Llogaritja e kohës: Si u krijua kalendari?

Speciale

Llogaritja e kohës: Si u krijua kalendari?

Nga: Dedë Palokaj Më: 7 dhjetor 2017 Në ora: 13:47
Dedë Palokaj

 

Jeta përbëhët nga koha, e koha nga jeta. Koha është sinonim i jetës. Si u krijua kalendari (lat. Kalendae: dita e parë e çdo muaji te romakët – dita kur paguheshin tatimet – raporti interval kohorë: dita, java, muaj dhe viti), matja e rrjedhjes së kohës? Si u shfrytëzua koha në të kaluarën?

Qysh në kohët e lashta njerëzit kanë qenë të interesuar të llogarisin kohën, të dinë se ç’është dita, ç’është nata dhe stinët e vitit, kur fillojnë ato, sa zgjasin dhe kur mbarojnë. Prandaj koncepti i matjes dhe ndryshimit të kohës (kalendarit) është mjaft i vjetër.

Qysh nga kohët e lashta parahistorike, këmbimi i ditës dhe i natës, fazat e njëpasnjëshme të Hënës dhe të rikthimit të stinëve të vitit, që përcaktonin kohëzgjatjen e vitit, ishin fenomene të veçanta të pakuptueshme dhe të paspjegueshme, të cilat njeriu i ka shqyrtuar dhe studiuar gjatë shekujve për të përcaktuar saktë kuptimin e natyrës së kohës. Duke vrojtuar dhe matur me kujdes fenomenet natyrore, njeriu pak a shumë arriti ta përdorë kohën në dobi të tij. Të njihesh me historinë e lindjes dhe të evoluimit të sistemeve kohëmatëse (kalendarëve), nuk do të thotë vetëm të informohesh rreth përpjekjeve të njeriut për të kuptuar dhe përdorur konceptin e rrjedhjes së kohës, por kryesisht të ndërmerrish një udhëtim të gjatë në kulturën e popujve që i krijuan ato.

Zanafilla e sistemeve më të lashta kohëmatëse është e lidhur ngushtë me zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, gjë e cila shfaqet gjatë epokës së neolitit. Mirëpo, edhe gjatë epokës së paleolitit – periudha më e hershme e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, njeriu kishte mësuar të bënte lidhjen e ndryshimeve të herë pas hershme të fenomeneve klimatike (shi – thatësirë, ftohtë – ngrohtë), të fazave të ndryshme të jetës së kafshëve (periudha e çiftëzimit) dhe të bimëve (rënia e gjetheve, pjekja e fryteve etj.) me përsëritjen e rregullt të disa fenomeneve astronomike, siç janë fazat e Hënës, ndryshimi i pozicionit të Diellit në qiell, lindja dhe perëndimi i disa yjeve pas lindjes dhe perëndimit të Diellit etj.

Njësia e parë kohëmatëse që zhvilloi njeriu nëpërmjet intuitës është ajo e ditës dhe natës, d.m.th. kohën që i duhet Tokës për të bërë një rrethsjellje përqark boshtit të saj. Kjo njësi primitive kohëmatëse nuk u zhduk në rrjedhën e kohës. Të gjitha qytetërimet që krijuan në vijim sisteme për matjen e kohës, jo vetëm që e ruajtën këtë njësi fillestare matëse, por u përpoqën që, njësitë e matjes së kohës, në shkallë më të mëdha, të ishin shumëfishime të plota të ditës dhe të natës.
Për shumë vjet, stinët kalimtare ishin njësia kohëmatëse më e rëndësishme, sepse ato luanin rol të rëndësishëm në jetën e njeriut. Përllogaritja e stinëve i jepte mundësi njeriut të parashikonte dhe të përballonte fenomene natyrore, si shiu dhe thatësira, apo të përcaktonte periudha kohore me rëndësi jetësore për të, siç ishte periudha e mbjelljes apo e korrjes, etj. Por me kalimin e kohës, u konstatua se ishte e pamundur të përcaktohej me saktësi fillimi i çdo stine. Për këtë arsye, njerëzit i mbështetën sistemet kalendarike në fenomene më të qëndrueshme natyrore. Një nga këto fenomene ishte edhe lindja dhe perëndimi i yjeve të shndritshëm. Egjiptianët e lashtë përdornin yje të shndritshëm, lindja e të cilëve shënonte fillimin e vitit. Grekët e lashtë në kohën e Hesiodit (shek. 8 pr. Krishtit), përpara krijimit të kalendarit të tyre të rregullt, i përdornin yjet si njësi kohëmatëse.

Por me kalimin e kohës edhe kjo mënyrë kohëmatëse u tejkalua. Vrojtimi i yjeve, për shkak të kushteve atmosferike, nuk ishte gjithmonë i arritshëm. Për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi, njerëzit i mbështetën kalendarët në vrojtimet e fazave periodike të Hënës dhe në lëvizjen periodike të Hënës përqark Tokës. Duke u bazuar në fazat e Hënës, u krijuan njësi të tjera kohëmatësi, muajt dhe javët. Mirëpo këto periudha kohore nuk përbëheshin nga një numër i plotë ditësh. Kjo gjë u bë edhe shkak i larmisë dhe i ndërlikimit të kalendarëve tek të gjithë popujt e botës. Kësisoj, u vu në fuqi i ashtuquajturi kalendari civil (kalendari civil dallohet nga kalendari kishtarë dhe nga ai i bashkësive të ndryshme fetare) cili përbëhej nga një numër i plotë ditësh. Lëvizja e lakuar vjetore e tokës përreth Diellit është ajo që formon stinët e vitit. Koha që i duhet Tokës për të bërë një rrotullim të plotë rreth Diellit është mesatrasht 365 ditë e 6 orë. Rrotullimi i plotë i Tokës përreth Diellit quhet vit tropikal. Pranvera fillon me 21 mars në ekuinoksin pranveror, kohë kur dita dhe nata zgjasin njësoj.

Vera fillon me 22 qershor në solsticin e verës, kohë kur është dita më e gjatë e vitit. Vjeshta fillon me 23 shtator, në ekuinoksin vjeshtor, periudhë kur dita dhe nata janë të barabarta. Dimëri fillon me 22 dhjetor, në solsticin e dimëror, periudhë kur është nata më e gjatë e viti dhe dita më e shkurt e vitit.

KALENDARËT E PARË

Në botë ka shumë kultura dhe kalendarë të ndryshëm. Kalendarët e parë që përdori njeriu ishin hënorë (lunar), sepse mbështeteshin në vrojtimin e këmbimit të fazave të Hënës. Këto kalendarë e ndanin vitin civil në 12 muaj, kohëzgjatja e të cilave përkonte me rrethsjelljen e Hënës përqark Tokës. Kalendarë të tillë përdornin grekët e lashtë, romakët, hebrenjtë etj.

Në Greqinë e lashtë përdoreshin kalendarë të shumtë; çdo komunitet pak a shumë kishte edhe kalendarin e tij, por ndër më kryesorët radhitej kalendari i Atikës dhe ai Maqedonas. Kalendari i lashtë maqedonas, që në periudhën helenistike kishte adaptuar strukturën e kalendarit babilonas, jo edhe shumë i ndryshëm nga ai i Atikës, u përdor në vendet e pushtuara nga Aleksandri i Madh (shek IV pr. Kr.).

Ndër kalendarët e lashtësisë, më i sakti konsiderohet kalendari egjiptian. Egjiptianët ishin popull bujqësor dhe për ta kishte shumë rëndësi njohja e periudhave të përshtatshme për kultivimin, mbjelljen dhe korrjen e fryteve. Lumi Nil më i gjati në Afrikë dhe në botë, ishte burimi jetësor për Egjiptianët e lashtë dhe jeta e egjiptianëve rregullohej nga përmbytjet e tij. Kështu, kalendari egjiptian ndahej në tri stinë: Stina e përmbytjes; stina e mbjelljes; stina e korrjes.

Secila stinë përbëhej nga 4 muaj 30 – ditorë. Për të plotësuar vitin 365 ditësh, egjiptianët shtonin në fund të vitit 5 ditë të ndërmjetme. Edhe pse ndarja e vitit në muaj hënorë ishte në thelb e natyrshme, ajo përsëri ishte e pasaktë dhe kjo për faktin se viti diellor, d.m.th. rrethsjellja e plotë e Tokës përqark Diellit, nuk përputhej me dymbëdhjetë rrethsjelljet e Hënës përqark Tokës. Kësisoj, viti hënorë përbëhej nga 12 muaj hënorë dhe rreth 11 ditë. Kjo ishte arsyeja që gradualisht çoi në braktisjen graduale të kalendarëve hënorë dhe në krijimin fillimisht të kalendarëve hënorë – diellorë dhe, në vijim, të kalendarëve diellorë.

Kalendari që përdoret sot është evoluimi i një kalendari të lashtë romak, i njohur si kalendari Romulus, i cili përdorej deri në vitin 700 para Krishtit. Ky kalendar ishte i ndarë në 10 muaj dhe kohëzgjatja e tij ishte 304 ditë. Viti civil fillonte më 1 mars dhe përfundonte më 30 dhjetor, d.m.th. nuk përfshinte një periudhë dymujore. Muajt fillimisht emëroheshin sipas rendit të tyre numëror; muaji i parë quhej i Pari, i dyti quhej i Dyti e kështu me radhë. Por shumë shpejt romakët i ndryshuan emrat e katër muajve të parë, duke u dhënë atyre emra perëndish. Kështu muaji i parë quhej Martius (Marsi), nga emri latin i perëndisë greke të luftës. Muaji i dytë Aprilis (Prilli) nga folja “hap” në latinisht “aprire”, sepse në këtë muaj çelte natyra. Sipas një varianti tjetër, emri Aprilis vjen nga një emër popullor i perëndisë Apollon (perëndi i Diellit dhe dritës). Muaji i tretë quhej Maius (Maj) për hir të perëndisë së natyrës dhe të pjellorisë, Maja (deus Maius), dhe muaji i katërt mori emrin e perëndeshës greke Hera (sipas mitologjisë, bashkëshortja e Zeusit, sunduesit të qiellit dhe tokës), që në latinisht quhej Junon (Qershor). Perëndesha Hera ishte simboli i pjellorisë dhe i bollëkut dhe rrjedhimisht ky emër ishte i përshtatshëm për muajin e korrjes. Muajt e tjerë ruajtën emërtimet e tyre sipas rendit numëror dhe ishin Quintilis (i pesti), Sextilis (i gjashti), September (i shtati), October (i teti), November (i nënti) December (i dhjeti) etj.

Në vitin 700 pr. Krishtit, d.m.th. 53 vjet pas themelimit të Romës (753), mbreti romak Numa Pompilius krijoi një kalendar tjetër, i njohur në histori si kalendari i Numas. Ky kalendar u përdor pothuajse në të gjitha territoret e Perandorisë Romake. Numa i shtoi kalendarit të vjetër romak dy muaj: Janarin dhe Shkurtin. Muaji Janar (Januarius – Janus) e mori emrin nga perëndia romake dyfytyrësh i cili me njërën fytyrë vështronte nga pas kohën e shkuar dhe me fytyrën tjetër kundronte përpara kohën e re. Ky ishte perëndia i derës, i tranzicionit – muaj i parë që hap portën e Vitit të Ri. Njihet ndrysh edhe si mbreti më vjetër i Latiumit (krahinë gjegrafike kur u themelua Roma e lashtë 753 para Krishtit). Ndërsa muaji shkurt e mori emrin nga ceremonia fetare e shlyrjes së mëkateve, larjes dhe pastrimit të të vdekurve (februa), emër i cili vjen nga folja latine februare – pastroj sepse konsiderohej si muaj i mallkuar, muaj zije dhe vajtimi gjatë të cilit bëheshin “februaliat” pastrime në nderim të të vdekurve: i doli nami i keq edhe si muaji i sëmundjeve “febris, febere” – muaj i sëmundjeve të etheve etj. Në vitin 153 para Krishtit, janari u bë muaji i parë i vitit civil, ndërsa dhjetori i fundit. Emërtimet e muajve qëndruan të pandryshuara edhe pse nuk përputheshin më me rendin e tyre numëror.

Në kohën e themelimit të Romës, (753 pr. K.) viti numëronte 10 muaj, e këta  ishin:

1. Martius (31 ditë)

2. Aprilis (30 ditë)

3. Maius (31 ditë )

4. Junius (30 ditë)

5. Quintilis (31 ditë)

6. Sextilis (30 ditë)

7. Septembris (30 ditë)

8. Octobris (31 ditë)

9. Novembris (30 ditë)

10. Decemberis (30 ditë)

HISTORIKU I NDRYSHIMIT TË KALENDARIT -  EMËRTIMI DHE DALLIMET KALENDARIKE

Ekzistojnë tre lloje kalendarësh: diellor (solar), hënor (lunar) dhe hënor-diellor (lunar – solar). Se çfarë emri do ketë kalendari varet se në cilën lëvizje bazohet, të hënës, të diellit, apo të të dy trupave qiellorë. Në pjesën më të madhe të botës sot është në përdorim kalendari hënor-diellor (lunar-solar).

Kalendari që përdoret sot pothuaj në gjithë botën është Kalendari Gregorian ose Kalendari i Ri, i cili në Evropë u vendos në vitin 1582 nga Papa Gregori XIII i cili kishte vendosur të korrigjinte Kalendarin Julian (Jul Çezari perandor i Romës 100 –  44 para Krishtit) për shkak të vonesës që kishte akumuluar ky kalendar prej krijimit të tij në vitin 44 para Krishtit.

Pasaktësia e Kalendarit Julian ishte konstatuar nga astronomë të ndryshëm shumë përpara se Papa Gregori XIII të ndërrmerrte korrigjimin e tij. Kjo vonesë prej 11 minutash dhe 14 sekondash në vit, ose 18 orë dhe 40 minuta në shekull, përbënte gjithësej 10 ditë nga Koncili i parë ekumenik i mbajtur në vitin 325 në Nike deri në shekullin XVI kur Papa kishte vendosur të korrigjinte Kalendarin Julian. Ky gabim prej 10 ditësh ishte një pengesë serioze për të përcaktuar datën e festimit të Pashkëve. Në Koncilin e Nikes (325), ishte vendosur që festa e Pashkëve të festohej të dielën e parë pas Hënës së plotë që vinte pas ekuinoksit prenveror. Deri atëherë çdo e diele ishte festë e Pashkëve.

Meqenëse Pashkët binë vetëm të dieleve dhe nuk mund të festohën asnjëherë para 22 marsit as pas 25 prillit. Kalendari Gregorian ishte diellor, d.m.th. merrte si bazë vitin tropik, që është intervali kohor mes dy kalimeve të Diellit nëpër pikën e ekuinoksit pranverorë (barasnata – sa dita aq nata). Ky interval kohor zgjat 365 ditë, 5 orë, 48 minuta dhe 46 sekonda. Me fjalë tjera, gjatë kohës që i duhet Tokës të përfundojë një rrethsjellje (rrotullime) përqark Diellit. Pra, Kalendarit Gregorian i paraprinë kalendari Julian ose i njohur ndryshe si Kalendari i Vjetër i cili në vitin 46 para Krishtit, perandori Jul Çezari, pasi pushtoi Egjiptin, u njoh me kalendarin egjiptian dhe ishte mjaft mirë i sinkronizuar me vitin diellor, d.m.th. kishte përputhshmëri të muajve me stinët. Atëherë, Çezari thirri nga Aleksandria e Egjiptit, astronomin, matematikanin dhe filozofin e njohur grek Sozigenin, të cilin e ngarkoi të harmonizonte kalendarin e Numas me atë egjiptian. Duke qenë se kalendari i Numas ishte rreth 6 orë më i shkurtër se viti tropik, për pasojë, ai rendte përpara stinëve. Kjo diferencë, kishte arritur në 80 ditë, duke bërë që romakët edhe pse ishin në muajin mars, ata gjendeshin në stinën e dimrit dhe festat verore të korrjes t’u përkonin me fundin (kalendarik) e dimrit. Sozigeni e korrigjoi këtë pasaktësi, duke e zgjatur vitin 45 me 80 ditë, të cilat nuk u numëruan dhe, kështu, sa nata aq edhe dita pranverore u vu në vend. Gjithashtu, ai e përllogariti vitin tropik me 365, ditë ose 365 ditë dhe 6 orë dhe caktoi që çdo 4 vjet, pas 23 shkurtit, të shtohej 1 ditë (4 x 0.25 = 1) për të korrigjuar diferencën e 6 orëve. Kjo ditë shtesë u caktua të ndërfutej mes 24 dhe 25 shkurtit, por pa u numëruar. Kështu që, shkurti në vitet e brishta kishte 29 ditë, ashtu si edhe sot, por me ditën e 24 të përsëritur dy herë. Mirëpo, dita e 24 shkurtit përkonte të ishte dita e gjashtë përpara Kalendave (hënës së re) të Marsit. Kështu që përftoheshin dy data 24, pra dy ditë të gjashta përpara Kalendave. Nga kjo e deri më sot mbeti emërtimi i vitit të brishtë, viti i quajtur bisekstil (lat. bisex; bissextile – i brishtë).

Me përhapjen e kulturës perëndimore në shumë vende të botës, kalendari Gregorian u pranua si kalendarë zyrtarë, dhe data 1 janar e Vitit të Ri u bë datë globale edhe në vende ku ai festohej në ditë tjera. Mirëpo, Kisha Ortodokse e përdorë ende sot kalendarin e vjetër Julian dhe e festojnë, p.sh. Krishtlindjen 13 ditë me vonesë, pra më 7 janar (që nga marsi i vitit 1900 vonesa e kalendarit të vjetër kishte arritur në 13 ditë). Gjithashtu, për sa i përket përllogaritjes së festës së Pashkëve apo të festave të tjera të lëvizshme, Kisha Ortodokse vijon të përdorë ende kalendarin e vjetër Julian, duke sjellë si rezultat festimin në kohë të ndryshme të festës së Pashkëve mes ortodoksëve dhe katolikëve.

Emri janar (Januarius) është i adaptuar nga emri Janus, perëndia Romake e dyerve dhe udhëkalimeve të reja i quajtur ndryshe tek shqiptarët kallnor ose kallnduer dukët se vjen nga fjala ‘kalendar’ (Rr. Zojzi) dhe është muaj i parë i vitit sipas Kalendarit Gregorian. Pra, janari dhe shkurti në Perandorinë Romake kan qenë dy muajt e fundit që i janë shtuar kalendarit, që prej kohërave kur Romakët e konsideronin dimërin si periudhë pa muaj. Fillimisht, marsi ishte muaj i parë, por janari e mori këtë pozicion ngaqë në këtë periudhë u zgjidhnin konsujt që duhej të punonin në Senatin Romak, organi më i lartë në Perandorin Romake që dominonte Evropën jugperëndimore, juglindore (Ballkanin) dhe të tërë rajonin e mesdheut me anë të pushtimit dhe asimilimit kulturor. 

EMËRTIMI DHE KUPTIMI I MUJAVE TË VITI

1. Janari – E mori emrin nga perëndia romake dyfytyrëshe, Janus.

2. Shkurti – Emëri rrjedh nga fjala “februare”, dhe nënkupton “të lash mëkatet.”

3. Marsi – E mori emrin për nderë të Marsit, perëndia i luftës.

4. Prilli – Nga folja latine “aprire”, që do të thotë “me hapur.” Muaj i lulëzimit dhe qeljes së luleve pranverore.

5. Maji – E mori emërin nga perëndia i vjetër  “Maja” që simbolizon pjellorinë e tokës.

6. Qershori – E mori emërin e perëndeshës Junona (Hera).

7. Korriku – Iu dha emri për nderë të Jul Çezarit i cili përgjigjej pë reformat e kalëndarit.

8. Gushti – Iu dha emëri për nderë të perandorit romak Oktavian Augusti.

9. Shtatori – Muaj i shtatë në kalendarin dhjetëmujor romak, përpara se të shtoheshin muajit janar dhe shkurt.

10. Tetori – E mori emërin nga fjala latine “octo”, që i përkiste muajit të tetë në kalendarin e vjetër dhjetëmujor romak.

11. Nëntori – E mori emërin nga fjala “novem”, që ka kuptimin e numrit nëntë, në kalendarin e vjetër dhjetëmujor romak.

12. Dhjetori – E mori emërin nga fjala “decem”, që nënkupton numrin dhjetë në kalendarin e vjetër romak.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat