Superushtari: Luftëtari robotik i gjeneratës së ardhshme

Speciale

Superushtari: Luftëtari robotik i gjeneratës së ardhshme

Më: 15 prill 2014 Në ora: 17:38

Ushtria amerikane po diskuton aktualisht me kompani të shumta, që variojnë nga prodhuesi i veshjeve atletike Nike dhe gjiganti i avionëve Boeing për të zhvilluar një set pajisjesh për superushtarin e gjeneratës së ardhshme. Trupat e operacioneve speciale pritet që të kenë fuqi mbinjerëzore, sensorë të sofistikuar që i përgjigjen funksioneve të trurit dhe një veshje robotike të pajisur me korracë likuide.

Sistemi njihet në përgjithësi si veshja e “Njeriut të Hekurt”, një hap drejt teknologjisë futuriste që deri tani është paraqitur vetëm nëpër filmat fantashkencorë. Pa ndonjë njoftim publik, Komanda e Operacioneve Speciale ka zbuluar listën e bashkëpunëtorëve në këtë projekt, ku përfshihen gjigantët e mirënjohur të mbrojtjes si Lockheed Martin apo kompani të veshjeve sportive si Under Armour dhe Adidas, si dhe një numër kompanish më të vogla të specializuara në zhvillimin e robotikës apo të pajisjeve për frymëmarrje nën ujë.

Lista e kompanive u publikua në një faqe të re interneti për programin, i cili formalisht njihet si Veshja Taktike e Operatorit të Lehtë të Sulmit. Ndërtimi i faqes së internetit është në funksion të përpjekjeve për të rekrutuar kompani, universitete dhe organizata të tjera me eksperiencë në teknologjinë e avancuar për të marrë pjesë në këtë projekt. Admirali Uilliam MekRaven (William McRaven), komandanti i forcave speciale, dëshiron të fillojë të testojë prototipa të këtyre veshjeve speciale që nga qershori i këtij viti me shpresë se varianti përfundimtar i setit të pajisjeve do të hidhet në aksion nga komandot amerikane rreth vitit 2018.

“Ne po përpiqemi të informojmë mbi atë që kompanitë mund të bëjnë dhe për çfarë kemi nevojë”, thotë Majk Fildson, Mike Fieldson, njeriu që mbikëqyr projektin.

Për momentin, ushtarakët kanë firmosur vetëm pak marrëveshje me kompanitë e interesuara për të punuar me këtë projekt, përfshirë prodhuesin e pajisjeve taktike Revision Military të Vermontit, kompaninë eksperte në robotikë Ekso Bionics të Kalifornisë, dhe zhvillimin e sistemeve të ftohjes Rini Technologies të Floridës. Marrëveshjet që bëhen të ditura publikisht për herë të parë, janë shumë të vockla në krahasim me standardet e blerjeve të botës së ushtarakëve, ku avionët mund të kushtojnë 50 milionë dollarë dhe programet e ndryshme zakonisht shkojnë miliarda dollarë mbi buxhetet e përcaktuara. Marrëveshja me Rinin, për shembull, është një nënkontratë e një marrëveshjeje ekzistuese prej 2,1 milionë dollarësh që kompania ka me Qendrën Kërkimore, Zhvillimore dhe Inxhinierike të Ushtrisë me bazë në Natik, Masaçusets.

Kompania do të ofrojë një frigorifer në miniaturë me peshë jo më shumë se 1.4 kilogramë që do të përdoret për t’i mbajtur komandot që do të përdorin pajisjen të freskët përmes një rrjeti tubash të vendosur në këmishat e tyre.

“Ne jemi ende duke prodhuar pajisjen tonë në punishte”, thotë Daniel Rini, president i kompanisë. “Ne ndoshta do të fillojmë dorëzimin e prototipave tanë brenda katër deri në gjashtë javë prej tani”.

Sistemi i frigoriferit të Rinit do të bashkohet me shumë pajisje të tjera si pjesë e testeve të ushtrisë për prototipat e veshjeve të Njeriut të Hekurt më vonë këtë vit. Kompania Revision, e cila furnizon çdo gjë nga helmetat e luftës te syzet për ushtrinë, do të prodhojë këtë herë “pajisjen e mbrojtjes së kokës së operatorit”, e cila përfshin një helmetë me pajisjet e komunikimit të integruara, një skelet të njohur si Sistemi i Shtimit të Fuqisë Njerëzore, si dhe një korracë të teknologjisë së lartë të dizajnuar për të mbrojtur gjoksin nga plumbat dhe copat e shrapnelit.

“Ne jemi shumë të gëzuar që po lëvizim përtej teknologjisë së ditëve tona dhe kërkesave të sotme të prodhimit për të realizuar novacione për këtë program”, thotë kompania.

Interesi nga programi për Njeriun e Hekurt mund të shpjegojë edhe faktin se pse kompania Revision bleu së fundmi një kompani të vogël me bazë në Otava të Kanadasë, e cila zhvillon bateri të rikarikueshme me litium.

Të dy kompanitë kanë punuar më herët së bashku në shumë projekte, përfshirë skeletin fuqizues. Kompania dhe ushtria mbeten në përgjithësi të kujdesshëm për të mos dhënë detaje mbi teknologjinë e tyre. Nuk ka asnjë fotografi të publikuar mbi produktet e fundit.

Ekso Bionics, ndërkohë siguron “karkasën” për prototipin e Njeriut të Hekurt, thotë Heidi Darling, një zëdhënëse e kompanisë. E themeluar më 2005, kjo kompani ka qenë në pararojë për zhvillimin e eksoskeletit robotik, një pajisje e ngjashme me trupin e njeriut që do të vishet nga ushtarët dhe do t’i mundësojë të mbajnë pesha shumë më të rënda nga sa mban njeriu i zakonshëm. Disa nga këto pajisje janë të disponueshme sakaq për tregun e gjerë dhe janë përdorur gjatë viteve të fundit për terapi fizike, duke u rimësuar individëve që të ecin pasi kanë pësuar plagosje të rënda. Këto pajisje përfshijnë motorë të fuqizuar me bateri në këmbë, të cilat ndihmojnë edhe njerëzit me aftësi të kufizuara fizike.

Ushtria ka më shumë lajme për të dhënë së shpejti për këtë program. Fuke filluar nga java e ardhshme, komanda e forcave speciale do të zhvillojë një aktivitet dymujor në Tampa të Floridës për të nxitur bashkëpunimin mes ushtrisë, kompanive private dhe ekspertëve nga bota akademike.

Zyrtarët e ushtrisë do të ekzaminojnë opsionet për mbrojtjen e komandove që përdorin këto pajisje, fuqizimin e tyre, mbajtjen e pajisjeve të freskëta dhe monitorimin e biomekanikës.

Të gjitha pajisjet do të analizohen nga një numër i madh zyrash të ushtrisë, të cilat merren me teknologjinë e avancuar në fushën e mbrojtjes. Edhe shumë qendra kërkimore universitare po marrin pjesë në krijimin e ushtarit të së ardhmes, njeriut me aftësi mbinjerëzore që do të jetë në gjendje të luftojë sa shumë ushtarë të sotëm njëherësh.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat