‘Kuajt e hekurt’ në mbrojtje të Europës/ Ushtarët amerikanë: Gati edhe për luftë!

Speciale

‘Kuajt e hekurt’ në mbrojtje të Europës/ Ushtarët amerikanë: Gati edhe për luftë!

Më: 19 mars 2018 Në ora: 21:32
Ushtarakët amerikanë do të diskolohen të armatosur rëndë së bashku me 87 tanke, qindra mjete të blinduara të tipit Bradly, Paladin, etj.

Në zemër të Teksasit çdokush e njeh “The great place” (Vendin madhështor). Që nga koha e themelimit në 1942, kampi ushtarak emrin e së cilit e ka marrë nga Gjenerali “luftarak” i Brigadës së Teksasit gjatë luftës civile, Xhon Hood mban gjallë moton “Kërko, godit dhe shkatërro”. Fillimisht kampi funksionoi si poligon qitjeje, sot i shtrirë në 900 kilometra katror siperfaqe, Fort Hood është një ndër bazat ushtarake më të mëdha në Shtetet e Bashkuara. Në bazë janë të dislokuara një kontingjent i konsiderueshëm ushtarakësh e civilësh,

Këtu shërbejnë 40 mijë ushtarakë, si dhe 32 mijë civil ku përfshihen familjaret e ushtarakeve veterane lufte si dhe mijëra mjetë luftarake nga më të sofistikuarat. Brenda kampit nuk mungon pothuajse asgjë, ka shkolla, spitale, qendra tregtare, kinema, etj. Interesant është se këtu lindin 200 bebe në vit. Impakti ekonomik i bazës në shtetin e Teksasit është 35 miliardë dollarë në vit.

Fort Hood përgatit lidera dhe ushtarakë të aftë për të shërbyer në frontin e parë të luftës, të gatshëm në çdo moment, një nga brigadat luftarake të bazës e quajtur “Kuajt e hekurt” do të dislokohet në maj në Europë, dhe do të vendoset kryesisht në kufijtë lindorë së saj.

Ushtarakët amerikanë do të diskolohen të armatosur rëndë së bashku me 87 tanke, qindra mjete të blinduara të tipit Bradly, Paladin, etj. Ata do të zëvendësojnë kolegët e tyre në rotacionin e tretë në Europë. Brigada i ka të gjitha kapacitet luftarake dhe po shkon në Europë, siç do të shkonte drejt një krize apo situate të tensionuar lufte.

Vizita e gazetarëve europianë të vendeve të NATO-s është krejt e pazakontë në këtë bazë, madje edhe intervistat që patëm mundësi të zhvillonim me komandantin e brigadës “Iron Horses” dhe komandantët e batalioneve, janë një gjë e rrallë për vetë gazetarët amerikanë që nuk para u hapen me kaq lehtësi dyert e bazës.

Qëllimi i turit me 15 gazetarë europianë ishte për të njohur nga afër dhe për të kuptuar më mirë kapacitetet e ushtrisë amerikane për operacione. Dislokimi i brigadës bëhet në kuadër të operacionit të NATO-s në vendet e Balltikut që njihet me emrin “Operacioni i Prezencës së Përparuar të Përforcuar të NATO-s”. Të rreshtuar me mjetet e blinduara tip Bradly, ushtarakët amerikanë flasin hapur për misionin që i pret. Secili ka një rol këtu ende pa nisur misionin e vërtetë 8000 kilometra larg bazës.

Logjistika, transporti, mobiliteti i 4000 trupave dhe qindra mjeteve luftarake disa prej tyre dhjetëra tonëshe, kalimi i kufijve me to nëpër Europë ku cdo mjet luftarak duhet të këtë leje speciale në kufi nga çdo shtet për të kaluar në shtetin tjetër nuk duken aspak detyra të lehta.

Vetëm autokolonat me mjete luftarake nga Belgjika drejt një baze në Poloni do të përshkruajnë një distancë prej 900 kilometrash. Ndërsa tanket tip M1 Abrams peshojnë rreth 70 tonë secili. Punët i kanë në vijë me gjithë sfidat e vështira dhe të entuziazmuar tregojnë si po përgatiten dhe se çfarë presin nga bashkëpunimi me aleatët në Europë. Komandanti i Brigadës së “Kuajve e hekurt”, kolonel Trey Rutherford thotë ky mision është një demonstrim i qartë i angazhimit amerikan për aleatët.

“Jemi vërtete të emocionuar për misionin e ri. Ne jemi brigada e pare luftuese që do të shkojmë në Europë. Po tregojmë përkushtimin tonë ndaj aleatëve tanë në NATO, si dhe shteteve partnere në Europë.

Nëse doni të dini si duket përkushtimi që kemi, mjafton të shikoni se po çojmë një brigadë luftuese, dhe po ju them nuk është aq e lehtë të zhvendosemi me gjithë kapacitetet tona në Europë. Është një mundësi për ushtarët tanë të rinj që të fitojnë eksperiencë unike, e cila do të ndikojë në gjithë karrierën e tyre. Personalisht vlerësoj faktin që do të punojmë me aleatët tanë. Gjate këtij misioni ne kemi parashikuar të zhvillojmë rreth 15 operacione të përbashkëta me aleatët tanë në Europë. Në fund të misionit, ne do të jemi më të përmirësuar dhe qëllimi është të përmirësojmë edhe aftësitë operacionale të partnerëve tanë”, tha Koloneli Trey Rutherford, komandant i brigadës luftuese “Iron Horses”.

Brigada do të transportoje armatimin, pajisjet dhe trupat duke përdorur disa mënyra transporti të kombinuara së bashku. Komandanti i batalionit, Nënkolonel Met Rogers është përgjegjës për lëvizjen e aseteve inxhinierike. Ai tregon rrugën e stërmundimshme që do duhet të kalojnë mjetet për t’u shpërndarë në 5 shtete europiane.

“Misioni ynë është të sigurojmë aleatët tanë të NATO-s se jemi atje për të parandaluar çdo lloj agresioni në rajon. Batalioni që unë drejtoj përmban të gjithë asetet inxhinerike, kam pajisjet e inteligjencës, pajisjet sinjalizuese, etj. Sfida më e madhe është sasia e madhe e personelit dhe e mjeteve, shikoni madhësinë e tyre dhe sa të rënda janë të gjitha këto që ju po shikoni nga afër.

Unë kam mjete akoma më të stërmëdha ku janë integruar ura në majë dhe pajisje të tjera aq sa duken vërtet jashtëtokësore. Është vërtet çmenduri të mendosh se të gjitha këto do lëvizin për në Europë.

Është vërtet sfidë t’i marrësh të gjitha këto nga Fort Hoodi, t’i çosh në port detar, nga porti do hipin në një anije, dhe më pas nga kjo anije do të zbresin në një port tjetër, dhe nga ky port, mjetet dhe trupat do zhvendosen në gjithë bazat që ne do të kemi misionet tona në mbarë Europën.

Planizimi, logjistika, transporti i mjeteve ushtarake me aeroplanë me anije, me trena përmes hekurudhave, gjithë kjo kërkon kohën e vet dhe ne duhet të bëjmë të gjitha lëvizjet e duhura për të qenë në Europë në kohën e duhur”, tha Nënkoloneli Met Rogers.

Për majorin James Light kujdesi i detajuar i mjeteve luftarake ka nisur prej muajsh.

“Po sigurohemi lidhur me pajisjet dhe mjetet luftarake. Duam që kur ato të dalin jashtë anijeve transportuese të jenë gati për luftim. Pra këtu i përkushtohemi shumë mirëmbajtjes së tyre. Së fundmi i japim shumë rëndësi përgatitjes fizike të çdo ushtari individualisht, pasi duam që të jenë gati dhe në formë të shkëlqyer për misionin që i pret”, tha Majori James Light.

Pritshmëritë e ushtarakëve që do të udhëheqin mijëra burra janë pak a shumë të njëjta. Thonë se e mirëpresin bashkëpunimin me aleatët për rritjen e kapaciteteve.

“Jam i emocionuar, mezi po pres të bashkëpunoj me personalin në Europë, të shikoj lidershpin e tyre dhe vizionin që kane. Unë do të jem i dislokuar në Poloni. Detyra ime kryesore është të siguroj logjistikën, ku përfshihet karburanti transporti i mjeteve dhe të ushtarëve tanë deri tek ushqimi.

Pritshmeritë e mia janë të punojmë mirë me njëri-tjetrin, ta respektojmë e të njohim kulturën e njeri-tjetrit, por më e rëndësishme të jemi së bashku në një komandë, si një ekip. Më intereson të vëzhgoj sesi përgatiten dhe si stërviten aleatët, veçanërisht dua të shikoj përgatitjen fizike dhe psikologjike të ushtarëve europiane.

Roli ynë në këtë mision është mbështetja e stërvitjeve dhe trajnimeve në Bullgari dhe në Rumani. Jemi vërtet të lumtur për këtë mundësi unë vetë nuk kam qenë kurrë në Bullgari, jam i lumtur që do kem mundësi të stërvitemi bashkërisht me partnerët tanë bullgare. Unë jam komandant batalioni, ne do të bashkëpunojmë në terrene komplekse me rumunët dhe bullgarët, si dhe do të përmirësojmë kapacitetet tona si aleatë”, tha Nënkoloneli Calvin Swint.

Kur largohen nëpër misione amerikanët nuk nisen me kokën pas. Komuniteti i familjeve të ushtarakëve në bazën e Fort Hood-it është solid, veçanërisht kur kryefamiljarët janë larg shtëpisë nëpër misione. Për 9 muaj rreth 4000 ushtarakë do të lënë familjet e tyre. Rreth 40% e trupave tv brigadës do të jenë për herë të parë në mision jashtë vendit. Mbështetja, kujdesi dhe suporti emocional i familjareve që lënë në shtëpi është shumë e rëndësishme për ta. Majori Light thotë se gruaja e tij Ketrin do të qëndroje pranë familjeve të ushtarakëve që largohen për herë të parë larg gjirit familjar.

“Unë jam martuar me gruan time të dashur Ketrin prej 18 vitesh. Kam një djalë 17 vjeç këtë vit mbaron shkollën e mesme dhe pret te shkoje ne kolegj. Roli i gruas sime tani e tutje do të jetë të mbështesë dhe të jetë mentore për familjet e tjera të ushtarakëve që nuk e kanë përjetuar stresin e ndarjes më parë. Ne kemi një program të ri që po aplikojmë në ushtrinë tonë, që na siguron disa para shtesë për misionet që kryejmë. Është ekstremisht e rëndësishme për në mbështetja financiare që u sigurojmë djemve tanë jashtë vendit”,- u shpreh Majori James Light.

Amerikanët në dy luftëra botërore të shekullit të kaluar janë parë nga europianët, si shpëtimtarët përtej Atlantikut, të fortë, luftarakë dhe të sigurtë. Vitet e fundit përballë kërcënimit rus janë vendet anëtare të NATO-s në një front të bashkuar për sigurinë e Europës, në mbrojtje të kufijve lindorë të saj. Amerikanet rivijnë me forcat më elitare të “kuajve të hekurt”, që të garantojnë sigurinë e kontinentit të vjetër./BW/

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat