kangjelle të rëndë e të hekurt, makinat ndaluan, një zë i fuqishëm njoftoi, se vendi ku ndodheshim ishte reparti 313.

Pikërisht ai repart prej të cilit u nisa për në Spaç të Mirditës fill mbas dënimit të parë, po në atë oborr, ku rregullorja na lejonte një orë ajrosje në ditë. Por këtë herë, arritëm pa na prekur këmbët në tokë, grushta, shkelma e ulërima, na shoqëruan deri në qelitë tona të “dashura”, të izolimit.

Nuk mbaj mend me saktësi se çfarë ndodhi ato ditë. Kohë më vonë, një shok më tregoi, se më kishin rrahur kaq shumë me grushta e shkelma, saqë nuk më njihnin edhe bashkëvuajtësit e tjerë të qelisë, nga që fytyra ishte shumë e mufatur dhe e mbuluar në gjak, që pas disa orësh arriti të mpiksej, duke lënë në kujtesën tonë shenja të pashlyeshme, të një trajtimi të ashpër e mizor. Ishin thirrur të gjithë kryetarët e degëve, por atë që kam ndjerë më shumë ishin grushtet e shkelmat e një futbollisti, ishte Mehdi Bushati. Çfarë deluzioni! Shokët e mi, megjithëse edhe ata patën të njëjtin trajtim ato ditë, për fatin e mirë, kishin akoma fuqi që të përkujdeseshin për mua e dy tre të tjerë, që ndoshta më të dobët fizikisht, ndodheshim në një gjendje më të rëndë.

Asnjë nuk guxonte të fliste për ç’kishte ndodhur, nga frika, se ndonjë “vesh i keq” mund të dëgjonte bisedat tona, mbase nuk donim vërtetë të kujtonim se çfarë ndodhi në ato tre-katër ditë, dhimbjet e forta, ndoshta nuk na linin të mendonim. Dhimbjet sa vinin e shtoheshin në të gjithë trupin, nuk ishin njësoj, me ato që ndjenim kur u davarit efekti i gazit paralizues, jo, ato dhimbje kishin edhe shenjat e shkopinjve të shumtë që mund të ishin thyer mbi trupin tonë, shenjat e të cilëve u deshën vite që të zhdukeshin.

Dhuna e ushtruar kundër nesh në ato ditë, ishte me të vërtetë e egër. Dhëmbët që më kishin mbetur në gojë, numëroheshin me gishtat e njërës dorë, ishin gjithsej, katër.

Ishin ditë terrori të zi, shumë shpesh na shkonte ndërmend t’i jepnim fund jetës, ndoshta edhe për këtë, filluam grevën e urisë, sepse kushtet në regjim izolimi, dhe torturat e ushtruara ndaj nesh, ishin të papërballueshme. Vështirësitë shtoheshin, sepse në çdo qeli, që në hetuesi normale, qëndronin jo më shumë se katër të paraburgosur, na kishin ngjeshur në çdo njërën prej tyre, të paktën, 12 të dënuar politikë.

… Pas tridhjetë ditësh na transferuan në dhomat e izolimit të Rrëshenit në rrethin e Mirditës. Në ato biruca do të prisnim procesin që do të zhvillohej kundër nesh, në qendrën e rrethit, ku ndodhesh edhe burgu i tmerrshëm i Spaçit. Ishte një tjetër etapë e rëndë, një tjetër sfidë, që duhej të fitoja gjatë rrugës time drejt lirisë.

Ju siguroj se pas pesëmbëdhjetë ditësh, askush, nuk do të ishte në gjendje fizike e psikologjike, që të përballonte një proces me rëndësi jetike, asnjë nuk do të kishte mundësi të mbrohej nga sulmet e prokurorit të Republikës, nga sulmet e gjykatësve, sepse të gjykuarve nuk ju lejohej të kishin avokat mbrojtës, e ne në atë gjendje të përshkruar pak më sipër, na duhej të mbroheshim vetë, ishte gati e pamundur. Duke përtypur djathë për pesëmbëdhjetë ditë rresht, qellëza na ishte mbushur me fllucka uji, sa herë flisnim, plasnin disa prej tyre, ishte një torturë më vete, shumë herë kam shpreh mendimin, se duhet të kishte qenë e parashikuar në programin e tyre një trajtim i tillë ushqimor. Ndoshta e teproj, por me bindje them se një proces të tillë nuk do ta përballonte askush.

Katër shokët tanë (Hajri Pashaj, Zef Pali, Dervish Bejko e Skënder Daja) ishin pushkatuar, madje pa asnjë proces, edhe pse i parashkruajtur. Edhe unë ndihesha fajtor po aq sa ata. Përse të mos i gjykonin, përse t’i vritnin në atë mënyrë? Vetëm për të na frikësuar. Mendoj gjithmonë për ata, nuk mund t’i harroj kurrë, kanë paguar me jetën e tyre të njomë, dënimet e ne të gjithëve.

15 korrik 1973. Salla e gjykatës ishte shumë pranë hetuesisë, megjithatë, dielli përvëlonte, djathi që kishim ngrënë, na shtonte së tepërmi etjen për ujë, në sallën e gjyqit na kishin sistemuar në mënyrë që çdo i paditur, të ishte në mes dy policëve, pra për pesëmbëdhjetë prej nesh, ishin të pranishëm në sallë edhe tridhjetë policë.

Filloi një proces, sa farsë, aq dhe cinik. Them farsë, sepse ata dinin tashmë përfundimin e parapërgatitur të vendimeve të ardhura nga Tirana, edhe ata ishin të bindur për kotësinë e atij procesi, edhe unë bashkë me ta, e dija mirë përfundimin e tij. Dhe ja Prokurori i Republikës Zef Deda i bën të ditur “publikut” pikat kryesore të padisë sime. ” Bashkim Tosum Fishta akuzohesh:

- Si një agjent i një organizate kriminale ndërkombëtare;

- Si një ndër organizatorët e kryengritjes së dështuar;

- Për tradhti të lartë ndaj shtetit;

- Si frymëzues i një organizate revolucionare kundër Enver Hoxhës. Për këto padi, kërkoj trupit gjykues që i pandehuri në fjalë të dënohet dyzetegjashtë vjet burg”.

E njëjta procedurë, të njëjtat akuza, i njëjti rend dite për katërmbëdhjetë të burgosurit e tjerë, i vetmi ndryshim ishte, numri i viteve që do t’u shtohej secilit prej nesh, trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendimin. Mbas pak çastesh, një zëdhënës i gjykatës njoftoi se vendimi do të jepej mbas pesë ditësh…



Kush është Bashkim Fishta

Bashkim Fishta lindi më 30 gusht 1945 në Allajbegi, Dibër. Jetim nga babai, i kalon katëer vitet e para në vendlindje, pastaj shpërngulet në Tiranë. Në vitin 1968, sapo kishte përfunduar institutin teknik, arrestohet me padinë për tradhti të lartë ndaj atdheut dhe dënohet me 15 vjet burg, të cilave u shtohen edhe 10 vjet të tjera gjatë vuajtjes së dënimit, sepse në revoltën e Spaçit ishte në vijën e parë. U lirua nga burgu në vitin 1989. Aktualisht jeton bashkë me familjen në Itali.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat