“Djali i qiellit”, Elton Bugujevci, aviatori më i ri në Kosovë - Bota Sot
“Djali i qiellit”, Elton Bugujevci, aviatori më i ri në Kosovë

Speciale

E hënë, 18 qershor 2018

“Djali i qiellit”, Elton Bugujevci, aviatori më i ri në Kosovë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 1 qershor 2018 Në ora: 09:18
Elton Bugujevci

“Përkushtimi është arma më e fortë e njeriut. Nuk lejon arsyetim por vetëm rezultate”, shprehet Elton Bogujevci

 “Pilot”, ka qenë përgjigja e tij kur në klasën e parë mësuesja e pyeti se çka dëshiron të jetë në të ardhmen. E kjo ëndërr e tij vazhdon edhe sot kur është 16 vjeç.

Madje, tani ka filluar rrugën drejt realizimit të ëndrrës dhe nuk e ka ndërmend të ndalet, pavarësisht vështirësive.

Është ky Elton Bugujvci, nxënës i shkëlqyeshëm që vijon mësimet në klasën e nëntë në shkollën “Don Bosko”.

Eltoni është i vetmi i kësaj moshe që njëkohësisht bën praktikë në Aeroportin e Prishtinës dhe është pjesë e klubit Shqiponjat të Kastriotit.

“Djali i qiellit”

Ekskluzivisht për gazetën “Bota sot”, Eltoni apo ndryshe “Djali i qiellit”, si ai dëshiron të quhet, ka rrëfyer hapat që po ndjek për të ta bërë realitet ëndrrën e tij, praktikën që po bën për pilot, shkollimin që do të vazhdojë dhe ndjesinë që të jetë mbi re, në fluturim.

E gjitha filloi në fëmijëri, kur ai merrte aeroplanë lodra nga prindërit e tij dhe qysh 6 vjeç ai e kishte përcaktuar profesionin kur të rritej, derisa që në moshën 16 vjeçare filloi të fluturonte.

 

A post shared by Elton Bugujevci (@eltonbugujevcii) on

“Dëshirën për të qenë pilot e kam vërejtur si fëmijë, kur prindërit më blinin lodra, aeroplanë dhe mua më kanë pëlqyer gjithmonë ato. Koha kur unë kam thënë “dua të bëhem pilot” ka qenë në klasën e parë, kur mësuesja na pyetke se çfarë duam të bëhemi dhe unë i thosha që pilot. Ndërsa për tu marrë me këtë kam filluar në moshën 15 vjeçare. Fluturime kam bërë edhe më herët, nga mosha 13-14 vjet, mandej kam filluar të merrem me klubin Shqiponjat e Kastriotit, të cilët më përkrahin shumë dhe më ofrojnë edhe fluturime edhe trajnime në të njëjtën kohë”, e nis rrëfimin e tij Eltoni.

Për këtë ai thotë se, përkrahje ka marrë nga prindërit e tij, të cilët e quanin pilot dhe po e ndihmojnë drejtë realizimit të kësaj ëndrre dhe të cilët asnjëherë nuk kanë hezituar në lidhje me profesionin që ai do.

Image

“Prindërit gjithmonë më kanë përkrahur dhe ata kanë qenë shtytës për këtë qëllim, pasi më thoshin “hajde piloti i babit”, apo “piloti i mamit”. Hezitime nuk kam pasur kurrë nga familja. Gjithmonë kam pasur vetëm përkrahje nga të gjithë anëtarët e familjes, por më së shumti nga mami dhe babi”, tregon ai për “Bota sot”.

Derisa për dikë tjetër fluturimi mund të mos ketë ndonjë ndjesi të veçantë, për Eltonin është ndjenja më e bukur, të cilën ai nuk mund ta përshkruajë dhe nëse do të duhej të zgjidhte në mes të tokës dhe qiellit, ai zgjedh të jetë mbi re.

“Ndjenja për të qenë mbi re për mua është më e veçanta. S’mund ta paramendoj jetën përpos që të jem mbi re. Nëse zgjedh në mes të tokës dhe qiellit, zgjedh qiellin, retë. Dhe kam dëshirë të jem “Djali i qiellit””, thotë 16 vjeçari nga Fushë Kosova, derisa tregon dhe dallimin në mes të fluturimit me fluturake dhe me aeroplan.

“Ndjesia kur fluturon me fluturake të vogël është shumë më e mirë se me aeroplan, pasi është e hapur dhe e ndjen erën që ta përkon trupin dhe është kënaqësia më e madhe. Frikë s’kam pas herën e parë, madje kam dashur që ta vazhdoj edhe më shumë. Kam menduar se do të kem frikë dhe që frika ndoshta do të më ndalojë por jo”.

Aktualisht bën praktikë në Aeroportin e Prishtinës

Eltoni tregon edhe ndjenjën se si është t’i sheh aeroplanët nga toka e si kur është vetë në fluturim.

“Zakonisht është kënaqësi t’i shoh aeroplanët nga toka, por nuk krahasohet me ndjenjën që është kur je në aeroplan, në fluturim”, thotë ai përplot entuziazëm që dallohet në fytyrën e tij.

Image

Ai tregon se fluturimin e parë e ka bërë me një fluturake në Ferizaj.

“Para se të filloja trajnimet, kam fluturuar me një fluturake të vogël personale të Shefshet Hazirit në Ferizaj, mandej pasi jam interesuar kam filluar fluturimet tek Shqiponjat e Kastriotit, nga mosha 15 vjeç dhe aty e kam instruktorin Fanol Shala që më përkrah shumë, çdo gjë në lidhje me aviacion”, vazhdon rrëfimin Eltoni.

Aktualisht ai bën praktikë për pilot në Aeroportin e Prishtinës, e për këtë ka treguar më gjerësisht se çfarë bën aty.

“Praktikë në Aeroportin e Prishtinës për pilot, kam filluar para dy muajsh. Falënderoj kompaninë Limak që po ma mundëson që ta bëj këtë praktikë. Aty e bëj më të mirën që më ndihmon mua për profesionin e të ardhmes, nga Limak dhe Autoriteti i Aviacionit që ma mundëson të hy në kullë të trafikut ajror. Në praktikë ajo që bëj është të shkoj tek piloti, e shoh si funksionojnë gjërat, aeroplanët, çka duhet të bëhet deri në nisje, pastaj në zonën e Aeroportit secili person përkatës më tregon se çka duhet të bëj që çdo gjë të funksionojë si duhet. E njëjta gjë bëhet edhe në kullën ajrore, ku ata më tregojnë se si bëhet komunikimi me pilotë, si mundësohet ai, si bëhen lidhjet”, flet i entuziazmuar ai.

 

A post shared by Elton Bugujevci (@eltonbugujevcii) on

Shkollimin do ta vazhdojë në Zagreb

Eltoni dëshiron të vazhdojë shkollimin jashtë Kosovës, që të jetë një pilot profesionist në të ardhmen dhe është këmbëngulës në realizimin e kësaj ëndrre, pavarësisht vështirësive që has gjatë rrugës.

“Pretendimi im është që të jem pilot, pa marrë parasysh se sa herë rrëzohem, do ta bëj realitet ëndrrën që të bëhem pilot profesionist. Shkollimin do ta vazhdoj në Zagreb, në një shkollë të mesme teknike të aviacionit, ku mësohen bazat kryesore të aviacionit, janë më shumë gjëra teknike por ka edhe pjesë praktikë në kabinë të aeroplanit. Pas shkollës që zgjatë 3 vjet, do të vazhdoj me trajnimin diku në Slloveni ndoshta, që merr kohë 2 vite dhe pastaj mund të punoj si pilot, të fluturoj. Shkollimi do të jetë nga familja por trajnimi bëhet nga agjencitë por ka edhe pjesë të trajnimit që mund të paguhen ekstra nëse dëshiron t’i bësh vetëm ti personalisht”, shprehet më tej Elton Bugujevci.

Image

Sa i përket vendit se ku mendon të punojë në të ardhmen, Eltoni zgjedh Kosovën që t’i shërbejë vendlindjes, ku thotë se edhe ka nevojë për pilotë të rinj.

“Pretendimet e mia janë që të punoj në Kosovë si pilot, edhe pse s’ka rëndësi ku fluturoj, mjafton që jam pilot, por preferoj të punoj në vendlindjen time dhe në Kosovë ka mungesë të pilotëve, nevojiten pilotë të Kosovës”, vazhdon rrëfimin ai.

Por, si reagojnë shokët e tij në lidhje me gjithë këtë dëshirë të Eltonit dhe fluturimet që ai bën.

“Ndryshe nga shokët kur na pyesin se çka duam të bëhemi në të ardhmen, ata një ditë thonë doktor e më pas e ndryshojnë, unë gjithmonë pilot. Ata çuditen pse unë gjithmonë ëndrrën e njëjtë dhe kur mi shohin videot, habiten që unë si 16 vjeçar mund t’i bëj ato gjëra”, përgjigjet ai.

 

A post shared by Elton Bugujevci (@eltonbugujevcii) on

Përpos praktikës që ai ndjek, ai ka dhe vendin e 113-të në Evropë në një trajnim online, nga e cila merr dhe certifikatë që njihet nga autoriteti i aviacionit.

“Në shtëpi kam dhe pothuajse gjysmë kabine të aeroplanit, pjesët timoni, si niset, shpejtësitë, rrotat, krahët dhe aty merrna me fluturime vizuale ku e kam vendin e 113-të në Evropë. Jemi diku 3 mijë veta. Kjo është online, ku kompania të cakton, dikë pilot, dikë kontroller. Ka prej moshave të ndryshe, nga 16 vjeç mund ta aplikosh. Microsoft Flightsimulator quhet trajnimi online që në fund merr certifikatë dhe njihet edhe nga autoriteti i aviacionit. Unë sikur mos ta bëj një fluturim të tillë brenda 1 jave, m’duket vetja pak si i çmendur”, thotë Eltoni duke qeshur.

Mesazhi për fund

E për të gjithë ata që ëndërrojnë të bëhen pilot një ditë, 16 vjeçari ka një mesazh, që sipas tij nuk duhet të heqësh dorë asnjëherë.

“Për të qenë pilot duhet ta ndjekësh ëndrrën, mos t’i shikojnë vështirësitë, se sa herë ke me u rrëzu, mangësitë që ke me i pas anash, gjithmonë me e pas synimin që të bëhesh pilot, me pas shëndetin e mirë, me u orientu tek gjërat që të ndihmojnë në atë drejtim. Përkushtimi është arma më e fortë e njeriut. Nuk lejon arsyetim por vetëm rezultate”, thotë ai.

Si shembuj për këtë ai përmend edhe një pilot e një stjuardes, të cilët kanë arritur të bëhen ashtu siç kanë dëshiruar, me punë e përkushtim por edhe me vështirësi.

“Ka në Kosovë pilotë e stjuardesë të mirë, si Arian Lohaj, Lindrit Çollaku dhe Shpëtim Spahija, ku ky i fundit më ka treguar se ka pasur vështirësi derisa është bërë pilot por që nuk është dorëzuar dhe ia ka dalë, andaj as ne nuk duhet të dorëzohemi. Ndërsa për stjuardesë është Ylli Musliu, i cili më përkrah shumë dhe më ka treguar për vështirësitë që ka pasur për tu kyçur në aviacion, por që nuk duhet shikuar vështirësitë”, përfundon rrëfimin e tij Elton Bugujevci.

Dhe për të gjithë që kanë një ëndërr si Eltoni, ndiqeni atë dhe këshillën që ai jep: Të mos dorëzoheni, pavarësisht sa herë rrëzoheni.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test