Vjena rrëzon nga froni Melbournin pas 7 vitesh

Speciale

Vjena rrëzon nga froni Melbournin pas 7 vitesh

Më: 14 gusht 2018 Në ora: 16:28
Vjena

Melbourni i Australisë është zhvendosur për herë të parë nga Vjena, në majën e indeksit global të jetueshmërisë, të hartuar nga “Economist Intelligence Unit”, duke përforcuar në këtë mënyrë pretendimin e kryeqytetit austriak se është qyteti më i këndshëm në botë ku mund të jetohet.

Dy metropolet e sipërpërmendura kanë qenë “kokë më kokë” prej vitesh në studimin e përvitshëm të 140 qendrave urbane, teksa Melbourni mbante vendin e parë në 7 vitet e fundit.

Këtë vit, kërcënimi thuajse inekzistent për sulme terroriste krahasuar me vende të tjera të Europës perëndimore, por edhe normat tejet të ulëta të kriminalitetit, e kanë ndihmuar Vjenën të ngjitet në majën e studimit.

Vjena kryeson prej kohësh mbi një sërë qytetesh për nga cilësia e jetës, sipas vlerësimit të hartuar nga firma konsulente “Mercer”. Por, kjo është hera e parë që kryeson edhe në studimin e “EIU”-së, që ka nisur të hartohet në formën aktuale që prej vitit 2004.

Në ekstremin tjetër të tabelës së renditjes, Damasku ruan sërish vendin e fundit, i ndjekur nga Daka e Bangladeshit dhe Lagosi i Nigerisë. Studimi gjithsesi nuk përfshin disa prej kryeqyteteve më të rrezikshme të botës, si Bagdadi apo Kabuli.

“Ndërkohë që në vitet e fundit qytete të ndryshme në Europë janë prekur nga përhapja e kërcënimeve të perceptuara me natyrë terroriste në rajon, gjë që ka shkaktuar forcimin e masave të sigurisë, viti i kaluar ka shënuar një rikthim në normalitet”, thekson “Economist Intelligence Unit” në raportin e kësaj të marte.

“Prej kohësh pretendente për majën e vlerësimit, Vjena arrin më në fund të zbresë nga froni Melbournin, për shkak të rritjes së vlerësimeve në kategorinë e qëndrueshmërisë së kryeqytetit austriak”.

Vjena dhe Melbourni regjistruan pikët maksimale sa i përket kujdesit shëndetësor, arsimit dhe infrastrukturës. Por, nëse Melbourni zgjeron edhe më tej kryesimin në komponentët e kulturës dhe mjedisit, ky zgjerim është sfumuar nga përmirësimi i stabilitetit të Vjenës.

Osaka, Calgary dhe Sydney kompletojnë 5 vendet e parë të studimit. Londra, për shembull renditet e 48-a këtë vit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat