10 gjërat që duhet të dish për të gjetur punë lehtë në Shqipëri

Speciale

10 gjërat që duhet të dish për të gjetur punë lehtë në Shqipëri

Më: 25 korrik 2017 Në ora: 20:36
Foto ilustrim

 Kohët e fundit në media zien një debat midis qeverisë dhe opozitës dhe pedagogëve në lidhje me punësimin e të rinjve. Nga qeveria thuhet se punë ka plot, por të rinjtë nuk duan të punojnë. Debati i kundërshtarëve është se të rinjtë e diplomuar, nuk mund të bëjnë punë të rëndomta, jashtë specializimit të tyre. Mes këtij debati, janë edhe ata që flasin vetë, të diplomuar që kanë gjetur punë dhe ndihen të kënaqur me aq sa kanë arritur brenda një kohe të shkurtër falë disa sekreteve, që Anabel.al do t’i ndajë me ju. Lexoni me kujdes dhe ju garantojmë që nëse zbatoni këshillat tona, puna e ëndrrave nuk do të jetë shumë larg.

1.   Mendo pozitivisht!

Pikë së pari, nuk duhet të ndikohesh nga fryma e përgjithshme, nga moshatarët e tu që thonë se “Këtu s’ka punë” apo nga ajo çfarë dëgjon në televizor. Nëse ti do punë dhe përpiqesh me të gjitha forcat për të kërkuar punë, do ta gjesh atë. Fryma pozitive është e rëndësishme.

“Unë nuk kam menduar ndonjëherë veten pa shkollë të lartë, ndaj nuk u çudita fare kur u pranova në degën time të preferuar. Më pas, nuk e mendova veten ndonjëherë pa punë, kështu që pas shkolle, nuk prita asnjë ditë, por nisa kërkimet dhe e gjeta punën. S’kam qënë kurrë si shoqet e mia që shfrynin gjithë ditën “uffa ishalla gjej punë” dhe rrinin në kafe. Po kërkove gjen!” tregon Jonida N., 24 vjeç, e cila momentalisht punon pranë një banke të madhe në Tiranë.

2. Bëhu kreativ në kërkim. Shfrytëzo gjithë talentet e tua!

 Gabimi më I madh që bëhet shpesh nëpër shkollat tona shqiptare, është fakti që studentëve nuk u thuhet që të mos rrinë në kornizën e profesioneve kryesore të degës ku ato po specializohen, por të kërkojnë edhe në vende të tjera pune që nëse s’kanë lidhje direkt me edukimin e tyre, kanë lidhje me talente dhe pasione që ata kanë. Në fund të ditës, askush s’do t’ju kërkojë llogari pse s’u bëtë avokatë e ekonomistë. E rëndësishme është që të doni atë që bëni.

Nëse keni mbaruar ekonomikun mos u turrni të gjithë duke aplikuar nëpër banka dhe pastaj të ngelni me gisht në gojë sepse kërkesa është e madhe. Nëse ju jepet për të shkruar, tregu ka shumë hapësira për gazetari ekonomike (shumica e gazetarëve më të mirë nuk kanë mbaruar gazetari!), nëse jeni të shkathët në komunikim, mund të kërkoni në profesione të reja të komunikimit online, si agjentë shitjesh, në kompani eventesh etj.

3. Ofrohu vullnetarisht!

T’ju themi një sekret? Të gjithë do të donin vullnetarë të përkushtuar në bizneset e tyre. Sa qejf për drejtuesit e bizneseve të shfrytëzonin maskimalisht të rinj energjikë që ofrohen falas. Përfitimi juaj? I jashtëzakonshëm. Fillimisht, do të merrni vlerësim që jeni ofruar vullnetarisht dhe nëse punoni shumë, pronarit të kompanisë do t’I leverdiste më mirë t’ju mbante ju në punë, tashmë që keni mësuar “hilet” e shërbimit, sesa të merrte një të jashtëm. Por si t’ja bëni për lekët që ju duhen në fund të muajit? Gjeni punë tjetër.

“Unë kam mbaruar për punë sociale dhe kisha shumë dëshirë të punoja pranë fëmijëve autikë. Kështu që shkova dhe kërkova vetë të vija herë pas here dhe të asistoja në séance të ndryshme pranë një qendre. Duke qënë se nuk paguhesha, kisha mundësi të rregulloja oraret, ndaj vendosa të gjeja një punë të dytë si shitëse në një butik. Iu përkushtova shumë edhe punës vullnetare, por edhe dyqanit dhe një ditë e gjeta veten me një propozim rroge si e punësuar full-time dhe një ofertë si menaxhere në butik. Natyrisht zgjodha të parën, por kuptova që pavarësisht vështirësive dhe orëve të gjata në punë, pa shumë jetë sociale, arrita të bëj diçka që e dua dhe jam e lumtur për këtë.” Tregon Loreta B. 26-vjeç.

4. Mos hamendëso kurrë!

Shumë njerëz në Facebook-un e Anabel.al, kur diskutohet çështja e punësimit thonë vetëm këto fjali: “S’ka punë, vetëm call center dhe kamarierë”, ose “Privati të lë pa rrogë”, ose “Po të shkosh në privat, të ngacmon pronari”. Natyrisht këto shembuj mbështeten edhe mbi realitet, por nuk mund të jetë ky realiteti i vetëm I shumicës. Përkundrazi! Amerikanët kanë një shprehje që duhet të bëhet moto edhe për të diplomuarit: “Don’t assume!” (Mos hamendëso!).

–  Mos hamendëso që punët gjenden vetëm me mik. Në kompani private miku nuk ka rëndësi, por aftësia dhe përkushtimi. Në fund të ditës, pronarët nuk kanë para tepër që të paguajnë për pa-aftësinë e dikujt, vetëm se ai ka hyrë me mik.

– Mos hamendëso që pronarët të ngacmojnë. Natyrisht që ka edhe burra që nuk e përmbajnë dot veten, por kjo nuk ndodh kudo edhe pse shembuj të tillë janë në të gjithë botën. Nëse ju ndodh kjo, mos u zhgënjeni. Injorojeni këtë mundësi dhe kërkoni për punë tjetër.

– Mos hamendëso që të gjithë duan dikë me eksperiencë tre-vjeçare. “Edhe pse kisha një ofertë në profesionin tim, unë e ndjeja dhe besoja se isha e aftë të punoja në media. Ndaj gjej numrin e kryeredaktorit dhe i shkruaj kudo (email, sms, instagram) të njëjtin mesazh. “ Të lutëm më provo njëherë. Mendoj se kam aftësi për këtë punë. E dua shumë median dhe dua të vihem në provë. Qoftë edhe falas, qoftë edhe sa për të shërbyer kafe. Nuk ka rëndësi, dua të jem aty.” Kur e shkrova e dërgova pa e menduar dy herë. Nuk kisha çfarë humbisja! Kryeredaktori ose do të kthente përgjigje ose jo. Dhe ktheu! Kam 6 muaj që punoj dhe sapo mora rritje rroge! Këmbëngulja ja vlejti” tregon 23- vjeçarja Greta S.

Bëj një listë të vendeve ku do të doje të punoje dhe të tjera në të njëjtën fushë dhe dërgo CV-në, bashkë me një letër ku përshkruan veten. Dërgo sa më shumë. Nëse njeh njerëz që njohin njerëz, shfrytëzoji lidhjet e tua. Mos ki turp! Turpi dhe sedra, janë vetëm “virtyte” dembelësh të paguximshëm. Është e rëndësishme ajo çfarë do ti dhe shfrytëzo çdo mënyrë (të ligjshme) për t’ju afruar! Mos diskrimino me kompanitë ku kërkon. Ëndrra jote mund të jetë të punosh pranë firmës më të mirë të avokatëve në Tiranë dhe nëj ditë të bëhesh partnere, por tani sa ke mbaruar universitetin dhe pak eksperiencë në një firmë më të vogël, do të të ndihmonte.

5. Respekto intervistën për punë!

Nëse ju jeni të pavëmendshëm ndaj kompanisë ku doni të aplikoni, përse ata duhet t’ju kushtojnë ju vëmendje? Ky është një problem që shumë të rinj shqiptarë nuk po e kuptojnë. “Sjellin CV të përkthyera nga anglishtja apo italishtja dhe të papërpunuara dhe të papërshtatura, shkruajnë letra gjithë gabime. Shpesh vijnë në zyrë të palarë dhe kundërmojnë. Ose vijnë me vonesë. Ka patur raste që paturpësisht na dërgonin një sms ku shkruanin: “Mund ta shtyjmë tltm?” ndërkohë që ne i kishim oraret e përcaktuara. Ka pasur edhe nga ata që vinin në intervistë dhe pasi ti i shpjegoje punën, ata të pyesnin: “Me çfarë rroge?” na tregon shefja e burimeve njerëzore pranë një kompanie të madhe celulare. E dëgjuat? Le t’ju a rikujtojmë edhe njëherë:

– CV-ja duhet të jetë e gjitha e shkruar në shqipe të pastër dhe pa asnjë gabim gramatikor. Kontrollojeni përpara se ta dërgoni. Mungesa e vëmendjes ndaj detajeve, do të thotë mungesë respekti ndaj punëdhënësit

– E njëjta gjë vlen edhe për Letrën ku përshkruani veten. Natyrisht jo letrën ku përshkruani pasionin tuaj për peshkim. E kemi fjalën për letrën ku ju tregoni se përse jeni të duhurit për pozicionin e caktuar

– Lahuni! Fatkeqësisht, ky është një fenomen ende i përhapur në Shqipëri. Mungesa e kujdesit ndaj higjenës, tregon mungesë respekti ndaj vetes dhe ndaj njerëzve që të rrethojnë. Nëse ti kundërmon zyrën ku shkon, çfarë mendon se ai/ajo që të interviston, do të ketë përqëndrimin e duhur për t’u njohur me aftësitë e tua? Qofshi gjeni! Por meqë shumica nuk janë, thjesht një dush në mëngjes dhe deordoranti 200L ju ndihmon

– Nëse jeni të sapodiplomuar, mos pyesni për rrogën. Vetëm nëse ata ju janë lutur të punoni për ta, sepse jeni i/e jashtëzakonshëm/e dhe talenti juaj ka një rëndësi të madhe. Gjë që rrallë ndodh me të sapodiplomuarit. Primare duhet të jetë të kapni punën dhe përëqndrohuni në “shitjen” e vetes suaj tek punëdhënësi. Më pas në një fazë të dytë që konkludon edhe punësimin tuaj, mund të diskutoni rrogën dhe keni të drejtë të plotë të diskutoni edhe siguracionet. (Kujdes! Mos pranoni oferta në të zezë!

6. Fillo nga zero

Është e natyrshme (të gjithë e kemi kaluar) që në vitin e fundit të universitetit, studentët të mendojnë se dinë mjaftueshëm dhe janë gati të përballen me tregun e punës. Kemi një lajm të keq! Nuk dini asgjë! Dini teorinë (Një pjesë e të cilës as nuk do t’ju hyjë kurrë në punë), jeni mësuar si të mësoni nën presion, si të respektoni afatet (urojmë që është kështu), si të paraqisni argumenta dhe të shkruani. Por kaq! Ju nuk dini ende se çdo të thotë epror, nuk dini ende se çdo të thotë klient, si të menaxhoni pakënaqësi klientësh, afate ditore të pakthyeshme, konflikte me kolegë në vendin e punës (dhe jo për të dashurin) etj.

Ndaj mos pretendoni të mendoni se kur mbaroni universitetin jeni mjekë, ekonomistë, psikologë, inxhinierë, arkitektë. Emrat janë të bukura dhe një ing. përpara apo një Av. ngjan mirë në Facebook dhe Instagram, por këto tituj duhen fituar.

“Një ditë në studion time ligjore erdhi një vajzë që kishte mbaruar shkëlqyeshëm në një nga universitetet më të mira të Anglisë. Ajo kishte shumë besim në vete dhe më pëlqeu për këtë derisa tha: ‘Teorinë e kam komplet nën kontroll. Besoj se edhe nja dy muaj praktikë më duhen dhe do më shohësh se si jam.’”tregon Sh. H. “E dëgjova por nuk thashë gjë. Vetëm që i ofrova 2 muaj praktikë. Të nesërmen i them ‘Të lutem do të më marrësh një kafe çdo mëngjes këtu përballë. E dua makiato pa sheqer dhe me shumë qumësht.” Kaloi një javë dhe ajo nisi të “ngrysej” çdo ditë e më shumë në fytyrë. Në mëngjes më sillte kapuçinon, më pas shkonte në rradhë në QKR apo në vende të tjera për të dërguar dokumenta. E shihja dhe e kuptoja fare mirë, por po prisja qetësisht shpërthimin e saj. Nuk kaloi muaji, kur ajo vjen në zyrën time dhe thotë: “Unë nuk kam mbaruar shkollë aq të mirë që të të shërbejë kafen dhe të bëhem postiere.’ Në atë moment edhe mund ta hiqja, por vendosa t’i jepja një shans që ta shihte vetë. E marr me vete në takime me një klient që kishte një çështje të vështirë ligjore me biznesin e tij dhe në mes të takimit, e pyes: “Ti çfarë mendimi ke?” Ajo nisi të belbëzonte ligje, por nuk po thoshte asgjë derisa klienti u kthye i nervozuar: “Më fal, por s’do humb kohën me këtë vajzë!” Që atë ditë, ajo uli kokën dhe nuk foli më. Kanë kaluar dy vjet dhe ajo është një ndër asistentet më të mira dhe besoj se do të jetë një avokate e zonja. Mjafton të duash të mësosh!”

7. Mos bëj diçka që nuk do ta bësh!

Gjatë emisionit “Opinion” të ditës së enjte (18 shkurt) me temë punësimin, ekonomisti Artan Hoxha iu përgjigj kështu pyetjes “A janë dembelë shqiptarët?”: “Ndoshta ata nuk bëjnë një punë që duan!” Dhe kjo është e vërteta. Ndoshta kur ti ishe 18 vjeç, e kishe të pamundur t’i kundërshtoje prindërit dhe zgjodhe degën që donin ata. Por nëse pas 4 viteve studimi, ke kuptuar se nuk është ajo çfarë do, përse duhet të vazhdosh? Mos u tremb nëse fakti që ti dëshiron të ndërrosh karrierë, të penalizon tek prindërit apo “hedh poshtë” të gjithë dijen dhe paratë që ke shpenzuar këto katër vjet. Imagjino pjesën tjetër të jetës, sikur të bësh diçka që nuk e do 8 orë çdo ditë për 5 ditë në javë! Sa e tmerrshme do të ishte! Një jetë që na është dhënë, kemi mundësi ta shfrytëzojmë më së miri. Rishikoni pasionet tuaja. Përqëndrohunit tek gjërat ku ju mendoni se keni dhunti apo i doni më shumë dhe kërkoni në atë drejtim. Ku I dihet, ju mund të bëni një “përzierje” midis asaj çfarë keni studiuar dhe pasionit tuaj.

Klea përfundoi studimet për farmaceutikë, vetëm se donin prindërit e saj dhe e urrente faktin që tani duhet të punonte në një farmaci. Ëndrra e saj ishte të punonte në televizion, në marketing apo në revista mode. Mjaftoi një “shkëndijë” nga një e afërmja e saj që Klea të lumturohej. Ajo vendosi që të kërkonte punë në kompani kozmetike. Me njohuritë që kishte nga shkolla e Farmacisë dhe aftësinë në komunikim, ajo arriti të siguronte një vend të mirë në sektorin e shitjes/marketingut pranë një distributori të fuqishëm.

8. Mos mendo për katër vjet. Mendo për më gjatë!

Është bërë tashmë e udhës që njerëzit symbylltazi të mendojnë se “puna e shtetit” dhe anëtarësimi në Parti zgjidh çdo gjë! Fatkeqësia është që kjo dëshira për punë shteti shoqërohet me fjalinë: “Se aty je rehat”. Por nëse je në të 20-tat dhe kërkon një punë ku “të jesh rehat”, atëherë shanset që ti do kesh sukses në karrierë janë të pakta. Uro atëherë që të fitosh një llotari apo nëse të pëlqen, gjej një partner të pasur, që më vonë do të kushtëzojë edhe lirinë tënde. Puna në shtet duhet të jetë punë si gjithë të tjerat dhe nëse të pëlqen të hysh në administratë, duhet të hysh për që të qëndruar atje sa më shumë dhe jo për t’u zëvendësuar si “militant” pas 4 vjetëve.

Nëse nuk e sheh politikën si të ardhmen tënde, atëherë shmang ofertat për anëtarësime në parti në këmbim të një pune. Me pak besim tek vetja, ti mund të gjesh diçka edhe pa ndihmën e tyre dhe me shumë punë e përkushtim, mund të arrish majat, pa ndonjë “dorë” të pushtetshmish.

9. Shfrytëzo momentin! Është epoka e ONLINE!

Nëse e ke të vështirë të gjesh një punë në specializimin tënd, atëherë përse të mos shohësh për mundësi online. Ti je pjesë e gjeneratës Hi-Tech dhe më shumë se brezi yt, asnjë s’e njeh përfitimin e online. Ka plot mënyra për të përfituar lekë që nga mirëmbajtja e një faqe FB apo Instagrami për kompanitë deri tek hapja e një biznesi vetjak me shitje online.

Migena ishte në përfundim të studimeve për Kimi Industriale, kur motra e saj, farmaciste në Itali po i tregonte në Skype për një krem shumë të mirë bimor që kishte zbuluar. Migena i kërkoi disa testera t’i provonte dhe kur motra i solli një sasi të madhe, ajo vendosi t’I ndante me mikeshat. Kremërat ishin aq të mirë, sa mikeshat kërkuan që t’i blinin. Duke parë kërkesën e tyre, ajo mendoi që përse të mos e shiste këtë krem edhe tek të tjerë. Ndaj hapi një faqe Facebook-u dhe nisi të reklamonte produktin. Kishte marrë njohuritë e duhura për kremin dhe falë përkushtimit dhe dashurisë për këtë punë të re, promovimi që i bëri rezultoi aq i suksesshëm, sa për një kohë shumë të shkurtër arriti në 350 porosi. Kështu, Migena vendosi që ta merrte seriozisht këtë biznes. U regjistrua, u bë përfaqësuese zyrtare e markës italiane dhe tani po përgatitet të hap një dyqan, ku krahas kësaj linje, do të fusë edhe linja të tjera. “Nuk e mendoja që do të fitoja 1500 – 2000 euro në muaj! Isha përgatitur që me degën time, të gjeja një punë që të do më jepte deri në 40,000 L në muaj. Por kjo është e jashtëzakonshme!” Hej, nuk i dihet! Nëse ju flet instikti për një biznes, dëgjojeni atë!

10. Puno, pavarësisht!

Një tjetër gabim që bëjnë të rinjtë kur mbarojnë shkollat, është se presin. Presin duarlidhur, duke përtypur çumçakëz në pragun e dyerve të dyqanit ku punojnë si shitës, apo “turivarur” teksa të shërbejnë kafen, që të vijë ajo ditë ku ata do të gjejnë punën perfekte. Dhe ndërkohë, gjatë pritjes, nuk përpiqen të japin as minimumin e përkushtimit për punën aktuale. A thua se pronarit i lokalit/dyqanit/call-center-it I derdhen para çdo mbrëmje për bamirësi ndaj studentëve që s’po gjejnë punën që duan! Ky është një gabim i tmerrshëm. Njeriu punëtor është punëtor kudo! Vërtet ti nuk ke mbaruar 5 vjet shkollë për të palosur rroba apo për të argumentuar me një klient pijanec, por kjo s’do të thotë që të shmangesh përgjegjësinë e punës, për më tepër kur ti ke nënshkruar një kontratë me punëdhënësit për shërbimin që je detyruar të bësh. Askush nuk e do një njeri dembel dhe askush nuk impenjohet ta ndihmojë. Por nëse ti do të ishe një shitëse e përkushtuar, ku i dihet çfarë mund të ndodhte! Ndoshta për një kohë të shkurtër do të merrje rritje rroge dhe pronari do të bënte menaxher. Ose do të bije në sy të ndonjë klienti që mund të kishte një kompani të vetën apo të të ofronte ndihmë nëpërmjet lidhjeve. Shumë histori suksesi kanë filluar në vendet më të rëndomta. Jep maksimumin kudo që shkon dhe ki durim…ylli yt një ditë do të shkëlqejë!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat