Shqiptarët e Odesës që duan Rusinë, por jo ndarjen e Ukrainës

Speciale

Shqiptarët e Odesës që duan Rusinë, por jo ndarjen e Ukrainës

Nga: Nga Oksana Grytsenko Më: 18 prill 2014 Në ora: 21:11

Ndonëse jeton në Ukrainë, Piotr Kirpikut i pëlqen të bëjë humor me faktin se në fshatin e tij ukrainasit janë pakicë. Rreth 200 vjet më parë, fshati Zhovtneve u themelua nga shqiptarë, gagauzë dhe bullgarë, që kërkonin strehim për t’i shpëtuar përndjekjes nga Perandoria Otomane. Truallin për të ngritur një fshat ua dhuroi Perandoresha ruse e kohës: Katerina II.
Emocionet për Moskën mes fshatarëve janë të forta këtu, më të forta se në Kiev. Dhe ankthi i tyre po vjen duke u rritur për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve mes të dy vendeve.
“Ka mbështetje shumë të madhe për Rusinë këtu”, thotë Kirpik.
Gjysma e 2,800 banorëve të Zhovtneve janë shqiptarë etnikë. Ata jetojnë kryesisht përgjatë bregut lindor të Lumit Karasulak. Në anën tjetër të lumit jetojnë kryesisht gagauzët, një grup me origjinë turke që gjendet më shumë përtej kufirit, në Moldavi, ku edhe gëzojnë autonomi rajonale. Fshati ka 11 grupe etnike, mes tyre edhe moldavianë, rusë dhe bjellorusë.
Kirpik, i cili është gjysëm shqiptar e gjysëm gagauz dhe thotë se flet lirisht pesë gjuhë të huaja. Ajo që e shqetëson atë është e ardhmja e gjuhës ruse në Ukrainë. Por jo vetëm puna e gjuhës.
Në pamje të parë duket sikur je në një fshat të zakonshëm të rajonit Odesa. Por nëse sheh më me kujdes do të zbulosh shtëpi që janë të stërgjatura, të mbështetura nga njëra anë me kollona. Janë shtëpi tradicionale shqiptare, që ngjajnë me një seri dhomash që ndjekin njëra-tjetrën.
“Ka dallime të mëdha kulturorë ndërmjet Ukrainës perëndimore dhe këtu në jug”, thotë ai. “Ata nderojnë heronj si (Stepan) Bandera apo (Roman) Shukhevych. Por këtu, ne përkujtojmë me nderim ata që ranë në luftën e 1941-1945”.
Kirpik beson se Ukraina duhet të mbetet e bashkuar në kufijtë e sotëm, por gjithashtu mendon se ideja e federalizimit është me vend. Megjithatë, federalizimi për të dhe fshatarët do të thotë më shumë autonomi për rajonin, zgjedhje nga populli të pushtetit lokal dhe më shumë kontroll të komunitetit për buxhetin”.
Ukrainasit nuk dinë shumë për komunitetin shqiptar, i cili është i rëndësishëm në Odesa. Ata njihen edhe me një emër tjetër Arnautë. Të paktën dy emra në Odesa mbajnë emrin e tyre Arnautska e Madhe dhe Arnautska e Vogël. Në fakt, ka vetëm 3,000 shqiptarë në Ukrainë sipas regjistrimit të vitit 2001. Shumica e tyre jetojnë në rajonin e Odesës.
Eksperti politik Artem Filipenko, i cili jeton në Odesa, thotë se pakicat etnike të rajonit kanë mbështetur tradicionalisht Partinë e Rajoneve të Presidentit të saporrëzuar Viktor Janukovyç si dhe Partinë Komuniste. Ata kanë qenë gjithnjë pro-rusë.
Kirpik, i cili është anëtar i Partisë së Rajoneve thotë se ai nuk e di se cilin kandidat do të mbështesë në zgjedhjet e ardhshme. Partia e Rajoneve është në krizë të thellë. E mbërthyer në beteja klanesh të brendshme, popullariteti i saj është më i ulët se kurrë në histori dhe katër anëtarë të saj po kandidojnë për zgjedhjet presidenciale të 25 majit duke shpërfillur njëri-tjetrin.
“Doja të votoja për Dobkinin (kandidati zyrtar i Partisë së Rajoneve) por pastaj lexova programin e tij dhe nuk më pëlqeu”, thotë Kirpik.
Maria Bitova, një shqiptare tjetër, e cila drejton një biblotekë dhe një Muzeum Shqiptar të Etnologjisë në Zhovtneve, më tregoi tenxhere bronzi për gatim, një llok djathi të bërë në shtëpi qumështi i deleve, gërshërë për qethjen e bagëtive, këpucë barinjsh dhe një statujë prej bronzi të Skënderbeut që është heroi kombëtar i shqiptarëve.
Bitova thotë se ndonëse fëmijët e zonës kanë shumë qejf të vizitojnë muzeun, ata vetëm këtu flasin shqip.
“Ne nuk na kujtohen shumë prej fjalëve që dinin gjyshërit tanë”, thotë ajo.
Kirpik thotë se gjuha shqipe ka evoluar, kurse komuniteti lokal di vetëm gjuhën e ruajtur në versionin e katragjyshërve që e sollën këtu në Ukrainë.
“Kështu që kur na vijnë për vizitë njerëz nga Shqipëria në fillim nuk e kuptonim dot njëri-tjetrin, por më vonë gjetëm fjalët të përbashkëta”, thotë ai.
Svitlana dhe Dmytro Stasko janë ukrainas por ata jetojnë në një prej shtëpive më të vjetra shqiptare në fshat së bashku me pesë fëmijët e tyre.
Svitlana Statsko erdhi këtu kur ishte vetëm 9 vjeçe.
“Është mirë të jetosh mes shqiptarëve”, thotë ajo. “Janë shumë të arsyeshëm dhe shumë punëtorrë si njerëz”. Pastaj shtoi se ndryshe nga ata, gagauzët janë shumë më të mbyllur si komunitet.
Në një lëndinë të gjelbër në anën gagauziane të fshatit, Piotr Radugov ndjek me sy një tufë më madhe delesh, dhjetëra dhi dhe një dem. Ai thotë se bagëtia i përket e gjitha banorëve që banojnë të gjithë në një rruge të vetme këtu.
“Shqiptarët barojnë është në anën tjetër”, thotë ai duke treguar delet matanë lumit. Pothuajse çdo familje në Zhovtneve mban bagëti.
Radugov është bullgar etnik, që ka ardhur në Zhovtneve nga një fshat bullgar jo larg. Ai thotë se tensioned e vazhdueshme mes Ukrainës dhe Rusisë nuk do ta kishin bezdisur edhe shumë normalisht se Krimeja në fund të fundit nuk është edhe aq afër e sidomos rajonet lindore të Ukrainës. Mirëpo, tani dy të rinj nga fshati janë mobilizuar nga ushtria ukrainase.
“Kjo na shqetëson sigurisht. Dy djem nga këto janë mobilizuar që të shërbejnë në ushtri në Bilgorod-Dnistrovsky”, thotë ai.
Por çdo shqetësim do të lihet mënjanë kur të vijë 6 maji dhe festa e Kurbanit që festohet nga komuniteti këtu. Ndonëse janë kthyer në të krishterë shekuj më parë, shqiptarët, bullgarët dhe gagauzët festojnë disa festa parakristiane si sakrifica e qingjave në çdo pranverë. (Gazetarja duket se nuk ka shumë njohuri që bëhet fjalë për festën myslimane të Kurban Bajramit. Ndonëse të krishterë, mërgimtarët nga Ballkani vazhdojnë të festojnë atje festat myslimane).
“Njerëzit shtrojnë tavolina jashtë në rrugë dhe të gjithë fqinjët hanë së bashku, qingjat e therrur dhe festojmë këtë festë të madhe deri sa gdhin mëngjezi”, thotë Kirpik. “Kjo është një nga gjërat që na bashkon të gjithëve këtu”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat