Si u vranë 13 veta, vetëm për 1 muaj

Speciale

Si u vranë 13 veta, vetëm për 1 muaj

Më: 9 tetor 2011 Në ora: 01:50

Si pasojë e urdhrit të Alisë vetëm në periudhën 23 maj 1990 deri në datën 8 korrik 1990 u vranë 13 shtetas. Kështu, janë vrarë nga forcat e kufirit të rretheve Korçë, Ersekë, Librazhd, Shkodër, Sarandë, Gjirokastër shtetasit Sokol Lika, Sami Daja, Kujtim Xhaja, Bujar Osmani, Fatmir Duro, Nik Hoti, Pëllumb Pëllumbi, Artan Çemi, Muhamet Nurja, Harallamb Papuçiu, Ilia Dalla, Thoma Boda, Enver Duka dhe është plagosur shtetasi Kristaq Lloci.

Raportet se si zbatohej urdhri i Ramiz Alisë për vrasjet në kufi

Tiranë më 20.06.1990

Për kalimin e paligjshëm të kufirit

Rastet e kalimit të paligjshëm të kufirit po rriten si numër. Gjatë këtij viti, nga muaji janar deri më 19 qershor janë kapur në tentativë për të kaluar kufirin 108 persona dhe është evidencuar nga Hetuesia kalimi i paligjshëm i kufirit nga 46 persona të tjerë. Ndërsa, gjatë vitit 1989 kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme 54 persona dhe u kapën në tentativë 70 persona të tjerë.

Në 16 raste, kur personat nuk kanë qëndruar nga thirrjet e njësive kufitare ndaj tyre është hapur zjarr. Për pasojë janë vrarë 16 persona. Këto kanë ndodhur në këto rrethe: 5 në Shkodër, 4 në Ersekë, 1 në Sarandë, 1 në Peshkopi, 4 në Korçë dhe 1 në Librazhd. Ka patur edhe disa plagosje.

Vrasjet në kufi janë rritur në mënyrë të dukshme në vitin 1990, që ka edhe intensifikim të kalimit të paligjshëm të kufirit. Në të kaluarën ka patur 3 vrasje. Për herë të parë ka patur një vrasje në vitin 1985 në Librazhd dhe dy vrasje të tjera në Shkodër në vitin 1989.

Personat që kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme janë shtuar sidomos gjatë muajit maj 1990 pas ndryshimit të dispozitës së arratisjes në kalim të paligjshëm të kufirit. Pas kësaj periudhe kanë kaluar kufirin 40 persona, janë kapur 66 persona dhe janë vrarë 10 persona.

Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme

Qemal Lame

Tiranë më 6.10.1990

Lënda: Për ushtar Lauro Vorfin dhe 4 persona të tjerë që kaluan kufirin në Korçë

Sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH

Shokut Xhelil Gjoni

Tiranë

Në datën 5.10.1990 në pikën kufitare Vërnik kanë kaluar kufirin Lauro Vorfi, ushtar në Repartin 6555 Kokogllovë dhe 4 persona të tjerë.

Në datën 4.10.1990 në orën 23.15 Lauro Vorfi, duke qenë në shërbim në fjetore ka shkallmuar armaturën e truprojës ku ka marrë 90 fishekë, tre pushkë dhe një automatik. Pas kësaj ka marrë në depon e veshmbathjes, çelësin e të cilës e kishte vetë, një palë rroba të reja ushtarake dhe është larguar në drejtim të paditur.

Në mëngjesin e datës 5.10.1990 njësiti kufitar i postës së Vërnikut ka parë 5 persona, të cilët kishin mundur të prisnin 5 fije të pengesës elektrosinjalizuese. Në momentin e konstatimit, shkelësit kanë qëlluar me armë dhe ushtarët u janë përgjigjur, duke i qëlluar me armë. Njëri perj ushtarëve ka shtirë 10 fishekë, ndërsa tjetri 3 fishekë. Pas këtyre të shtënave të dy ushtarëve ju janë bllokuar armët, pasi fishekët i kishin pa barut dhe kanë ngelur në tytë. Shkelësit, duke përfituar edhe nga mjegulla kanë mndur të kalojnë kufirin. Gjatë kontrollit në vijën e kufirit janë gjetur 2 kapele ushtari dhe një xhaketë ushtarake, e cila kishte edhe pika gjaku.

Nuk janë saktësuar gjenealitetet e personave që kaluan kufirin dhe po vazhdon hetimi.

Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme

Qemal Lame

Librazhd më 31.5.1990

Informacion

Mbi kapjen dhe asgjësimin e disa shkelësave, të cilët tentuan të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme në sektorin e Repartit 210 Librazhd, gjatë muajit maj 1990.

Komitetit të Partisë Rrethit

(Sekretarit të Parë sh. Zenel Hysa)

Librazhd

Për dijeni Komitetit Qendror të PPSH-së

(Sektorit për Organet e P.Brendshme)

Tiranë

Veprimet e efektivit të postës kufitare:

Në orën 03.32 jepet sinjal në aparaturë në sektorin ku kaluan shkelësit e mësipërm. Komandanti i pikës, Arben Duka, mbasi njoftohet nga posta kufitare Rrajcë për sinjalin e dhënë me shpejtësi merr masa për bllokimin e vijës së kufirit dhe në të njëjtën kohë nis grupin për verifikimin e sinjalit të shkaktuar. Në të njëjtën kohë që grupi i verifikimit konkludoi për kalesë të pengesës nga më shumë se 3-4 persona njoftoi komandën e postës dhe pikës dhe vihet në ndjekje të shkelësve. Nga ana tjetër, njësitet bllokuese bien në përpjekje me shkelësat. Në afërsinë 5-6 metra u bëjnë ndalje dhe u kërkojnë që ata të dorëzohen. Kujtim Xheja, i cili udhëhiqte grupin në këtë veprimtari, thirrjes së ushtarëve për ndalje dhe dorëzim ju përgjigj me fjalë fyese, duke i sharë nga nëna e motra, kërkoi të hapet kufiri dhe tentoi të ikë me forcë e vrap në drejtim të vijës së kufirit, në këtë kohë njësiti hapi zjarr ku dhe e asgjësoi atë.

Sekretari i Komitetit Partisë DPBr

Xhevit Kullolli

Viktimat nga diktatura komuniste

Të pushkatuar e të vdekur në burgjet e komunizmit 6535;

Të pushkatuar 5548, mes tyre 91 gra;

Të burgosur 14563, mes tyre 445 gra;

Të vdekur në burg 987, mes tyre 7 gra;

Të futur në psikiatri 308, mes tyre 35 gra;

Të internuar e të dëbuar 21401, mes tyre 9322 gra.

U pushkatuan, burgosën dhe vdiqën në burgje:

Klerikë katolikë 120;

Klerikë bektashinj 83;

Klerikë myslimanë 60;

Klerikë ortodoksë 39.

U shkatërruan dhe u mbyllën

2169 institucione fetare;

Xhami 740;

Kisha e manastire ortodokse 608;

Kisha e manastire katolike 157;

Teqe e tyrbe 530.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat