Dokumenti, Çurçilli dhe Stalini harruan Shqipërinë kur ndanë Ballkanin

Speciale

Dokumenti, Çurçilli dhe Stalini harruan Shqipërinë kur ndanë Ballkanin

Më: 20 prill 2014 Në ora: 17:37

Fati i Shqipërisë u harrua në prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, nëse ajo do të ishte pjesë e influencës perëndimore apo sovjetike. Një fakt të tillë e konfirmon vetë Kryeministri britanik, Uinston Çurçill, në një telegram sekret drejtuar ministrit të Jashtëm, dy ditë pas takimit me Stalinin, në Konferencën e Moskës më 9 tetor 1944. Qartazi dallohet fakti që Çurçilli harroi të përmendë Shqipërinë dhe influencën që duhet të kenë aleatët mbi të. Në reflektim të gabimit të tij, Çurçilli i kërkon ministrit të Jashtëm për të ribiseduar me sovjetikët që Shqipëria të jetë pjesë e një influence të përbashkët, 50 me 50, si në rastin që Kryeministri britanik propozoi për Jugosllavinë.
Në këtë telegram sekret, Çurçilli flet se po gabohet me politikën që të mbështetet një qeveri e LNÇ, me idenë se ajo do rrëzohet shpejt nga pushteti. Nga ana tjetër, në një dokument prej 6 faqesh të prodhuar nga zyra e Kryeministrit britanik, është tepër interesant fakti që Çurçilli ka shpresa se Mbreti Zog mund të kthehet në fron pas lufte vetëm pas një rrëzimi të komunistëve nga vetë populli shqiptar. Ajo që duket në këtë rast, është fakti që Çurçilli ka një mungesë informacioni për Shqipërinë. Në një telegram mbi situatën në Shqipëri, që atij i adreson ministri i Shtetit nga Kajro, Çurçill duke e kthyer mbrapsht, kërkon shpjegime nëse ky informacion ka lidhje me Jugosllavinë.
“Është tërësisht për Shqipërinë, z. Kryeministër”, është përgjigjja që i vjen Çurçillit. Dosja me nr PREM 3/41, e deklasifikuar në vitin 1996 nga Arkivi Britanik, ka një material të përmbledhur të zyrës së Kryeministrit britanik, Uinston Çurçill në rreth 40 faqe. Në të përfshihen kërkesa për informacion që Kryeministri britanik kërkon për vendin tonë, telegrame, si dhe nota me shënime që kanë të bëjnë me çështjen shqiptare. Kjo dosje ka një informacion tepër të rrallë mbi mënyrën se si Shqipëria u trajtua në bisedimet e nivelit të lartë mes Stalinit dhe Çurçillit.
Shënimet e zyrës së Kryeministrit britanik, Uinston Çurçill mbi Shqipërinë më 5 tetor 1944, para konferencës së Moskës më 9 tetor 1944
Dokumenti nr 1P.M /44/641 Kryeministri 5 tetor 1944 Tashmë që evakuimi i gjermanëve nga Ballkani pritet të ndodhë në një kohë të shpejtë, është tepër e nevojshme të rishohim situatën në Shqipëri, si dhe linjën e politikës sonë të ardhshme për të. 2. Forca më e fortë momentalisht në Shqipëri është FNÇ (Fronti Nacional Çlirimtar). Kjo forcë, ashtu si partizanët në Jugosllavi dhe EAM–i në Greqi, është kryesisht nën dominimin dhe kontrollin komunist, ndonëse komunistët me shumë mundësi janë pakicë mes njerëzve me ndikim. FNÇ, që drejtohet nga Enver Hoxha, është organizmi i vetëm, i cili ofroi një rezistencë serioze ndaj italianëve dhe gjermanëve dhe të gjitha ndihmat që kemi dërguar në muajt e fundit në Shqipëri, u kanë shkuar atyre. . I vetmi grup rezistence tjetër është Lëvizja e Legalitetit, nën drejtimin e Abaz Kupit. Kupi është një ishoficer xhandarmërie, i cili sërish është besnik i Mbretit Zog.
Nuk ka asnjë arsye për të dyshuar në integritetin e tij personal, por për shumë muaj ai nuk ka ndërmarrë asnjë aksion pozitiv ndaj gjermanëve dhe është më shumë i shqetësuar në ndalimin e FNÇ për të marrë kontrollin e vendit. Pavarësisht kësaj, ai personalisht nuk është duke bashkëpunuar me armikun, ka qenë në kontakt me “nacionalistët”, duke përfshirë edhe shumë anëtarë të ish-qeverisë kukull. Të dyja palët, si Kupi ashtu edhe nacionalistët, janë tashmë në ankth për të ribashkëpunuar me ne dhe kanë premtuar të luftojnë kundër gjermanëve. Ata kanë ndërmarrë disa aksione të vogla, por nuk mund të na sjellin ne një rezistencë të rëndësishme ushtarake dhe qëllimi i tyre pa dyshim është marrja e mbështetjes sonë për t’u fuqizuar, në mënyrë që të jenë të aftë të vendosin kontrollin mbi Shqipërinë me FNÇ, pas tërheqjes së gjermanëve.
4. Pjesa më e fortë e FNÇsë ka qenë gjithnjë në jug të Shqipërisë. Qendra dhe veriu i vendit janë pak a shumë primitive dhe shumë pak të interesuara për pikëpamjet politike e sociale të ekstremit të majtë. Megjithatë, FNÇ ka zgjeruar së fundmi aksionet e tyre në veri dhe çuditërisht kanë hasur në rezistencë të pakët. Nëse gjermanët tërhiqen shpejt nga Shqipëria, është e pamundur që Kupi dhe nacionalistët, por edhe çdo grup tjetër, të jetë i aftë të kundërshtojë qëllimin e FNÇ për të marrë kontrollin e të gjithë vendit. 5. Interesat tanë në Shqipëri janë të limituara, por ne kemi premtuar në rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë pas lufte dhe për këtë qëllim duhet të kërkojmë rivendosjen e shpejtë të ligjit dhe rregullit, si dhe vendosjen e një qeverie stabël. Do të ishte gjithashtu kundër interesave tanë që Shqipëria të kalojë e gjitha nën influencën sovjetike dhe do të ketë disa rreziqe për këtë, nëse në pushtet vjen një qeveri e LNÇ.
6. Por, në këto kushte, në mendje nuk kam asnjë alternativë, vetëm të mbështesim perspektivën e marrjes nën kontroll të Shqipërisë nga LNÇ pas luftës, dhe ne të përqendrojmë përpjekjen tonë në forcimin e pozicionit tonë me LNÇ, në mënyrë që të kompensojmë influencën sovjetike. I kam dërguar këto pikëpamje tek Macmillan dhe i kam sugjeruar disa aksione të menjëhershme, të cilat mund të ndërmerren (shih telegramin tim nr. 1116 për Caserta)
7. Një rezultat në marrjen e kontrollit të vendit nga FNÇ është se nuk do të ketë një mundësi imediate për Mbretin Zog në marrjen e fronit pas lufte, pasi liderët e FNÇ janë plotësisht kundër tij. Në muajt e fundit, mbështetja për Mbretin Zog, në shqiptarët jashtë vendit është rritur, por mbështetja brenda vendit ka rënë dhe, përveç Kupit e ndjekësve të tij të pakët në numër, nuk ka asnjë grup me rëndësi në Shqipëri që kërkon kthimin e mbretit. Gjithsesi, është gjithmonë e mundur që qeveria e FNÇ, nëse një e tillë vjen në pushtet, do të kthehet në jopopullore dhe herët a vonë do të rrëzohet. Në këtë rast, ndjenjat pro Mbretit mund të rriten. Nga pikëpamja jonë, ky mund të jetë një avantazh, nisur nga fakti që Zogu nuk mund të bjerë nën influencën sovjetike, ndryshe nga liderët e FNÇ. Edhe nëse ne pranojmë një qeveri të FNÇ, duhet të shmangim përkushtimin e thellë ndaj tyre, sepse nëse ata bien nga pushteti, me kthimin e Mbretit Zog, mund të na dobësohet pozicioni ynë në Shqipëri. Konferenca e Moskës, Marrëveshja e Përqindjes, që Çurçilli i propozoi Stalinit
Më datë 9 tetor 1944 u mblodh Konferenca e radhës e Moskës, në të cilën Çurçilli inskenoi të famshmen Marrëveshjen e Përqindjeve. Në të ai skicoi sasinë e influencës që sovjetikët dhe aleatët duhet të kenë në Ballkan, por çuditërisht Çurçilli harroi Shqipërinë. Ja çfarë shkruan Kryeministri britanik në kujtimet e tij, në vitin 1954, në bisedën që pati me Stalinin. “Erdhi momenti i pritur dhe Stalinit i thashë: Le të vendosim për çështjet tona në Ballkan. Ushtritë tuaja janë në Rumani dhe Bullgari. Ne kemi interesa atje, misione ushtarake dhe agjentë. Mos na lejoni të merremi me marrëveshje për çështje të vogla. Deri më tani, si Britania ashtu dhe Rusia, janë të shqetësuar se si do të jetë për ju që të keni 90 për qind dominim në Rumani, dhe le të themi që ne të kemi 90 për qind në Greqi, dhe 50 me 50 për Jugosllavinë.
Ndërsa ky propozim po i përkthehej Stalinit, unë shkrova në një gjysmë letre: Rumania; Rusia 90 për qind; të tjerët 10 për qind Greqia; Britania e Madhe (edhe SHBA) 90 për qind; Rusia 10 për qind Jugosllavia; 50-50 Hungaria; 50-50 Bullgaria; Rusia 75 për qindtë tjerët 25 për qind E shtyva letrën drejt Stalinit, i cili tashmë kishte dëgjuar përkthimin. Pati një pauzë të vogël. Më pas, ai mori një laps ngjyrë blu dhe bëri një shenjë miratimi mbi të dhe e kaloi sërish letrën te ne. Gjithçka u vendos jo në më shumë kohë seç duhet për t’u ulur. Pas kësaj pati një heshtje edhe më të madhe. Letra e shkruar me laps ndodhej në qendër të tavolinës. Unë iu drejtova: A nuk do të mendohet si cinike nëse do të shikohet se ne përjashtuam nga këto çështje në mënyrë fatale miliona njerëz nga mënyra se si morëm vendimin? Ta djegim këtë fletë. Por Stalini u përgjigj: Jo, mbajeni ju!”.
Reflektimi i Çurçillit, dy ditë pas takimit me Stalinin: Harruam ShqipërinëPor dy ditë pas arritjes së kësaj marrëveshjeje me Stalinin, Çurçilli reflekton kur mëson se nuk u përmend Shqipëria. Në një telegram dërguar ministrit të Jashtëm të tij, Kryeministri britanik i kërkon që të këmbëngulin sërish dhe të kërkojnë një marrëveshje për Shqipërinë, në një ndarje të barabartë influence për Shqipërinë 50 me 50, e ngjashme me propozimin për Jugosllavinë. Por nuk ka të dhëna nëse një gjë e tillë u diskutua sërish me sovjetikët. Dokumenti 2 Nr seria; M (tal) 5/4 Kryeministri. Drejtuar sekretarit të Jashtëm:
Një tjetër mbret po rrëzohet. Ne nuk e përmendëm Shqipërinë natën e kaluar, por personalisht mendoj se duhet të insistojmë në një marrëveshje 50 me 50 me sovjetikët. Natyrisht, nëse asnjë nga mbretërit nuk është të lejuar të kthehet mbrapsht në asnjë prej vendeve të tyre dhe të arrijnë një goditje në anën e aleatëve, krijimi i republikave të kontrolluara nga sovjetikët do të jetë model universal. Nuk ka shumë shpresë me politikën e ngritjes së një qeverie nga FNÇ dhe të presim që ata të rrëzohen nga një revolucion, pasi ata të kthehen në të neveritshëm. Sa për “nuk ka asnjë grup të mjaftueshëm që duan mbretin mbrapsht”, ka shumë pak vende në të cilat ndokush kërkon që ata të kthehen. Të lutëm, duhet të flasim për këtë çështje.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat